AGIM RAMADANI – LUFTËTARI DHE EPRORI MË EMBLEMATIK I UÇK-së

Pashtriku.org, 10. 04. 2015 – Njëri ndër luftëtarët dhe eprorët më emblematikë të luftës së UÇK-së pa dyshim se është edhe Agim Ramadani, komandanti i mirënjohur i Brigadës 138, të Zonës Operative të Dukagjinit, e cila deri në fund të luftës e mbajti me krenari e respekt emrin e këtij dëshmori, i shpallur hero i kombit pas luftës çlirimtare dhe fitimtare kundër Serbisë okupatore.
Agim Ramadani u lind në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, më 3 maj të vitit 1963. Ishte fëmija i pestë me radhë i babë Hysniut dhe nënë Fetihes. Qysh në rininë shprehu talentin e tij për artin e sidomos për poezinë dhe pikturën. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike me sukses meritor e mbaroi në Gjilan në vitin 1981. Për shkak të pjesëmarrjes aktive në Demonstrata e Marsit dhe Prillit të atij viti, Agimi dënohet dy muaj burg dhe përjashtohet nga shkolla. Meqë ishte maturat, iu mundësua kryerja e maturës. Largohet nga Kosova dhe regjistrohet në Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit, në Zagreb të Kroacisë.
Lufta në Kroaci në vitin 199o-1991 e gjeti në Akademinë ushtarake, të cilën edhe e braktisi dhe shkoi në Zvicër, duke e kuptuar me kohë se ajo që quhej Armata Popullore e Jugosllavisë drejtohej nga serbët dhe ishte orientuar ushtarakisht kundër Kroacisë dhe kundër të gjithë popujve të Jugosllavisë, që donin të shkëputeshin nga sundimi dhe hegjemonia serbe.

Agimi nga Zagrebi mërgoi në Zvicër me bashkëshorten e tij Shukrien dhe bijtë Jetonin dhe Edonin. Më vonë i kishte lindur edhe bija, Laurina. Në Zvicër së bashku me familjen e mori statusin e emigrantit politik.
Gjatë qëndrimit të Zvicër ishte në kontakt me veprimtarët e Lëvizjes ndërkohë që merrej me pikturë dhe poezi. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Edhe pse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit dhe qëndrimin legal në Zvicër, ai me rastin e fillimit të luftës në vendin tonë, në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së Atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Zvicër kishte lënë bashkëshorten në Zvicër tre fëmijët.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg ushtarak dhe udhëheqës i dashur e shumë i respektuar për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e arriti me bashkëluftëtarët e tij. Ishte i pari që shkuli gurin e kufirit në Piramidën-kufitare, në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Rrasa e Zogut, më 11 prill 1999, gjatë luftimeve kundër forcave serbe, ra heroikisht, për të mos vdekur kurrë.
Gjatë ilegalitetit si dhe gjatë luftës njihej me emrin konspirativ-Katana. Agim Ramadani me të drejtë llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në shenjë respekti e nderimi para Teatrit Kombëtar, në Gjilan bashkëluftëtarët dhe struktura komunale i kanë ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. Ai ka lënë edhe disa poezi të cilat janë përmbledhur de janë botuar në një libër të veçantë poetik.

A MJAFTON PRITJA

A mjafton
Të presim vetëm
E të shikojmë
Duke larguar perden
Për të parë si na vjen liria
(Tetor, 1994)
***

IDRIZ SEFERI
Oshëtima ende është gjallë
Damar i tokës vetë
Ai
(Janar,1994)

***
PIKTURALE
Trëndafili i tharë
Në kornizë te dritares
Dhe një cep pëlhure
Që njomet
Në të pa avulluarën
E gotës se kujtimeve
Në horizontalen
E matur të penelit
Më shteren ngjyrat
Në kavaletin
E së kaluarës.
***
NË MUNGESËN TIME

Tani unë jam hi dhe hije nuk kam
Se kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk jam tretur
(Mars, 1994)
***

Mu shtershin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde me ëndërrue
mallkue qoftë gjaku im
nëse m’vrasin pa luftue!

(1996)

…………………………………………………………….

– I PAVDEKSHMI AGIM RAMADANI –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura