ADNAN ABRASHI: KOSOVA PARA NJË SFIDE KONSPIRATIVE NDËRKOMBËTARE

 Prizren, 07. 05. 2012 – (“E pamundur” nuk ekziston në fjalorin tim. – Napoleoni) – Asgjë në këtë realitet nuk ndodhë rastësisht. Natyra nuk njeh rastësi, e më së paku atë mund ta hasësh në politikë. Ngjashëm është edhe me Kosovën dhe problemin e saj me Mitrovicën e ndarë dhe veriun e saj të pakontrolluar dhe problematik. Pse është kështu, ka shumë arsyeja të natyrave të ndryshme ushtarake, gjeostrategjike, politike ndërkombëtare e kombëtare.. e mbi të gjitha, fajtorin kryesor për këtë gjendje duhet ta kërkojmë tek vet ne shqiptarët.
     Derisa Kosova, që nga paslufta e deri më sot, kurrë nuk ka pasur një plan të veprimit strategjik në këtë drejtim, duke ia lënë këtë çështje të ndjeshme të integritetit të saj territorial, më tepër si zgjidhje kohës, kompetencave të “miqve ndërkombëtar” dhe rastësisë, nga ana tjetër, Serbia, përmes lansimit në opinion të asaj fantom formule të famshme: “Më pak pavarësi dhe më shumë autonomi për Kosovën”, ka paralajmëruar qartë se kurrë nuk do të heq dorë nga synimet e saja hegjemoniste ndaj “Kosovës dhe Metohisë përkohësisht të humbur” si territor integral të tërësisë unike të shtetësisë së saj të definuar edhe në Kushtetutë.

_____________________________________

DAVID ICKE: PRAPASKENA E BASHKIMIT EVROPIAN!

_______________________

     Kuptohet, kjo si ofertë e Serbisë për zgjidhjen definitive të problemit të Kosovës, jo vetëm se nuk është e pranueshme dhe është në çdo aspekt tejet e dëmshme për ne, por ajo as që ia vlen të diskutohet fare. Kuptohet, për një mospajtim tonë dhe të bashkësisë ndërkombëtare rreth kësaj oferte, që në start e ka pritur edhe vetë Serbia si propozuese, andaj, në drejtim të realizimit sa më të kamufluar të këtij synimi, që nga marrëveshja kapitulluese e Kumanovës me NATO-n, e deri më sot, ajo në këtë drejtim ka përdorur metoda të ndryshme të presionit të drejtpërdrejtë politik dhe diplomatik.
     Për t’i balancuar fërkimet ekzistuese politike në mes të forcave të brendshme kontradiktore demokratike pro-evropiane, nga njëra anë, dhe atyre nacionaliste pro-sovjetike, nga ana tjetër, të formuluar si hamendësim: “Ose Evropa, ose Kosova?”, aktualisht, Serbia, me një elitë politike të deklaruar si pro-evropiane në pushtet, e në fakt gjithnjë me mendësi nacionaliste serbomadhe, e sigurt u paraqit me atë sloganin e njohur parimor politik: “Edhe Kosova edhe BE-ja”.
Mbase, edhe ka pasur sukses në këtë drejtim! Sikur dihet, ajo kohën e fundit ka arritur që ta fitoj statusin e kandidatit për në BE.
Ngadalë por sigurt drejt realizimit të synimeve të saja
     Sa i përket planeve të saja për Kosovën të kamufluara me ofertën “Më pak pavarësi dhe më shumë autonomi për Kosovën”, në dukje, ajo edhe në këtë plan ka arritur mjaftë sukses: më se 13 vite Mitrovicën, e mban të ndarë ndërsa veriun të tensionuar dhe nën kontrollin e sovranitetit të saj në të cilën shteti i Kosovës nuk ka asnjë qasje të shtrirjes së sovranitetit të vetë kushtetues; sipas Pakos së Ahtisarit të gjitha kishat dhe tempujt tjerë fetare ortodokse serb që shtrihen në territorin e Kosovës janë si hapësira me status të eksterritorialitetit; ka arritur që nga OKB –ja ta kontrabandoj atë 6 pikshin e falshëm të Ban Ki Munit për veriun; në bisedimet e fundit me Kosovën, ajo në çdo aspekt e ka ruajtur interesin e saj nacional dhe pozicionin e vetë kushtetues me të cilën Kosova definohet si krahinë e Republikës së Serbisë; në prezantimet regjional na ka imponuar fusnotën duke na zbehur shtetësinë dhe sovranitetin tonë ndërkombëtar; së fundi, pa penguar dhe nën përkrahjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare, ka arritur që legalisht t’i mbaj zgjedhjet e veta nacionale dhe presidenciale në 26 komuna të territorit të shtetit të pavarur të Kosovës?!
Një plan konspirative po ngjanë në prapavijë?!
     E tëra kjo është vetëm ai veprim politik në dukje, pa i llogaritur ato plane konspirative që po ndodhin pa zhurmë prapa shpinës tonë: Ekseset e shumta në veri të vendit deri tek vrasjet e shqiptarëve; burgosjet e shtetasve Kosovar që udhëtojnë transit nëpër territorin e saj; burgosjet dhe shtimi i dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës), njëkohësisht të sinkronizuara edhe me dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë …të gjitha këto me një tolerancë dhe reagim të munguar nga BE-ja dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare, janë shenja të qarta se pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi është i paevitueshëm edhe një raund i dytë i bisedimeve politike me Serbinë.
     Nëse edhe më tej do të mbetemi në atë konstatimin fillestar se asgjë në këtë realitet nuk ndodhë rastësisht, atëherë, është e qartë se, nga qendrat e ndryshme të vendimmarrje politike ndërkombëtare, nga politikat e gjertanishme të mbajtjes së “status quos” në këtë pjesë të Ballkanit, gradualisht po kalohet në planin më aktiv “B” (pa dyshim – konspirativ) Ky plan konsiston me ngritjen e qëllimshme të tensioneve në këtë rajon, duke krijuar kështu rrethana artificiale të një situate kinse të padurueshme të konflikteve ndërnacionale ndaj së cilave duhet intervenuar me zgjidhje edhe me radikale. Ndoshta edhe përmes imponimit të një SAMITI (konference) ndërkombëtare. Nëse kjo do të ishte e realizueshme, me këtë planë nuk do të përjashtohet as mundësia e ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ndarjes së Maqedonisë… bashkimit eventual me Shqipërinë…etj. Fundja, me kusht që të rruhet autonomia e trashëgimisë religjioze serbe në pjesën tjera të Republikës së Kosovës e cila nuk do të integrohet nën Serbi, a nuk ishte vetë Tadiqi dhe Daçiqi që propozuan një marrëveshje mes Serbëve dhe shqiptarëve për ndarje territoriale? Diçka edhe pjesërisht është realizuar edhe tashti në këtë drejtim. Mbase ky plan për garantimin e pavarësisë (eks-teritorijalitetit) të kulteve fetare ortodokse serbe në tërë territorin e Republikës së Kosovës është arritur kaherë – përmes Pakos së Ahtisarit.
     Nga ana tjetër, a nuk ishte vetë Akademia e Shkencave e Maqedonisë, e cila, pas luftës së fundit të UÇK-së (para marrëveshjes së imponuar të Ohrit), nuk i ofroi si opsion praktik shqiptarëve të Maqedonisë mundësinë e një ndarje territoriale dhe bashkimit me Shqipërinë?!!
     Ekziston edhe një postulat tjetër filozofik që tregon një ligjshmërie tjetër që përsosur vepron në univers: “Asgjë nuk mund ta pengoj një proces, i cili veç ka nisur të realizohet” .
     Nëse vërtet proceset e nisura nuk mund të pengohet, të paralajmëruarit dhe më të përgatiturit nga ato mund të përfitojnë sa më shumë favore.
     Vallë sa jemi unik si komb ne shqiptarët , në këtë momente dhe sa të përgatitur politikisht që urtësisht dhe me mençuri ta përballojmë edhe këtë sfidë të madhe historike?
     Sido që të jetë, pajtohemi të gjithë se, tani para nesh është sprova më e madhe historike si komb dhe dhashë Zoti që mençurisë tonë të cilës gjithmonë i kemi besuar se e kemi, ta shfrytëzojmë pikërisht në këto raste vendimtare.
     Por, pak dyshoj! Sepse, gjykuar me nivelin e mendësisë së tashme të elitave politike që aktualisht janë në pushtet (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni…), nuk duhet të shpresonim edhe aq shumë. Por, nëse mbi të gjitha, si vendimtare, do të dominoj instinkti shekullor kolektiv i popullit tonë, ndërtuar përherë mbi trimërinë, moralin e shëndosh, drejtësinë dhe dinjitetin, atëherë lirisht mund të thuhet se ka shpresa…!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura