ALBERT HABAZAJ: ALUSH SELAM HABAZAJ, EMËR I VEÇANTË E ME VLERA

Vlorë, 20. 02. 2017: Ndjejmë një ligështim e trishtim, që na shkakton më shumë nderim tek po përcjellim njërin nga njerëzit tanë më të veçantë për dinjitetin stoik kushtuar familjes, për humorin e shëndetshëm dhe mikpritjen bujare, “kur kish’ e kur s’kish’ në vatër”. Prekemi thellë nga dhembja që ndjejmë për humbjen e Alush Selam Habazajt. E bën të veçantë këtë ndjenjë hidhërimi tonën, sidomos fakti se Alush Habazaj s’qe thjesht një njeri i punës; ai qe zot i punës, në zheg të vapës e në ciklon të furtunës. Dhe për këtë fakt, është dëshmitare një jetë e tërë në timon trevave të Veriut, nga Laçi në Martanesh, nga Kurbini në Bulqizë, nga Kruma në Pukë, në frontet më të rëndësishme dhe të vështira të ekonomisë dhe industrisë shqiptare për kohën që jetoi e punoi minierave të bakrit e kromit, që ishin thesaret e ekonomisë së vendit. Alush Habazaj s’qe hero i shpallur, por kujtohet si hero i heshtur. Ai qe shofer mekanik dhe punoi në Parkun e Mallrave të Laçit, deri sa doli në pension. Këto pesë vitet e fundit erdhi në Vlorë për ta pritur e për të kaluar pleqërinë në vendlindje. Emri i tij është gdhendur si dinjitet i punëtorit në Laç.
Alush Habazaj kurrë nuk u mburr me origjinën e fisit të tij e me babain e tij. Ai ndihej krenar, dinjitoz dhe e ndjente si përgjegjësi fatin që ishte një bir i denjë i fisit Habazaj në Tërbaç, një djalë i zoti i nënë Esmasë – yll me derte e i Selam Habazit me histori e këngë, zëvendëskomandant i çetës së Tërbaçit në Epopenë e Njëzetës, krijues këngësh e këngëtar i rrallë i këngës tërbaçiote, sipas traditës së të parëve.
Alush Habazj lindi më 20 Prill 1942. U rrit e u edukua me ndjenjat e larta të dashurisë për Atdheun, vendlindjen e familjen. Ai ndihej krenar dhe mbante përgjegjësi, që ishte vëlla i katër vëllezërve të tjerë dhe katër motrave, njëri më i mirë se tjetri; vëllezërit: Gëzimi – bujari i qeshur e i paharruar, Faslliu – aq i dashur e i kujtuar nga të pasmit, si dhe Mustafai stoik e Fetiu me emër dhe respekt në Vlorë; motrat: Erveheja e Raimeja – fisniket tona të paharruara, si dhe Vitorja e Haxhireja, motrat që mbajnë këtë peshë mbi supe bashkë me Fetiun e Mustafanë, që lufton si ai me hallet. Pesë djem e katër vajza bënë babë Selami me nënë Esmanë (vajzë Tërbaçi dhe kjo nga Haskajt, bijë e Maçe, aq e mira e deli zonjë). Ata bënë fëmijë, që lanë gjurmë e kanë emër, secili në fushën e tij, me profilin e vet, por të gjithë të thjeshtë, të lartë, të ndershëm, shembëlltyra e prindërve në kohë.

Alush Habazaj, që sot po përcjellim fatkeqësisht kaq shpejt, ende pa mbushur 75 vjeç, ka vendin e merituar në historikun e familjes e vëllazërisë. Jeta e tij kulloi vetëm mirësi, buzëqeshje, mikpritje, vlera të larta morale e humane. Për këto virtyte e cilësi, një rol të pazëvendësueshëm pati dhe bashkëshortja e tij, Teuta Fetan Mehmeti, bijë kjo nga fisi me emër i Skëndojve në Tërbaç. Ndaj thotë populli: “Ngjan miqësia, pra bëhet”. Xha Alushi me Teutën lindën katër fëmijë, dy djem: Artorin e Saimirin dhe dy vajza: Enkelejdën e Albanën; të katër si yje, të katër si pemë të shëndetshme me rrënjë të thella, trung të fortë, degë të gjelbra e gjethe të lulëzuara, se janë të katër të martuar, kanë familje qytetare, janë me fëmijë e në punë të tyre zotër.
U hidhërua xha Alushi nga humbja e parakohëshme e dhëndërrit, Fredit, të shoqit të Banës, por katile është vdekja, nuk ka mëshirë.
Të dashur xha Mustafa e xha Feti! Të dashura hallë Vitore e hallë Haxhire! Të dashur Tori, Miri, Lejda e Bana! Të gjithë ne, që jemi këtu me ju, vëllazëria, krushqia, shoqëria, edhe tri palë miqtë nga Laçi, edhe lisi mirditor Mark Marku, i goditur për Fredin, po vemë supin në trarin e hidhërimit, që ju ka zënë, për t’jua lehtësuar dhembjen. I lehtë i qoftë Dheu! I dritëroftë kujtimi! Të rroni, ta kujtoni e të gëzoni fëmijët!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura