MBI ROLIN E INDUSTRISË SË NAFTËS DHE ASAJ MINERARE NË ZHVILLIMIN EKONOMIK TË VENDIT

MBI ROLIN E INDUSTRISË SË NAFTËS DHE ASAJ MINERARE NË ZHVILLIMIN EKONOMIK TË VENDIT

Nga Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Pashtriku, 26 korrik 2021

Mendova të hedh edhe njëherë këto rreshta për pasuritë hidrokarbure dhe ato minerare në vendin tonë, nisur nga një bisedë e analistit Sh. Nazarko tek studio M. Nanos me titull: Pse, Rama është gabim në Strategjinë Kombëtare?, botuar në Gazetën Tema, e cila gjendet në linkun: https://www.gazetatema.net/2021/05/16/pse-rama-eshte-gabim-ne-strategjine-kombetare/     

Kjo bisedë, megjithëse e shkurtër por shumë interesante, mbi Strategjinë Kombëtare të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, të cilën k/ministri e mbështet vetëm në Turizëm, Bujqësi dhe Teknologjinë Dixhitale, duke mos përmendur fare industrinë e naftës dhe atë minerare, që janë baza kryesore në zhvillimin ekonomik, tregon dhe njëherë se Qeveria e z. Rama, në mandatin e 3-të, po ligjëron me kokëfortësi dhe me vullnet të plotë vazhdimësinë e korrupsionit të pasurive natyrore nga elita e pashallarëve të politikës. Këtë qëndrim Ai mbajti edhe në takimin që zhvilloi me militant të zgjedhur të Partisë Socialiste (PS), në 20 Shkurt/2021, në Qytetin e Fierit, sepse anashkaloj pa thënë asnjë fjalë rreth atyre pak pyetjeve që ju bënë lidhur me korrupsionin në vendburimet ekzistuese të naftës, mbi të ardhmen e tyre dhe të Albpetrolit, për të cilin në atë kohë kamë shkruar artikullin me titull: Takimi i famshëm elektoral që ligjëroi vazhdimësinë e korrupsionit në vendburimet e naftës, që u botua në Pamfleti-Media, në 2 Mars/2021. Kush dëshiron për ta lexuar e gjenë në linkun: https://pamfleti.net/takimi-i-famshem-elektoral-qeligjeroi-vazhdimesine-e-korrupsionit-ne-vendburimet-e-naftes/

Rreth këtij problemi që u trajtua në këtë artikull, në atë kohë,si zakonisht nuk u prononcua asnjë, nga qeveria apo dikasteret përkatës, po ashtu edhe gjatë gjithë fushatës elektorale deri në zgjedhje, në “programet e partive”, PS, Partisë Demokratike (PD) apo Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), nuk u përmendën fare këto pasuri kaq të rëndësishme dhe me fuqi ekonomike, megjithëse nga këto dy të fundit nuk prisja ndonjë premtim, sepse ato janë shkaktarët kryesor të kësaj tragjedie të dhimbshme që i futën pasuritë tona natyrore në humnerën e pa fund të korrupsionit dhe shkatërrimit total të tyre, duke përdorur konçesionet mafioze grabitqare me  qëllim të caktuar për të mbushur xhepat e tyre, por as nga PS që premtoi shumë, kur mori pushtetin në vitin 2013, se do të ndryshonte situatën, por që në dy mandatet e saj nuk bëri asgjë dhe në këtë fushatë elektorale vjedhjen e tyre e miratoi me heshtje të plotë.

Gjatë gjithë fushatës, shumë të egër, pamë dhe dëgjuam skena të frikshme nëpër rrugë dhe në sheshet e qyteteve, politikan me karrige pas mendereve dhe sipër makinave, me duartrokitje, brohoritje, kërcënime dhe sharje, me flamuj partish në duar, me parulla kundër njëra tjetrës, të shoqëruar nga banda të armatosura, vrasje dhe plagosje të “militantëve budallenj” apo njerëzve të pafajshëm, makina me para për blerje votash, etj., por në gjithë këtë gjullurdi nuk dëgjuam ndonjë program serioz prej tyre. Akoma sot, pas 30 vjet “demokraci” ri-premtohej për të siguruar ujë 24 orë në ditë, ku në shumë vende të botës, hapet rruga, çohet uji, gazi dhe dritat para se të filloj ndërtimi. Dëgjuam se PS do sakrifikonte edhe për një mandat të 3-të në qeverisje, që të përfundonte projektet që ka nisur; PPP e rrugëve, portin modern të jahteve që i “mungon shumë” Shqipërisë dhe aeroportet e reja “kaq shumë të domosdoshëm”, të cilët janë dhënë me konçesion 25-99 vjet, për të ndërtuar ndonjë copë rrugë apo për të pastruar ndonjë kanal vaditës që kërkohej nga fukarenjtë në takimet që organizonin brigadierët e politikës në zonat e tyre elektorale, etj., dhe këto mund ti bënte vetëm PS, ndërsa nga spikeri i PD, Lulëzim Basha, që I merrte këshillat nga “lideri historik i partisë”, dëgjuam se programi i tij ishte më i mirë se ai i PS, ishte përgatitur nga specialistët më të mirë të vendit, ndërsa zbatimin e tij mund ta bënte vetëm Ai, si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, sepse ishte shkolluar në perëndim me lekët e Fondacionit Soros dhe si i pasur që është premtonte vetëm lekë me shumicë kudo që shkonte, kurse ajo ndrikulla hajdute e LSI na premtonte se do e çlironte popullin nga klika e korruptuar duke e tërheq zvarrë Ramën, do na ushqente me lugë floriri dhe shumë broçkulla bajate të kësaj natyre, por nuk dëgjuam asgjë se çdo bëhej me vendburimet ekzistuese të naftës, bitumit, kromit, bakrit, hekur nikelit, mineralet e rralla, fabrikat e pasurimit, etj., për ndonjë investim afat gjatë lidhur me kërkim-zhvillimin e tyre, etj. A ka këtu një kontradiktë të brendshme, midis premtimeve dhe mosrealizimeve në 8 vite qeverisje të PS për pasuritë natyrore dhe mandatit të 3-të të saj, ku ato nuk u përmendën fare? dhe cila do të jet mënyra për zgjidhjen e saj?

Korrupsioni dhe shkatërrimi i vendburimeve ekzistuese të hidrokarbureve dhe ato minerare, të zbuluara dhe zhvilluara me parat publike, nuk është një problem i ri dhe i panjohur, sepse shumë nga ne specialistët shkruajmë çdo ditë, në media apo dikasteret përkatës, se industria e naftës dhe ajo minerare kanë 30 vite që nuk i shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit dhe gjithë këto pasuri natyrore janë kthyer në pronë e konçesionarëve, politikanëve apo qeveritarëve dhe oligarkëve të tyre. Qeveria komuniste, pa ju futur marrëzive politike të saj dhe specialistët tanë investuan shumë për rimëkëmbjen, ngritjen dhe fuqizimin e kësaj industrie, e cila pas luftës dytë botërore ishte si një bebe e sapolindur, në kërkim-zbulimet e reja dhe vënien e tyre në shfrytëzim me teknologji bashkëkohore, në dobi të ekonomisë dhe mirëqenies së popullit. Në to punonte një fuqi punëtore shumë her më e madhe se sa sot, të cilët jetonin në qytetet si në Durrës, Lushnje, Divjakë, Berat, Kuçovë, Fier, Vlorë, Ballsh, Sarandë, apo në gjithë zonat veriore të Shqipërisë dhe në fshatrat rreth tyre. Të gjithë ne naftëtarët jemi dëshmitar se të ardhurat që siguroheshin nga këto pasuri natyrore kapnin shifrën rreth 50% e të ardhurave kombëtare. Një pjesë e vogël e tyre përdorej në këtë industri, për investime në teknologji, zbulimet e reja, kualifikimin e punonjësve, ndërtimin e banesave, etj., ndërsa pjesa tjetër shkonte për industrializimin dhe zhvillimin e ekonomisë. Shfrytëzimi i tyre bëhej sipas studimeve dhe me një regjim optimal të kontrolluar. Le të marrim si shembull prodhimin vjetor të naftës, i cili ishte më i ulët se sa nxirret në këto 30 vjet, ku zbatohen regjime shfrytëzimi barbar, pa kriter dhe pa projekte. Bile, çmimi i naftës bruto, nënprodukteve të saj apo mineraleve të dobishme bruto apo të përpunuara dhe të pasuruara në uzinat tona moderne, në atë kohë, në tregun botëror ku ne i eksportonim, ishin disa her më të ulta në krahasim me çmimet në tregun e sotëm. Pra, industria hidrokarbure dhe ajo minerare, me resurset e tyre natyrore dhe financiare, luajtën rol të veçant në zhvillimin e ekonomisë kombëtare deri në vitin 90’.

Ajo që më bëri përshtypje në këtë bisedë, midis dy zotërinjve gazetar, ishte fakti dhe bindja e z.Nazarko se Strategjia Kombëtare e Qeverisë mbi zhvillimin ekonomik, nuk duhet të mbështetet vetëm në Turizëm, Bujqësi dhe Teknologjinë Dixhitale, por dhe në-modernizimin e resurseve që na kanë lënë të parët, pra që na la sistemi komunist. Një sugjerim shumë i sakët dhe domethënës, për politikanët dhe qeveritarët që po kanë vesh të dëgjojnë dhe n.q.se duan të zhvillojnë ekonominë dhe zhdukin varfërinë. Këtë nuk e kisha dëgjuar deri më sot nga ndonjë analist apo gazetar, por me siguri absolute dhe ky sugjerim kaq i rëndësishëm do shkoj bashk me rekomandimet tona konkrete në koshin e plehrave të politikës, sepse gjithë fitimi që nxirret nga këto resurse natyrore është i planifikuar dhe shpërndahet i gjithë në xhepat apo llogaritë bankare të politikanëve, qeveritarëve dhe konçesionarëve, pra midis shpurës së hajdutëve. Kjo ka rëndësi të veçant, sepse të ardhurat monetare që sigurohen nga shfrytëzimi i këtyre pasurive natyrore janë të garantuara dhe të mjaftueshme për të financuar vetveten. Ato nuk kërkojnë investime kapitale sepse janë në shfrytëzim të plotë dhe japin një kontribut të madh në buxhetin e shtetit.

Ne jemi dëshmitar që në periudhën 45-90’, sektori bujqësor punonte gjithë sipërfaqen e punueshme të tokës, bëheshin investime të mëdha në trajtimin shkencor dhe organizimin e tij, megjithatë arritja më e madhe e tij ishte vetëm sigurimi në vend i drithërave të bukës, ndërsa tregu i fruta-perimeve apo produkteve blegtorale kishte mungesa të theksuara dhe çdo gjë jepej me racion. Në kohën e sotme sipërfaqja e punueshme është reduktuar mjaftë, janë krijuar ngastra të vogla, ka mungesë të theksuar investimesh nga shteti, trajtimi shkencor dhe mënyra e organizimit është vetëm në dorën e bujkut, çmimi i lartë i punimit tokës apo ujit për vaditje, I plehrave kimike apo pesticideve, cilësia e farërave që përdoren, etj., lënë shumë përtë dëshiruar.

Këto dhe të tjera janë kosto e lartë për bujqësinë. Ka ca arritje në prodhimin e fruta-perimeve por vërehet vështirësi në tregtimin e tyre sepse shteti nuk rregullon raporte të drejta midis import-eksportit që të favorizoj prodhimin vendas dhe bujku të fitoj mundin e tij, e njëjta situate vërehet në prodhimet blegtorale, kurse drithërat e bukës sigurohen pothuajse tërësisht nga importi. Këto fenomene kanë bërë që në shumë zona rurale popullsia ka lëviz në qytete, rinia emigron jashtë sepse nuk ka interes të punojë tokën dhe varfëria është rritur shumë. Pra, me produktet bujqësore-blegtorale të vendit mendoj se nuk plotësohen nevojat e popullsisë në çdo stinë të vitit dhe shumica e tyre importohen sepse kanë kosto më të ulët se prodhimi vendas.

Shteti shikon vetëm të ardhurat nga eksporti, që është puna e sforcuar e fshatarit, nuk i analizon ato të lidhura me importin e tyre apo me mungesën e investimeve të shtetit në bujqësi, etj. Po të analizohen këto në kompleks, atëherë del qartë se të ardhurat nga bujqësia nuk justifikojnë vehten dhe jo më të kontribuojnë në zhvillimin cilësor të turizmit dhe ekonomisë. Para se të vinte “demokracia”, pra gjatë sistemit komunist, megjithëse nuk ishim të pasur, adhuronim dhe pushimet i kalonim në bregun e detit, kënaqeshim me ujin dhe rërën e pastër ose në shtëpitë e pushimit në zonat turistike malore që ishin pronë e shtetit. Nuk bëhej fjalë për turizëm dhe shteti i përdorte në shërbim të popullit. Ka vite që zonat më të bukura në bregdet apo ato malore turistike janë ndar në ngastra, “sipas ligjit 7501” dhe janë pronë e të fortëve dhe oligarkëve të organeve drejtuese, që kanë ngritur restorantet, hotelet apo resortet e tyre me çmime të kripura, ndërsa pjesa tjetër, ku nuk mungon asnjë lloj pisllëku, përdoret nga fakirët, ndërsa elita e kombit i shpenzon parat e vjedhura jashtë shtetit në vende piktoreske. Kohët ndryshuan mjaft, këto janë kthyer në kampe për turist, deri këtu nuk ka problem dhe jamë dakord, sepse kështu e ka gjithë bota, në ekonominë e tregut çdo gjë kthehet në biznes, por shikoj se kultura e turizmit tek ne lë shumë për të dëshiruar dhe të ardhurat që merr shteti prej tij nuk mbulojnë investimet që po bëhen dhe jo më të kontribuojnë për të investuar në degët e tjera të ekonomisë. Turizmi kërkon eksperiencë në menaxhim në gjithë aspektet e tij që do kohë të fitohet, investime të mëdha nga shteti dhe privati, shërbim të përsosur dhe me kulturë, ndërsa pasuritë natyrore në vendburimet ekzistuese nuk kërkojnë asgjë, vetëm ҫojnë para në shtet.

Ka 30 vjet që punohet në infrastrukturën rrugore. Në kohën famëkeqe të qeverisjes së PD, para zgjedhjeve, bëheshin gjoja investime të mëdha, sigurisht në letër se parat mbushnin xhepat e tyre dhe përfundimi ishte vetëm pak kilometra rrugë të shtruara, mbushje gropash me çakëll apo rërë bituminoze dhe “lideri i demokracisë”, largqofti Sali Berisha, me podium portativ bënte inagurime mashtruese në çdo kilometër, ndërsa në qeverisjet e PS, vërehen projekte diçka më serioze në infrastrukturën rrugore apo sheshet e qyteteve, por mbizotërojnë PPP, me projekte klientaliste, të cilat intensifikohen kryesisht para zgjedhjeve, ndërsa stili propagandës së ekzagjeruar ka ndryshuar, k/ministrishpesh shëtit në këmbë kantieret e ndërtimit, shoqëruar nga “spikerja e ministrisë rrugëve” duke shpjeguar ecurinë e punimeve. Megjithatë nuk dihet se kur do të përfundojë infrastruktura rrugore, që të bëhet plotësisht funksionale për turizmin dhe bujqësinë. Parat publike, borxhet që kanë marrë qeveritë dhe ndihmat nga bota janë të mëdha, marramendëse, të cilat tregojnë për shkallë të lartë korrupsioni, sepse nuk justifikohet puna që është bërë dhe cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar.

Teknologjia dixhitale, nuk është e re, ka vite që zbatohet në prodhim, por me fuqizimin e internetit ka marr zhvillim të shpejt në gjithë botën, është pjesë integrale e biznesit dhe e bënë atë inteligjent. Çdo fushë e shkencës, prodhimit dhe shërbimeve e ka futur teknologjinë dixhitale, kompjuterizimin, ajo kërkon specialist të fushës, por njëkohësisht nevojiten specialist-analist me eksperiencë të avancuar, reputacion dhe që e përdorin atë. Masivizimi i saj, nuk do të thotë se ka perspektivë vetëm në vendin tonë, ajo zbatohet dhe avancon gjithandej. Prandaj funksionimi i saj, brenda organizimit të biznesit, krijon pak mundësi që ajo të punoj si biznes i pavarur, do të  hap vende të reja pune por dhe mund të shkurtoj, mund të rrit të ardhurat e kompanive, por të mos shpresojmë se do sjell të ardhura apo fitime kaq të mëdha për ekonominë.

Prandaj për sa më sipër, qeveria e PS dhe k/ministri Edi Rama, në këtë mandat, pa humbur kohë duhet të rehabilitoj, rishtetëzoj, menjëherë pasuritë natyrore hidrokarbure dhe minerare për ti vënë ato në shërbim të ekonomisë dhe popullit. Në disa vende të botës, këto pasuri mungojnë ose janë me pikatore, por ato fuqizojnë kompaninë shtetërore për të bërë investime në vendet e pasura me naftë apo minerale, sigurojnë fitime, i investojnë në ekonomi për të rritur mirëqenien e popullit. Prapambetja në zhvillimin ekonomik të vendit tonë apo varfëria në rritje e popullit janë tregues i qartë i mos përdorimit eficent të pasurive natyrore. Specialistët e naftës dhe minierave, kanë shkruar disa her, se pasuritë natyrore në vendburimet në shfrytëzim, janë falur ilegalisht politikës, drejtueseve në gjithë dikasteret përkatës deri në ministri, që fshihen në kontratat e konçesionarëve dhe po i shfrytëzojnë ato barbarisht pa paguar asnjë taks dhe fitim në shtet, por vetëm raportojnë se punojnë me humbje. Këto kontrata janë mashtruese, të pa pranueshme, të pa kontrollueshme, të gjitha me shkelje, me abuzime për të krijuar vjedhje, favorizojnë vetëm konçesionarët, jo shtetin, prandaj janë kthyer në fole korrupsioni për shpurën e hajdutëve dhe duhen anulluar, ndërsa pasuria duhet ti kaloj shtetit. Ndërkohë në dikasteret përkatëse të punësohen specialist të mirëshkolluar, me eksperiencë, jo politikan, të tërhiqen dhe të merren parasysh mendimet e specialistëve të vjetër që kanë punuar në këto sektor. Politika ka 30 vjet që vjedh këto pasuri natyrore, qeveritë janë kthyer në sehirxhinj, bamirëse me pasuritë e popullit, mbështesin dhe favorizojnë pasurimin e shpurës së hajdutëve, paguajnë dëmet që shkaktojnë kompanitë konçesionare, ju falin atyre taksat apo gjobat për abuzimet dhe mashtrimet që ato bëjnë, etj., ndërsa drejtësia nuk vepron. Faktet për korrupsion janë sheshit, ai e kanë zanafillën që kur këto pasuri ju dhanë kompanive konçesionare. Është shkruar shpesh se si këta drejtues shtetëror, politikan, deputet, pa përjashtuar dhe specialistët në institucione që përgatitën paketat me të dhëna. Këta kanë manipuluar të dhënat e puseve, vendburimeve, etj., dhe për këtë janë paguar apo punësuar në këto kompani. A shërbejnë këto indicie si fakte për organet e drejtësisë që të hetojnë dhe ndëshkojnë këto skema korrupsioni dhe hajdutët?

Para zgjedhjeve elektorale, partitë politike luftuan ashpër kush të merrte vota më shumë për të kap karrigen e pushtetit, por tani që fushata nxori fituesin, gjërat ndryshojnë, pra tani që PS do qeverisë vendin ka përgjegjësi direkte, para atdheut dhe gjithë shqiptarëve, prandaj duhet të plotësoj dhe realizoj programin e saj. Ai nuk duhet konsideruar thjesht si një premtim që e kaloi radhën, sikurse është bërë në gjithë këto vite hajdutëri, por si një objektiv i detyrueshëm që duhet realizuar me çdo kusht dhe duhet mbështetur me burime financiare të sigurta. Për këtë, sugjeroj që qeveria të zgjidh seriozisht ngërçin e pasurive natyrore dhe ti vërë ato në shërbim të ekonomisë. Prandaj duhen zgjidhur problemet e mëposhtme, të cilat kanë pak ndryshime nga ato që janë dhënë në artikullin tim që mund të lexohet në linkun më sipër.

– Çfarë është premtimi qeverisë, në këtë mandat, për konçesionet në vendburimet e naftës dhe ato minerare, konkretisht: Patos-Marinës, Kuçovë, Visokë, Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, GorishtKocul, Amonicë dhe në minierat e bakrit, kromit, hekur nikelit, etj.? Këto do vazhdojnë të jenë pronë ilegale e politikanëve dhe konçesionarëve hajdut, që zyrtarisht raportojnë se punojnë vetëm me “humbje” dhe nuk paguajnë asnjë taksë dhe fitim në shtet, apo do rishtetëzohen nën administrimin e ndërmarrjeve përkatëse shteterore, si Albpetroli, etj.?

– A do ta luftoj qeveria korrupsionin në naftë dhe miniera, në kompanitë konçesionare që shfrytëzojnë ato dhe në dikasteret përkatëse shtetërore deri lartë në ministri?, a do denoncohen për ndjekje penale, shpura e hajdutëve që vjedhin bashk me konçesionarët? – Cili është qëndrimi i qeverisë për kompaninë shtetërore Albpetrol, do kompletohet me specialist të naftës dhe të mbetet e tillë, shtetërore, fillimisht me aktivitet në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit, ndërsa në ecuri të zhvilloj aktivitetin e kërkim-shfrytëzimit të hidrokarbureve brenda dhe jashtë territorit tonë apo do privatizohet? Privatizimi është vdekje për këtë industri.

– Çfarë mendon qeveria për Axhensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), e cila është një institucion korruptiv i panevojshëm që ka stimuluar korrupsionin në konçesionet e pasurive natyrore kombëtare, do të vazhdoj si e tillë apo do të përfshihet brenda instituteve përkatës?

– Çfarë qëndrimi ka qeveria për ri-ngritjen e Institutit Kërkimeve të Naftës dhe vartësinë e tij, nën administrimin e Albpetrolit apo Ministrisë? Kur do zbatohet ligji i miratuar për këtë?

– A do vazhdojnë kompanitë konçesionare të shesin vet naftën bruto dhe mineralet që prodhojnë nga vendburimet, nëpërmjet doganave të korruptuara, apo shteti do krijoj mundësi të reja tregtimi nën administrimin e ndërmarrjeve përkatëse shtetërore?

– Kur do vihet në punë rafineria e naftës në Qytetin e Ballshit, e cila është një vepër fitimprurëse për ekonominë dhe ka të punësuar rreth 1000 punonjës?, apo shteti do vazhdoj ti paguaj atyre rrogën me taksat e popullit dhe ajo të shkatërrohet? Do detyroj shteti ligjërisht kompanitë e prodhimit që të furnizojnë me naftë bruto rafineritë e vendit dhe të eksportojnë vetëm tepricën?

– Si do zgjidhet përfundimisht shtesa e pensionit për punonjësit e Instituteve, Albpetrolit dhe specialiteteve të tjera që kanë punuar në industrinë e naftës dhe kanë qënë nën administrimin e Albpetrolit? A do rishikohet ligji ekzistues me kushtet e vëna padrejtësisht dhe secili të marri shtesën për vitet e punës në sektorin e naftës, pavarësisht kontributit total në Shqipëri?

Këto janë disa probleme kryesore, shqetësuese, që nuk mund të kalohen vetëm me heshtje, por kërkojnë zgjidhje imediate për të shpëtuar këto pasuri natyrore nga vjedhja dhe shkatërrimi total. Situata është tepër kritike, papunësia rritet, Shqipëria zbrazet nga rinia, ekonomia keqësohet dhe varfëria shtohet çdo ditë, prandaj PS duhet të mbajë një qëndrim të prer dhe përgjegjësi direkte para popullit, naftëtarëve dhe minatorëve. Strategjia Kombëtare e Qeverisë, për zhvillimin, modernizimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies popullit, mbështetur vetëm në Turizëm, Bujqësi dhe Teknologjinë Dixhitale, siҫ mendon k/ministri Rama, është e gabuar, sepse prej tyre mund të sigurohen vetëm ca taksa, që janë të pamjaftueshme. Prandaj PS duhet të ndryshoj strategjinë e qeverisë në mandatin e 3-të, duke u mbështetur fuqishëm në të ardhurat nga pasuritë natyrore. Mohimi rolit të tyre apo çdo justifikim tjetër, ligjëron direkt vazhdimësinë e korrupsionit dhe mos ndëshkueshmërinë e shpurës së hajdutëve të politikës.

Total
10
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura