ADNAN ABRASHI: 10 SHKURTI I KOBSHËM – 2007

Prizren, 09. 02. 2013 – (“Ty moj Kosovë, jeta ç’të duhet?Kur dhe Evropa s’po ta sheh hallin, Përditë ju therin, ju marrin mallin, Përditë ju derdhet gjaku. Shpresa ka mbetur vetëm te haku”. – Hafiz Ali Korça) – Dy përvjetor thuaja më “karizmatik” do ta shënojnë shkurtin e sivjetmë të vitit 2013. Janë dy data kontrasti në mes veti mu ashtu sikurse është edhe realiteti ynë i hidhur politik në Kosovë. Ato si dy ditë përkujtimore kalendarike, në mes veti i ndan vetëm një javë. E para është 10 Shkurti, 6 vjetori i demonstratave të përgjakshme të organizuar nga ana e lëvizjes VETËVENDOSJE! në kundërshtim të “Pakos së Ahtisarit”, dhe e dyta, 17 Shkurti, përvjetori i V-të i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. I shpalljes “Sui generisë” së pavarësisë së Kosovës sipas kësaj Pakoje të Ahtisarit, pasojat politike të së cilës, edhe sot e kësaj dite, ende po i ndjen në kurrizin e vetë populli jonë.
Çka ndodhi, në të vërtetë, më 10 shkurt 2007?
Në një protestë paqësore gjithë popullore të organizuar atëbotë nga lëvizja VETËVENDOSJE!, dhe të paralajmëruar 2 javë më parë, me moton: të demonstrohet kundër Grupit të Unitetit (lexo: kundër atyre që po tregtojnë me interesat e ligjshme të popullit shqiptar), kundër “Pakos” së Atisarit, kundër bisedimeve me Serbinë dhe në kërkim të së drejtës universale për vetëvendosje, në të kishin marrë pjesë mbi 20 mijë protestues të të gjitha gjinive dhe moshave. Në fillim kjo protestë dukej madhështore dhe tejet paqësore. Por, më vonë ndodhi ajo e papritura. Përballë Përmendores së Kryetrimit tonë Legjendar – Skënderbeu, përkundër deklaratave të tyre se nuk do ta pengonin këtë manifestim paqësor, të pabesët e armatosur deri në dhëmbë, mercenar të uniformuar të “UNMIK demokracisë vrasatare”, ua kishin zënë pritën demonstruesve paqësor. Në momentin kur ata filluan të largonin barrierat metalike, të vendosura në rrugën “Nenë Tereza”, këto egërsira të uniformuar u sulën mbi kolonën paqësore. Bilanci qe fatal dhe i kobshëm: Mon Balaj, para ish hotelit “Iliria” (tash “Dajmond”) është qëlluar në kokë nga prapa; Arben Xheladini u qëllua me plumb po ashtu në kokë pak metra larg Monit; Zenel Zeneli, i plagosur atëherë, ende e ka plumbin afër zemrës; Hysni Hyseni e ka humbur syrin nga plumbat; Mustafë Nerjovaj është qëlluar me plumb në ballë derisa po ndihmonte një të plagosur; gjithsej 81 demonstrues janë plagosur ndërsa 17 aktivistë të lëvizjes “VETËVENDOSJE” ishin të arrestuar – ku në mesin e tyre ishte edhe Albin Kurti, i cili për një vit të tërë u mbajt në arrest. Nga ana tjetër, njësiti i policisë rumune, ekzekutore kryesore e kësaj masakre, më 23 mars 2007, iku nga Kosova. Kjo njësi kriminele, jo vetëm se edhe sot e kësaj dite kurrë nuk është marr në përgjegjësi për këtë vepër, por, me të kthyer në vendlindjen e tyre të ardhjes – Rumuni, gjithë pjesëtarët e saj u dekoruan me medalje meritash.

Shumë gjëra na mësoj ajo ditë e kobshme e 10 shkurtit të vitit 2007. (Kuptohet, mësuan vetëm ata që vërtet deshën të mësojnë). Në rend të parë, se atë ditë UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare kishin vetëm një qëllim – shuarjen e VETËVENDOSJES.
Nuk ia dolën!
Përkundrazi, dhuna e tyre kishte efektin bumerang-demaskoi iluzionet tona kinse mbi demokracinë e mirëfilltë perëndimore dhe humanizmin e sinqertë të tyre ndaj nesh. Shprehur në metaforë, ajo ditë e përgjakshme kobzi, edhe një herë na tregoi se dhelpra tinëzare kurrë nuk e ka ndërruar hujin, ndërsa gjahu naiv në shënjestrën e saj, ende nuk ka mësuar asgjë nga fabulat e Ezopit të urtë antik.
I kapluar nga mendimet spontane rreth kësaj ngjarjeje të shkuar si kujtesë, nuk di as vetë se pse në atë moment, nuk u morra edhe aq drejtpërdrejtë me ekzekutorët kriminelë dhe urdhërdhënësit e tyre të huaj, por thellësisht tentova që së paku për disa çaste të bartem në shpirtin e atyre vendorëve që atëbotë ngarendin të japin në medie deklarata në mbrojtje të këtij krimi makabër. Të atyre që, me pretekstin gjoja të “mbrojtjes me çdo kusht të institucioneve tona të fituara me gjak”, nëpër medie të shkruara dhe emisione të shumta debatuese televizive, pa fije turpi dhe ndërgjegje njerëzore, ishin vënë në rolin e gardianëve besnik të arsyetimit të këtij krimi gjakatar. Ata sot janë ende gjallë! Persona publik në radhët e politikës tonë faqezeze kosovare. Janë pra shumica nga ata, të cilët sigurisht do t’i shohim tek pas një jave, më 17 Shkurt, sikur me kënaqësi dhe pa fije turpi zgërdhihen para kamerave televizive, në kremtimin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ahtisariane…
Krejt në fund, LAVDI dëshmorëve më të ri të kësaj toke, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të ekzekutuar nga dora vrastare e demokracisë ndërkombëtare, të rënë për demokracinë e Kosovës si shtet vërtetë të lirë dhe sovran?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura