AKADEMIK ALI ELTARI: PSE DITA E VERËS KREMTOHET (NË 14 MARS) NË STINËN E DIMRIT

(Tiranë, 15. 03. 2013) – Në 14 mars në qytetet e Elbasanit dhe të Tiranës, u festuan me madhështi “Dita e Verës.” Njerëzit mbushën sheshet e qyteteve, parqet dhe fushat përreth. Ata përshëndesnin me zemër qytetin e Elbasanit për ringjalljen e kësaj feste të stërlashtë pellazge. Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë, se festa ndjehet në të gjitha trevat e Shqipërisë dhe ajo kremtohet në mënyrë të heshtur e pa bujë, në secilën familje. Ky ndryshim, nga kohët e lashta, që festohej thuajse në të gjithë botën e lashtë, të mbyllur në familje, nga frika, se vriteshin nga fetarët kristianë, mbasi aso kohe, ajo fe, me përkrahjen e legjioneve romake, u bë e fuqishme, duke penguar festat e hershme pa-gjane pellazge.
Kështu, nëse do të pyesësh shumë vetë, do të mësosh se në prag të “Ditës së Verës” çdo familje e pastronte mirë shtëpinë, që të mos e gjente “Vera” të papastër dhe të mykur, se ashtu do t’u kalonte i gjithë viti. Po kështu, mbi derën e shtëpisë do të vendosnin plisin me bar të njomë, që i gjithë viti të ishte me bereqet të mjaftueshëm për familjet e tyre.
Fëmijëve më 14 mars u lidhnin “gugu-veret” në duar, që ishin pleksje fijesh peri të bardha me të kuqin. Në 21 mars i hiqnin nga duart dhe i vendosnin në degë peme të lulëzuar. Më e pëlqyera ishte dega e thanës, që fëmijët të rriteshin të shëndetshëm, me faqe të kuqe si kokrrat dhe të fortë si druri i saj. Kur i varnin, u këndonin dallëndysheve t’i merrnin ato e “t’i hidhnin në det, t’i sillnin një okë shëndet” (oka ishte peshë pak më shumë se një kilogram).
Dhe përgatisnin ushqime të veçanta për atë ditë të shënuar. Merita e elbasanasve qëndron në atë, se, këtë festë thuajse familjare, e përhapën përsëri në mbarë qytetin, si në kohët e lashta. Pak nga pak, ajo po kthehet si më parë në festë kombëtare. Për këtë shqiptarët do tu jenë mirënjohës në jetë të jetëve.

* * *
Por, kur ka lindur ky rit tepër i lashtë, që sot quhet “pagan”, më saktë do të quhej “pa-gjane?” Dihet se fjala “gjanë” është tepër e vjetër dhe është fjalë e hershme shqipe për “baltë,” sepse zotat e lashtë pellazgë ishin hyjnorë dhe zbrisnin në majat e maleve, ku nuk ka baltë, pra në vende “pa gjanë.” Ndaj njerëzit mund t’u afroheshin atyre vetëm duke u ngjitur në majat e maleve. Për këtë arsye, kur kishin shqetësime dhe duhej t’u luteshin, e gdhinin natën pranë malit më të afërt dhe ngjiteshin në majë e u drejtoheshin zotave sapo dielli nxirrte një pjesë të diskut të tij në horizont. Kjo tregon për lashtësinë e kësaj feste.
Por hershmëria e saj është vështirë të përcaktohet me siguri. Ajo mund të jetë krijuar para 12 000 vjetëve, por ndofta edhe më shpejt, në kohën kur akullnaja e fundit (e kuaternarit) ishte drejt fundit të saj.
Lind pyetja: në shkolla mësohet se vera fillon në 22 qershor, ndërsa ne e festojnë në 14 mars, që është pjesë e stinës së dimrit. Shohim se diçka nuk shkon. A ka ndonjë mospërputhje? Në të vërtetë nuk ka asnjë gabim. Por, që të gjesh pse kjo nuk kuptohet sot duhet të dimë si kanë ndryshuar konceptet me kalimin e shekujve dhe mijëravjeçarëve. Në këtë mënyrë do të bindemi se vërtet nuk ka asnjë gabim. Nëse kthehemi shumë shekuj më parë, do të mësojmë se pranvera fillonte në 14 mars. Sipas studimeve të para 2 000 vjetëve del se viti nuk ka 365 ditë, por rreth gjashtë orë më shumë, ndaj Papa Grigori vendosi që viti të mbetet me 365, por, në çdo katër vjet, muaji shkurt të ketë një ditë më shumë dhe ky u quajt “Viti i Brishtë.” Për këtë arsye në literaturën shkencore ky u quajt Kalendari Grigorian. Në të vërtetë këtë zbulim e bënë shkencëtarët e kohës së tij, por namin, si gjithnjë, e përfitojnë ata që sundojnë.
Vendet myslimane, me sa di unë, vazhdojnë ende me kalendarin e vjetër, ndaj disa herë thuhet “Kalendari i Vjetër” dhe “Kalendari i Ri,” pra stina e pranverës fillon për ta në 14 mars.
– Mirë -, do të thoni ju, – po flasim për “Ditën e Verës” dhe jo të pranverës, e cila në të vërtetë fillon në 22 qershor dhe jo në 21 mars… Pra, përsëri, shohim diçka tjetër, që nuk shkon… Po këtu, a kemi të bëjmë me ndonjë gabim?
Pak më sipër, thamë se kjo festë e lashtë është tepër e hershme, diku nga mbarimi i akullnajës së katërtë dhe të fundit, deri më sot, ndonëse se diku thuhet se është e pesta. Këtë le t’ia lëmë ta vlerësojnë ata studiues që merren me akullnajat. Nëse kërkojmë të gjejmë të vërtetën me këtë mendim, zgjidhja e të fshehtës vërtetohet lehtë. Si mund ta shpjegojmë, mund të pyesni? Fare thjesht. Kur ishte akullnaja, vera ishte e shkurtër dhe e ftohtë, e ngjashme me atë të zonave për rreth poleve, ku vera sot është tepër e shkurtër dhe e ftohtë. Por, sa më shumë që akullnaja i afrohej fundit, aq më e gjatë bëhej vera. Kështu, nëse vera në akullnajë ishte 3 muaj ose më pak apo më shumë, në mesin e saj ajo bëhet edhe më e gjatë, më pas pesë dhe gjashtë muaj.
Sot teorikisht akullnaja është zhdukur. Por praktikisht, në malet e larta të Shqipërisë edhe në fund të gushtit kam gjetur mbeturinë akullnaje, kur kalova për në Seferçe (rreth katër orë ecje me kuaj në veri të Vermoshit). Disa miq të mij, që kanë bërë studime në malet e Lurës, në Dibër, më kanë thënë se akujt atje në shpella i gjejnë edhe në verën më të nxehtë. Por akuj gjejmë edhe në maja të tjera malore të Shqipërisë, gjë që tregon se akullnaja ende nuk ka përfunduar së shkriri plotësisht.
Ndaj, pas zbulimit të shumë vendeve nga akulli, vera u bë gjashtëmujore. Kuptohet, atë kohë mund të jenë emëruar edhe stinët e tjera tremujore. Nga që vera u bë tepër e gjatë, për ta bërë atë njësoj me stinët e tjera, pellazgët e ndanë në dy pjesë të barabarta, duke e lënë të njëjtin emërtim stinën më të nxehtë, ndërsa pjesën e parë, kur njerëzit përgatiten për të pritur verën e thatë, e quajtën pranë saj, pra PRANVERË.
A është kjo diçka e krijuar nga fantazia e një njeriut, pra imja?
Jo.
Faktet tregojnë se këtë e kanë krijuar njerëzit në kohët e lashtë dhe mua më takoi ta shpjegoj. Kështu, ndërsa ne, pasardhësit e pastër të pellazgo-ilirëve, i ruajmë të dy termat deri në ditët e sotme, pranverë dhe verë, italianët e humbët termin “verë”, ndonëse atë e kanë ruajtur në pijen e nxjerrë nga rrushi, që të nxeh kur e pi, por me ndryshimin se nuk i thonë “verë, apo venë,” por “vino.” Megjithatë, e kanë atë në stinën e parë “prima-vera,” pra “vera e parë,” ndërsa ne i themi “Pranverë,” që duken se kanë origjinë të përbashkët emërtimi.
Kjo tregon se në kohët e hershme edhe ata e kanë pasur termin “verë,” por që më vonë e kanë harruar. Atë që kanë humbur italianët e kanë ruajtur spanjollët, të cilët i thonë “veraro”.
Këto fakte tregojnë qartë se fjala “verë,” për të kuptuar stinën më të nxehtë të vitit, është tepër e lashtë, ndofta prej kohës së akullnajës. Termi “verë,” në një farë mënyre, tregon se gjuha e parë e folur në botë është ajo që ka ushqyer vendet e tjera me këtë fjalorë. Kuptohet, vendi ku kjo është folur për herë të parë, pra ku janë krijuar fjalët e para dhe më të lashtat, është më vështirë të ndryshohet ose të zhduket, se kudo tjetër. Është kjo arsye që fjalori ynë i lashtë, më i hershmi i botës, ka mbetur dhe vazhdohet të fliten pastër nga shqiptarët ku dhe ka pësuar shumë pak ndryshime në rrugëtimin mijëra vjeçar të zhvillimit njerëzor.
Por duhet të shtojmë, se gjuha shqipe ka përsosmëri dhe muzikalitet të jashtëzakonshëm, ndonëse në pamje të parë duket e vështirë të kuptohet dhe mësohet, sidomos gramatika e saj. Këtë e shpjegon më së miri dëshira e të huajve për të mësuar gjuhën shqipe, atë të vendit, që, për fat të keq, ka mbetur nga më të vegjlit e Europës. Megjithatë, interesi për të mësuar gjuhën shqipe tregon se nuk është rastësi, por nga që me anë të gjuhës shqipe dhe jo me të ashtuquajturën indo-europianishte të gabuar, mund të shpjegohen krijimet dhe zhvillimet e gjuhëve e kombësive të reja, që fliten sot në të gjithë botën.
* * *
Mund të pyetet: pse u zhduk feja pa-gjane, krijuesja e “Ditës së Verës?”
Për të shpjeguar këtë, na duhet të njihemi me disa cilësi të këtyre shërbesave të mrekullueshme. Feja pagjane, duke qenë më e lashta e botës, kishte shumë veti të mira njerëzore. Por këto vlera të mëdha, pengonin shtrirjen e sundimit të perandorisë romake në zona të gjera përtej krahinave të tyre. Ishte kjo arsye, që legjionet romake, u përpoqën me zjarr dhe hekur ta zhduknin këtë fe, por nuk ia arritën plotësisht qëllimit.
Të njëjtin gjë do të përpiqeshin më vonë, me anë të krijimit të kryqëzatave të përgjakshme nga katolikët dhe ortodoksit (grekët e rinj, të ardhur më pas nga Egjipti, për të cilët studiuesit kanë zbuluar se ndërtimi i kockave dhe i gjeneve të tyre tregon se nuk kanë asnjë lidhje me të ashtuquajturit grekët e lashtë. Grekët e lashtë shkatërruan tempuj dhe vende të shenjta pa-gjane, duke groposur atë kulturë e hershme, me vepra artistike të papërsëritshme për njerëzimin, si Akropolin e Athinës, letërsinë homeriane etj. U shndërruan edhe emërtimet e mëdha të lashtësisë pellazge në ato të pushtuesve romak. Kështu, rrugët e ndërtuara nga ilirët 12 000 vjet më parë të emërtuara “Tu la,” pra vendi ku lë, “tu lënë,” u kthyen nga latinët në “Stacione”.
Studiuesi italian Enzo Gatti ka zbuluar një numër të madh vendesh të tilla dhe shton se vërtet romakët i zhduknin emërtimet ilire, por “Tula” për çudi mbeti në qendër të Romës, e cila edhe sot quhet “Kapitola” (koka e tulave). Hollësira për këtë mund ta gjeni tek libri “ILIRËT” i Enzo Gattit në shqip, faqe 18.
Edhe grekët e lashtë, edhe të ashtuquajturit grekët e sotëm, mburren me Akropolin e perëndishëm, të ndërtuar nga pellazgët hyjnorë. Të njëjtën gjë bëri edhe feja myslimane dhe ajo izraelite, ndonëse krijuesit e tyre, sipas të gjitha të dhënave, figurojnë të jenë me origjinë pellazgo-ilire.
Edhe pse kundër gjithçkaje pellazge u rreshtuan fetë dhe legjionet e përgjakshme në shekujt e më vonshme, të cilët u përpoqën me të gjitha mënyrat të shkatërrojnë gjithçka nga kultura pellazge “pa-gjane,” në anën tjetër i bënë të gjitha përpjekjet të vjedhin arritjet, por nuk ia kanë arritur qëllimit plotësisht. Për të pasur sa më shumë besueshmëri në të ardhme, tehun e goditjeve të tyre e drejtuan në shuarjen krejtësisht të fesë pellazgo-ilire.
Ritet e fesë pa-gjane mbetën dhe festoheshin në fshehtësi në të gjithë botën ku ajo ishte përqafuar vullnetarisht, e sigurisht më mirë se kudo ruhet në familjet shqiptare. Ato, madje përziheshin dhe festoheshin shpesh së bashku me të tjerat, pra kjo fe nuk u zhduk asnjëherë. Elementët e fesë tonë të lashtë pa-gjanë i afronin ilirët kudo që ishin, në Ballkan, Europë, Azi, Afrikë në kohën që fetë e vendosura me bajonetat pushtuese i përçanin dhe jo rrallë i shtynin drejt gjakderdhjeve njëri me tjetrin.
Duhet thënë se largimi i këtyre zonave nga feja pa-gjane bën të harrohet pak nga pak gjuha e lashtë pellazgjishte dhe të fillojë të fliten gjuhët e tjera, të ndikuara nga fetë e reja, që po krijoheshin në vende të ndryshme.
* * *
Lind pyetja: përse pushtuesit donin ta zhduknin fenë e të parëve tanë?
Arsyeja është se fetarët pa-gjanë ishin kundër luftës. Ata, kur shihnin se dy fise nisnin luftën e përgjakshme, për ndonjë mosmarrëveshje mes tyre, e cila u kushtonte shumë njerëz të vrarë nga të dy palët, hynin në mes të tyre dhe shuanin sherret. Mirëpo, sipas besimit të lashtë, ngulitur në mentalitetin e tyre, nëse ndonjëri vriste pa dashje ose me dashje, qoftë edhe një njeri të vetëm nga fetarët e futur në mes të tyre që të shuanin sherret, pra vriste “të mirët” apo “të besës,” siç i quanin në lashtësi, i tërë fisi i tyre do të zhdukej. Të mos ndodhte një gjë e tillë, lufta pushonte. Kështu, pas pak orësh, gjakrat ftoheshin dhe ata i zgjidhnin mosmarrëveshjet edhe me ndihmën e “të mirëve.”
Mirëpo, kjo mënyrë për të ndaluar luftërat, nuk u pëlqente romakëve, që donin të pushtonin botën. Ishte kjo arsyeja përse ata i vrisnin egërsisht fetarët pa-gjanë. Këta, ngaqë nuk mund të ndërtonin kudo tempuj, mbasi ngritja e tyre në ato kohëra ishte shumë e shtrenjtë, takimet shpesh i bënin nën drurët e lisit. Për këtë arsye i quanin edhe “fetarët e lisit” ose “druid,” pra të drurit. Por, a mundën t’i zhduknin të gjithë shenjtorët e lisit? Jo. Ata vazhduan punën e tyre, por fshehtas. Janë këto arsyet që “fetë” e reja kanë shumë të dhëna, të cilat i kanë marrë të gatshme nga ajo e pa-gjanëve. Sot nuk ka asnjë fe, që të mos ketë bartur shumicën e vlerave të tyre nga pa-gjanët.
* * *
Im at, ndonëse e quante veten mysliman të bindur dhe e lexonte me endje kuranin, më ka treguar, se dy fetarë, dervishë po ecnin rrugës. Njeri nga ata pa një grua të shëndetshme dhe i thotë shokut, se kishte dëshirë të pinte qumësht nga gjinjtë e asaj gruaje. Pas pak ditësh, ai që shprehu atë dëshirë, vdiq papritur. Mbas më shumë se njëzetë vjetësh, një djalë e ndaloi në rrugë dervishin tjetër, atë që kishte mbetur ende gjallë dhe i flet në emër. Fetari, që tashmë kishte nisur të plakej, e pyet kush ishte dhe ai i thotë emrin e tij të hershëm, por edhe i kujton bisedën e bërë mes tyre, vite më parë.
“- Zoti më dëgjoi fjalën dhe unë vdiqa, por më lindi përsëri ajo grua. Ndaj u rrita duke pirë gjirin e saj.”
Ndofta, i nxitur nga tregime të tilla, kur unë isha ende në moshë të re, im atë ngulte këmbë, se mbante mend një vend tjetër, ku duhet të kishte jetuar më parë, përpara se të fillonte jetën e tij të fundit.
Si mund të shpjegohet kjo?
Feja e lashtë pa-gjane ka në bazë të saj “shpirtin.” Thuhet se këtë teori e ka krijuar Pitagora, por kjo duhet të jetë tepër e lashtë. Pitagora mund ta ketë përmirësuar apo e ka vendosur në baza më të shëndosha. Shpirti, sipas tyre, është i pavdekshëm. Vdes vetëm trupi, ndaj kur të afërmit shoqërojnë kufomat e të dashurve të tyre në varreza, bashkë me ta është edhe shpirti. Është kjo arsyeja përse përgjatë përcjelljes në banesën e fundit, për të këndohen këngët, që i kishin pëlqyer shumë të ndjerit, kur ishte ende gjallë. Ata këndonin për t’i bërë qejfin shpirtit, që është mes tyre, por që ata nuk e shihnin.
Ndonëse shumë gjëra në kohën tona janë harruar, ato vlera i gjejmë për çudi shumë larg, te fetarët tibetianë, të cilët edhe sot e kësaj dite i thonë shpirtit të dalë nga trupi i vdekur, që të varrosnin kufomën “Ik pet,” pra “Ik shpejt!” Para se të vdiste, babai na la porosinë, për të varrosur me këngë, por ne menduan se mund të bëheshim qesharak në sy të miqve e dashamirësve, që morën pjesë në varrimin e tij, ndaj nuk e zbatuam dëshirën e tij të fundit.
Sipas besimit pellazg (“pa-gjanë”) shpirti shkon larg në tokën ku ka paqe dhe ngrohtësi. Ai kthehet përsëri në vendin tonë pas dy-tri brezash. Kur vjen, shpirti i tij mund të futet në trupin e një bebe, i cili sapo ka filluar jetën në barkun e nënës, por edhe të ndonjë kafshe, bime, shkëmbi apo diçka tjetër. Është kjo arsyeja, që, sipas fesë sonë pa-gjane, duhet të tregohemi të vëmendshëm e të mos i dëmtojmë ato, se atje mund të ndodhet shpirti i paraardhësve tanë.
Por a festohet kjo vetëm në Shqipëri?
Jo.
Ajo, në forma të ndryshme, duke iu përshtatur vendeve dhe njerëzve, festohet në shumë vende të botës. Madje, këtë fe e kanë ringjallur anglezët para katër shekujve dhe po e përhapin pak nga pak nëpër Europë, Amerikën e Veriut, madje deri në Australi. Unë u kam dërguar njoftime ku u tregoi se fillimet e kësaj feje të stërlashtë janë në Tomorin e Beratit dhe më pas në atë të Janinës, në Shqipëri, dhe ua kam shpjeguar se termat janë shqipe dhe jo indo-europianishte, e cila në të vërtetë nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kuptohet, ata janë ushqyer në breza me atë term të gabuar, ndaj e kanë të vështirë të më kuptojnë dhe të pranojnë të vërtetën e të vërtetave. Megjithatë, më lajmërojnë për veprimtaritë e tyre të herë pas hershme.
Kjo është feja më e pastër dhe më njerëzore e krijuar ndonjëherë, por, si tepër e lashtë, ka mjaftë natyrshmëri. Kështu, ata kishin disa zota, të cilët shtoheshin me krijimin e shkencave dhe arteve të reja, duke i vendosur secilit krijim një zot të ri. Ndaj, sa më shumë arritje të kishte njerëzimi në kohët e lashta, aq më shumë zota krijonin. Mirëpo, pranimi e shumë zotave në kohët tona, kur njerëzit janë mësuar t’i drejtohen një zoti të vetëm, është diçka që vërtet e kanë të vështirë ta pranojnë. Kjo është një nga anën e dobëta, që vështirë të binden njerëzit e sotëm, në këtë drejtim. Ndonëse krijime të pabesueshme ka edhe feja krishtere, që çdo vit thotë se “Krishti u ngjall,” kur dihet që kjo nuk është e vërtetë, se atë do ta kishte parë ndonjë njeri në kishë apo në vend tjetër, por nuk e ka parë askush… rikrijimit të fesë sonë të lashtë, në ditët sotme, ia kanë gjetur zgjidhjen; ata e njohin me një zot të vetëm, siç i kanë sot edhe fetë e reja, por se atyre i mungon sinqeriteti dhe mirësia e fesë sonë pa-gjane.
* * *
Ne, shqiptarët, sipas zakonit tonë tepër të lashtë, u vendosim fëmijëve, nipërve e mbesave emrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Kjo, ndofta, është krijuar nga feja jonë e lashtë pellazge, për t’i “ngjallur” dhe për t’i sjellim përsëri në familje shpirtrat e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë… Mënyra për t’i emërtuar fëmijët, nipërit dhe mbesa me emrat e gjysh stërgjyshërve, kishte shumë të mira, se ruanin traditat e emrave, por edhe lidhjet shpirtërore të një brezi me brezat e kaluara. Kështu, filozofi më i madh i lashtësisë dhe i tërë botës, Aristoteli, nga fisi ilir i Maqedonisë, i vuri të birit emrin e të atit, Nikomak, sipas zakonit tonë të hershëm, që e trashëgojnë ende në ditët tona shqiptarët.
Ju, ndofta e dini, se krahas studimeve të shumta, Aristoteli, ka bërë kërkime edhe në fushën e metafizikës. Në bazë të këtyre studimeve u krijuan fetë e reja; katolike, ortodokse, izraelite dhe myslimane. Është kjo arsye që të gjitha këto fe kanë marrë aq shumë nga e jona-pa-gjane.
Nëse do t’u binte rasti të ndodheshin në ndonjë kremtim të organizuar nga ndonjë grup i fesë pa-gjane, në vendet ku ajo ka filluar të ndiqet me korrektësi, do të mësoni se ato janë tepër njerëzore. Edhe fjalët e fetarit pa-gjanë, kur zhvillojnë kremtimet e ndarjes së familjarëve me të vdekurit, janë tepër prekëse dhe njerëzore. Ai i flet shpirtit, kur ai pas pak kohe do të takojë prindërit dhe të dashurit e tij, që janë larguar nga kjo botë vite më parë, të cilët kanë dalë për ta pritur atë në vendin ku prehen shpirtrat për disa breza, t’u tregojë që kanë lindur djem, vajza, nipër dhe mbesa. U thotë të tregojnë me hollësi çfarë ndryshime kanë ndodhur këtu mbi tokë në familje prej kohës së largimit të tyre nga kjo botë, duke u treguar njërin pas tjetrit emrat e pasardhësve.
Njerëzit e mbledhur për të përcjellë të dashurin e tyre në banesën e fundit përloten nga ato që dëgjojnë, se u duket sikur po shohin të parët e tyre, të mbledhur për të marrë lajmet e reja nga i sapoardhuri. Kjo u duket se janë së bashku me shpirtin e të sapo larguarit nga jeta dhe sikur takohen me gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Përfytyrimet e krijuara nga fetari pa-gjanë (“i miri”, “fetari i lisit,” ”druidi”) jo vetëm që bëjnë lidhjen ndërmjet tyre, të mbeten shpirtrat përjetësisht njëri brez pranë tjetrit, si të jenë ende afër gjyshërve dhe stërgjyshërve, por ata i bëjnë të ndihen si t’i kenë takuar dhe njohur në jetën e tyre edhe se nuk i kanë parë asnjëherë.
* * *
Le të kthehemi te festa jonë. Sa ditë kremtimesh të gëzuara, që lidhen ngushtë me jetën e përditshme, organizoheshin në fshatrat dhe qytetet e stërgjyshërve tanë? Ata festonin plot tetë të tilla; katër lidheshin me Diellin (atë të pranverës në 14 (21) mars, të verës në 22 qershor, të vjeshtës më 23 shtator dhe të dimrin në 22 dhjetor). Por kishin edhe katër të tjera të lidhura me Hënën. Festat Hënore ndodheshin në mes të dy festave të Diellit. Ishin këto arsye, që njerëzit përgatiteshin shumë kohë më parë për ato festime të gëzuara karnavalesh, që përshkonin tërë qendrat e tyre të banuara. Festat u përshtateshin kushteve klimaterike, duke pasur për bazë prodhimet, që siguronin në ato stinë. Të gjitha festat tona pa-gjane janë kopjuar nga romakët e më pas nga fetë e tjera, të krijuara më vonë e të përhapura në të gjitha vendet e botës.´
– Autori është Anëtar i Akademisë së Shkencave të Ballkanit.

===============================

FLET AKADEMIKU ALI ELTARI

……………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura