AIDA DISMONDY: KUSH PO E FORMON KONCEPTIN TONË TË LIRISË SI SHTET? POLITIKANËT QË ZIHEN APO INTERNACIONALËT QË PËRVEҪ KËSHILLAVE QË JAPIN PO E MJELIN KOSOVËN SI LOPËN?!

Pashtriku.org, 03. 07. 2014 – Baballarët e kombit na kanë vdekur, kemi mbetur jetimë, paçka se ata na lanë principet e lirisë të bazuara dhe ato në Providencë sikurse themeluesit e SHBA-së. Këta të sotmit janë udhëheqës pa princip, pa vizion për lirinë e kombit. Ata e kanë plasteruar vizionin e tyre të lirisë në pafytyrësinë e premtimeve boshe, në korrupsionin e nepotizmin, në punësimin e kuç e maçeve të pakualifikuar në ndonjë qoshe zyre… ëndrra e tyre për liri vdiq ditën që morën “ofiqin”. Vizioni i tyre për lirinë është kaq i qartë sa vendi po shkon turbull si i dehuri në qorrsokak….
***
Kosova i mbushi 15 vjet liri në qershor, Amerika i mbush në 4 Korrik dyqind vjet liri. Të dyja shtete të lira, të dala nga sundimi i një shteti tjetër. Të dyja dolën prej dëshirës për të qenë të mosvarur. Po i sjellim këto dy përqasje për të pasur një tablo ku qëndron koncepti i lirisë në këto dy shtete për të treguar sesi koncepti i lirisë të pasurit apo të mos pasurit e tij ndikon në drejtimin që merr një shtet. Çfarë lirie qëndron në to? Dhe e kujt është ajo?
SHBA-ja u bë kjo që është sot jo nga rastësia, por ngaqë u udhëhoq prej vizionit të baballarëve të SHBA-së, njohës në plan shpirtëror të Providencës (Krijuesit). Bazuar nga ajo njohje ata përkufizuan lirinë dhe të drejtat që vijnë me të në Deklaratën e Pavarësisë, një nga dokumentet më të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Deklarata hapet me pohimin se në rrjedhën e historisë qëllon që kombe të lidhur me njeri-tjetrin vjen momenti që shpërbejnë lidhjet politike.

Kurse, shpirti i Deklaratës qëndron në pohimin se “njerëzit janë krijuar të barabartë” dhe se “Krijuesi iu ka dhënë të Drejta të patjetërsueshme, ndër mes tyre janë e drejta e Jetës, Lirisë, dhe kërkimi i Lumturisë”, se qeveritë janë përgjegjëse për t’i siguruar këto të drejta dhe se kur këto qeveri nuk përmbushin detyrën, atëherë është e ”Drejta e Popullit për ta ndryshuar apo hequr atë dhe të formojë një Qeveri të Re”.
Qysh prej atij momenti fatlum të vitit 1776 Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë udhëhequr nga ai koncept i lirisë. Nuk ka qenë e lehtë të përmbushet, por vizioni e koncepti i Lirisë së përkufizuar prej tyre ka qëndruar e qëndron udhëheqës për të gjithë ata që marrin përsipër drejtimin e shtetit si dhe për të gjithë shtetasit amerikanë se si qenie njerëzore jemi krijuar njësoj me të drejta të patjetërsueshme.
***
Tani ta lëmë Amerikën dhe të udhëtojmë mbi 7000 milje përtej oqeanit, në Kosovë, në shtetin më të ri në botë, në tokën e lashtë sa Europa plakë, me liri veç 15 vjeç. Paçka se Kosova nuk pati Deklaratë të shkruar të Pavarësisë, por ajo është shkruar ka shekuj: nga Skënderbeu, tek Rilindasit, e tek çdo shqiptarë që i dha vendit. Me të drejtë i jemi gëzuar lirisë, që fituam e duhet t’i gëzohemi. Veç zhvillimet e këtyre viteve tregojnë se askush s’po e merr përgjegjësinë të formojë një vizion udhëheqës për lirinë. Çfarë përkufizimi po i japim lirisë? Kush po e formon konceptin tonë të lirisë si shtet? Politikanët që zihen apo internacionalet që përveç këshillave që japin po e mjelin Kosovën si lopën?
Liria është trazovaçe e duan të gjithë.
– Diktatorët e duan lirinë që të pushtojnë, skllavërojnë, sundojnë dhe kontrollojnë popullatën,
– terroristët e duan lirinë të terrorizojnë këdo e askënd e të përmbysin demokracinë,
– serbët në veri duan lirinë e tyre të mos iu nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës,
– presidentja e do lirinë të mendojë si kofini pas të vjelit të qartësohet për rolin që Kushtetuta i ka dhënë për të na dhënë ne lirinë të presim,
– partitë e duan lirinë për të mos u marrë vesh mes vete, mafia të bëjë punët e pista,
– politikanët duan lirinë t’u tregojnë grave e vajzave të dhunuara se nuk mund të njihen si viktima të luftës,
– të shkolluarit e duan lirinë të diplomohen pa lexuar,
– unë e ti e duam lirinë tonë të bëjmë diçka të mirë.

Ju thamë liria është trazovaçe e nga sa përshkruam liria tek ne ka krijuar konfuzion, kaos.
Mbase në këto vite liri akoma po mësohemi të jemi të lirë, mbase kjo vjen ngaqë u mësuam kaq shumë kohë me mungesën e saj sa dinim të silleshim kur na mungonte, por s’po dimë të sillemi tash që e kemi. Baballarët e kombit na kanë vdekur, kemi mbetur jetimë, paçka se ata na lanë principet e lirisë të bazuara dhe ato në Providencë sikurse themeluesit e SHBA-së. Këta të sotmit janë udhëheqës pa princip, pa vizion për lirinë e kombit.
Ata e kanë plasteruar vizionin e tyre të lirisë në pafytyrësinë e premtimeve boshe, në korrupsionin e nepotizmin, në punësimin e kuç e maçeve të pakualifikuar në ndonjë qoshe zyre. Mbase këta e kishin një ëndërr për lirinë që donin, se helbete dhe ata ishin pjesëmarrës e pjesëtarë të luftës që ra mbi Kosovë, por duket se ëndrra e tyre për liri vdiq ditën që morën “ofiqin”. Vizioni i tyre për lirinë është kaq i qartë sa vendi po shkon turbull si i dehuri në qorrsokak.
Të mos biem në pesimizëm edhe populli është i lirë. Ai zgjohet çdo ditë i lirë, duke vëzhguar lirinë e abuzuar dhe të imponuar të politikanëve e të çdokujt tjetër që përpiqet të drejtojë këtë apo atë gjë në Kosovë. Populli e merr lirinë e vet në kafene ku lirshëm shprehet se s’ka punë, se s’di a do këtë pune; ku lirshëm mendon për të shkuar në emigrim diku tjetër; ku lirshëm ëndërron për ditën kur të jetë i lirë të udhëtojë nëpër Europë me paret që do t’i ketë fituar prej vendeve të punës së misioneve “impossible”; kur lirshëm ndonjëherë do të mendojë dhe mos me e gëzu të drejtën kushtetucionale të jetës, por me ushtru lirinë me e marrë atë jetë pasi s’do me u përballë përditë me fëmijët e uritur, që dhe ata po ushtrojnë lirinë e mbajtjes së barkut me dorë. Ky është rezultati i vizionit të lirisë së atyre në pushtet. Kaq liri ishte dhe në kohë të diktaturës. Kemi shijuar lirinë e çdokujt veç tonës si shtet s’po ia gjejmë fillin.
Çfarë lirie? Ajo që ëndërruam qëndron qartë e paketuar diku në ëndrrat tona e lidhur me shpresën si fjongo. Diku lexova se demokracia është një mënyrë jetese, është një armë në duart e atyre që kanë kurajën dhe aftësinë për ta përdorur, përndryshe në duart e çdo të paafti është veç një copë ndryshku, bërllok. Kështu dhe Liria si demokracia varet shumë nëse ata që e drejtojnë atë dinë ta manovrojnë, dinë të vlerësojnë delikatesën e saj, por dhe vlerën e saj në mënyrë që shteti të prosperojë.
Vizioni i lirisë që Kosova meriton mbetet akoma për t’u shkruar, ai amerikan ishte i suksesshëm pasi njeh të vërtetën universale për çdo njeri të këtij planeti se: më së pari jemi njerëz, krijuar njësoj, e Krijuesi na ka dhënë të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë, dhe të lumturisë. Rilindësit tanë i njihnin këto të vërteta e na lanë një pikënisje. Mbase duhet t’u kthehemi atyre principeve, këtyre të vërtetave universale që të shënojmë vizionin udhëheqës të shtetit të lirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura