ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (8)

Nga arkivi i facebookut tim, më 26 prill 2023

ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (8)

Nga Sheradin Berisha – Pashtriku, Maj 2024

SHTOJCË

DY VERSIONET E NJË HISTORIE TË ABDULLAH PRAPASHTICËS!  

I

ABDULLAH PRAPASHTICA: MAS ATENTATIT NDAJ JUSUFIT, BARDHIT DHE KADRIUT, KËRKONIM MUNDËSI MU HAKMARRË NË AMBASADËN JUGOSLLAVE! SHËRBIMI SEKRET USHTARAK TURK NA BURGOSI DY JAVË!

Më 21 janar 2023 në një intervistë me Naim Abazin (në emisionin ODEON – RTV21) Abdullah Prapshtica flet për rastin e kindapimit të tij (pa përcaktuar kohën e sakt të këtij kindapimi dhe me kë ishte kindapuar bashkarisht) nga Shërbimi Sekret Ushtarak i ushtrisë turke, me akuzat se janë të armatosur, të rrezikshëm etj.

Me këtë rast këtë histori Abdullah Prapashtica e kujton si vijon:

“Ai kindapimi ashtë mirë me u përmend, sepse ka, ka, është një ngjarje interesante. Mas atentatit, ndaj Jusufit, Bardhit dhe Kadriut (më 17 janar 1982) ne filluam pak me qenë të pakujdesshëm. Kërkonim mundësi mu hakmarrë, edhe kemi lëvizë rreth e rrotull ambasadës jugosllave në Ankara. Si duket aty jemi hetuar që jemi ka lëvizim dhe atëhere jugosllavët i kanë alarmuar siguriminb ushtarak turk, sepse në Turqi atëhere ishte regjimi ushtarak turk (i Kenan Evrenit). Dhe ka fillue përcjellja e ushtrisë ndaj neve, Shërbimi Sekret Ushtarak. Edhe mas ni kohe ne zbulohemi që po na përcjellin ata neve. Edhe në nifarë mënyre ju tregum që na keni zbuluar dhe iu ikëm. Edhe atëhere u kthyem në bazën tonë. Ata erdhën në bazën tonë, na kërkuan aty. Edhe ajo zoja e shpisë, ishte një shqiptare shumë e mirë, ishte gruaja e dajës tem. I tha atyne që nuk kanë ardhë ende. Ashtu u morrëm vesh ne edhe pse ishim brenda. Atëhere na dolëm, edhe dolëm pe rrethimit. Dolëm pe rrethimit, po ata tani kanë hy, janë kthye edhe ni here te shpija dajës aty edhe ju kanë kërcnuar atyre, nëse deri në orën 12 ne nuk dorzohemi, shpinë e tyne kanë me djeg, edhe neve mas orës 12 ushtria ka urdhër me na vra, sepse jemi të armatosun, jemi të rrezikshëm, kemi shumë pashaporta e kësi gjana. Edhe ne kemi shkue në Ambasadën e Shqipërisë. Ju kemi dal pi rrethit dhe kemi shkue në Ambasadën e Shqipërisë me mendimin që të kërkojmë strehim aty, marrim dokumente të Shqipërisë edhe të dalim nga Turqia. Mirëpo Bujar Hoxha pas konsultimit me Tiranën, na sugjeron që ne të qëndrojmë edhe të dorzohemi. Ata marrin përsipër që do t’na mbrojnë që të mos na dorëzojnë në Jugosllavi. Edhe ne vepruam ashtu si na kërkuan në Ambasdën e Shqipërisë. Tani këtë temën e Jugosllavisë e kemi ditë vetëm ne, as ambasada e Shqipërisë nuk e ka ditë këte, që ne po sillemi rreth ambasadës (jugosllave) me ndërmarrë diçka. Neve Bujar Hoxha na ka thanë vetëm që, neve veç përpiqemi që juve mos me ju kthye, i ndërmarrim tëra hapat, që juve mos me ju kthye në Jugosllavi. Kjo ishte ma e rëndësishme edhe për neve edhe për ata.  Po për punën e Jugosllavisë, ambasada shqiptare nuk e ka ditë fare që ne jemi ka lëvizim asajde. Ata fillimisht, po erdhën në ora 12, edhe na i pritëm ata, erdhën na morrën, na arrestun. Na futën thasë në kokë dhe na dërguan në një aeroport dikun, i dëgjojsha aeroplanët ushtarak kur aterojshin. Në ni burg me dyer, por pa dritare. Kështu që na nuk e dinim ku ishim. Edhe aty qëndruam ja dy javë ditë. Me ni përkthyes të tyre shqiptar të jugut të Shqipërisë na thanë, mue më thanë që je i mirësardhur në Turqi, edhe mos e konsidero veten të burgosun, por për shkaqe të sigurisë ju kemi marrë këtu, sepse jeni të rrezikum, edhe mas ni kohe ju lëshojmë. Mirëpo mirëseardhja në burg nuk ishte mikpritje shumë e mirë a din, po. Jo e ambël. Edhe mas dy jave vërtetë ata na lëshun neve.” (Burimi: Naim Abazi intervistë me Abdullah Prapshticën – Odeon 520 Pjesa e 2, Rtv 21, 21.01.2023, nga minuta 46:43 – 50:17)

Odeon 520 Pjesa e 2, Rtv 21, 21.01.2023

II

ABDULLAH PRAPASHTICA: POLICIJA TURKE NA BURGOSI NË PRAG TË FESTËS SË MAJIT, ME AKUZ PËR SPIJUNAZH NDAJ JUGOSLLAVISË…!

Më 14 qershor 1982, Abdullah Prapashtica me qëndrim në Ankara (Adapazar) të Turqisë, në letrën dërguar Osman Osmanit me qëndrim në Gjermani, lidhur me historinë e burgosjes dy javore shkruan:  

“Pos të gjitha tjerave që i përmenda më lart, po na ndjek edhe policija vendase e edhe policija e jugut (Jugosllavisë – shënim i redaksisë). Pas kërrcnimeve direkte që po na i dërgojn qe disa her, policija e jugut, si u informuam nga burimet e besueshme, për kokën time e kishin nda një fond të madh të hollash, kurse policija vendase (turke – shënim i redaksisë) na burgosi në prag të festës të majit, pas përcjelljes njëmuajshe. Në burg na mbajtën dy javë dhe të gjitha hetimet ishin me akuz për spiunazh ndaj vendit të tret – jugut (Jugosllavisë – shënim i redaksisë). Në mungesë të fakteve dhe në bazë të qëndrimit ton të paluhatshëm se në Turqi jemi përkohsisht na liruan, por me akuzë të hapur si terrorista potencial ndaj jugut dhe me hetime të hapura, duke na dhan një javë afat që ta lëshojmë këtë vend. Hetimet nuk ishin të lehta! Pasi dolëm nga burgu, shkuam për në Siri.

Në Siri kaluam një javë dhe pasi nuk kishim kah tja mbajmë u detyruam që prap të kthehemi këtu dhe të vazhdojmi të qëndrojmi nën kërrcnim që të burgosemi prap në çdo lëvizje të dyshmt. Pasi që nuk pranuam se kemi këtu shokë – që të mos krijojmë vështirësi tjera – edhe takimet tona janë vështirsu edhe ma shum. Në anën tjetër, gjendja ime shëndetsore po shkon kah keqsimi e në këtë më ”ndihmoi” edhe ”pushimi i shkurt dy javsh” (në burg – shënim i redaksisë).

Megjithatë, shpirtnisht jemi njësoj të freskët, moralin e kemi në nivel dhe po ju përballojmi këtyre vështirsive, me fuqi dhe po i kryejm punt që po mundemi.

Plakun (diplomatin shqiptar Bujar Hoxha – shënim i redaksisë) e informuam për të gjitha rregullisht si edhe për informatat që erdhën nga ju. (…) Udhtimi ynë në Siri nuk kaloi pa rezultate, sepse atje i dërguam dhe i shpërndam ”Zërat”, bam disa vizita të shqiptarëve të rëndësishëm në Damask dhe i krijuam tri lidhje të cilat ma von do të na shërbejn për krijimin e punkteve ku shkojn materialet dhe ma tutje edhe të Degës të LRSSHJ për Lindje – shtete arabe.

Ky është një roport i shkurt i gjendjes dhe aktivitetit këtu, por jan kryer edhe punë të tjera për të cilat nuk po zgjati këtu si edhe kan ndodhë edhe gjana tjera për të cilat ma von do të informohemi gojarisht nga cilido nga ne këtu!”

(Burimi: Abdullah Prapashtica (Kushtrimi) letër dërguar Osman Osmanit (Halimit), Ankara – më 14 qershor 1982, faqja 1 – 2)

ABDULLAH PRAPASHTICA: SI E KRIJUAM “DEGËN E LËVIZJES PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS” NË GJERMANI?!  

Më 21 janar 2023 në një intervistë me Naim Abazin (në emisionin ODEON – RTV21) Abdullah Prapshtica kujton ardhjen e tij në Gjermani te vajza axhës, takimin me një bashkëpunëtor të Jusuf Gërvallës dhe krijimin e “Organizatës për Bashkimin e Punëtorëve të Kosovës” si “Degë e Lëvizjes për Republikën e Kosovës”…

Abdullah Prapashtica:

“Unë kisha atëherë një vajz të axhës në Gjermani edhe unë e morra rrugën në drejtim të saj atje. Unë e kisha një numër të telefonit të një prej bashkëpunëtorëve të Jusuf Gërvallës edhe atina ju drejtova. Shoqja e tina në të vërtetë qëlloj në telefon, ai nuk qilloj dhe ajo më tha, meqë unë i thash se jam me gruen më tha merre masi e ke shoqen, i thash shoqja është pak e sëmurë. Ajo tha merre shoqen edhe eja ju presim. Atëhere erdh edhe ai shoku jonë, që ne nuk njifeshim personalisht, kishim fol në telefon por nuk njifeshim.  Edhe ata vendosën që mem ndal mue, me vazhdu veprimtarinë menjëherë aty, në rrethinën e Shtutgartit. Unë u takova atëherë me një prej bashkëpunëtorve ma të ngushtë që ka pas Jusuf Gërvalla. Ka qenë ni Nuhi Sylejmani aty, nga Llojani është në Kufinin: Maqedoni – Serbi – Kosovë. Edhe atëhere ne vendosëm që ta krijojmë ni Degë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, atëhere është quajtur Lëvizja për Republikën e Kosovës ende. Edhe krijuam na, i krijuam bazat teorike, bamë organizimin, vendosëm me nxerrë edhe ni gazetë, gazetën “Punëtori”, ndërsa ajo organizatë quhej Organizata për Bashkimin e Punëtorëve të Kosovës, ishte një formë sindiklae, do me thanë ajo ishte një mbulesë, por ajo ishte një organizatë çlirimtare, si pjesë e Lëvizjes.

(Burimi: Naim Abazi intervistë me Abdullah Prapshticën – Odeon 520 Pjesa e 2, Rtv 21, 21.01.2023, nga minuta 43:40 – 45:18)

Si e kujton Nysret Hajdari bashkëpunimin me grupimin e Abdullah Prapashticës në librin e tij. “KUJTIME TË NDRITURA TË KOHËVE TË ERRËTA, VËLLIMI I PARË (VITET 1940 – 1989), SHB „PROINTEGRA“, Zürich, 2020”

Në vijim lexoni fragmente të kapitujve 23 / 24 të këtij libri:

KAPITULLI 23

BASHKËPUNIMI ME GRUPIMIN E ABDULLAH PRAPASHTICËS 

Tri figura të reja politike 

Në vitin 1982, në Gjermani ishin vendosur Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli. Ata krijuan një grupim të ri politik në mesin e mërgatës shqiptare në Gjermani. Ky grupim politik, me të cilin për herë të parë u njoha në qershorin e vitit 1982, kishte dy synime kryesore: Bashkimin e organizatave politike ekzistuese në një organizatë të vetme, dhe aktivizimin e mërgatës shqiptare në të mirë të çështjes së Kosovës. Unë dhe një pjesë e veprimtarëve që kishim bashkëpunuar me grupimin politik të Jusuf Gërvallës, tani iu bashkuam grupimit politik të Abdullah Prapashticës. Me këtë grupim politik bashkëpunova deri në vitin 1985 kur u ktheva për të jetuar në Kosovë. 

Njohja me Fatonin dhe Osmanin

Me babanë e Fatonit, Ramush Topallin nga fshati Zllatarë, ku unë i kisha dajët e mi, kishim qenë shokë fëmijërie dhe shokë shkolle. Tani me djalin e tij, Fatonin, u takuam në qershorin e vitit 1982, kur ai erdhi në Beningen për t’u strehuar në ndërtesën ku banonim ne 10 mërgimtarët shqiptarë dhe disa mërgimtarë serbë e kroatë. Fatoni ishte mysafir i Shaban Avdiut, që banonte në të njejtën ndërtesë. Ai u prezentua me emrin “Naimi”. Edhe Osman Osmanin e njoha në qershor të vitit 1982, kur erdhi për ta vizituar Fatonin në Beningen, ku banoja me mërgimtarët tjerë. 

Vlerësimet e Nuhi Sylejmanit

Për aktivitetin politik të Faton Topallit dhe të Osman Osmanit më foli shoku i mërgimit, Nuhi Sylejmani, meqë ai i kishte njohur më herët. Ai më tha se Fatoni, Osmani dhe Abdullah Prapashtica kishin marrë pjesë në organizimin e demonstratave të marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë. Për shkak të përndjekjeve nga policia dhe UDB-ja, kishin ekziluar në Turqi dhe tani kishin ardhur në Gjermani. Për Abdullah Prapashticën më tha se në Kosovë kishte punuar në organet e sigurimit të shtetit, ku kishte depërtuar qëllimisht për ta ndihmuar Lëvizjen Kombëtare të Kosovës. Duke pasur parasysh se Nuhi Sylejmani ishte një njeri serioz dhe njëri nga shokët e afërt të Jusf Gërvallës, për mua Osmani, Fatoni dhe Abdullahu paraqitnin tri figura politike të besueshme, me të cilët ia vlente të bashkëpunohej, duke marrë parasysh këtu edhe njohjen dhe shoqërimin që kisha pasur me babanë e Fatonit, Ramushin.

Bisedë me Osmanin dhe Fatonin

Duke u bazuar në ato që më kishte thënë Nuhi Sylejmani për Fatonin dhe Osmanin, unë i hapa letrat me ta, e ata i hapën letrat me mua. Ata i zbuluan para meje emrat e tyre të vërtetë dhe treguan se ishin angazhuar në organizimin e demonstratave të marsit e të prillit të vitit 1981 në Kosovë; se më pas ishin përndjekur nga policia dhe UDB-ja, dhe se ishin detyruar të emigronin në Turqi, në qytetin e Stambollit. Menjëherë pas bashkimit të 17 shkurtit 1982 në LRSSHJ, Osmani bashkë me njërin nga përfaqësuesit e LNÇKVSHJ (Xhafer Durmishin – shb) udhëton për në Gjermani, ndërsa në Kosovë kishte filluar vala e madhe e arrestimeve të veprimtarëve të PKMLSHJ dhe Abdullahun e Fatonin, me kalimin e kohës policia turke i kishte përndjekur dhe i kishte burgosur disa ditë. Kjo ua kishte krijuar idenë se burgosjen e tyre autoriteteve turke ua kishte kërkuar ambasada jugosllave në Turqi, sepse asokohe Turqia dhe Jugosllavia kishin marrëdhënie të mira. Meqë pas daljes nga burgu nuk ishin ndier të sigurt në Turqi, kishin ardhur në Gjermani.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 314 – 315.)

Abdullah Prapashtica

Osmani tha se Fatoni, Abdullah Prapashticën e kishte dajë: se Abdullahu kishte punuar në organet e sigurimit shtetëror në Prishtinë; se në ato organe ishte futur me qëllim që ta ndihmonte Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, pjesë e së cilës kishte qenë edhe vetë që nga viti 1975; se ai e kishte themeluar „Partinë Komuniste Marksiste – Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi – PKMLSHJ-në“, të cilës i kishin takuar edhe Osmani e Fatoni; se gjatë demonstratave të rinisë studentore në marsin e prillin e vitit 1981në Prishtinë, e kishin ndihmuar organizimin e tyre, por meqë sigurimi i shtetit „lojës“ së tij i kishte rënë në fije, edhe ai për të shpëtuar nga arrestimi dhe burgosja, që nga nëntori i vitit 1981 ishin arratisur fillimisht në Turqi dhe në pas gjatë vitit 1982 bashkë me Osmanin e Fatonin kishte ardhur në Gjermani.

Takimi me Abdullahun

Për vetë faktin se Abdullah Prapashtica ishte vendosur te një shok i tij nga Turqia në qytetin e Hanoverit në veri të Gjermanisë, që ishte shumë larg nga Beningeni ku punoja e jetoja unë në jug të Gjermanisë, atë e njoha dhe e takova rreth 8 muaj pasi e kisha njohur Osmanin dhe Fatonin. Më 3 shkurt të vitit 1983, Hasan Veselaj dhe unë udhëtuam me makinën e tij drejt Hanoverit për t’u takuar me Abdullah Prapashticën. Pas 8 orë rrugë me makinë arritëm në shtëpinë ku Abdullahu ishte vendosur me banim. Pasi biseduam për punët e Kosovës dhe të mërgatës u nisëm nga Hanoveri drejt Shtutgardit. Me vete e morëm Abdullahun dhe bashkëshorten e tij, Nazmijen. Derisa po udhëtonim drejt Shtutgardit, prapa makinës sonë po shihej një makinë policore. Duke e pasur në makinë Abdullahun dhe bashkëshorten e tij, të dy ilegalë në Gjermani, Hasanit dhe mua s’po na vinte hiq mirë! Por, policia me makinën e saj na tejkaloi e nuk u mor fare me ne.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 316.)

Strehimi te Hasan Veselaj dhe Nuhi Sylejmani

Hasan Veselaj, Abdullah Prapashticën dhe shoqen e tij Nazmijen i mori në banesën e tij dhe nuk lejoi që ata të ktheheshin në qytetin e Hanoverit. Por, po të hetohej nga policia se Hasani në banesën e tij po i mbante dy ilegalë, gjykata gjermane mund ta ndëshkonte me kthim në Kosovë, në një kohë kur ai më kishte rënë në sy të UDB-së. Meqë banesa e Hasanit ishte shumë e vogël, njëra familje flinte natën, e tjetra flinte ditën. I tillë ishte Hasan Veselaj: Ai nuk kursente asgjë për shokë e miq atdhetarë. Por merita kryesore i takonte shoqes së tij, Sevdije Veselajt, e cila në atë banesë të vogël me dy fëmijë, Avniun dhe Bestarin, priti e përcolli shumë shokë e miq të Hasanit.

Më pas Abdullahu dhe shoqja e tij banuan për kohë të gjatë në banesën e Nuhi Sylejmanit në Gärtringen afër Shtutgardit. Banesa Nuhiut ishte pak më e madhe se e Hasanit, por rreziku nga policia gjermane ishte i njëjtë. Gjendja u vështirësua edhe më tepër, kur në vitin 1983 në banesën e Nuhiut u vendosën edhe Osmani e Fatoni. Ata të tre në banesën e Nuhi Sylejmanit i nxorën disa numra të gazetës „Punëtorët“, „Komenti politik“ dhe fletushkën „Kosovarja“, të cilat ne shokët tjerë i shpërndanim në mesin e mërgatës shqiptare, afër e larg. 

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 316 – 317)

Etiketimet që iu bënë Abdullah Prapashticës

Për vet faktin se Abdullah Prapashtica kishte punuar në organet e punëve të brendshme në Kosovë, ai ka nqenë figura politike ndaj të cilës ka qenë shumë lehtë të hidhen dyshime e etiketime, siç edhe ka ndodhur nga ana e disa figurave tjera të mërgatës politike të asaj kohe. Sipas tyre, Abdullah Prapashticën e kishte dërguar sigurimi shtetëror i Jugosllavisë, me misionin e përndjekjes dhe të përçarjes së mërgatës shqiptare në Gjermani e më gjerë. Unë për vete kam pasur tri figura politike të besueshme, Nuhi Sylejmanin, Osman Osmanin dhe Faton Topallin, të cilat ma kanë bërë të qartë se Abdullah Prapashtica nuk ishte punësuar në organet e punëve të brendshme të Prishtinës për llogari të organeve të tilla, por për llogari e për të mirën e Lëvizjes kombëtare të Kosovës, pjesë e së cilës kishte qenë edhe vetë. Unë, Nuhiu, Hasani e shumë veprimtarë tjerë që për disa vjet bashkëpunuam me Abdullah Prapashticën, nuk kemi parë as shenjën më të vogël se ai ishte dërguar nga UDB-ja për ta përndjekur e përçarë mërgatën shqiptare në Gjermani. Prandaj versionin sipas të cilit Abdullah Prapashtica kishte ardhur në Gjermani si njeri i UDB-së, nuk e kam besuar e nuk e besoj as sot. 

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 318)

Rrjedhat e LRSSHJ-së në mungesë të Jusufit, Bardhoshit e Kadriut

LRSSHJ-ja e grupimit të Abdullah Prapashticës: Jusufi dhe Kadri Zeka ishin vrarë nga UDB-ja më 17 janar (1982), dhe nuk kishin lënë ndonjë dokument të shkruar lidhur me bashkimin e dy organizatave në LRSSHJ, Prandaj më 17 shkurt të vitit 1982 në Turqi ishin bërë bisedime të reja në mes të Sabri Novosellës, si përfaqësues i LNÇKVSHJ-së dhe Abdullah Prapashticës, Osmanit e Fatonit si përfaqësues i PKMLSHJ-së, për konsolidimin e bashkimit të këtyre organizatave, ashtu siç kishin bërë edhe Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, në një organizatë të vetme, përkatësisht në LRSSHJ. Prandaj edhe “Zëri i Kosovës” i majit (qershorit – sh.b) të vitit 1982, që e nxorën Osman Osmani dhe Xhafer Durmishi, nuk ishte më organ i LNÇKVSHJ-së, por ishte organ i LRSSHJ-së. 

Në faqen e parë të “Zërit të Kosovës” të majit (qershorit – shb) të vitit 1982, ishte botuar komunikata e bashkimit të dy organizatave të lartëpërmendura në LRSSHJ në takimin e Stambollit, të cilën po e jap më poshtë: 

KOMUNIKATË

Përfaqësuesit e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe të Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), u mblodhën më 17 shkurt 1982 në qytetin e Stambollit dhe u zhvilluan bisedime përfundimtare për bashkimin e këtyre dy organizatave në një të vetme. 

Pas arritjes së bashkimit u vendos që organizatat të organizohen në Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).

Në ndërkohë bisedimet u zhvilluan edhe me përfaqësuesit e Organizatës Marksiste – Leniniste të Kosovës (OMLK) me të cilët bisedimet përfunduan më 15 maj 1982. 

Me një shkallë të lartë të unitetit të mendimit, të të tri organizatave, në mes tjerash u morën këto vendime e qëndrime: 

1. Që organizata e re të pagëzohet ”Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ). 

2. LRSHJ-a si front unik i rezistencës do të përfshijë në gjirin e saj të gjitha forcat patriotike e revolucionare të popullit shqiptar, si dhe të gjithë patriotët në mërgim, të cilët për shkak të dhunës e terrorit serbomadh janë detyruar t’i lëshojnë trojet e veta të stërlashta. 

3. LRSSHJ-a do të luftoj për formimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, në të cilën duhet të përfshihen të gjitha territoret etnike shqiptare, dhe për realizimin e këtij qëllimi do të shërbehet me të gjitha mjetet që lejon etika revolucionare, duke u nisur nga bindja politike e gjer tek revolucioni i armatosur, po që se e kërkon nevoja. 

4. LRSSHJ-a është thellësisht e bindur se, duke luftuar për Republikën Shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, do t’i kontribuoj ruajtjes dhe forcimit të bashkimit dhe vëllazërimit të mirëfilltë në mes popujve të Jugosllavisë. LRSSHJ si përfaqësuese e vetme e popullit shqiptar në shtetin jugosllav, konsideron se lufta e saj e drejtë i shërben edhe forcimit të unitetit të Federatës Jugosllave, ruajtjes së paqes në Ballkan dhe stabilitetit të përgjithshëm në Evropë e më gjerë. 

5. LRSSHJ-a llogarit në ndihmën dhe përkrahjen e të gjitha forcave progresive të Jugosllavisë, të cilave u propozon luftë të përbashkët kundër forcave hegjemoniste, kolonialiste, shoviniste dhe forcave tjera reaksionare në Jugosllavi, të cilat sot kanë pozita dominuese në të gjitha strukturat e shtetit dhe si të tilla paraqesin rrezik permanent për të ardhmen e Jugosllavisë, për perspektivën e popujve që jetojnë në te dhe për paqen në këtë regjion. 

6. LRSSHJ-a me të gjitha forcat do të luftojë kundër çdo shovinizmi e separatizmi, sepse edhe këto izma reaksionare, që mund të paraqiten edhe tek ndonjë shqiptar, e dëmtojnë unitetin e Jugosllavisë dhe vetvetiu edhe luftën e drejtë që bënë populli ynë. 

7. LRSSHJ-a përshëndet qëndrimin e drejtë të të gjithë opinionit progresiv ndërkombëtar, që u solidarizua dhe po solidarizohet me kërkesën e drejtë të popullit tonë për Republikën e vet në kuadrin e Federatës Jugosllave.  

8. LRSSHJ-a përshëndet qëndrimin e PPSH-së dhe të Qeverisë Shqiptare ndaj kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës së vetë në kuadrin e Federatës Jugosllave, me çka dëshmon interesimin e saj për këtë pjesë të kombit dhe të principeve të politikës së saj të jashtme ndaj RSFJ-së, ku respektohen me përpikëri parimet e mos cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, të mospërzierjes në punët e brendshme, respektimit reciprok dhe barazisë së plotë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtjes së fqinjësisë së mirë, duke qenë gjithmonë në gatishmëri të plotë të mbrojë interesat e pjesë së kombit brenda normave dhe ligjeve ndërkombëtare. 

 9. LRSSHJ-a u bën thirrje të gjitha grupeve ekzistuese dhe individëve, që luftojnë për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi që t’i bashkohen Lëvizjes për Republikë. 

10. LRSSHJ-a, që tani distancohet nga të gjitha format e luftës që mbajnë erë terrorizmi dhe s’do t’ua shtrijë kurrë dorën e pajtimit individëve që i kanë duart e zhytura me gjakun e popullit. Gjithashtu Lëvizja s’do të bashkëpunojë asnjëherë me rryma e organizatat politike që mbajnë vulën e tradhtisë, apo që kanë për qëllim ta rrezikojnë pavarësinë e RSFJ-së.

11. Organ qendror i LRSSHJ-së do të jetë ”Zëri i Kosovës”;

12. LRSHJ-ja ua bënë me dije si OKB-së, ashtu edhe qeverive të të gjitha shteteve që janë për paqe, liri dhe demokraci në botë, se pa iu njohur popullit shqiptar në Jugosllavi statusi i kombit dhe e drejta e patjetërsueshme e tij për Republikën e vetë në kuadrin e Federatës Jugosllave; pa u liruar pa asfarë kushti të gjithë të burgosurit politikë dhe pa mundësimin e kthimit në vendlindje të të gjithë atyre që luftuan për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, LRSSHJ-a nuk do të qetësohet kurrë. 

Rroftë Republika Socialiste Shqiptare në Jugosllavi!

Rrofshin të gjithë popujt e RSFJ-së!

Rroftë Lëvizja për Republikë!

(KJO KOMUNIKATË ËSHTË E FALSIFIKUAR – SHËNIM I PASHTRIKUT)

_________

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 318 – 321.)

Tri grupimet e LRSSHJ-së

Por gjatë viteve 1982 / 1983 edhe nga pjesa tjetër e veprimtarëve të mërgatës në Gjermani, që u grumbulluan rreth Xhafer Durmishit e të tjerëve, po ashtu u veprua në emër të LRSSHJ-së, duke u mbështetur në trashëgiminë e Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës. E njejta gjë ndodhi edhe në Zvicër, kur gjatë viteve 1982 / 1983 nga Xhafer Shatri, Hasan Mala e të tjerë u krijua LRSSHJ-ja. Kështu edhe „Zëri i Kosovës“, që gjatë vitit 1983 po botohej në Zvicër, u botua si organ i LRSSHJ-së me seli në Zvicër. Kështu, u krijuan tri grupime politike të LRSSHJ-së: dy në Gjermani e një në Zvicër.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 322)

………………

NYSRET HAJDARI: KUJTIME TË NDRITURA TË KOHËVE TË ERRËTA, VËLLIMI I PARË (VITET 1940 – 1989), SHB „PROINTEGRA“, Zürich, 2020

KAPITULLI 24 

KUJTIME QË LIDHEN ME NGJARJET E VITEVE 1983 – 1984 

Vitet 1983 – 1984 i kalova duke qenë anëtar i LRSSHJ-së, të cilës i printe grupimi politik i Abdullah Prapashticës. Bashkë me Nuhi Sylejmanin, Hasan Veselajn, Nazmi Pirën dhe shokë të tjerë, u mora me aktivitete të ndryshme në kuadër të LRSSHJ-së. Të gjithë së bashku e financuam botimin e “Komentit Politik“ që ishte organ i LRSSHJ-së të grupimit tonë politik, fletushkën “Punëtorët” që u bë organ i „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës – BPK-së” dhe revistën “Kosovarja” që nxirrte bashkëshortja e Abdullah Prapashticës, Nazmije Prapashtica. Natyrisht se të gjithë u përballëm me vështirësi financiare, por me vëshirësi më të mëdha financiare u përballën sidomos Nuhi Sylejmani dhe Hasan Veselaj. Më poshtë përshkruhen veprimtaritë kryesore të LRSSHJ-së në kuadër të grupimit tonë politik.

Krijimi i „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës“ (BPK)

LRSSHJ-ja e grupimit të Abdullah Prapashticës e themeluar më 17 shkurt 1982 të cilit i takoja edhe unë, më 14 mars të vitit 1983 në Gärtingen të Shtutgartit, e mbajti Kuvendin e parë të „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës (BPK-së)“ në kuadër të LRSSHJ-së. Pjesëmarrës të atij kuvendi ishin: Abdullah Prapashtica, Nuhi Sylejmani, Hasan Veselaj, Nusret Hajdari, Gëzim Bekteshi, Jahir Jahiri, Enver Ismajli, Sahit Tofaj dhe Qazim Zekaj.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 323 – 324.)

Fjala e Abdullahut

Abdullah Prapashtica, asokohe me pseudonimin “Kushtrimi“, pasi i njoftoi të pranishmit për rëndësinë e bashkimit të të tri organizatave si PKMLSHJ-ja, LNÇKVSHJ-ja dhe OMLK-ja, në një organizatë të vetme, në LRSSHJ, foli për rëndësinë e themelimit të „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës“ (BPK) me punë jashtë vendit. Ai tha se Bashkimi i Punëtorëve të Kosovës (BPK-ja), do të jetë në shërbim të punëtorëve nga Kosova, që punojnë e jetojnë në Gjermani e vende tjera. Ajo do t’i informojë punëtorët shqiptarë lidhur me gjendjen në Kosovë, dhe për rrugët që duhet përdorur për sensibilizimin e punëtorisë gjermane me kërkesat e drejta të shqiptarëve. Abdullahu (Kushtrimi) i pyeti të pranishmit, nëse kishin mundësi të mblidhen mjete financiare për botimin e organit të BPK-së me emrin „Punëtorët“, për botimin në shumë kopje të „Platformës politike“ të LRSSHJ-së, dhe për botimin e një kumtese për t’iu kundërpërgjigjur propagandës antishqiptare jugosllave me kundër – propagandën tonë. Kësaj pyetje të gjithë të pranishmit në atë Kuvend iu përgjigjën pozitivisht, duke shprehur vullnet e gatishmëri për t’i mbuluar financiarisht aktivitetet e tilla të LRSSHJ-së dhe të BPK-së. Por ky premtim, duke pasur parasysh numrin tonë të vogël, ishte vështirë të mbahej. 

Komiteti drejtues

Në fund të mbledhjes u zgjodh edhe Komiteti Drejtues i LRSSHJ-së. Kryesues i Komitetit Drejtues u zgjodh Nuhi Sylejmani, kurse anëtarë të Komitetit Drejtues u zgjodhën: Hasan Veselaj, Jahir Jahiri, Gëzim Bekteshi, Enver Ismajli dhe unë, Nysret Hajdari. Me të përfunduar mbledhja e Kuvendit u shpërndamë, duke mbetur të kënaqur me vendimet që u morën në atë kuvend. 

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 324.)

Trakti për vrasjen e Afrim Abazit

Më 19 mars të vitit 1983, Komiteti Drejtues i LRSSHJ-së doli me një trakt përkujtues për dëshmorin Afrim Abazi nga Ferizaji. Afrim Abazi që bashkë me Fatmir Bajramin dhe Faton Topallin kishte vepruar fshehurazi në qytetin e Ferizajt, ishte arrestuar dhe burgosur dhe më 19 mars të vitit 1981 kishte vdekur në burg nga torturat e UDB-së. Kështu trakti, kushtuar Afrim Abazit po bëhej me rastin e dy vjetorit të rënies së tij. Trakti u bë në shumë kopje dhe u shpërnda në mesin e mërgimtarëve. Ai iu dërgua me postë edhe përfaqësive diplomatike jugosllave në Gjermani. LRSSHJ-ja, nëpërmjet të atij trakti, në njërën anë e nderoi dëshmorin Afrim Abazi, kurse në anën tjetër e sensibilizoi mërgatën shqiptare lidhur me dhunën e egër policore të ushtruar ndaj shqiptarëve. Për fat të keq, kopja e atij trakti ka humbur. Trakti kushtuar dëshmorit Afrim Abazi ishte veprimtaria e parë konkrete që bëri grupimi ynë politik në kuadër të LRSSHJ-së.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 324 – 325.)

Botimi i “Platformës Politike” të LRSSHJ-së 

Më 31 mars të vitit 1983, dol inga shtypi në 900 kopje “Platforma Politike, Programi dhe Statuti i LRSSHJ-së”, dhe Platforma e „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës – BPK”, që patën një kosto financiare prej 1100 markash gjermane. Platforma e LRSSHJ-së, ndër të tjera, kishte edhe një historik të shkurtër të luftërave të popullit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, duke filluar që nga viti 1912 e deri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore 1941 – 1945. Më tej në platformë shkurtazi ishin përshkruar edhe lëvizjet atdhetare të shqiptarëve në Kosovë e Viset tjera shqiptare, pas vitit 1945 e deri në kohët aktuale. Në platformë dhe statut ishin caktuar synimet politike të LRSSHJ-së, mënyra e udhëheqjes dhe format e veprimtarisë së saj, ashtu siç ishin përcaktuar edhe detyrat e anëtarëve të LRSSHJ-së. Ideatori i platformës dhe i statutit të LRSSHJ-së ishte Abdullah Prapashtica i ndihmuar nga Osman Osmani dhe Faton Topalli.

Dalja e fletushkës “Punëtorët”

Gjatë majit të vitit 1983 Abdullahu, Osmani e Fatoni i nxorën nga shtypi dy numrat e parë të fletushkës “Punëtorët”, që ishte organ i „Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës“ (BPK) në kuadër të LRSSHJ-së. Deri në fund të vitit 1985, kur unë u ktheva në Kosovë, dolën gjithsejtë 10 numra të fletushkës “Punëtorët” dhe 3 numra të gazetës “Kosovarja e Re”, që e nxori Nazmije Abdullahu, bashkëshortja e Abdullah Prapashticës. Fletushka “Punëtorët” është shpërndarë në mesin e mërgimtarëve, si dhe u është dërguar me postë ambasadës dhe konsullatave jugosllave në Gjermani. Derisa unë brenda viteve 1986 – 1990 kam qenë në burg në Kosovë, Abdullah Prapashtica ka arritur të nxjerrë edhe 4 numra tjerë të fletushkës “Punëtorët”, të cilët poashtu janë shpërndarë brenda mërgatës shqiptare. Kështu sa di unë, janë botuar gjithsejtë 14 numra të fletushkës “Punëtorët”.  

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 325 – 326.)

Lëvizja e Osmanit dhe e Fatonit Gjermani – Turqi 

Kthimi në Turqi

Më 29 shtator të vitit 1982, Faton Topalli dhe Osman Osmani, pas qëndrimit 6-mujor në Gjermani, u kthyen në Turqi. Ata u kthyen sepse duke mos kërkuar azil politik në Gjermani, po bënin jetë ilegale duke i rrezikuar ata mërgimtarë që po i mbanin. Nga ana tjetër, Shaban Avdiu, të cilin Fatoni e kishte të afërm, alarmoi se kohëve të fundit disa njerëz të dyshimt, po silleshin rreth ndërtesës ku Fatoni banonte bashkë me ne mërgmitarët. Kjo bëri që Fatoni të ndihet i rrezikuar, sepse kishte mundësi që ata njerëz të ishin të UDB-së. Kështu, një pasdite Fatoni dhe Osmani nga Beningeni u nisën me makinën e Hysen Spahiut për të shkuar në Shtutgard dhe me avion të udhëtonin për Turqi. Pas disa ditësh, Hasan Veselaj më tha se, meqë Osmani e Fatoni nuk kishin para për t’i paguar biletat e avionit për Turqi, ata ende ishin te disa shokë në Gjermani. Urgjentisht i mora hua 2000 marka gjermane dhe ia dhashë Hasan Veselajt, që t’ua jepte për t’i blerë biletat e avionit. Meqë biletat për Turqi kishin kushtuar vetëm 500 marka gjermane, Hasan Veselaj m’i ktheu mua 1500 markat e mbetura. 

Rikthimi në Gjermani

Më 29 prill të vitit 1983, Osman Osmani dhe Faton Topalli, pas një qëndrimi 6-mujor në Turqi, u kthyen sërish në Gjemani. Tani edhe Osmani e Fatoni u vendosën në banesën e Nuhi Sylejmanit, ku banonte edhe Abdullah Prapashtica me shoqen e tij. Kështu, në banesën e Nuhiut u bënë katër ilegalë. Nuhiu, me një rrogë të vogël, nuk e kishte të lehtë që, përveç familjes së tij prej 6-anëtarësh, t’i mbante edhe katër ilegalë. Nga ana tjetër, mbajtja e ilegalëve në banesë, siç kam cekur edhe më lart, për Nuhiun ka parqitur rrezikun e kthimit të tij në Maqedoni (në fshatin e tij Llojan afër Kumanovës), ku policia maqedone do ta arrestonte e burgoste menjëherë.

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 333.)

Ngushticat financiare

Njëherë unë dhe Enver Ismaili shkuam ta vizitonim Nuhi Sylejmanin në banesën tij. I ramë ziles dhe doli shoqja e tij, Remzije Sylejmani. E pyetëm se a ishte aty Nuhiu? Ajo na tha se Nuhiu nuk ishte aty, se ai dihej kur dilte nga banesa, por nuk dihej se kur kthehej dhe na luti të hynim brenda. Nuk deshëm të hynim brenda. Kur unë e pyeta se si po kalonin me shpenzime, ajo tha se – „ndonjëherë s’po kemi pare në xhep as për një kile bukë!“ Me vete i kisha 500 marka. Ia lash me imponim, sepse s’donte t’i merrte. S’ka dyshim se gratë si Remzije Sylejmani, Nazmije Prapashtica, Sevdije Veselaj e të tjera, kanë dhënë kontribut të madh në rrjedhën e veprimtarisë atdhetare në mesin e mërgatës shiptare.  

Sigurimi i mjeteve teknike

Në ndërkohë me financat tona arritëm t’i siguronim disa mjete teknike shtesë për vazhdimin e veprimtarisë së mëtejme të LRSSHJ-së. Abdullahu, Osmani dhe Fatoni, iu përveshën punës për ta nxjerrë “Komentin politik” dhe fletushkën “Punëtorët”. Por, ndihmat tona financiare të dhëna në shumë drejtime na futën në “ngushtica financiare”. Edhe pse po kursenim duke jetuar keq, mezi po na mbetej pak para për t’ua dërguar familjarëve tanë në Kosovë. 

Osmani dhe Fatoni në Zvicër

Më 15 nëntor të vitit 1983, Osman Osmani dhe Faton Topalli nga Gjermania kaluan fshehurazi në Zvicër. Atje ishin vendosur si mysafirë te vëllezërit Tolaj në pjesën frankofone të Zvicrës, ku për tre muaj mund të qëndronin si turist dhe pastaj duhet ta lëshonin Zvicrën. Për të mos u kthyer në Gjermani, kishin vendosur që në Zvicër të kërkonin azil politik. Pas një kohe relativisht të shkurtër, organet zvicerane Osmanit dhe Fatonit ua njohën të drejtën e azilit politik. Ata qëllimisht ishin vendosur me banim në qytetin e Shafhauzenit, buzë kufirit me Gjermaninë, sepse për dy orë rrugë me tren mund të vinin në Shtutgard, për të bashkëpunuar më tej me Abdullahun dhe me ne shokët tjerë. Asokohe nuk e dija se edhe unë pas shumë vitesh bashkë me familje do të mërgoja në Zvicër, duke u vendosur në qytetin e Nojhauzenit ngjitur me Shafhauzenin, ku u vendosën asokohe Osmani dhe Fatoni.  

Abdullah Prapashtica në Gjermani

 Abdullah Prapashtica bashkë me të shoqen, brenda viteve 1982 – 1983 kishin jetuar ilegalisht në banesat e vogla të Hasan Veselajt e të Nuhi Sylejmanit. Por kështu nuk mund të shkonte gjithmonë. Prandaj gjatë vitit 1984 paraqitën kërkesë për njohjen e azilit politik pranë organeve të qytetit të Shtutgardit. Abdullah Prapashticës dhe shoqes tij diku në fund të vitit 1984, iu njoh azili politik. Atyre iu dha një banesë në Bitighajm (Bietigheim) afër Shtutgardit, si dhe iu dha ndihma financiare mujore. Ata ishin shumë të kënaqur që tani kishin një streh të vogël dhe një ndihmë financiare të vogël. Pas disa muajve, Abdullahut dhe Nazmijes iu lindi fëmija i parë, djali të cilin e pagëzuan me emrin Ismail. Ardhjes në jetë të atij djali nuk iu gëzuan vetëm Abdullahu e Nazmija, por iu gëzuam dhe ne shokët e tyre. Një jetë e re në vend të huaj…! 

(Burimi: Nusret Hajdari – Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989. Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, Zürich, 2020, faqe 333 – 335.)

FUND/

Sheradin Berisha © Pashtriku.org, Maj 2024

____________________

Kthehu në fillim të shkrimit:

Nga arkivi i facebookut tim, më 26 prill 2023

ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (1)

Nga Sheradin Berisha – Pashtriku 2 Maj 2024

===================================

Në vijim mund të lexoni:

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (1 – 11)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura