AHMET QERIQI: SI DO TË VËPROJNË SHQIPTARËT NË LUFTËN E MUNDSHME MES RUSISË DHE TURQISË?!

Prishtinë, 27. 11. 2015: Nuk i mjafton Evropës pse jemi në radhë të parë shqiptarë, nuk i intereson identiteti ynë i tej shprehur kombëtar, por i ka interesuar dhe i intereson identiteti ynë fetar, i papranueshëm për botën e krishterë. Ne nuk e bindemi dot Evropën në nacionalizmin tonë, në dashurinë e zjarrtë që kemi për kombin, gjuhën, traditën, kulturën e lashtë, doket, këngët, zakonet, trojet e pushtuara e të nëpërkëmbura, që aq shumë i duam dhe asnjërën prej tyre nuk e japim për asnjë fete të botës, të paktën jo vullnetarisht. Kjo për Evropën nuk ka asnjë vlerë, kjo për ta është anakronike.
1.

Rusia po ashpërson jo vetëm retorikën luftarake kundër Turqisë, por ka ndërmarrë edhe aksione konkrete
Konflikti, i cila tashmë ka dalë në sipërfaqe mes Rusisë dhe Turqisë, nuk është i rastit as i rrethanave të krijuara me luftën në Siri dhe krijimin e Kalifatit Islamik, Siri Irak. Ky konflikt, ashtu sikur ndodhin rëndom sherret e inskenuara, me prapavija të rrezikshme është ndërmarrë nga Rusia e Putinit, shtet i cili ka qenë kundërshtar historik i Turqisë dhe i botës myslimane në përgjithësi. Intervenimi i papritur i ushtrisë së Kremlinit në Siri, për t’i shkuar në ndihmë kryetarit kriminal, Assad të Sirisë, ishte veshur nën petkun e gjoja luftës kundër ISIS-it, por qysh në bombardimet e para doli sheshit se Moska zyrtare kërkon ta mbrojë regjimin e Assadit, i cili deri ka vrarë e masakruar rreth 400 mijë sirianë. Kjo është “meritë shumë e madhe” e Assadit, të cilën e çmojnë jo pak të krishterë kudo në botë. Edhe pse ndoshta duket se qenka edhe “e natyrshme” që Evropa të ndiejë dhembje shumë me tepër për 130 francezë të pafajshëm, që ranë pre e mizorisë së konikuturave politike të ndarjes së botës, sesa për 400.000 mijë sirianë, të vrarë e të masakruar, për katër vite të luftës.

Shtetet perëndimore po ashtu kanë marrë një grusht të fortë nga Kremlini, meqë ai po i godet pikërisht forcat që i kishte angazhuar Amerika në luftë kundër Assadit si dhe popullatën e pambrojtur, duke bombarduar madje edhe spitale dhe caqe të popullatës civile. Rusia ka vendosur masa restriktive kundër tregtarëve rus, ka goditur brenda Sirisë kamionët turq me ndihma humanitare me ç’ rast ka vrarë 7 shoferë e 10 punëtorë humanitarë. Kremlini zyrtar ka kërkuar që Turqia të kërkojë falje për aeroplanin e rrëzuar dhe të paguajë dëmet e shkaktuara. Edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, ka kërkuar që Aja Sofia, qendra kishtare e Bizantit t’ i kthehet për qeverisje Kishës ortodokse ruse, edhe pse ky objekt fetar prej vitit 1923 është Muze kombëtar i Turqisë, i pranuar në UNESC dhe nuk lejohet lutja fetare islame, apo e krishterë brenda objektit
Fillimi i konfliktit ndodhi me shkeljen e territorit të Turqisë nga aeroplanët rusë, të cilët kishin për qëllim, që në mënyrë tinëzare, sllave, ta sprovonin gatishmërinë e Ankarasë zyrtare në kundërvënie. Dhe kjo ndodhi tri ditë më parë, kur forcat turke të kufirit pasi kishin paralajmëruar pilotët rusë të largoheshin nga territori, kishin goditur, ashtu sikur godet çdo shtet në botë, kur i cenohet territori.
Vladimir Putin kërkon ta gjunjëzojë Turqinë duke i bërë thirrje Ankarasë që të kërkojë falje dhe të ofrojë kompensim, pasi Ankaraja e rrëzoi aeroplanin luftarak rus, përgjatë kufirit Turqi-Siri. Ky poshtërim që Rusia po i bën hapur një shteti anëtar të NATO-s ka për qëllim të hulumtojë sesi do të reagojë Aleanca Veriatlantike, e cila me sa duket nuk është e gatshme të fillojë luftë me përmasa botërore për shkak të Turqisë, me vetë faktin se ky shtet i përket botës islame, ndërsa Rusia është shtet i krishterë, gjithsesi më i pranueshëm nga Amerika dhe Evropa, sesa Turqia.
NATO-ja katër vjet më parë nuk guxoi të intervenojë kundër regjimit të Assadit, për shkak të kërcënimeve nga Krelmini, por reagoi shumë ashpër kundër talibanëve në Afganistan.
Mbështetje e Turqisë në forcat aleate të NATO-s nuk është aspak e sigurt dhe me siguri se këtë nuk e di askush më mirë sesa Ankaraja zyrtare. Por është më se i sigurt fakti se lufta në Siri po përshkallëzohet, ISIS-i i ka shpallë luftë të çmendur tërë botës, ndërsa bota arabe dhe islame po e bën gjumin historik,të skllavërisë, duke pritur që “All-llahu” t’ iu ndihmojë, edhe pse nuk po duket se e kanë Allahun me vete, për shkak se janë të ndarë, të përçarë, të armiqësuar mes veti më keq sesa janë të armiqësuar me rusët, amerikanë apo shtetet e Evropës. Të ndodhur në një gjendje të tillë, myslimanët edhe nëse reagojnë do të reagojnë në mënyrë selektive, por kurrë në mënyrë unike, meqë një reagim i tillë unik nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e tyre, prej kohës së Salaudin Ejubiut, tetë shekuj më parë.
E ndodhur në mes të kullës e çekanit, Turqia, në rast të mospërkrahjes së NATO-s dhe Amerikës, dashur pa dashur do të gjendet në situatë më të vështirë, sesa ishte prej vitit 1912 e deri në vitin 1923, kur krejt e vetme luftoi kundër tërë botës dhe mbijetoi, por humbjet nuk arriti kurrë t’ i shërojë. Asokohe, gjeneralët anglezë e amerikanë, në pamundësi për ta zhdukur Turqinë nga faqja e dheut, thoshin se “Zoti po e ndihmon këtë popull dhe kundër Zotit nuk mund të luftohet”. Më vonë pikërisht amerikanët dhe anglezët ishin ata që nuk lejuan të zhduket populli turk dhe Turqia.
Por sot, duket se Zoti, Allahu, nuk do ta ndihmojë Turqinë dhe asnjë prej shteteve vasale arabe e islame, të cilat janë degdisur në përçarje e fanatizëm, nga i cili as dinë, as mund të dalin.
Në rast se Perëndimi nuk i bën presion realist Rusisë, Turqia do të gjendet krejt e vetme në një luftë të tillë të pabarabartë, sepse atë jo vetëm që nuk do ndihmojë Irani, por Teherani zyrtar edhe ashtu është radhitur në Aleancë me Kremlimin, sepse ata më shumë urrejnë myslimanët sunitë sesa të krishterët, cilët do qofshin ata. Turqinë nuk do ta përkrah as Egjipti, por as Pakistani, Arabia Saudite apo Indonezia, sepse interesat e këtyre vendeve janë shumë të lidhura ma Amerikën e Anglinë.
Duke qenë se Kremlini zyrtar e di mirëfilli këtë konstelacion forcash dhe divergjencash mes shteteve që përbëjnë botën e hallakatur islame e arabe, ai kërkon ta poshtërojë Turqinë, me qëllim për t’i parë reagimet e NATO-s, e cila nuk qe në gjendje ta ruajë Ukrainën, kur Rusia i shkëputi Krimenë. Kremlini po kthehet në arenën e vendimmarrjes ndërkombëtare, duke demonstruar forcën me qëllim për ta ndarë botën në dysh, ashtu sikur ishte ndarë pas Luftës së Dytë botërore.
Amerika e lodhur nga lufta afër 40-vjeçare kundër myslimanëve, qysh prej vitit 1981, kur ra në konflikt me regjimin e Ajatullah Homeinit në Iran, pastaj përkrahjen e regjimit të Irakut kundër Iranit, në luftën shtatëvjeçare, ndëshkimin e Irakut për shkak të Kuvajtit, ndëshkimin dhe shkatërrimin e Irakut dhe të Afganistanit për shkak të sulmit të Al-Qaidës, më 11 shtator 2001 në Kullat Binajke, lufta kundër shteteve kombëtare arabe duke përkrahur forcat opozitare të pa konsoliduara, në të ashtuquajturën “pranverë arabe drejt demokracisë”, kanë shkuar aq thellë, sa kanë shkaktuar miliona viktima dhe shembje të sa e sa shteteve. Pas krejt kësaj katrahure, roli dhe ndikimi i Amerikës te myslimanët është krejtësisht i paqëndrueshëm, por edhe i pamundshëm, pse jo edhe krejt i panatyrshëm.
Tani radhën e ka Rusia në kryqëzatën e re kundër myslimanëve dhe me siguri se do ta ketë shumë më lehtë sesa Amerika, meqë shtetet arabe dhe islame ndodhen në agoni dhe nuk kanë kah t’ i mbajnë, por pranimit të pozitës së nënshkrimit dhe pritjes, se një ditë “All-llahu do t’i ndihmojë. Myslimanët janë durimtarët më të fortë që i njeh historia e qytetërimit, sidomos kur nuk kanë kah ia mbajnë. Tani pozita e tyre është e ngjashme me pozitën e hebrenjve në vitet 30 në Evropë. Sulmet e ISIS-it janë klithmat e dëshpëruara të njerëzve, që nuk kanë çka humbin më shumë, sepse i kanë humbur të gjitha. Dhe njeriu kur i humb të gjitha e humb edhe arsyen e bashkë me të edhe kuptimin dhe dashurinë për jetën. Klithmat: “Allahu ekber” para mësymjeve janë klithma të njerëzve që shkojnë drejt vdekjes, pa shpresë për jetë, janë injoruesit e jetës së vetë dhe gjithë të tjerëve. Fatkeqësia më e madhe qëndron në faktin se jo pak arabë e myslimanë në botë, sulmuesit e tillë i konsiderojnë dëshmorë dhe kjo prodhon një efekt zinxhir, kudo ku ata ndodhen.
2. Si do të gjendemi në luftën e mundshme mes Lindjes e Perëndimit, mes Rusisë e Turqisë?
Pavarësisht se pjesa dërrmuese e intelektualëve shqiptarë, sidomos ata që janë veshur me pushtet, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithandej në trojet tona të zezuara, kanë qëndrim properëndimor, madje shumë më properëndimor sesa vetë perëndimorët, nuk do të thotë aspak se, bota së cilës ne i lutemi dhe i falemi deri në përulje të neveritshme, do të na pranojë dashurinë dhe përkushtimin. Grekët, fare nuk ua dinë për nderë arvanitasve, edhe pse ata janë më patriotë dhe më shumë e duan Greqinë sesa veten e tyre, madje e duam më shumë sesa vetë grekët.
Edhe pse në shumicë dërrmuese shqiptare janë laramanë fetarë, islamë me emra e mbiemra, nën petkun e padeklaruar ose pak të deklaruar ateistë, bota në Perëndim na ka trajtuar dhe na trajton si mbeturinë turke, mbeturinë islame, e cila, sipas logjikës së tyre nuk e ka vendin në Evropë. Duket konstatim ironik e grotesk ky, por mjerisht është krejtësisht i vërtetë. Madje edhe toleranca jonë e fuqishme fetare, nuk i ka mjaftuar as i mjafton Evropës së krishterë. Ajo lëshon nganjëherë ndonjë fjalë miradije, por në esencë kjo nuk ndryshon asnjë raport, sepse të gjitha fetë janë partikulariste dhe secila pranon si fe të vërtetë, vetëm fenë e vet. Këtu, në asnjë milimetër nuk dallojnë tri fetë monoteiste njëra nga tjetra. (hebraizmi, krishterimi e islami).
Ne, në këtë ndeshje fatale, ashtu sikur kemi pësuar në të kaluarën do të pësojmë edhe në të ardhmen, sepse nuk ka kush e kupton apo e arsyeton dualitetin tonë fetar, nuk ka intelektualë në Evropë që do të na mëshironin për këtë kulturë të tolerancës fetare, sepse ata krejt thjesht e shtrojnë një pyetje, për ta krejt të logjikshme, dhe ajo do të mund të formulohej kështu:
Përderisa ju shqiptarët shumicë me fe islame e doni aq shumë Evropën e Perëndimin, përderisa jepni sa e sa shembuj të luftës kundër asaj që quhet “terrorizëm islamik”, përderisa i çmoni aq shumë rrënjët e dikurshme të krishtera, përse nuk e bëni vetëm edhe një hap, që të rikonvertoheni, ashtu sikur jeni konvertuar tre-katër shekuj më parë? Këtë hall kishte edhe shkrimtari, Ismail Kadare, i cili ishte vënë në krye të një fushate të tillë, të kthimit në fenë e moçme, dhjetë vjet më parë, por çuditërisht nuk i eci.
Tani shtrohet pyetja, a mund ta bëjmë një hap të tillë dhe sa do ta besonte Evropa një hipokrizi të tillë, të njerëzve që ndërrojnë fenë kah fryn era. Nesër, po të dobësohej Evropa, Turqia dhe bota islame e do të kërkonte ta bënim të njëjtën gjë, me hir apo pa hir!.
Kjo është nyja gordiane shqiptare. Nuk i mjafton Evropës pse jemi në radhë të parë shqiptarë, nuk i intereson identiteti ynë i tej shprehur kombëtar, por i ka interesuar dhe i intereson identiteti ynë fetar, i papranueshëm për botën e krishterë.Ne nuk e bindemi dot Evropën në nacionalizmin tonë, në dashurinë e zjarrtë që kemi për kombin, gjuhën, traditën, kulturën e lashtë, doket, këngët, zakonet, trojet e pushtuara e të nëpërkëmbura, që aq shumë i duam dhe asnjërën prej tyre nuk e japim për asnjë fete të botës, të paktën jo vullnetarisht. Kjo për Evropën nuk ka asnjë vlerë.
Kjo bota jonë fanatike-kombëtare, nuk i bën asnjë përshtypje intelektualëve as politikanëve të Evropës. Ata kanë mbijetuar fazën afirmative, kulmuese të konceptit komb dhe nuk e honepsin dot. Për ta është me rëndësi që shqiptarët të jenë vetëm dele të bardha, pa asnjë dele të zezë, dele shumë të dëgjueshme dhe të mos i bezdisin në asnjë mënyrë ujqit e Karpateve, sepse nuk ka botë pa ujq e dele, tekefundit të tillë e ka krijuar botën, Hyji, Allahu, Zoti, Perëndia.
Lufta krejt e mundshme e Rusisë me Turqinë, jo vetëm që iu jep zemër serbëve, sllavëve e grekëve në Ballkan, por pre e parë e një lufte të tillë do të jenë të gjithë shqiptarët, madje edhe ata shqiptarë të krishterë, lindorë e perëndimorë. Serbisë, Greqisë e Rusisë nuk i bën fare përshtypje qëndrimi anti turk i 80 përqindëshit të intelektualëve shqiptarë, as qind për qindëshi i politikanëve tanë. Ata edhe ashtu na quajnë “turq, arnaut e shiftar”.
Pretendimet tona për të treguar urrejtjen që keni pasur dhe kemi më shumë se një shekull kundër Turqisë, nuk e beson askush, çuditërisht këtë nuk e beson as Turqia, e cila fare lehtë mundet pa ne. Në rast të luftës me Rusinë është krejt e natyrshme që ajo do të harrojë se ekzistojnë shqiptarët, edhe pse do të gjenden më shumë shqiptarë që do të shkojnë për ta mbrojtur Turqinë, sesa kanë shkruar për ta mbrojtur Sirinë, një Shtet të cilin e kishte krijuar në vitin 1830, Ibrahim Mehmed Ali Pashai, shqiptari i Kavallës, pasi e kishte çliruar Sirinë nga Napoloni dhe nga Perandoria turke.
Qeveria e Kosovës ka ndaluar me ligj shqiptarët të luftojnë për lirinë e popujve të tjerë. Të gjithë ata që do të bëjnë përpjekje t’i shkojnë Turqisë në ndihmë, dhe për këtë nuk kam dyshim se do të shkonin shumë më tepër sesa kanë shkuar në Siri, do të ndalohen dhe do të ndëshkohen.
Evropa, për ne shqiptarët ka qenë dhe po mbetet ajo, Evropa e Gjergj Fishtës, Evropa njerkë e cila na qorton pse 100 apo 200 shqiptarë po luftojnë në ISIS, në kohën kur me mijëra bij të saj, shkapërdarë, bijë e nipa kopilë, arabë e myslimanë po luftojnë shumë me tepër në numër në radhët e ISIS-it, sesa shqiptarët tanë të varfër, të cilët për pak para po ia mësyjnë Sirisë.
Të ndodhur mes Lindjes e Perëndimit, ashtu sikur në të kaluarën edhe tani do të bëjmë përpjekje të ruajmë aq sa mund të ruajmë nëse na japin kohë. Kështu si jemi, do të mbetemi gjithnjë në shënjestër, si ‘cungu i kovaçit”, sepse nuk jemi faktor unik, politik, ekonomik, ushtarak, as shtetëror.
Këto konstatime mund të jenë edhe ogurzeza, por po afron koha e hallakatjes së botës, kohë e stuhive dhe reve të zeza që po përhapen me shpejtësi dhe mbase në fund të fund do të ndërmarrim diçka në të mirë të kombit e Atdheut.
Shpresa, na ka mbajtur dhe na mban.
Ahmet Qeriqi – 26. 11. 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura