AHMET QERIQI: EDHE 13 VJET PAS LUFTËS KOLONELI I UҪK-së BARDHYL TAHIRI NUK GJEN DOT PUNË NË PRISHTINË, AS NË TIRANË

(Prishtinë, 19. 01. 2013) – Koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, dhe i ish’Shtabit të Operativës së UҪK-së – Bardhyl Tahiri, i buzëqeshur nga natyra, i dashur dhe i afërt me shokët e bashkëluftëtarët, vjen shpeshherë në Kosovë, me shpresë mos do të gjejë ndokund ndonjë punë. Sa herë vjen i merr në telefon shokët e dikurshëm, tani “shefa”, me qëllim për t’ i takuar, për të pirë me ta ndokund ndonjë kafe, për t’u çmallur tekefundit dhe për t’i njoftuar me gjendjen e rëndë sociale të tij e të shumë veteranëve. Por nuk i kontakton dot, meqë “shefat” kanë nga dy e më shumë telefona, të cilët i ndërrojnë orë e çast dhe nuk i përgjigjen. Takon pastaj ndonjë shofer apo truproje të tyre, dhe iu lutet që t’i caktojnë një takim me ish-shokët, por as kjo nuk shkrep, sepse “shefat” kanë aq shumë “punë e angazhim” për fatin e Kosovës”, sa e kanë të pamundur të ndajnë qoftë edhe pesë minuta për të biseduar me kolonelin, Bardhyl Tahiri. Ka ndodhur që njërin nga krye-shefat kurrë nuk e ka takuar, as edhe pas shumë e shumë përpjekjeve. Ka ndodhur që është takuar me ndonjë këshilltar të ndonjë “shefi” dhe ky i ka premtuar se sapo të vijë herën tjetër, patjetër do t’i organizojë një takim. Herën tjetër ai nuk i hap as telefonin…
Nuk është e largët koha kur fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kishin bashkuar edhe disa oficerë të lartë nga Shqipëria, të cilët së bashku me trimat e trimëreshat e UÇK-së luftuan ballë për ballë kundër forcave armike serbe në frontet e luftës, në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik, Nerodime e në Llap. Në mesin e atyre, qysh prej vjeshtës së vitit 1998 e deri në mbarimin e luftës më 1999 ishte edhe koloneli i Ushtrisë së Shqipërisë, Bardhyl Tahiri, i cili nuk pranoi vetëm të stërviste vullnetarët e lirisë në kazermat e Shqipërisë, ku ishte caktuar fillimisht, por me një grup oficerësh dhe me një pjesë të kreut të luftës, hyri për të luftuar në Kosovë.

Përveç Tahir Sinanit, më vonë dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në frontet e luftës u dalluan edhe kolonel, Bardhyl Tahiri, në Shtabin e Operativës, kolonel, Dilaver Goxhai, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa oficeri, Adem Shehu në Zonën Operative të Llapit. Fryma mobilizuese që sollën në mesin e luftëtarëve të lirisë, angazhimi i këtyre dhe oficerëve të tjerë nga Shqipëria ishte shumë i mirëseardhur në kalitjen e moralit dhe forcimit të besimit në fitore, përveç punëve me përgjegjësi, që kanë kryer gjatë luftës këta ushtarakë të lartë nga Shqipëria.
Për dallim nga oficerët e tjerë të Shqipërisë, që u angazhuan me detyrë ushtarake, zyrtare në Divizionin e Kukësit e gjithandej në Shqipëri, të cilët po ashtu u angazhuan në segmente të ndryshme të luftës, prania e këtyre oficerëve në luftën tonë çlirimtare, brenda territorit të Kosovës i kishte dhënë shtytje besimit për fitore, meqë po krijohej bindja se në një segment të rëndësishëm organizativo-ushtarak ishte inkuadruar edhe vetë Shqipëria, e cila edhe botërisht e kishte mbështetur luftën e drejtë të UÇK-së.
Me mbarimin e luftës dhe fitores mbi forcat policore e ushtarake serbe, në qershor të vitit 1999, fati i këtyre oficerëve ashtu sikur edhe i shumë luftëtarëve të përkushtuar të lirisë, u la në mëshirë të kohës. Me pretekstin se ishin qytetarë të Shqipërisë, sipas udhëzimeve të “miqve” tanë në UNMIK, oficerëve nga Shqipëria, të cilët kishin luftuar në Kosovë iu pamundësua angazhimi në TMK dhe në organizimin politik të pas luftës. Ata mbeten pa punë. Disa prej tyre madje u shpallen edhe dezertorë, nga një segment i ushtrisë, meqë kishin ikur nga armata e Shqipërisë dhe iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së. Pati në mesin e tyre edhe oficerë që u dënuan me burg për shkak të këtij “dezertimi” ashtu sikur ishte rasti i oficerit, Dritan Goxhai. Pati edhe etiketime të pamoralshme të shpifarakëve të ndryshëm, këndej e andej, të cilët përhapnin gënjeshtra pa pikë turpi se këta oficerë paskëshin qenë “mercenarë”, për shkak se familjet e tyre në Shqipëri, gjatë kohës sa kishte zgjatur lufta në Kosovë, paskëshin marrë të holla në vlerë, 200 apo 300 euro të sotme. Ata që shpifin kështu, me paratë e fondit “Vendlindja thërret” kanë ndërtuar banesa pesë e shumëkatëshe dhe udhëheqin me sukses firma të mëdha përfitimi jo vetëm në Prishtinë, por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Të tillët nuk begenisin madje as edhe të flasin me Bardhyl Tahirin dhe me veteranët e mbetur në mëshirë të kohës.
Injorimi, që iu bë këtyre oficerëve, nga shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës, shënon një damkë të zezë, jo edhe aq të izoluar të historisë sonë të pas luftës, meqë për shumë kohë asnjëri prej këtyre ushtarakëve nuk gjeti punë, në Kosovë, as në Shqipëri, edhe pse me vjet të tëra u mbajtën me premtime, sidomos nga shokët e tyre në Kosovë. Ndërkohë, për ta mbajtur familjen, disa nga këta oficerë u detyruan të punojnë punë të rënda fizike, punë në roje objektesh, shërbyes nëpër hotele, ngarkim shkarkim në transport etj. Pas shumë vite të sorollatjes, pak vjet para pensionimit e pranuan në Akademi, Dilaver Goxhajn. U angazhua me një punë edhe Adem Shehu, ndërsa Bardhyl Tahiri qysh prej mbarimit të luftës nuk gjeti dot asnjë punë për të qenë, nga e cila mund ta mbante familjen. Ai merr pensionin e ulët të oficerit të liruar dhe aktualisht kërkon punë, çfarëdo pune qoftë edhe roje nate a dite, apo edhe punë fizike, meqë me 100 eurot e pensionit nuk mbulon dot as shpenzimet elementare për jetë.
Kolonel, Bardhyl Tahiri, i buzëqeshur nga natyra, i dashur dhe i afërt me shokët e bashkëluftëtarët, vjen shpeshherë në Kosovë, me shpresë mos do të gjejë ndokund ndonjë punë. Sa herë vjen i merr në telefon shokët e dikurshëm, tani “shefa”, me qëllim për t’ i takuar, për të pirë me ta ndokund ndonjë kafe, për t’u çmallur tekefundit dhe për t’i njoftuar me gjendjen e rëndë sociale të tij e të shumë veteranëve. Por nuk i kontakton dot, meqë “shefat” kanë nga dy e më shumë telefona, të cilët i ndërrojnë orë e çast dhe nuk i përgjigjen. Takon pastaj ndonjë shofer apo truproje të tyre, dhe iu lutet që t’i caktojnë një takim me ish-shokët, por as kjo nuk shkrep, sepse “shefat” kanë aq shumë “punë e angazhim” për fatin e Kosovës”, sa e kanë të pamundur të ndajnë qoftë edhe pesë minuta për të biseduar me kolonelin, Bardhyl Tahiri. Ka ndodhur që njërin nga krye-shefat kurrë nuk e ka takuar, as edhe pas shumë e shumë përpjekjeve. Ka ndodhur që është takuar me ndonjë këshilltar të ndonjë “shefi” dhe ky i ka premtuar se sapo të vijë herën tjetër, patjetër do t’i organizojë një takim. Herën tjetër ai nuk i hap as telefonin. Ka ndodhur, që ndonjërin prej tyre ta takojë ballë për ballë, në dalje të Pallatit të Qeverisë apo të Kuvendit të Kosovës, por ish shoku i luftës ka qenë aq shumë duke nxituar sa mezi ia ka dhënë dorën, duke i premtuar se pas pak do të kthehet dhe do të takohet. Por nuk është parë as është takuar më me të. Ka ndodhur madje që njëri prej shokëve të Shtabit të luftës, ta pranojë në zyrën e tij, por mezi e kishte njohur, meqë nuk ishin parë qysh prej përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në të cilën ka marrë pjesë edhe koloneli, të cilit nuk ia çelin derën ata me të cilët kishte ndarë çastet më të rënda dhe më të rrezikshme të jetës.
Bardhyl Tahiri është optimist nga natyra, madje edhe i vetëdijshëm se askush nuk i ka borxh për t’ia gjetur një punë. Ai, borxhin që konsideronte se e kishte ndaj Kosovës e lau me faqe të bardhë. Por, po ashtu është i ndërgjegjshëm se me pak vullnet e mirëkuptim, të shokëve të tij, me të cilët kishte ndarë kafshatën e bukës gjatë luftës, mund të gjendet ndonjë punë, meqë kolonel Bardhyli ka shumë me tepër meritë për çlirimin e Kosovës, sesa të gjithë ata oficerë të APJ-së nga Kosova e trevat e tjera shqiptare, të cilët gjatë tërë kohës së luftës, së bashku me familjet e tyre qëndruan gjithandej nëpër Europë, ku jetuan me paratë e fondit të Tre-përqindëshit. Ata pas luftës erdhën “fitimtarë” në Kosovë dhe zunë poste me rëndësi në të gjitha institucionet. Ka shumë më tepër meritë se disa anëtarë të Shtabit, të cilët tërë kohën e luftës kanë qëndruar në Tiranë e gjithandej nëpër Shqipëri, ndërsa Bardhyli gjatë tërë kohës ka qenë në frontin e luftimeve.
Bardhyli nuk dorëzohet. Ai ka shumë shokë si vetë në Kosovë, të cilët po ashtu jetojnë në kushte minimale ekzistenciale. I viziton ata dhe në mesin e tyre gjen mirëpritjen vëllazërore. Ata i bëjnë vend, e dëgjojnë duke evokuar sa e sa kujtime të luftës, sidomos rrëfime të kohës së luftës në Drenicë, pas intervenimit të NATO-s, në mars të vitit 1999, kur serbët kishin filluar masakrimin masiv të shqiptarëve. E dëgjojnë duke rrëfyer ngjarje e ndodhi, kurdoherë buzëqeshur, kurdoherë i disponuar, sepse më në fund Kosova është pavarësuar dhe shqiptarët në Ballkan, edhe pse të ndarë në pesë shtete, jetojnë më mirë sesa kanë jetuar në të kaluarën.
Dhe, Bardhyli pret ditë më të bardha, ashtu sikur pjesa dërrmuese e veteranëve të UÇK-së. Pret që të takojë ndonjërin nga shefat e shumtë, të paktën t’ia qajë hallin, të vetin dhe të bashkëluftëtarëve, por ata, shokët e kohës së luftës, kanë hipur shumë lart dhe nuk i arrin më, nuk ua dëgjon as zërin përmes telefonit. Tekefundit, ata i sheh për çdo mbrëmje, në emisionet e TV-ve të shumta të Kosovës e të Shqipërisë. Kështu e ka jeta. Thonë se luftën e bëjnë idealistët, ndërsa maskarenjtë e shfrytëzojnë fitoren për vete. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë, derisa nuk mendojmë dhe nuk besojmë se mund ta kthejmë e ta bëjmë ndryshe. Deri atëherë, kështu do të jetë
Pas tri ditë qëndrimi te shokët e luftës në Kosovë, Bardhyli niset shpresëhumbur për në Tiranë. Edhe atje do të vazhdojë avazi i kërkimit të punës, herë në një qytet herë në tjetrin. Edhe atje “shefat” kanë hallet e tyre, të pasurisë së tyre, të zgjedhjeve që po afrohen, të garës, të premtimeve për punë dhe për një jetë më të mirë…
– Autori është drejtor i Radios Kosova e Lirë.

…………………………………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

LUFTËTARI I ORËVE TË PARA TË UÇK-së QË KA

SFIDUAR VDEKJEN – QANTE ME ZË!!!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=282

*   *   * 

NË PRIZREN, NË AZILIN E VETERANËVE TË UÇK-së!
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=283

*   *   *

GREVA DHE „MORALI“ I PUSHTETARËVE!
http://pashtriku.beepworld.de/pashtriku.htm

………………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura