AK.ALI ELTARI(LAPI): FISNIKËT JANË SHENJTËRIA E KOMBIT

Tiranë, 25. 01. 2013 – (Reagim ndaj një thënie të akademikut Rexhep Qosja) – Kam mësuar shumë nga librat e tu, që kam arritur të gjej fshehtas, atë kohë, kur na ndaloheshin librat e botuar jashtë shtetit. Nga ato kam mësuar shumë dhe jam mirënjohës për dijenitë e marra prej shkrimeve tuaja. Edhe bisedën e transmetuar nga televizioni Top- Albania, e ndoqa me shumë vëmendje, kthjelltësinë e mendjes suaj të rrallë, për analizat që i bënin historisë së kombit tonë, në të dy anët e kufirit. Në të gjitha ato mendimet tona përputheshin plotësisht. Por vetëm me një, jo.
E kuptova, që ju ishit disi i pozicionuar në anën e komunizmit. Kjo është e drejta juaj. Ju zbuluat disa anë pozitive të atij sistemi, në ato pika edhe unë e pranoj, se keni të drejtë, madje e kam thënë se, përmbytjet në fshatrat e Shkodrës dhe të Lezhës, në më të shumtat e shkaqeve, vijnë nga paaftësia e qeveritarëve, që na sundojnë, për të edukuar njerëzit, të mos shkatërrojnë ato arritje, që ishin bërë me aq mund në atë sistem, duke dëmtuar pritat malore, të cilat mbronin fushat nga përmbytjet.
Madje, kam thënë edhe se, ndarja në atë mënyrë e tokës, ku “pronarët” e rinj, me pa përgjegjshmërinë më të madhe, po e shkatërrojnë arën e bukës, duke ndërtuar shtëpitë në mes të tokës prodhuese dhe jo në kodër, ku e kishin më parë, në fshatin e bashkuar. Në këtë mënyrë, sa herë bie shi, shtëpitë e tyre përmbyten, gjë që nuk do të ndodhte, nëse ata do të vazhdonin të jetonin në kodra, ku uji rrëshqet dhe ata nuk do të përjetësonin ato tragjedi, që po jetojnë.

Akademiku Rexhep Qosja

Edhe pronarët e vërtetë do të ndërtonin punën që të punësoheshin të gjithë fshatarët, të cilët, duke pasur jetesën të siguruar, nuk do të merrnin rrugët e arratisë në kurbetet, duke lënë familjen, në kushte të vetmuara. Këta të rinj jashtë shtetit, bëjnë jetesë, duke iu përshtatur kushteve të vendasve dhe nuk e ndjenin nevojën e gruas… Ndërsa gruaja, që mund të ishte e bukur dhe e re, nuk i rezistonte tundimeve… Dhe, kur “e merrte vesh” burri e vriste, duke krijuar dramat nga më të tmerrshme se, ai, përfundonte në burg, ndërsa fëmijët mbeteshin në mes të katër rrugëve.
Kush del fitues në kësi rastesh? Po fajin kush e mban? Sigurisht, udhëheqësit e rinj, që nuk e drejtuan mirë shtetin dhe popullin.
Nëse do të flisnim më gjatë për këtë faj të rindarjes së tokës, do të gjenim mjaft raste, që i rrëqethin shqiptarët.
Nëse do ta kishte nisur rruga, aty ku e devijuan komunistët, pra të ktheheshin pronat tek i zoti, këto drama, nuk do të ekzistonin. As ai eksod biblik, ku humbën jetën mijëra shqiptarë! As tokat nuk do të dëmtoheshin, por as familjet shqiptare nuk do të traumatizoheshin.
Mbi të gjitha do të vinin investitorë të ndryshëm dhe Shqipëria nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje, që është sot. Kjo ndodhi se “komunizmi ra”, por komunistët janë përsëri në krye të shtetit dhe të partive shqiptare. Ata po ndërtojnë kapitalizmin me mendësi komuniste!… Madje, ti nuk e njeh si na kanë trajtuar komunistët ne, që ishim pak më të aftë se ata…
* * *
M’u desh të bëja këtë hyrje të gjatë për të thënë se, komunizmi në Shqipëri, vazhdon të bëjë shumë dëme. Kjo sepse, në shtetit tonë, po vazhdojnë ta sundojnë postkomunistët, apo poshtë komunistët, komunistët e më pastajmë, siç i quajnë këta, që drejtojnë fatet e atdheut tonë të përbashkët. Për fat të keq, këta edhe sot, vazhdojnë të ecin në rrugën e tyre të mbrapshtë.
Po le të futemi në temë.
Nga që tani Shqipëria duket sikur po mbytet në mes të oqeanit, europianët po na luten, t’i vëmë gishtin kokës, të heqin dorë nga prapësitë e të ecim në rrugën për të hyrë në gjirin e tyre. Por komunistët tonë të pandreqshëm, nuk pranojnë se, mund të humbasin pasuritë përrallore, që kanë vënë në kurriz të shqiptarëve dhe fajësojnë njëri tjetrin, në vend që të dëgjojnë këshillat e perëndimorëve.
Më vjen keq, i nderuari akademiku Rexhep Qosja se, për sa kohë të jenë në pushtet këta bastardë komunistë, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të shohin ditë të bardha…
Nëse do të ishin kthyer pronat, çdo gjë do të futej në brazdën e duhur dhe Shqipëria do të ecte në rrugën e vërtetë të vendeve europiane, atje ku e kemi vendin.
U duk se komunizmi u rrëzua, me rënien e përmendores së shok-vrasësit, komunistit Enver Hoxha dhe se Shqipëria shpëtoi nga sundimi i tyre i gjatë. Por pushtetin e morën agjentet e fshehtë të atij sistemi.
Fjala e parë që u tha ishte: “Mos votoni për bejlerët dhe agallarët, se do t’u pinë gjakun!” Madje edhe se, ndonjëri votoi kundër komunizmit, votat u vodhën dhe forcat komuniste deklaruan se, “bejlerët dhe agallarët” “nuk fituan vota.” Kjo u shpjegua si fitore a madhe kundër fisnikërisë shqiptare.
Por kush ishin bejlerët dhe agallarët?
Nëse ndjek me vëmendje emrat e atyre, që krijuan Shqipërinë, nga Ismail Qemali, e deri tek ai më pak i vlerësuari, ishin fisnikë, të pasur. Edhe ata që drejtuan luftën në Kosovë, me Isa Boletinin etj., ishin të pasur. Madje edhe luftën kundër pushtuesit italian e nisën fisnikët.
Një i varfër, që nuk ka as kulturën më elementare, nuk ishte në gjendje të kuptonte se, duhet të ngrihej dhe të luftonte kundër pushtuesit turk për të krijuar Shqipëri të mosvarur. Madje i varfëri nuk ishte në gjendje të drejtonte mirë ekonominë e familjes, ndaj ishte më i varfër se të tjerët, e jo të ngrinte masat e popullit kundër pushtuesit të egër turk.
Duhet pranuar se, ishin familjet e mëdha ato, që mbanin ndezur zjarrin e patriotizmit. Kështu, në mesjetë u ngrit Skënderbeu, së bashku me familjet më të mëdha fisnike të kohës së tij, që e çliroj Shqipërinë dhe e mbajti për një çerek shekulli të lirë nga pushtuesi turk.
Disa dhjetëvjeçarë më parë edhe vjehrri i tij, i ati i Donikës, Gjergj Arianitasi, kishte bërë të njëjtën gjë.
Ju siguroj se, edhe më vonë, ishin fisnikët e mëdhenj shqiptarë ata, që mbanin ndezur zjarrin e atdhetarisë.
Kur isha i ri, kam dëgjuar se, mbas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, kishte vajtur grupi i censurës në shtëpinë e bejlerëve të Vlorës dhe kishin djegur bibliotekën e familjes së tyre. Në të, vetëm “Historinë e Skënderbeut,” botimi i parë në latinisht nga i madhi Marin Barleti, e kishin gjetur pesë copë. Këto, pa llogaritur tërë atë pasuri arkivore me vlera të jashtëzakonshme për historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Është vërtet dramë e tmerrshme, që u shkrumbëzua një thesar i pakrahasueshëm, i cili humbi përgjithmonë.
Të bëhesh një gjë e tillë nga vandalët turq, me arkivin e Skënderbeut, ishte e natyrshme, por edhe nga qeveria shqiptare, që zhduku historinë shqiptare, kjo duket e pabesueshme!… Kush mund t’i ruante ato dokumente me vlera të mëdha për kombin, kur vete shteti i djeg, pa e vrarë ndërgjegjja?
Unë kam shkruar, që në fëmijëri. Por, ngaqë nuk kishim shtëpi dhe shkonim nga njera banesë në tjetrën, më kanë humbur jo vetëm shkrimet e moshës së re, por edhe shumë nga ato të më vonshmet. Edhe sot, i kam futur librat në një qoshe, ku mezi i gjej lehtë ato që më duhen, sepse edhe sot jetoj në një shtëpi me një dhomë, kështu që shkruaj me dhimbje, nga që më duhet të punoj në zhurmat e mëdha të familjes, duke i rreshtuar mendimet me vështirësi.
Pra, jo vetëm dokumentet historike, kulturore, por edhe gjithçka tjetër të dobishme për kombin, janë mbrojtur nga familjet fisnike, që ua dinin vlerën, nga që ato duhet të vinin deri në ditët tona. Kështu, gjithçka e vlefshme, që do t’i shërbente atdheut, u ruajt prej tyre.
Këtë gjë nuk mund ta bënin, ata njerëz, që jetonin në kasolle me lagështi, të cilët për më tepër, nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin…
Edhe luftën kundër pushtuesit turk, apo ndokujt tjetër, nuk mund ta bënte ndokush, të cilët nuk ishte i bindur për të mirat, që do t’i përfitonin në pavarësi. Si e tillë atë nuk mund ta bënte një fshatar i paditur, siç propagandohej në kohën e sundimit komunist.
Duhet theksuar se, lufta kundër pushtimin turk, nuk filloi në 28 Nëntor 1912, në atë datë ajo mbaroi. Ajo fillesat i ka pas vdekjes së Skënderbeut. Marin Barleti i madh thekson se, edhe pas shumë vjetëve, Shkodra qëndronte e lirë dhe turqve iu desh të dërgonin forca të mëdha shkatërrimtare, që ta merrnin atë.
Ju siguroj se, edhe gjatë tërë sundimit turk, shqiptarët nuk reshtën së luftuari për të çliruar atdheun nga pushtuesit. Madje, disa krahina të thella arritën të krijojnë edhe një farë pavarësie.
E pra, nuk i udhëhoqën shqiptarët, ata që s’i ngopnin me bukë familjarët e tyre se, nuk mund të fitonin besimin e të tjerëve, për t’u vënë në krye të luftës. Atë mund ta udhëhiqte ai që ishte i zoti i familjes së tij, por edhe i fshatit, madje edhe i krahinës.
Për të ilustrura këtë po ju jap një këngë të Labërisë, e krijuar në shekullit 18- 19, në fshatin Brataj.

“Gjemit e turkut errin (arrinë A. E. L.),
Të mbledhin parësinë;
Selim Agon në Vlorë,
Me Meçanin dorë për dorë,
Byzylykët (prangat A. E. L.) i hodhnë.

Beqir Velon në Kaninë,
Laton e Dalan Seinë,
Me Fejzo bej Risilinë,
Mahmut Hoxhë Tragjasinë,

Kamber Delo bukurinë,
Në Dukatë qershi Alinë,
Në Kropisht Zybo Tahirë.
Në Mavrovë Xhafer Salinë,

Në Shkozë Imer Alinë,
Mustafa Begë birbilë.
Në Raçaj Fegë Mahilë,
Rustemaj Tozo Beqirë,

Selfo Liço derëzinë,
Dhe në Vajzë dy nishanë,
Meten e Sadik Çobanë,
Gumenicë Haxhi Rrapnë,

Në Gjormë dy spahillarë:
Habiti me të vëllanë,
Në Velç Selam Hasanë,
Në Tërbaç Lulo Abazë,

Në Vranisht Sefer Miftarë,
Në Brataj Matan Haxhinë,
Lilo Qendro Nishanllinë,
Dule Zoton në Smokthinë,

Në Armen muarr Sadiknë
Dhe në Mekat Ismailnë.
Zeqo Xhafë Karbunari,
Sadiden Ahmet Vasjari,

Kalivaç trimat e mirë:
Dule Maton me Xhelilë,
Të gjithë krerët i lidhë,
I nisën për në Janinë,

Në Stamboll na i pyetnë (i gjykuan A.E.L.)
Edhe në Alep i tretnë (i internuan A. E. L.).”

E, pra, këngë të tilla, ku parësia punoi dhe luftoi në krye të popullit janë krijuar edhe në Shqipëri të Veriut, në Kosovë dhe Çamëri. Këto tregojnë se, lufta për çlirimin e Shqipërisë nga perandoria turke nuk ishte projektuar nga Ismail Qemali, por shekuj më parë, madje, menjëherë pas pushtimit dhe në vazhdimësi, ndërsa Ismail Qemali arriti ta vërë në jetë atë.
Ndaj emrat e atyre trimave, që luftuan dhe dhanë jetën, u përjetësuan, në këngët popullore, pra në kujtesën e kombit, të cilat disa studiues, me shumë të drejtë, i kanë quajtur “arkiv të gjallë i historisë së popullit shqiptar në vite.”
Vërtet se, pushtuesit turq, si gjithë të tjerët, para tyre, i shkatërruan arkivat e Skënderbeut dhe nuk lanë për pesëqind vjet të krijonim arkiva të reja, por ato i mbajti populli në kujtesë dhe i këndoi brez pas brezi, shekull pas shekulli.
Pra, duhet të kemi të qartë, që zjarrin e luftës për liri e mbajti të gjallë i gjithë populli, por ata u drejtuan nga parësia e krahinave. Të gjithë emrat e këngës labe të më sipërme ishin të pasur, parësia e vendit, siç i ka quajtur këngëtari popullor, bejlerët dhe agallarët, që luftuan kundër pushtimit turk. Kuptohet, ata luftuan së bashku me popullin e thjeshtë. Por kur ishte puna për të shuar idenë e çlirimit nga pushtuesi, turqit internonin dhe vrisnin parinë, që të bindej populli i thjeshtë.
E rëndësishme është të dihet edhe se, kur shkoi Ismail Qemali, aty nga viti 1907 apo 1908, në Vlorë dhe krijoi shoqatën “Labëria,” rreth tij u mblodhën stërnipërit e atyre, që këndohen në atë këngë, të cilët turku, pasi i kapi në befasi, i gjykoi në Stamboll dhe “i treti,” pra i internoi dhe ata vdiqën në Alep të Sirisë së sotme.
Dhe të gjithë veprimtarinë e tij Ismail Qemali në Shqipëri e zhvilloi, duke pasur mbështetjen e pasardhësve të atyre patriotëve të harruar në varre pa emër, në Siri.
Është mirë ta dini se, qeveria turke, mbas ardhjes së Ismail Qemalit, i cili këshilloi për hapjen fshehtas të shkollave shqipe, bëri të njëjtën veprim, si atë që përmend kënga më sipër, duke kapur fshehtas një pjesë të parisë së Vlorës dhe të Labërisë, të cilët i vari në rrepet e Janinës.
Ishin këta stërnipër të atyre që, një shekull më parë, i kishin internuar në Alep të Sirisë, që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, të cilët u kapën befasisht nga turqit dhe i varën. Të tjerë më vonë do të udhëhiqnin luftën për të mos lejuar grekët të pushtonin Janinën në 1912.
Dhe më pas, të tjerë stërnipër do të organizonin dhe drejtonin luftën për çlirimin e Vlorës në 1920, nga pushtuesit italianë. Nuk mohohet, që bashkë me ta, apo më saktë, ushtarët e tyre ishin vegjëlia shqiptare, por udhëheqësit ishin këta njerëz, që sot i quajnë me përbuzje bashkëpunëtorë të pushtuesve, term ky i krijuar pa të drejtë nga komunistët.
Vërtet ka pasur një pjesë të papërfillshme, që e ç’nderuan veten, se për të shtuar pasurinë, u bashkuan me pushtuesit, por ata nuk mund të përfaqësonin familjet fisnike shqiptare.
E theksoj se, thuajse të gjithë firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë ishin “bejlerë” dhe “agallarë.”
Zhdukja e familjeve “të mëdha” apo e thënë më drejtë, e familjeve fisnike, si do t’i quaja, ishte fatkeqësia më e madhe, që iu bë atdheut tonë nga pashallarët e kuq të komunizmit.
Këto familje i edukonin fëmijët e tyre me ndjenjë e nderimit të ligjit. Gjyshja ime, Hyri Zotaj, edhe se më ka dashur shumë, megjithatë atë më thoshte shpesh: “o bëhu i mirë, o mos u bëfsh!”
Të tilla ishin thuajse pa përjashtim familjet fisnike. Ndërsa tani janë bërë “udhëheqës” shteti disa, që nuk dinë dhe nuk përulen para ligjit, por kanë makutërinë të pasurohen, duke e shkelur atë, kur u jepet rasti, ashtu siç shkruan shkrimtari ynë i shquar Ali Asllani, që “në drekë janë pa brekë, në darkë milionerë…”
Në 1997, miku im austriak, Ekehard Schulche, që e quante veten “ilir, por i integruar në shtetin austriak:” më njohu me një zonjë austriake. Ajo këshillonte, që “në kushte të tilla, duhet të dalë ushtria nga kazermat dhe të bëjë grusht shteti, deri sa politikanët të bëjnë ligje të ndershme dhe t’i zbatojnë ato.”
Unë iu përgjigja:
“-Zonjë e nderuar. Më vjen keq, por në Shqipëri, regjimi komunist i shkatërroi familjet fisnike dhe nuk la të futej në ushtri, oficerë me atë origjinë. Ndaj këtë veprim nuk mund ta bëjnë bijtë e komunistëve… Këtë mund ta bëjnë ata, që kanë marrë edukatën e nderimit të ligjit së bashku me qumështin e nënës. ”
Komunizmi i zhduku fisnikëritë. Disa nga ata i futi në burg, të tjerët i vrau pa gjyq. Ata që mbetën, i la pa martuar se, i bëri kulak dhe askush nuk pranonte të lidhte krushqi me ta. Disa, që lidhën krushqi njëri me tjetrin, mbetën pa shkollë. Edhe ndokush, që arriti të bëjë diçka nuk e kanë lënë të ecë përpara, sepse tërë jetën mbeti i izoluar nga jeta shoqërore. Edhe ata që, kanë arritur të bëhen njerëz të mëdhenj, kanë mbetur përjetësisht të harruar, edhe se i kanë dhënë shumë se kushdo tjetër Shqipërisë…
Pra, ata, duke mos krijuar emër në kohën e regjimit komunist, nuk mund të krijonin besim te populli për t’i drejtuar, të rrëzonin komunizmin. Le që komunistët nuk lejuan askënd t’u merrnin pushtetin, se e mbajtën atë fort për vete.
Por edhe se, më vonë, ata krijuan shoqatën “Pronësi me Drejtësi,” nuk arritën të fitojnë të drejtën e pronës, që ua mori, pa shpërblim, qeveria e Hoxhës. Madje, kur ata bënë dy herë grevë urie, të dy herët u burgos drejtuesi i tyre, Rrapo Hajredin Danushi, stërnipi i dy prej atyre, që u internuan në Alep të Sirisë. Ky ishte i biri i Hajredin Danushit, që qeveria turke donte ta kapte e ta varte nga rrepet e Janinës në 1908, por që i shpëtoi atij kurthi. Hajredin Danushi, do të bëhet njëri nga mbështetësit e mëdhenj të Ismail Qemalit, së bashku me vjehrrin e tij nga Smokthina, Xhelo Zotaj, edhe stërgjyshi i tij u internua në Alep të Sirisë.
Pra, zhdukja e fisnikërisë nga komunizmi dhe postkomunizmi, Berisha-Nano, është fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptarë. Në se në Shqipëri do të drejtonin fisnikët, ne do të ishim vendi i parë ish komunist, që do të bashkohej me Europën dhe jo i fundit. Edhe Kosova do të ishte e bashkuar me Shqipërinë. Dhe ne sot do të ishim vend me ligje të forta dhe ekonomi të zhvilluar.
Këtë nuk mund ta bëjnë ata, që nuk e njohin shenjtërinë e ligjit dhe thonë ndryshe nga sa veprojnë. Jo rastësisht, ambasadori i Danimarkës, në mos e kam ngatërruar, ka thënë se, “edukimi për nderimin e ligjit merret së bashku me qumështin e nënës.”
Ne, intelektualët, kemi mbetur sot fisnikëria e vetme e kombit, ndaj na duhet të punojmë së bashku, për t’u hapur sytë shqiptarëve, të ecim më shpejt përpara. Është, në radhë të parë, detyra e njerëzve më të kulturuar të kombit, me ndjenja fisnike në shenjtërimin e ligjit, ta çojmë kombin tonë, atje ku e ka vendin, në ballin e vendeve më të kulturuara të Europës.
(Autori është Akademik – Anëtar i Akademisë së Shkencave të Ballkanit)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura