ADNAN ABRASHI: SHQIPËRI ETNIKE – PA HEZITIM!

(Prizren, 16. 11. 2012) – Si datë e shënuar me të kuqe në kalendar, me të shpejtë po na afrohet dita e Festës së Flamurit. Në fakt, është dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por, shumica e shqiptarëve më tepër parapëlqejmë ta quajnë si “Festa e Flamurit”. E flamurit tonë kuqezi. Asaj “lecke” të gjakosur njollëzezë, e cila, që nga ajo kohë kur lindi, e reshtur nëpër mote, për ne qe gjithçka. Çdo gjë. Mbi të gjithash, fashë për plagët tona, qefinë varrimesh, bajrak çiftëzimesh, emblemë djepash në kokë të foshnjave, vjershë ninullash, strofë këngësh kreshnike me lahutë dhe çifteli, prijëse nëpër beteja dhe luftëra për liri… dhe kështu sërish prej fillimit dhe bredhjes tonë nëpër histori…
Sa më shumë po na afrohet dita e 28 Nëntorit, e cila këtë vit kalendarik përkon edhe me jubileun e 100 vjetorit të themelimit të shtetit modern shqiptar, në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë natyrale, si dhe diasporë, aq më tepër po shtohen aktivitetet të ndryshme kulturo-artistike të dedikuara shënimit të kësaj feste të madhe gjithëkombëtare. Pa marrë parasysh bartësit dhe mënyrën (zyrtare apo spontane qytetare) të organizimit të tyre, në esencë, të gjitha ato si kujtesë, fuqishëm do ta reflektojnë porosinë e synimit tonë kolektiv të bashkimit të të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët unik të quajtur SHQIPËRI. Këtë realitet të pamohueshëm, mbase, më së miri e kanë ditur gjithnjë (dhe ende e dinë) armiqtë tanë, por, fatkeqësisht, jo edhe elitat tona politike në pushtet (Shqipëri, Kosovë, Iliridë…), të cilëve, me kontributin teorik mohues, shpesh në publicistikë atyre ju bashkëngjiteshin edhe disa pseudo-intelektual, gazetarë – argatë të pushtetit servil ndaj të huajve, analistë politik tendencioz, etj.. Me pretekste të ndryshme kinse të mbështetura në teori filozofike-politike moderne të krijimit të shteteve dhe kombeve, apo, gjoja të udhëhequr nga racionalizmi i real-politikës së kohës, këta politikanë nihilist kombëtar dhe shkarravitësit e shkretë finok intelektual, vërtet për një kohë kanë arritur që një pjesë të popullit tonë ta mbajnë në lajthim. Por, jo edhe aq gjatë! Sepse, vetëdijesimi evolutiv i masave tona në këtë drejtim, tashmë me të madhe ka filluar të ngjaj, dhe, se, preteksti i shënimit të kësaj festeje jubilare të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sigurisht se do të shërbej si katalizatore më e fuqishme e ekspozimit edhe më depërtues kolektiv të kësaj porosie.
“Lypni, do t’ju jepet, kërkoni dhe do ta gjeni…”
Në Bibël ekziston një postulat shumë domethënës si porosi praktike besimtarëve: “Lypni, do t’ju jepet; kërkoni dhe do ta gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet! Sepse, kush lyp, i jepet, e, kush troket, i çelet”. Këtë postulat tematik, në vazhdim si ilustrim, do ta konkretizoja edhe me një metaforë nga jeta ime praktike: Dikur kur isha nxënës i shkollës së mesme, në gjeneratën tonë ka qenë edhe një vajzë e cila dallonte shumë nga të tjerat për nga bukura. Prej gjithë ne meshkujve, nuk kishte kush që marrëzisht nuk qe dashuruar në te. Dashuri platonike, kuptohet. Por, edhe pse ishte shume e adhuruar nga gjithë ne meshkujt e gjeneratës, gjatë 4 viteve sa ishim bashkë, ajo asnjëherë nuk pat ndonjë të dashur. Shkaku: sepse, aq sa ne ishim të magjepsur nga bukuria e saj e përkryer, njëkohësisht kishim edhe frikë, mosbesim në vete dhe dyshim të tepruar për mundësinë e mospranimit nga ana e saj, kështu që, asnjëri nga ne “donzhuanët” e gjeneratës, kurrë nuk kemi pasur guxim “t’ia lypim”, sikur thuhej në zhargonin tonë adoleshent.

Mu sikur nga shembulli i kësaj analogjie, kur është fjala për Bashkimin kombëtar të shqiptarëve, ngjashëm veprojmë sot edhe si popull. Duke menduar me logjikë të gabuar të gjykimit se: “kjo është një kërkesë e pamundur”, “nuk na lejojnë ndërkombëtarët”, “nuk është ende koha e duhur”, “do të bashkohemi në Europën e Bashkuar” … etj., ashtu që, në vend se ta shprehim dhe ta kërkojmë haptas këtë synim, ne në vete pavetëdijshëm instalonim një mohim si bindje të gabuar psikologjike kolektive. Pra, që të na jepet, ne nuk kemi guxuar as “me lyp”, as “me kërkua” e lere më me “trokit” diku. Ama, tani e tutje, sigurisht më jo! “Dashurisë platonike” në mes të territoreve tona të ndara shqiptare me shekuj, dal – ngadalë po i vije fundi. Sepse, ne ma ja kemi nisur me lyp, me kërkua me ngulm dhe zhurmshëm me trokit në atë derë të fatit tonë të mëkëmbur ndër shekuj nga të tjerët, e cila derë, shumë shpejtë do të na hapet triumfalisht.
Me këtë rast, fare nuk dua të ndalem në kohën e sotme të Republikës së Kosovës së pavarur dhe thuaja sovrane, e cila, sipas nenit 1, pika 3, të Kushtetutës së saj, edhe juridikisht pretendon ta ndaloj këtë synim tonë historik të Bashkimit kombëtar të pandashëm si proces. Po ashtu, me këtë rast, fare nuk dua të merrem as me qëndrimet kontradiktore zyrtare të elitave tona politike shqiptare rreth kësaj çështje. Ajo që më së shumti më inkurajon në këtë drejtim është se, falë një brezi të ri i cili veç ka lindur dhe i cili edhe institucionalisht po e shpërfaq haptas këtë synim, sot, populli ynë me të madhe po bindet se para integrimeve të pandalshme evropiane, ajo së pari duhet të integrohet brendapërbrenda vetes si komb. Sa jemi të fuqishëm dhe të bashkuar kur duam, do ta tregojmë më 28 Nëntor.
Të urojmë nga zemra që ky bashkim emocional të mos jetë vetëm për këtë ditë dhe vetëm për festa! Gëzuar, shqiptarë, 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura