(Prizren, 31. 08. 2012) – Edhe pse vetë kam qenë ndër të parët parathënës (i zjarrtë) se kah mesi i shtatorit të sivjetmë, mund të ndodh një koalicion i ri PDK-AAK, bazuar në vijimin e disa ngjarjeve politike si vazhdimësi, dita – ditës po dëshmohet se presioni si reagim i opinionit ndaj kësaj informate, nga njëra anë, dhe rryma të ndryshme “pro et contra” përbrenda këtyre dy partive, nga ana tjetër, mbase diçka kanë luhatur në këtë drejtim. Nëse jo si qëllim, si afat kohor i realizimit të saj, sigurisht. Drejtë fuqizimit të këtij hamendësimi, shkon edhe deklarata e fundit e zyrës informative të ICTY-së dhënë një gazete vendore se data e saktë e marrjes së vendimit në lidhje me rastin e Ramush Haradinajt nuk është deklaruar ende dhe se kjo pritet të bëhet në nëntor të vitit 2012”. Gjithsesi, gjersa z. Haradinaj pret vendimin zyrtar lirues të kësaj gjykate, vështirë se mund të paramendohet që vartësit e tij të padurueshëm nga AAK-ja ta zyrtarizojnë para kësaj kohe këtë kurorëzim të pritur me PDK-në. Bazuar në këto rrethana, mendoj se nëntori është i largët për këtë kombinim të pritshëm “fatlum” qeverisës! Të gjithë jemi dëshmitar se gjërat, dita-ditës, po ecin shumë shpejtë. Sipas disa shenjave si “bubullima para stuhisë”, duket se vjeshta e hershme politike në Kosovë, gjithsesi do të karakterizohet me erëra të fuqishme që do të frynë nga drejtimet e ndryshme! Mbase, nuk përjashtohen as protestat gjithë/popullore.
Pse po insistohet për një koalicion PDK-AAK?
Me këtë rast, aspak nuk dëshiroj të merrem me kalkulime se sa kjo informatë mbi koalicionin e mundshëm PDK-AAK, është hedhur rastësisht apo me qëllim në opinion. Pa thënë asgjë të re, më duhet të konstatoj se prapa kësaj pune sigurisht fshihet një lojë e kalkuluar mirë e bashkësia ndërkombëtare. Një lojë e madhe e tyre që ka si qëllim edhe një herë ta fus Kosovën në bisedime politike me Serbinë. Këtë herë duke e ngritur atë në nivelin më të lartë shtetëror: në mes të kryeministrave apo kryetarëve të shtetit.
……………………………………………………………….
Meqë, dihej në start se çfarë është disponimi i opinionit (popullit) tonë në lidhje çfarëdo bisedime me Serbinë pa u plotësuar paraprakisht edhe disa kushte politike, këtë qëllim të tyre të ngutshme, bashkësia ndërkombëtare tenton ta realizoj përmes presionit mbi udhëheqjen politike vendore në pushtet. Andaj, pasi që mungon disponimi popullor në këtë drejtim, me qëllim të ndarjes së përgjegjësisë në këtë “valle” që do të luhet sipas ritmit të muzikës së tyre, qëllimisht insistohet të futen sa më shumë subjekte politike vendore, e veçanërisht AAK-në të konsideruar si parti të “krahut të luftës”
Natyrisht se, kjo lojë e tyre strategjike nuk është pikasur vetëm në drejtim të Kosovës, por edhe të Serbisë si palë e bisedimeve. Për ta kuptuar më mirë këtë “koreografi” të tyre, t’i kthehemi pak zgjedhjeve të fundit të mbajtura në Serbi! Çka do të vërejmë aty? A nuk ishte mu kjo “bashkësi ndërkombëtare” e cila, pas shpalljes së rezultateve të tyre, pa ndonjë zhurmë të madhe pranoi fitoren e krahut politik nacionalist, me: Nikoliqin, si president, dhe Daqiqin, si kryeministër?
Ky veprim i tyre i ngutshëm nuk ishte i rastësishëm. Më tepër mund të thuhet se ishte i nevojshëm me një mënyrë ekzistues rezervë (“B”) të veprimit. Në dukje, vetëm u pranua realiteti politik zgjedhor ashtu sikur ishte në terren, por, nga ana tjetër, paralelisht u punua drejt arritjes së baraspeshimit ideologjik të forcave politike në pushtet, edhe tek pala tjetër bashkëbiseduese. A thua, pse?
Sepse, problemin e raporteve të pazgjedhura Kosovë – Serbi dhe në përgjithësi situatën politike të sigurisë në këtë regjion, ata e konsiderojnë si një rezultat i mentalitet të nacionalist të shumicës së popullsisë nga të dyja palët, andaj pretendohet se kjo çështje komplekse politike, shumë më me sukses mund të zgjidhet pikërisht kur në mes veti negociojnë udhëheqjet legale nacionaliste në pushtet të përkrahura nga shumica popullore që të dy shteteve. Kuptohet, nacionaliste, PO, por jo në plotëkuptimin e kësaj fjale. Më mirë të themi, udhëheqjet të reformuara nacionaliste, të cilat, po arrite t’i bësh një herë së bashku në tavolinë, përmes metodës tanimë të sprovuar të “ilaçit” efektiv ballkanik të “shkopit dhe karotës”, shumë lehtë do të bëhen të disponueshëm për një labilitetit të ekuilibruar politik që do t’ju kushtëzohej.
Por, çka më tutje? Si të veprohet më tej?!
Kosova gjithësesi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme (jashtëzakonshme)!
Edhe pse rreth këtyre bisedimeve insistohet fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, në këto rrethana aktuale të raporteve Kosovë-Serbi, nuk ekzistojnë kurrfarë kushte të favorshme për mbajtjen e tyre. Tashmë e kemi të qartë se në fund të këtyre bisedimeve, pasoja më e butë për ne do të ishte një status special për veriun; kompromis të cilën ndoshta mund ta pranoj edhe Serbia e cila, më pas, me hapa të shpejtuara do të vazhdoj të favorizohet për hyrje definitive pa pengesa në BE, ndërsa Kosova do të copëtohet përbrenda si shtet, me një model të ndarjes së brendshme territoriale etnike ngjashëm sikurse Bosnja.
Kjo kurrsesi nuk është zgjidha e pranueshme për Kosovën dhe duhet pengohet me çdo kusht! Pse jo, edhe përmes daljes në rrugë!
Në këtë situatë tejet të koklativur politike, alla: “hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”, mendoj se veprimi më i qëlluar taktik do të ishte dorëheqja me marrëveshje e kësaj qeverie, dhe, sipas dispozitave kushtetuese në fuqi, organizimi brenda 45 ditëve i zgjedhjeve të parakohshme të cilat, optimalisht, ishin dashur të mbaheshin deri në fundin e këtij viti. Në mes tjerash, ky hap gjithsesi do të shkaktonte shtyrjen të këtyre bisedime një kohë bukur të gjatë dhe, më vonë, qeveria e re që do të delte nga këto zgjedhje, sigurisht se do te paraqitej si më kredibile, më e vendosur dhe me një platformë strategjik më gjithëpërfshirës të veprimit…