AGIM VINCA: SITUATA NË MAQEDONI – PASOJË E GABIMEVE TË SË KALUARËS

Prishtinë, 02. 04. 2012 (“Një komp ç’vleftë t’i vërë vethesë, atë i vënë edhe të huajtë”. Naim Frashëri, “Mësime”, Bukuresht, 1894) – Në një debat televiziv në RTK, me rastin e skandalit të Enciklopedisë maqedonase (2009), në të cilin merrnin pjesë dy akademikë (Pajazit Nushi e Ali Aliu), një historian (Jahja Drançolli) dhe unë (Agim Vinca), pa harruar, natyrisht, as gazetarin (Nuhi Bytyçi), pata theksuar se ne shqiptarëve si komb na mungon strategjia politike ndaj fqinjëve: një qëndrim politik unik e afatgjatë ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë. Mungesa e kësaj strategjie bie në sy sidomos në qëndrimin ndaj ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në këta njëzet vjet, prej pavarësimit të saj e këndej, por edhe më parë, kur ajo nuk kishte ende subjektivitet ndërkombëtar.
     Shqipëria dhe shqiptarët janë, siç dihet, të vetmit në Ballkan, që ua njohin maqedonasve (sllavë) edhe gjuhën, edhe kombësinë, edhe shtetin, edhe kishën e, madje, edhe identitetin e tyre problematik. Krejt ndryshe ndodh me fqinjët e tjerë të tyre: Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë, të cilët ua kontestojnë kush emrin, kush kishën e kush gjuhën, kulturën dhe kombësinë.
     Por ç’ndodh, ndërkaq, si kundërshpërblim? Në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë një urrejtje të paparë ndaj shqiptarëve dhe jo vetëm ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në këtë vend, por edhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi, kudo që jetojnë ata, në Kosovë, në Shqipëri a gjetkë; një albanofobi të vërtetë. Themi kështu, sepse nuk dimë si ta quajmë ndryshe këtë fenomen irracional, i cili, herë-herë, nga niveli verbal (artikujt fyes në shtyp, brohoritjet nëpër stadiume dhe parullat “Vdekje shqiptarëve!” nëpër mure), kalon edhe në atak fizik: grupe njerëzish, me e pa maska, sulmojnë të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë nëpër autobusë, shkolla, rrugë, stadiume e kahmos tjetër, siç po ndodh në kohë të fundit. Sulmet si ai në fshatin Çiflik të Shkupit kanë elemente fashizoide dhe t’i kujtojnë repartet e “junkerëve” të Hitlerit.

______________________________________________

_____________________________________________

     A bëhet fjalë për incidente spontane, çfarë ka kudo, ku më shumë e ku më pak, apo për diç tjetër?
     Nuk e përjashtoj mundësinë që këto të jenë edhe incidente, sepse incidente ndodhin në çdo shoqëri, por aktet e tilla nëse nuk janë të organizuara direkt nga strukturat shtetërore, kanë frymëzim politik dhe janë shprehje e drejtpërdrejtë e politikës në thelb antishqiptare të qeverisë aktuale të Maqedonisë, në krye të së cilës qëndron një njeri, rejtingu i të cilit rritet vazhdimisht, nga dita në ditë, kryesisht për shkak të qëndrimit të tij të fortë ndaj shqiptarëve.
     Momenti aktual në Maqedoni tërheq vëmendjen edhe për një aspekt tjetër, pak a shumë të ri dhe pothuajse të panjohur më parë.
     Prej themelimit të këtij shteti, fillimisht si republikë në kuadër të federatës jugosllave (1945) dhe pastaj si shtet i pavarur, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë (1992), shqiptarët kanë qenë në konflikt me strukturat shtetërore maqedonase, që ua kanë shkelur atyre të drejtat e tyre elementare, por jo me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, me të cilët kanë pasur marrëdhënie tradicionalisht të mira ose relativisht të mira. Për herë të parë, konflikti në Maqedoni merr konotacione të konfliktit ndëretnik, madje edhe ndërfetar, gjë që nuk kishte ndodhur as në vitin 2001, pra shfaqet si konflikt i shqiptarëve dhe maqedonasve (sllavë), përkatësisht konflikt i të krishterëve dhe myslimanëve. Kam parasysh këtu karnevalin e Vevçanit dhe pastaj protestën në Strugë me pjesëmarrje edhe të kryetarit të komunës, që është përfaqësues i BDI-së.
     Në Strugë (në Strugën time të dashur) nuk janë mbajtur protesta kaherë: as kur është djegur flamuri shqiptar në kuadër të MPS-së, as kur janë përdhosur bustet e atdhetarëve shqiptarë Dr. Ibrahim Temo dhe Dervish Hima (më se një herë), as kur janë shkulur tabelat dygjuhëshe që tregojnë vendbanimet, por u reagua me dalje në shesh kur u përqeshën ritet fetare myslimane, falja e namazit, në një karneval tradicional të krishterë!
     Është i papranueshëm cenimi i ndjenjave fetare të besimtarëve myslimanë, por është miopi politike organizimi i një proteste gjithëpopullore me simbole e ikonografi fetare. Nuk duhet gëlltitur kurrsesi ky karrem. Shqiptarët edhe vetë janë popull trikonfesional, që ka një harmoni fetare shembullore, vlerë kjo me të cilën ata mburren para botës. Konflikti mbi baza fetare është i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Tekefundit, shqiptarëve në Maqedoni, as në monizëm e as më vonë, nuk u janë cenuar të drejtat fetare, por të drejtat nacionale.
     Kjo që ndodh sot në Maqedoni, sikurse edhe provokimet dhe sulmet e mëparshme, pothuajse ciklike, është në radhë të parë pasojë e gabimeve që janë bërë në të kaluarën nga vetë shqiptarët në raport me Maqedoninë dhe maqedonasit.
     Për mendimin tim, në vitet 1992-‘93, pra rreth njëzet vjet më parë, janë bërë dy gabime të mëdha e të pafalshme të klasës politike shqiptare në raport me Maqedoninë. Këto dy gabime janë: hyrja në koalicion qeveritar e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) në kohën kur Maqedonia e kishte shpallur pavarësinë e saj, por nuk kishte subjektivitet ndërkombëtar (nuk ishte njohur nga bota, nuk ishte anëtare e OKB-së dhe e organizmave të tjerë ndërkombëtarë etj.) dhe njohja e parakohshme dhe pa kurrfarë kushtesh e IRJM-së nga Republika e Shqipërisë në vitin 1993, në kufijtë e saj ekzistues, brenda të cilëve janë edhe tokat shqiptare të pushtuara nga Serbia gjatë luftërave ballkanike në vitet 1912-‘13.
     Është për t’u habitur që sa herë flitet për çështjen shqiptare në Maqedoni, përfshirë edhe valën e debateve që ka shpërthyer tani, nuk përmenden këto dy momente kyçe për fatin dhe pozitën e shqiptarëve në këtë vend. Përse mund të thuhet kështu? Do të përpiqem ta argumentoj shkurt, me pak fjalë, këtë që them. Duke hyrë në koalicion qeveritar në kohën kur Maqedonia nuk kishte ende subjektivitet ndërkombëtar, subjekti politik shqiptar në Maqedoni, brenda të cilit qe infiltruar elementi gligorovian, bëri një akt vetëvrasës: i amortizoi kërkesat e veta për barazi e shtetformim dhe ankesat për pabarazi e diskriminim para faktorit ndërkombëtar dhe ia hapi rrugën drejt njohjes si shtet Maqedonisë, aq më parë që atë e njohu, “solemnisht”, siç thuhej në deklaratën e lëshuar me atë rast (mars 1993), ndër të parët në botë, edhe shteti amë i shqiptarëve, Shqipëria e Sali Berishës. Maqedonia është dashur të kontestohet atëherë nga shqiptarët e jo tani, sepse tani është vonë. Madje, vonë mund të thuhet se ishte edhe në vitin 2001, kur shpërtheu kryengritja e armatosur e shqiptarëve në Maqedoni, e cila, ndonëse luftë atipike, “për të drejta” e jo për territor, e lëvizi, megjithatë, çështjen shqiptare në Maqedoni nga pika e vdekur tek kishte ngelur që nga viti 1991.
     Gabim tjetër strategjik i faktorit politik shqiptar në Maqedoni mund të quhet heqja dorë nga Referendumi për autonomi politiko-territoriale i vitit 1992 dhe tërheqja e partive politike shqiptare nga Shkupi në Tetovë, tek i kanë selitë edhe sot (njëra, madje pikërisht ajo që është në pushtet, në katund), me çka shqiptarët praktikisht hoqën dorë nga Shkupi dhe e humbën atë.
     Po të mos ishin bërë këto gabime strategjike: hyrja në koalicion qeveritar në kohë krejtësisht të papërshtatshme, që praktikisht ishte vetëvrasje politike; njohja e parakohshme dhe pa kusht e Maqedonisë nga Tirana zyrtare dhe heqja dorë e subjektit politik shqiptar nga kërkesa për autonomi politiko-territoriale, që do të thotë praktikisht federalizim i Maqedonisë, ndoshta nuk do të kishte pasur nevojë as për kryengritjen e vitit 2001, sepse do të ishin arritur me mjete politike ato që u desh të arrihen me gjak e sakrifica.
     Kam ndjekur këto ditë debatet për situatën në Maqedoni. Në asnjë nga këto debate nuk kam dëgjuar të përmenden këto gabime të pafalshme të politikës shqiptare në Maqedoni dhe ndaj Maqedonisë. Sikur të mos ekzistonin fare dhe të mos kishin kurrfarë lidhjeje me zhvillimet e sotme. Nuk kam dëgjuar as të shtrohet nga ndokush çështja e përgjegjësisë historike nga ana e atyre që i kanë bërë ato shkarje politike, të gjallë e të vdekur. Asnjë autokritikë, asnjë brejtje ndërgjegjeje, asnjë kërkim faljeje. Asgjë! Si ka mundësi të kalohet kaq lehtë mbi këto gabime dhe përse unë insistoj te kjo çështje? Një, sepse gjërat duhen emëruar me emrin e vet, saktë dhe qartë dhe, e dyta, sepse përvoja historike na mëson se kush nuk mëson nga gabimet e së kaluarës i përsërit ato.
     Në raport me Maqedoninë, madje, shqiptarët, nuk e di pse, sikur manifestojnë një prirje mazohiste. Ia mbyll Portin e Selanikut Greqia Maqedonisë për shkak të emrit, vrapon Shqipëria t’ia hapë Portin e Durrësit! Bujrum! Kërkojnë krematoriume për shqiptarët tifozët maqedonas, del ambasadori i Shqipërisë në Shkup dhe deklaron publikisht se “një grup tifozësh nuk mund t’i prishin marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë”! Përmbytet Shqipëria me javë të tëra, Maqedonia nuk e sheh të udhës të shtojë një dërrasë për ta pakësuar sasinë e ujit në Drinin e Zi (menaxhimi i ujërave të liqenit është kompetencë e pushtetit qendror) për t’ia zgjatur dorën sadopak fqinjit që është në fatkeqësi. Fyhen shqiptarët në një botim të festivalit ndërkombëtar të poezisë, Mbrëmjet e Poezisë në Strugë, por pikërisht njeriu që qëndron prapa këtij akti shovinist, kryetari i bordit, Ançevski, ftohet të marrë pjesë, po atë vit, në dy manifestime letrare në Shqipëri: në Pogradec dhe në Durrës! Nuk e kam bërë publike deri më sot një vaki që më ka ndodhur mua personalisht në Aeroportin e Rinasit, në shtator të vitit 2001, pikërisht në ditën kur mbahej mbledhja e parë e Kuvendit të Maqedonisë pas luftës, policja shqiptare (femër) prapa kabinës me xhama ma shkyen kartonin në të cilin kisha shkruar, në rubrikën “shtetësia”: IRJM, pra emrin zyrtar të këtij shteti, duke m’u drejtuar me fjalët: “Përse nuk shkruan Maqedoni?!”.
     Në vend që të kërkojë llogari nga autoritetet maqedonase për provokimin e rëndë në ndeshjen miqësore mes Kombëtares së Shqipërisë dhe të Maqedonisë në Prilep, ku plot 90 minuta u brohorit “Vdekje shqiptarëve!”, vetëm pak ditë pas vizitës së Kryeministrit shqiptar në Shkup, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni ngutet të deklarojë, pa ia kërkuar kush, se “marrëdhëniet e mira shqiptaro-maqedonase” nuk i prishkan dot “një grup tifozësh”, duke u bërë kështu pa pikë nevoje avokat i Shkupit zyrtar! Çfarë politike është kjo? Çfarë diplomacie është kjo?
     Krejt ndryshe sillet pala maqedonase ndaj provokimeve të ngjashme, që mund të vijnë qoftë edhe nga një qytetar i vetëm shqiptar. Kur flamuri maqedonas digjet, në shenjë revolte, në një qytezë si Burreli, qeveria maqedonase i dërgon sakaq notë diplomatike qeverisë shqiptare. Maqedonia sillet ndaj Shqipërisë si të ishte farë superfuqie, kurse Tirana vazhdon të jetë, dje dhe sot, tejet e butë e dashamirëse ndaj saj, në çdo pikëpamje. Natyrisht, askush nuk është kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, përkundrazi, por në emër të kësaj kinse politike nuk mund të shkelet mbi dinjitetin e kombit dhe interesat kombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura