Prishtinë, 13. 09. 2015: Edhe në vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar po të shkruhej parulla “Kosova Republikë” në pyjet e Prapashticës policia nuk do të tregonte zellin për të arrestuar të rinjtë shqiptarë sikurse që bëri policia e Kosovës të martën që shkoi. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u penguan dhunshëm që para vilës a rançit të kryemninistrit Mustafa në Prapashticë ta shpalosin pllakatin ku shkruante “Shiti pronat e tua, jo Kosovën!”. Ishte kjo dita kur Mustafa e Thaçi po i nënshtroheshin Vuçiqit në Bruksel duke pranuar Zajednicën e komunave me shumicë serbe që e bosnjëzon Kosovën.
Kurrfarë sulmi a cenimi i pronës private nuk ngjau në Prapashticë më 25 gusht 2015. Gjithçka ndodhi në pronën publike, si ecja e aktivistëve, po ashtu edhe ndërhyrja e policëve. Çdo gjë ndodhej në pronën publike: prej pllakatit të VETËVENDOSJE!-s i cili mbeti i shqyer më shumë se 200 metra larg portës së rançit të Mustafës e deri te çizmet e policit me grada i cili çirrej se “Prona private është e shenjtë!” porsi një politikan i djathtë në fushatë zgjedhore.
Nga 200 metra largësi nuk ka qenë e mundur të jenë shqetësuar njerëzit e rançit Mustafa. Të shqetësuar aty ishin aktivistët e Lëvizjes nga ndërhyrja policore e cila i godiste trupat e tyre me shufra gome e sprej lotsjellës dhe, më pas, ua pamundësonte qasjen te kroi i fshatit që të marrin ujë. Mund të kenë qenë fëmijë të fëmijëve të Mustafës brenda në ranç duke u kolovitur, por ata nuk janë kurrfarë viktimash, jo vetëm pse ishin më shumë se 200 metra larg ndërhyrjes policore kundër VETËVENDOSJE!-s. Viktima janë jo vetëm fëmijë, por edhe të rriturit e pleqtë anembanë Kosovës, shtetin e të cilëve po e sakaton Mustafa me pranimin e Zajednicës.
Mustafa mund t’i ketë shumë për zemër fëmijtë e fëmijëve të vet dhe mund t’i duajë ata si rrallë ndonjë gjysh tjetër. Mirëpo, për ta përmbushur plotësisht dashurinë e tij ai do të duhej të dilte në pension dhe t’iu përkushtohej atyre ditë e natë. Si kryeministër ka një detyrë tjetër: ai duhet të kujdeset për qindra mijëra fëmijë të Kosovës dhe jo vetëm për ata disa të tijët, apo jo? Ai duhet të brengoset sidomos për ata dhjetëra mijëra fëmijë të varfër të Kosovës e jo vetëm për fëmijtë e vet dhe fëmijtë e fëmijëve gjithnjë të vet që rrojnë në begati rançesh e vilash, apo jo? Mbase nuk është e rastësishme që pronari i një rançi nënshkruan Zajednicën serbe për Kosovën e varfër.
Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s Mustafa i quajti kriminelë pse dëshironin të shpalosin një pllakat, ndërkohë që ai vetë bënte marrëveshje për Zajednicën me kriminelët e luftës Vuçiq e Daçiq. Në luftën e fundit në Kosovë u vranë mbi 10.000 civilë të paarmatosur shqiptarë, u përdhunuan mijëra gra e vajza shqiptare, 3.000 shqiptarë ishin të pagjetur e 2.000 sosh robër lufte, u shkatërruan, dogjën ose rrënuan afër 120.000 shtëpi, mbi një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre kurse 860.000 prej tyre u deportuan jashtë Kosovës. Vuçiq e Daçiq atëbotë ishin në pushtet në Serbi! Nuk besoj që kryeministri Mustafa në takimin e tij me Vuçiqin në Bruksel, këtë të fundit ta ketë quajtur kriminel.
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të persekutohen nga policia e Kosovës. Nuk mund të jetë ndryshe përderisa kryeministri i vendit i ka quajtur ata kriminelë, banditë, fashistë, kmerë të kuq e çka jo të tjetër. Kjo nuk ka ndodhur as në kohën famëkeqe të Rrahman Morinës. Nuk ka më shefa policie e ministër të brendshëm – në raport me Lëvizjen tonë, kryeministri ua mori kompetencat këtyre. Për çkado që u ndodh aktivistëve tanë tash e tutje, përgjegjësinë e mban Mustafa i cili e ndërseu policinë kundër nesh me shpifjet më të ndyra. Nuk do t’ia falim: rrugës që është nisur Mustafa, do të vijë dita kur nuk do t’i bëjnë punë as pyjet e Prapashticës për t’u fshehur.
Albin Kurti – Prishtinë, 27 gusht 2015
Isa Ranch: “Shiti pronat e tua, e jo Kosovën” – 25 gusht 2015
Isa Ranch, shiti pronat tua jo Kosovën”, nuk arriti të vendoset te vila e Mustafës!”