ZEJNI S.MAZLLAMI: BURIMET E NJOHJES, FAKTET HISTORIKE DHE HISTORIANI

Tetovë, 27. 05. 2014 – Rastësitë që karakterizojnë jetën dhe historinë e shoqërisë, nuk janë të gjitha të vërteta historike. Mund të duket se ngjarjet shpesh marrin kthesa të forta por egziston një qëllim i lartë në zhvillimin e shoqërisë, “një synim i natyrës në zhvillimin pakuptim të gjërave njerëzore” një “parim udhërrëfyes i arsyes”. Historia si çdo shkencë është autonome. Historiani ka të drejtë dhe është i obliguar me ndihmën e metodave që i takojnë shkencës së tij, të krijojë mënyrën e tij për zgjedhjen e çdo problemi (çështje) që do ta hasë gjatë procesit të punës. Ai asnjëherë nuk ka detyrim, as të drejtë për t’i lejuar ndonjë tjetri zgjidhjen e ndonjë çështje në vend të tij. Historianët përpiqën të njohin botën e kaluar. Në parim, kjo botë nuk është shumë e ndryshme nga bota e tashme. Fakti më i rëndësishëm që i dallon është ai i zhvendosjes në kohë. Se si në arrijmë të njohim botën, përbën një problem si për filozofët ashtu edhe për shkencëtarët. Historiani dallohet nga fakti se njohja e tij duhet të transcedentojë thyerjen kohore ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes.
Sa u përket fakteve, historiani ndaj tyre ka detyrë të dyfishtë: të zbulojë ato pak fakte të vlefshme, t’i shndërrojë në fakte historike dhe t’i menjanojë shumë fakte të pavlefshme si fakte johistorike. Parimisht, faktet historike asnjëherë nuk arrijnë te ne “të pastërta” për arsye se nuk mund të egzistojnë në formë të pastërt: ato çdoherë thyhen nga ndërgjegja e shkruesit. Për këtë arsye, duhet t’u kushtojmë vëmëndje sa faktit, po aq edhe transmetuesit të tij.

Tragjedia e shkencës qëndron në atë se edhe hipotezat më të bukura mund të rrëzohen nga një fakt i thjeshtë banal. E njejta gjë ndodh edhe në histori, pavarësisht nga fakti se një e dhënë e re është një dëshmi e re dhe jo një fakt i ri. Faktet historike, konsistojnë, megjithëse jo tërësisht, në burimet e shkruara. Në rast se ato nuk egzistojnë ne mund të kemi një njohje të dobët. Në praktikë, në jetën e përditshme, ne çdoherë dhe me plot të drejtë i pranojmë informacionet që na i japin njerëzit tjerë, të cilët i llogarisim mirë të informuar dhe njerëz që meritojnë besim, kurse ndonjëherë disponojmë një themel të caktuar për të besuar në këtë. Por, në rastet kur ngjarjet mbahen mend mirë, pranimi i kësaj dëshmie mund të tejkalojë nivelin e besimit të rëndomtë dhe të meritojë të quhet dije.
Kur dëshmia është e bazuar në themel, atëherë pranimi i saj ndalet së qëni pranim i dëshmisë, si e tillë dhe përfaqëson vërtetim të diçkaje që bazohet mbi një themel te caktuar, domethënë dije (njohuri) historike. Preciziteti është kushti themelor gjatë punës së historianit, por jo edhe roli (funksioni) kryesor i tij. Prej historianit nuk kërkohet që të njohë detajet e shkencave ndihmëse të historisë, por të dijë thelbin e tyre. Më parë thuhej se faktet flasin për vetën e tyre. Kuptohet, kjo nuk është e vërtetë. Faktet flasin vetëm atëherë kur historiani i thërret ato: ai është që vendos se cilëve fakte do t’ua japë fjalën, sipas cilës radhë, dhe në të cilin kontekst. Vlera e faktit historik varet nga vlera e qëllimit. Detyra e historianit është që t’i respektojë faktet pa mos u merakosur për saktësinë e tyre . Historiani dhe faktet historike janë në varësi reciproke. Historiani pa fakte është pa thelb, pa qëllim; faktet pa historianin janë të vdekura dhe të pakuptimta. Prandaj historia është një dialog i pafund në mes të kaluarës dhe të tashmës.

==========================

DR.SADRI FETIU: Ç’ËSHTË HISTORIA DHE SI DUHET TË SHKRUHET AJO?

HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=2486

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura