AKROPOLI PELLAZG I LISIT

AKROPOLI PELLAZG I LISIT

Nga Besnik Imeraj, Vlorë 7 shtator 2022

Për mendimin tim akropolet e Lisit të lashtë prehistorik, ashtu si atë të Foinikes, Buthrotit, Zgërdheshit, Gajtanit dhe Dorzit, i kanë ndërtuar pellazgët. Arkeologu Neritan Ceka bën këtë përshkrim të Lisit antik: “Muret rrethuese me gjatësi 2200 m përfshinë një sipërfaqe prej 20 ha, në shpatin e një kodre, duke zbritur me dy krahët në bregun e lumit Drin, ku gjendej skela e qytetit…Rruga aksiale që përshkonte qytetin e poshtëm nëpër dy hyrjet kryesore të tij, ishte pjesë e rrugës kryesore që lidhte pjesën jugore me atë veriore të Mbretërisë Ilire, nga Dyrrahu për në Skodrion…vendosja e kullave në njerin krah të hyrjes përbën veçoritë kryesore edhe për dhjetë hyrjet (portat) e tjera të Lisit, që shënojnë heqjen dorë nga vendosja e kullës mbi koridorin e hyrjes. Ajo e afron atë dhe me hyrjet e Antigonesë, me të cilën ka të përbashkët edhe teknikën poligonale të punimit të gurëve.” [1]   

Ashtu siç e kemi përmendur vazhdimisht tek fortifikimet tona të lashta me një jetëgjatësi nga 2500 deri në 3500 vjeçare, pjesa pellazge e tyre, më saktë, ajo që kanë ndërtuar pellazgët në këto fortifikime, të cilët kanë qënë të parët që kanë ndërtuar këto fortifikime, kanë qënë akropolet. Edhe tek Lisi i lashtë të parët që kanë ndërtuar kanë qënë pellazgët, të cilët e ngritën fortifikimin e tyre në Majë të Shelbunit.

Në lidhje me Lisin e lashtë arkeologu italian Luigi Maria Ugolini shprehet: “…ndala kalimthi në Lezhë dhe u ngjita në majën e kodrës që gjendet mbi lagjen e jashtëme, pasi kisha dëgjuar se këtu ndodheshin rrënojat e “mureve ciklopikë” të Lisit të lashtë…” [2] Por, Ugolini nuk është i mendimit se rrënojat e akropolit të Lisit të lashtë ishin rrënoja pellazgjike.

Trakt muri pellazgjik i akropolit të Lisit prehistorik. Foto.Gj.Karaiskaj.

Paqartësia në këtë pikë, shpesh ka sjellë mendime të kundërta dhe debate shterpë, mbi qënien ose jo pellazgjike të mureve të këtyre kalave apo fortifikimeve; pasi një palë i quan ato pellazgjike, në kohën kur ato për të cilat flasin ata janë të një kohë të mëvonshme, madje edhe në antikitet. Në këtë periudhë, këto vendbanime të lashta të fortifikuara janë zhvilluar në qytete të mirëfillta antike, e për rrjedhojë, nuk janë më fortifikime pellazgjike, edhe nëqoftëse kanë qënë me këto cilësi në fëmijërinë e tyre, madje edhe trakte muresh të lashta pellazgjike mund të shfaqen si rrënoja, si mbetje apo si themele mbi të cilat janë ngritur muret antike; ndërsa pala tjetër kundërshton qënien pellazgjike të themeleve apo trakteve të veçanta të mureve të tyre, mbështetur vetëm në muret që janë ngritur mbi ato, më pas, qysh nga mesi i mijëvjeçarit të parë p.e.s, duke mos parë apo anashkaluar rrënojat pellazgjike të tyre. Një veprim të tillë, si ky i fundit, kanë bërë Arnold Shober dhe Kamilio Prashniker me Lisin, dhe K.Paçi me Ugolinin me Amantien.

Ja se çfarë na thotë për traktet e mureve pellazge në majën e Shelbuemit të qytetit të Lisit Frano Prendi: “Prashniker dhe Shober, të parët dalluan mbeturinat e  fortifikimit të Akrolisit…u diktuan gjurmë muresh rrethuese të panjohura më parë, të cilat teknikisht ndryshojnë shumë nga vetë muret mbrojtëse, tashmë të njohura, të Lisit dhe Akrolisit…Muret e vendbanimit të fortifikuar ilir, mbi majën e Shelbuemit,..dy faqet e dukshme të murit janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar dhe të vendosur njeri mbi tjetrin në të thatë, duke krijuar shpesh zbrazëti të mëdha midis tyre…Trashësia e tij arrin në 3.20 m…Ka raste, megjithëse të rralla, kur si gurë themeli janë shfrytëzuar edhe shkëmbijt…Në përshkrimin mjaft të hollësishëm që i bëjnë Akrolisit Prashniker dhe Shober, nuk përmenden fare këto lloj muresh…arkeologët austriakë i kanë vrejtur këto mure, por nuk i kanë dalluar teknikisht dhe si rrjedhim kronologjikisht nga muret e Akrolisit antik…Tipologjikisht ato kanë ngjashmëri të madhe me ato të qytezave ilire të Marshejt dhe të Gajtanit,…të cilat (sipas H.Cekës dhe S.Islamit) datohen si të  fillimit të epokës së hekurit.”[3]

Trakt muri pellazgjik i akropolit të Lisit prehistorik. Foto. F.Prendi – K.Zheku.  

Përshkrimi që u bëjnë mureve të akropolit të Lisit F.Prendi  dhe K.Zheku, për mendimin tim, tregon se këtu kemi të bëjmë me trakte muresh pellazgjik, pavarësisht se arkeologët e mësipërm nuk janë të atij mendimi. Interesant është edhe fakti i ngritjes së mureve direkt mbi shkëmb, njësoj si  tek Amantia, Nikaia dhe Rabija, të cilat dhe ato, për mendimin tim, akropolet e tyre, njësoj si akropoli i Lisit, janë ndërtuar prej pellazgëve, ashtu si dhe akropoli i Buthrotit dhe i Foinikes.

© Pashtriku.org

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)


[1] Neritan Ceka “Ilirët deri tek shqiptarët”, Bot.MIGJENI, Tiranë-2014, f. 166-167

[2] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, Red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 25

[3] F. Prendi, K.Zheku, “Qyteti ilir i Lisit, Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij”, “ILIRIA” – 1972

________________

AKROPOLI PELLAZGJIK I BUTHROTIT  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura