AGIM HAMITI: PSE U TREFISHUA KOHËZGJATJA E PARASHIKUAR PËR TAKIMIN KOKË MË KOKË VUÇIÇ – RAMA?!

Bruksel, 15. 11. 2014 – (“Ҫka firmosi Edi Rama në takimin kokë më kokë me Vuçiç’in?!”) – Misioni bazë i vizitës së Ramës në Beograd (i urdhëruar nga Brukseli e Washingtoni) ishte nënshkrimi, në emër të Shqipërisë, i marrëveshjes së arritur midis Thaçit dhe Daçiçit në Bruksel lidhur me Asociacionin e Komunave serbe në Veri të Kosovës dhe mëkate të tjerë që nuk i janë bërë të njohur as sot parlamentit të Kosovës, i cili normalisht duhej t’i miratonte një për një marrëveshjet e arritura me Serbinë (sipas Kushtetutës), para se t’i firmoste Thaçi. Pra, nuk dihet akoma se çfarë mëkati tjetër të rëndë ka nënshkruar Thaçi në Bruksel, i cili e ka befasuar Ramën kur i është vënë dosja përpara nga Vuçiç… Biseda e trefishuar në kohë e Ramës (e pasuar nga nëshkrimi i dosjes së bisedimeve Thaçi-Daçiç) është një minë me sahat, e cila do të shpërthejë në kohën e duhur… Teatraliteti i deklaratës së Ramës për pavarësinë e Kosovës dhe reagimi i Vuçiçit ishin thjesht për bujë – një dyfek pas dasme për ato çka ishin firmosur në takimin kokë më kokë. Euforia e shtypit dhe medias vizuale shqiptare për «sfidën e Ramës» në Beograd është dëshmi e debilitetit tashmë të mirënjohur të këtyre mekanizmave servilë të përhershëm të pushtetit.
***
Pjesa më e rëndësishme e çdo takimi të nivelit të lartë është ajo e bisedës kokë më kokë midis dy liderëve respektivë. Ajo zakonisht nuk është e gjatë, por subjekti i saj përbën pjesën e nënujshme të ajsbergut, i cili nuk bëhet publik. Gjithë pjesa tjetër e takimit, e përcjellë nga gazetarët dhe nga media, shërben thjeshtë për konsum mediatik.
Sipas protokollit të publikuar, takimi kokë më kokë Vuçiç-Rama ishte parashikuar të zgjaste vetëm 20 minuta. Ndodh edhe në takime të tjerë ndërkombëtarë të këtij lloji që protokolli të mos respektohet me rigorozitet, por toleranca e shkeljes është e vogël. Në rastin në fjalë, maksimumi i zgjatjes së takimit matanë limiteve të parashikuar mund të arrinte në 30 minuta (150 % e kohës së parashikuar, që është shumë), por jo të trefishohej, duke arritur një orë…!

Cila është arsyeja e vërtetë e trefishimit të kohës së parashikuar të takimit Vuçiç-Rama?
Misioni bazë i vizitës së Ramës në Beograd (i urdhëruar nga Brukseli e Washingtoni) ishte nënshkrimi, në emër të Shqipërisë, i marrëveshjes së arritur midis Thaçit dhe Daçiçit në Bruksel lidhur me Asociacionin e Komunave serbe në Veri të Kosovës dhe mëkate të tjerë që nuk i janë bërë të njohur as sot parlamentit të Kosovës, i cili normalisht duhej t’i miratonte një për një marrëveshjet e arritura me Serbinë (sipas Kushtetutës), para se t’i firmoste Thaçi. Pra, nuk dihet akoma se çfarë mëkati tjetër të rëndë ka nënshkruar Thaçi në Bruksel, i cili e ka befasuar Ramën kur i është vënë dosja përpara nga Vuçiç. I ndërgjegjshëm se akti më i rëndë që ai do të nënshkruante në Beograd ishte dhurimi perspektiv Serbisë i Veriut të Kosovës, Rama ka debatuar për më tej.
Natyrisht, Vuçiç nuk mund ta detyronte dot për këtë dhe ka kërkuar urgjentisht në telefon ndihmën e arkitektëve dhe miratuesve të mëdhenj të asaj marrëveshjeje që prisnin zhvillimin e këtij takimi anormal. Këta nuk e kanë pasur të vështirë ta bindnin Ramën në bisedë të drejtëpërdrejtë që ta nënshkruante atë dosje që qeveria shqiptare e kishte miratuar në parim në përfundim të fazës së parë të bisedimeve Beograd-Prishtinë. Për këtë arsye, biseda nuk ka qenë më thjesht kokë më kokë midis dy kryeministrave dhe koha e parashikuar u trefishua. Kjo ishte «buka» e takimit.
Teatraliteti i deklaratës së Ramës për pavarësinë e Kosovës dhe reagimi i Vuçiçit ishin thjesht për bujë – një dyfek pas dasme për ato çka ishin firmosur në takimin kokë më kokë. Euforia e shtypit dhe medias vizuale shqiptare për «sfidën e Ramës» në Beograd është dëshmi e debilitetit tashmë të mirënjohur të këtyre mekanizmave servilë të përhershëm të pushtetit.
Të vlerësosh Ramën pas «trimërisë» në kuadër të kësaj vizite antishqiptare është njësoj si të rivlerësosh sot deklaratat e Enver Hoxhës kundër «revizionizmit Titist», ndonëse Tito mbeti miku i tij i përhershëm deri në fund.
Para rreth tre vjetësh, Pandeli Majko botoi në «Gazeta Shqiptare» një letërkëmbim sekret midis Titos dhe Enverit, me ndërmjetësinë e Sekretarit të ambasadës shqiptare në Beograd, Lik Sehiti, të vitit 1974. Këtë material ai e kishte nxjerrë nga arshivat, kur kishte qenë kryeministër. Në atë letër Tito kërkonte opinionin e Enverit, nëse ishte dakord që Kosova të shpallej Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave. Enveri e diskuton përmbajtjen e letrës në prani të Ramiz Alisë dhe Lik Sehitit dhe vendos që t’i përgjigjet negativisht propozimit të Titos: «Jo, Kosova duhet të mbetet krahinë autonome». Pavarësisht se cili është mentaliteti i Majkos, ai shpreh keqardhjen e tij (në «Gazeta Shqiptare») për këtë përgjigje antikombëtare të diktatorit shqiptar, duke shkruar: «Mund të justifikohen deridiku gabimet e Enver Hoxhës ndaj Kosovës në fillim të karrierës së tij politike, por më 1974 ai kishte 30 vjet në pushtet dhe përgjigjja që i kthen Titos për Kosovën është e pafalshme».
Në qoftë se do ta vlerësojmë veprimtarinë e politikanëve vetëm nga llafet, kush e ka sharë Titon më shumë se Enveri? Jo, o Shqiptarë jo, mos dëgjoni se çfarë thonë politikanët shqiptarë, por shikoni se çfarë bëjnë ata. Biseda e trefishuar në kohë e Ramës (e pasuar nga nëshkrimi i dosjes së bisedimeve Thaçi-Daçiç) është një minë me sahat, e cila do të shpërthejë në kohën e duhur…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura