AKADEMIK GJOVALIN SHKURTAJ: LETËRSIA DHE BOTA E ARBËRESHËVE TË ITALISË NË HULUMTIMET DHE BOTIMET E DHIMITËR SHUTERIQIT

Tiranë, 29. 09. 2015: Kumtesën time (nevojisht të shkurtër) do ta nis duke parafrazuar një vlerësim të zonjës Mynyvere Shuteriqi, e cila, në librin e saj “Një jetë në dashuri”, krahas kujtimeve të tjera të bukura e domethënëse për njohjen sa më të plotë të Jubilearit tonë të paharrueshëm, Akademikut Dhimitër S.Shuteriqi, shkruan: “Cilido që ka pasur rastin të ketë udhëtuar nëpër Shqipëri me Dhimitrin, ka provuar kënaqësi të veçanta. Ai ishte një lloj ciceroni i palodhur, që të pasuronte me lloj-lloj informacionesh, veçanërisht për historinë e vendit.”[i]
Dhe, duke iu përunjur Asaj, me nderimin e thellë që meriton, jo vetëm si zonja e një Burri të Madh si Dhimitër Shuteriqi, po edhe për vullnetin e zotësinë e madhe që po shfaq për ta mbajtur të gjallë kujtimin e vlerësimin që i takon atij, po e filloj me mbështjen e këtij pohimi emblematik.
Kam pasur rastin e këndshëm të kem qenë edhe unë me prof.Shuteriqin, në një udhëtim studimor në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë dhe, kaq të shumta e të bukura i kam kujtimet prej asaj periudhe njëmujore saqë vitet, edhe pse tashmë bukur të shumta që kanë kaluar, nuk kanë mundur t’i zbehin aspak. Ishim dy “skuadra” hulumtuesish: njëra për kërkime në arkiva e biblioteka, e përbërë nga Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Ali Xhiku dhe, tjetra, për ekspeditë në terren, e përbërë nga etnografi Spiro Shkurti dhe dy dialektologë: Jorgji Gjinari dhe unë.
Ka qenë pranvera e vitit 1981 dhe, në atë stinë, Kalabria duket aq e bukur, saqë me të drejtë shumë vizitorë të huaj e kanë quajtur edhe Kalifornia e Italisë. Në të dy anët e lumit Krati, Fusha e Sibarit me aromën dehëse të lulëzimit të agrumeve, të dhuron edhe pamjen madhështore e tërheqëse të ngulimeve arbëreshe, në kodrina e rrahishte me ullishta e vreshta, që shkojnë varg deri tej në këmbët e Polinit, ku, gjithashtu, fshihen disa ngulime arbëreshe malore, si Plataçi, Çifti (Civita) e Kastërnexhi (Castroreggio).Të gjithë atyre që në shkollë kanë mësuar me librat e Shuteriqit për letërsinë arbëreshe, teksa ndjekin këto pamje u vijnë natyrshëm në mendje edhe vargjet e Milosaos: “Vreshtat in verdhullore…”.

Dhimitër Simon Shuteriqi (1915 – 2003)

Hotel “Imperiali” i Kozencës, ku ne flinim dhe mblidheshim në mbrëmje mbas punës, ishte kthyer në një “Mekë” për arbëreshët dhe dashamirët e shumtë të shqiptarëve e të Shqipërisë, aq sa, siç do të thoshte me të qeshur poeti i njohur Karmelo Kandreva, për hir të Shuteriqit e të studiuesve që ishim me të, arbëreshët i harruan grindjet dhe ndarjet partiore e klanore, duke u bashkuar në hollin e hotelit e duke dëgjuar me dashuri e respekt ato që rrefente ky “orakull i arbëreshësisë”.[ii] Prof.Shuteriqi dhe prof.Jup Kastrati, krejt sy e veshë, teksa ndiqnin në Frasnitë “Vallen e artire çë nxinjën” dhe “Kalorësve të Skandërbekut”, me stilografët e tyre në duar, mbanin shënim me vrull djaloshar dhe dukej sikur bënin ndonjë garë stenografie, duke synuar të mos linin asgjë pa fiksuar e shënuar. Profesori, ashtu si në të gjitha ekspeditat e hulumtimet e tij në vende të ndryshme e në diasporat e tjera, tregonte interesim e kureshtje të pashuar për emrat e mbiemtonyrat e atyre që takonte në katundet arbëreshe. Kemi diskutuar disa herë gjatë asaj eksepdite për mbiemrat dhe pseudonimet e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë të Frasnitës e të Ejnaninës, që, me përjashtim të Lluka Perrones, gati të gjithë shkruanin me pseudonimet tipike e kureshtare për ne, si Vorea Ujko (Domeniko Bellizi), Buzëdhelpri (Agostino Giordano), Leshkuqi(Francesco Pace) etj. Po në ato mjedise, kur u takuam me Antonio Grobin, një piktor i njohur frasnjot, Profesori thoshte se ai mbiemër mund të përqaset e të shihet në lidhje me fjalën “gropë” të shqipes dhe mendoj se kishte të drejtë. Kështu edhe të një tjetri që quhej Papari dhe që gjithashtu mund të ketë lidhje zanafille me toponimin Papër; për mbiemrin Skura të një gjeometri që na e njohu Ndon Bellushi, që lidhet me Skurajt e Mirditës dhe për shumë të tjerë. Ashtu si Eqrem Çabej, edhe Shuteriqi kishte vlerësimin se etnonimet e patronimet arbëreshe janë me vlerë të madhe treguese të shqiptarësisë së arbëreshëve dhe se nuk ishte e rastit që ta jo vetëm i ruajtën emrat e të parëve, si p.sh.Jul Variboba, mbimri i të cilit, pa dyshim, na kujton Varibopin e Myzeqesë; ashtu si Damësi i Ungrës (Lungro) na shpie pikërisht në anët e Tepelenës. Në Shën-Beneditk Ullano, në shtëpinë e Rosalino Muzakios, sapo hymë, prej mbiemrit, po edhe prej pamjes së tij të hieshme e fisnike, prof. Dhimitri (me atë buzëqeshjen e tij sa miqësore, aq edhe të pëlqyeshme, do të thosha të madhërishme), duke e përqafuar i tha: “Këtu qenkemi në farefisin tonë, në pinjojt e derës së Muzakajve” dhe biseda rrodhi aq e këndshme e plot rrëfime të pikuara me faktime e data historike, që ai dinte t’i përafronte si moskush tjetër.
Po flisnim, një mbrëmje, për Biblioteknë Kozentine, ku grupi do të shkonte për hulumtime të nesërmen dhe, për habinë e të gjithë të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin punuar jo me me ditë e javë, por edhe me muaj në atë Bibliotekë, Profesori u tregonte se dinte se në aksh raft e në aksh kthinë të saj ndodheshin dorëshkrime ose botime të rralla të De Radës e të autorëve të tjerë arbëreshë.
Në Maqin e De Radës, ato ditë, u organizua edhe një tubim shkencor me temën “Mbalë De Radën” (=mbi De Radën) dhe aty, prof. Shuteriqi, në atë log burrash të shquar arbëreshë e kalabrezë, që mbushnin kishën ku është edhe varri i “Tatëmadhit të arbëreshëve” (Jeronim de Radës), ishte pa dyshim jo vetëm ai që tërhiqte vëmendjen me pamjen e tij aq madhështore, me beretën e llullën e tij mitike, por mbi të gjitha me ato që kumtoi për De Radën, si dhe për figurat e tjera të mëdha të letërsisë arbëreshe, si për Seremben, Santorin, Stratigoin dhe autorët e tjerë arbëreshë, që të gjithë bij të atyre atyre ngulimeve që ne i shtegtuam dhe i vizituam ato ditë të paharrueshme. Profesor Shuteriqi i ngazëlleu zemrat e arbëreshëve, duke e mbajtur kumtesën e tij gati të gjithën në të folmen arbëreshe të Maqit, të cilën e njihte më mirë se të gjithë ne të tjerët.
Grupi nuk la vend pa kërkuar, në Bibliotekën “Filomena Faraco” të Vakaricit, në Bibliotekën e Ndon Bellushit në Frasnitë, në Qendrën e Studimeve Jonike të V.Selvaxhit në Vakaricë, si dhe në qendrat e revistave arbëreshe. Dhe, natyrisht, edhe frytet e atij udhëtimi studimor katërjavor nuk mund të mos ishin të suksesshme, prandaj edhe Akademia jonë e Shkencave që na kishte dërguar, do të kënaqej e do të bindej se çfarë ndodh kur në kërkimet në biblioteka e arkiva të vendeve të huaja dërgohen specialistë dhe hulumtues të vërtetë, sikundër ishte Dh.S.Shuteriqi.
2.Mbas asaj ekspedite studimore tek arbëreshët, puna e parë që kam bërë ka qenë rileximi i kujdesshëm i studimeve dhe botimeve të prof.Shuteriqit për letërsinë arbëreshe dhe, sa herë kam shkruar e folur për ligjërimet arbëreshe ose për dukuri të tjera të botës arbëreshe, dijet dhe vlerësimet e shprehura nga prof.Dhimitër Shuteriqi (në botime të veta[iii] ose në bashkëpunim me kolegun e mikun e tij të nderuar prof.Mahir Domin[iv]) kanë qenë dhe mbeten për mua si busulla në shtegtimet e largëta.
Në vitin 1984, kur botova librin tim të parë “Shpirti i Arbrit rron” , prof.Shuteriqi ka qenë i pari të cilit ia dhurova dhe, ndërsa prisja me ndruajtje mendimin e tij, ai vetëm pak ditë mbas vizitës që kisha bërë në shtëpinë e tij, botoi në gazetën “Drita” një recension të gjerë e shumë dashamirës, i cili ka qenë për mua një nxitje shumë e madhe për ta vazhduar punën në lëmin e kërkimeve rreth ligjërimeve e letërsisë arbëreshe. E kisha si peng nderimi dhe prej tij buronte edhe dëshira ime që të dilja sot në këtë foltore për t’i bashkuar vlerësimin tim dhe disa kujtime të miat, me kumtesat e kolegëve të nderuar që dëgjuam e që do t’i dëgjojmë në vazhdim.
Po lejohem, tani, të nyjëtoj edhe disa vlerësime më konkrete që lidhen me këtë pohim dhe e ftillëzojnë atë.
Së pari, kur flasim për letërsinë arbëreshe të shek.XIX, me të cilën, në fakt, fillon një rrymë (dhe frymë) e re në letërsinë shqiptare, që do të quhej Rilindje, Dh.Shuteriqit i takon merita se në studimet e veta dhe sidomos në shtjellimet dhe analizat e holla rreth poezisë së De Radës, pa, pohoi dhe përthekoi me argumente të plotvlershme se poeti i Maqit ishte një romantik evropian, i kishte edhe formimin, po edhe frymëzimin të tillë, që, siç do ta thoshte më vonë Rexhep Qosja, ishin të orientuar nga romantizimi evropian. Kritika dhe studiuesit më të autoritetshëm të letërisë shqiptare kanë vlerësuar dhe i janë referuar prof.Shuteriqit, i cili në shtjellimet rreth “Milosaos” citon fjalët e vetë De Radës, që thotë se veprën e shkroi “nën modelin” poezisë frënge të asaj kohe. Mbi atë bazë, Shuteriqi shkon edhe më tej, duke shtuar se “me të drejtë “Skandërbegu i pafanë” është krahasuar me “Legjendën e shekujve” të V.Hygoit, edhe pse tema e saj kufizohet në një shekull të vetëm dhe në një popull të vetëm në shek.XV shqiptar”.[v] Në mbështetje të këtij vlerësimi e pohimi të prof. Shuteriqit, akademiku Rexhep Qosja do të shtonte se “një studim krahasimtar do të dëshmonte ndikimin jo vetëm të Shatobrianit, të Lamartinit dhe të Mysesë, në pjesën më të madhe të poetëve më të shquar romantikë arbëreshë”.[vi] Dhe, në fakt, duke u mbështetur në konceptet e prof.Shuteriqit, natyrisht edhe duke u thelluar në dritën e tyre, në studimet historiko-letrare do të bëhej zotërues mendimi se (me fjalët e akademik Rexhep Qoses) “qoftë konteksti shoqëror kulturor, qoftë ndikimet e pësuara prej letërsisë italiane dhe letërsive të mëdha të Evropës Perëndimore, kanë bërë që romantizimi arbëresh të artikulojë më dukshëm se romantizimi i kolonive të tjera shqiptare, disa prej tipareve cilësuese tematike të romantizmit evropian.”[vii] Së dyti, duhet të themi se, sot, kur përkujtojmë dhe kremtojmë 100-vjetorin e akad. Dhimitër S.Shuteriqit, bota e arbëreshëve të Italisë ka pësuar ndryshime të mëdha, që kanë në bazë shndërrimet e modernizimet e kohëve të reja, si dhe trysninë që vjen gjithandej prej globalizimit kulturor dhe, po të parafrazojmë vargun proverbial e aq madhështor të De Radës “Lis jeta kish ndërruar,ujë të ri ndë dejtit”, nuk mund të mos shohim se sot “uji i ri” është bukur shumë më i vrullshëm se i vjetri. Kjo vlen tashmë edhe për vlerësimet, pohimet dhe përgjithësimet për letërsinë arbëreshe, për kulturën dhe ligjërimet e arbëreshëve të Italisë. Prej ngulimeve të vogla e dikur të mënjanuara dhe me rrezikun e se “gjaku ynë është shprishet dhe se gjuha jonë e birret”(De Rada), kanë dalë e po dalin pohime të tjera, rrjedha të tjera mendimi e veprimi të ndryshme në mjediset arbëreshe, ndaj të cilave historianët e rinj të letërsisë duhet ta rrudhin ballin, duke shtuar e shtruar udhë të reja bashkëpunimi midis qendrave universitare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë me letrarët dhe profesoratin e sotëm arbëresh të Italisë, sidomos me Universitetin e Kalabrisë, të Palermos, sidhe me katedrat e institutet albanologjike të Napolit, Romës etj. ku kanë vepruar emra të njohur si A.Guzzetta e G.Gradilone dhe ku, mbas tyre e me kushte të tjera më të përparuara, dëgjohet zëri i figurave të reja si Françesk Altimari ne Kozencë, Mateo Mandala në Palermo, Italo K.Fortino në Napoli, Elio Mirako në Romë etj.
Por, duke përfunduar, shpreh bindjen se nuk gabojmë aspak po të themi se, të gjithë sa janë (e jemi) këtu e në qendrat universitare e studimore të lartpërmendura, nëse dëshirojmë të bëjmë studime të vlefshme për letërisnë, kulturën dhe krejt botën arbëreshe, duhet ta nismim nga njohja, përfillja dhe vlerësimi i punës prej pionieri që ka bërë akademiku Dhimitër S.Shuteriqi, të cilin, nëse më lejohet , meqë po flasim për arbëreshët e Italisë, do të thosha se ai meriton të quhet edhe “Tatëmadhi” i historisë së letërsisë arbëreshe dhe një nga burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria në lëmin e historisë së letërsisë dhe të letrave shqipe.

Pamje nga shenimi i 100 vjetorit të lindjes së Dhimitër Shuteriqit

Në figurën gjigande të akademikut Dhimitër S.Shuteriqi kombi shqiptar kishte gjetur njeriun që tërë jetën e tij të gjatë e shkriu për t’ia ndriçuar e pohuar vlerat historike, letrare, gjuhësore dhe përgjithësisht pasuritë etnokultuore, që foshkojnë e rrisin krenarinë kombëtare të çdo shqiptari.
[i] Shih: M.Shuteriqi, Një jetë në dashuri, Dituria, f.130.
[ii] Mblidheshin aty “ajka”e veprimtarëve dhe përfaqësuesve të kulturës arbëreshe, si Mario Bruneti (eurodeputet dhe veprimtar i njohur), Damiano Gualiardi (deputet dhe figurë politike Regjionit të Kalabrisë; studiues të vjetër e klerikë që kishin pasur rast të vizitonin Shqipërinë dhe që e kishin njohur Profesorin e nderuar, si Emanule Giordano, Francesko Solano, Giuseppe Faraco e Antonio Bellushi; drejtues të bashkive arbëreshe si Cesare Marini, Nino Minishi, Damiano Bua dhe, madje, prej Kalabrisë së Epërme, në këtë “qokë” të madhe të takimeve me studiuesit shqiptarë do të vinin edhe Vinçenzo Paçe, kryetar i bashkisë së Shënkollit Psipër (San Nicolo dell’Alto), edhe Aleksandër Kostantino nga Karfici (Carfizzi), si gjithmonë bashkë me veprimtaren e shquar të Garahës (Caraffa di Catanzaro) prof.Konçeta Mazzein dhe studiues e arsimtarë të tjerë të atyre anëve. Aty i kishim qysh në pikë të mëngjesit edhe poetin Karmell Kandrevën, i gatshëm që me makinën e tij ta shoqëronte Profesorin e grupin e tij për të bërë kërkime në bibliotekat komunale dhe private; aty vinte, pa asnjë mungesë a vonesë, Rosalino Musachio me “çetën“ e Shën-Benediktjotëve, të përbërë nga këngëtarët Alfio Moça, Camilo Mosciaro, studiuesi Italo Elmo dhe sa e sa të tjerë, të cilët në rrjedhë të moteve kanë treguar sa shumë i duan Shqipërinë e shqiptarët. Aty ishte, ditë për ditë e mbrëmje për mbrëmje, edhe Françesko Altimari, aso kohe ende djalë i ri, por me treguesit e shenjat e studiuesit që e dinte se ku do ta shpinte ajo udhë e studimit të gjuhës e të letërsisë arbëreshe.
[iii] Shih: Dh.S.Shuteriqi,Skënderbeu në poezinë arbëreshe të Italisë, në librin “Nëpër shekujt letrarë”,Tiranë,1973, f.5-54.
[iv] Shih: GA, Historia e letërsisë shqipe, Kapitulli IIi-VII Letërsia arbëreshe në shekullin XIX, Tiranë, 1985, f.43-202.
[v] Shih: Dh.S.Shuteriqi, Nëpër shekujt letrarë, Naim Frashëri, Tiranë,1973,f.155.
[vi] Shih:R.Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141, shënimi (footnote) nr.19.
[vii] Shih: R.Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë,1979, f.141
__________
Shënim: (Kjo kumtesë u lexua në Konferencën shkencore përkujtimore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së Dhimitër Shuteriqit, personalitet i shquar i shkencave albanologjike, i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, e cila u mbajt më 28 shtator 2015 në Tiranë. Në këtë akademi solemne referuan edhe akademik Muzafer Korkuti, akademikja Floresha Dado, profesor Shaban Sinani, profesor Ali Xhiku, akademik Jorgo Bulo, profesor Pëllumb Xhufi, profesor Nasho Jorgaqi, doktor Feride Papleka, profesor Ymer Çiraku dhe Ksenofon Dilo. U lexua edhe një fjalë përshëndetëse e dërguar nga Dritëro Agolli, me vlerësime për punën dhe veprimtarinë e prof. Shuteriqit. Në fund foli edhe zonja Mynyvere Shuteriqi, bashkëshortja e Jubilearit, e cila falënderoi referuesit dhe u ndal për lidhjen e ngushtë e të përhershme të Shuteriqit me punën krijuese, me poezinë dhe studimet shkencore (Gjekë Gjonaj)

…………………………………………………………………

“PORTRETE” nga Dhimiter Shuteriqi në Tirana Ekspres

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura