Prishtinë, 06. 07. 2015 – Më 14 nëntor 2013, ambasadori amerikan në Shqipëri kishte deklaruar që “SHBA-të do të ndjeheshin të zhgënjyera në rast se kryeministri Edi Rama do të përgjigjej negativisht për këtë kërkesë”. Më 15 nëntor 2013, Edi Rama, pas një serie protestash gjithandej Shqipërisë, refuzon që shkatërrimi i armëve kimike të bëhet në Shqipëri. Megjithë zërat e ngjashëm me ata të sotshëm në Kosovë, mbi rreziqet që do ta prisnin Shqipërinë nga ky refuzim, raportet e saj me Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të mira, sot e asaj dite. Shqipëria nuk ka pasur asnjë konsekuencë negative. As Kosova nuk do të ketë pasoja për Gjykatën që nuk ia bëri vetes. E gjithë kuisja vendëse për ndëshkimet e mundshme ndërkombëtare, në thelb, është (rrymë) e induktuar: kjo kuisje është veçse kujisje ndërkombëtare se mos Kuvendi i Kosovës po mësohet me këso padëgjueshmërie (psh. duke ia vazhduar atë edhe ‘Zajednicës’).
Nuk e di se si do të mund të izolohej Kosova më shumë se kaq. Sipas ueb faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shtetet në të cilat qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza janë: Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive. Mund të udhëtojnë edhe për në Serbi me kusht që nuk e marrin me vete pasaportën ose e fshehin atë duke e treguar vetëm letërnjoftimin. Kosovës pa Gjykatë Speciale nuk do t’i ndërrohet kjo gjendje për të keq. Kosovës nuk do t’i vendosin viza Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ishujt Maldive kurse Serbia nuk do të na e pamundësojë kalimin e kufirit me letërnjoftim. Pushimeve verore në Shqipëri, Ulqin, Ohër dhe në Ishujt Maldive sërish ua jep vizën vetëm trashësia e kuletës. Paradoksalisht, kuisja do ta ndërtojë një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës: urime, nuk do të bëhet më keq, përkatësisht, nuk do të bëhemi më të izoluar se kaq.
Të vetmit që do të mund të kenë pasoja nga burokratët ndërkombëtarë për shkak të këtij vendimi të Kuvendit do të mund të jenë krerët e institucioneve të Kosovës të cilët i zhgënjyen ndërkombëtarët duke mos ua mbajtur premtimin atyre. Mustafa, Thaçi e Veseli sigurisht që u kanë premtuar shumë politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë se miratimi i ndryshimit kushtetues në Kuvendin e Kosovës është punë e kryer dhe, kësisoj, shtegu për Gjykatën Speciale është tashmë i hapur. Nuk ndodhi ashtu dhe të tre këta do të mund të qortohen ashpër në takimet në vijim që do t’i kenë me ndërkombëtarët e ndoshta edhe të izolohen ca prej tyre. Mirëpo, nga kjo nuk humbet gjë shteti e populli i Kosovës por vetë këta uzurpues të shtetit që sundojnë duke u thirrur në marrëdhënien e shkëlqyeshme që paskan me faktorët ndërkombëtarë. Mustafa, Thaçi e Veseli i kanë zhgënjyer për shumë e shumë vite qytetarët e Kosovës. Kjo do të duhej të na brengoste neve dhe jo fakti që më në fund ata i zhgënjyen një herë të vetme edhe ndërkombëtarët. Pra, përveçse nga ndërkombëtarët kuisja është (rrymë) e induktuar edhe prej vetë krerëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska.
Tash që nuk ia bëmë Gjykatën vetes, në këto çaste të kuisjes lart që jehon poshtë dhe të panikut special që transmetohet medialisht, ftoj për qetësi dhe gjakftohtësi, për arsye dhe durim. Le të mbizotërojnë paqja dhe logjika.
Prishtinë, 28 qershor 2015
Albin Kurti
***
Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës mbajtur më 26 qershor 2015 lidhur me propozimin për ndryshimin kushtetues i cili hap rrugë Gjykatës Speciale
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Pse kemi këso seancash të ngutshme ku vendime tejet të rëndësishme duhet të paraprihen me vetëm një debat disaorësh? Ne secilin ligj, ligjin edhe më të thjeshtë, ne e trajtojmë në dy lexime të ndara me dy muaj në mes, kurse ndryshimet kushtetuese po i nxitojmë shpejt e shpejt. Më shumë e më shpesh po ndryshohet Kushtetuta e Kosovës me amendamente sesa cilido ligj në Kosovë.
Ndryshimeve kushtetuese nuk po ua kushtojmë as kohën e vëmendjen e ligjeve të thjeshta. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur Kushtetutë të drejtë e të mirë, mirëpo edhe ndryshimet kushtetuese ishin famëkeqe në të kaluarën e të tilla janë edhe këto pas shpalljes së pavarësisë përfshirë edhe këtë sot.
Fundja, çfarëdo debati për ndryshimet kushtetuese dhe Gjykatën Speciale në Kosovë duhet patjetër tëparaprihet prej një debati për EULEX-in. Pra, ky Kuvend duhet të debatojë njëherë për atë që e bëri e nuk e bëri EULEX-i tek i cili para pak muajve shpërtheu njëprej skandaleve më të mëdha tëkorrupsionit tëpasluftës nga prokurorja Bamieh dhe jo vetëm ajo. E, vetëm më pastaj të diskutojmë për Gjykatën Speciale. Le tëdiskutojmë për atë që patëm, para asaj që mendojmë se duhet të jetë.
Së paku në dhjetë vitet e ardhshme në Kosovë e për Kosovën nuk do të flitet për tjetër gjë më parë e më shumë sesa për këtë Gjykatë Speciale nëse ajo kalon me votimin tuaj. Tash që nuk është miratuar kjo gjykatë nuk po përmendemi në opinionin publik ndërkombëtar. Edhe nëse e miratojmë ky do të jetë një lajm margjinal. Edhe nëse nuk e miratojmë ky do të jetë një lajm margjinal. Mirëpo, në dhjetë vitet e ardhshme do të ndërtohet si lajm kryesor për Kosovën dhe Gjykata Speciale për Kosovën do të jetë edhe më e famshme sesa Kosova jashtë kësaj Gjykate Speciale. Po, nëse nuk e miratojmë Gjykatën Speciale, Serbia do ta propagandojë ca në botë, mirëpo si u bë si nuk u bë kjo Gjykatë ajo edhe ashtu do të shpif për Kosovën, për UÇK-në e për shqiptarët. Imazhi i Kosovës do të nxihet pikërisht nga pasja e një Gjykate të tillë në dekadën e ardhshme e jo nga mospasja e saj të cilën mund ta vendosin ne sot këtu pas pak minutash.
Në faqe 42 të programit qeverisës thuhet që “Qeveria me prioritet do të hartojë dhe do t’i propozojë Kuvendit për aprovim Ligjin për Themelimin e kësaj Gjykate, që tanimë është marrë si obligim ndërkombëtar nga ana e Republikës së Kosovës në proceset integruese”. Së pari, s’ka lidhje kjo gjykatë-në-tentativë me proceset integruese. Nuk i afrohemi BE-së pse patëm a nuk patën Gjykatë Speciale. Ne edhe ashtu jemi shumë larg. Nuk kemi as liberalizim të vizave, siç e dini. Dhe, së dyti, edhe vet qeveria nuk e arsyeton në programin qeverisës këtë gjykatë-në-tentativë me nevojën për drejtësi. Edhe vetë qeveria kur e përmend Gjykatën Speciale në programin qeverivësë, nuk e përmend atëbashkë me fjalën drejtësi por me fjalën obligim ndërkombëtar.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të gjithë ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale! Nuk po them që të gjithë ata që votojnë për Gjykatën Speciale e kanë kapur shtetin, por të gjithë ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale. Sepse, ata që e kanë kapur shtetin, ata shtetin e shohin si vegël të vetes e për veten e tyre dhe jo si vlerë e dobi për të gjithë.
Persekutimi i UÇK-së pardje nga UNMIK-u ka vazhduar edhe dje e sot me EULEX-in edhe për shkak se UÇK-ja nuk përmendet as në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e Republikës. Pra, as në Deklaratën e Pavarësisë e as në Kushtetutën e Republikës nuk e ke as luftën çlirimtare e as UÇK-në. Rrjedhimisht, ky shtet po ndërtohet duke mohuar UÇK-në prandaj ajo është shpallur jolegjitime dhe i është hapur rruga persekutimit të saj. E dini se është një traditë e lashtë tek shqiptarët, dhe jo vetëm tek shqiptarët, që kur e ndërtojnë një shtëpi të re, në themele e vendosin kokën e një dashi, nëse janë ca më të pasur, ose, të një gjeli, nëse janë më të varfër, dhe këtë e bëjnë si kurban për themele të thella e shtëpi të qëndrueshme. Kosova e ka kurbanin e saj. I ka 2.500 dëshmorë, i ka mbi 10. 000 civilë martirë, i ka mijëra gra të dhunuara. Mirëpo, ky kurbani ynë, për shtëpinë tonë – seashtu sikurse qëështë ndërtesa ku banon familja juaj, shtëpia juaj, ashtu shteti është shtëpia e popullit – pra, ky kurbani ynë, për shtëpinë e popullit që quhet shtet, në rastin tonë Republikë e Kosovës, ky kurban është përjashtuar, nuk ndodhet në themele! Dhe, për më keq se kaq, dashin e kanë ngrënë politikanët e brinat ia kanë kthyer popullit. Prandaj, çka po synoni t’i bëni UÇK-së ju sot dhe jo vetëm sot, e sidomos me përjashtimin nga Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës, kurrë s’ka mundur dhe nuk do të mund t’ia bënte Serbia. Nuk bëhet fjalëkëtu për partneritet me ndërkombëtarët. Nëse ky është partneriteti, unë nuk e di çkaështë serviliteti. Bëhet fjalë për servilitet ndaj ndërkombëtarëve. E, serviliteti është mungesë vetërespekti. Kur të mungon respekti për veten tënde, kot e don zyrtarin ndërkombëtar sepse nuk do ta kthen mbrapa as dashurinëdhe as respektin.
E, serviliteti i Thaçit, Mustafës dhe të tjerëve ndaj burokratëve ndërkombëtarëve nuk bëhet për hir të shtetit e kombit por nga motivet e qëllimet e ngushta personale.Këta nuk po nënshtrohen sepse është interesi i Kosovës,por për shkak se po i duhet vetes së tyre. Pra, nuk ka kurrfarë qëllimi fisnik në servilitetin e tyre. Përveçse serviliteti është i dëmshëm e i padrejtë në vetvete, edhe në kontekstin ku ndodhet ai është shumë i padrejtë e i dëmshëm, sepse është për motive të ngushta personale. Pra, këta nuk po nënshtrohet sepse ky është interesi i Kosovës, këta po nënshtrohet sepse është interesi vetjak i tillë. Nuk mund ta mbrojnë Republikën njerëzit që e konsiderojnë veten dhe tjetrin, dhe çdo tjetër, shumë privatisht e shumëpersonalisht. S’ka republikë pa publiken.E, këta nuk janë njerëz publik.Këta janë njerëz privat, çdokund dhe çdoherë privat, dhe vetëm privat.
E di që shumë njerëz në Kosovë, jo vetëm deputetë në Kuvendin e Republikës, janë lodhur me këta mujsharët e pasluftës në Kosovë dhe thonë ‘hajt se ndoshta kjo Gjykatë Speciale do të na i heq qafe’. Pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar, vrasësit e plaçkitësit e veshur me pushtet as nuk duhet dhe as nuk mundemi t’i heqim qafe me iniciativa që vijnë prej Serbisë e Rusisë. Ata duhet t’i largojmë nga pushteti dhe me ta duhet të përballet vetë shoqëria jonë e ne qytetarët e këtij vendi. Shteti i kapur dhe mjerimi social u ka ndodhur edhe popujve të tjerë, pra ne s’jemi fare sui generis, por ata në shesh e me zgjedhje i kanë rrëzuar a larguar të korruptuarit e kriminelët duke i hapur rrugë drejtësisë, demokracisë e zhvillimit. Bile, nuk është korrekte, nuk është fer, që vazhdimisht të kërkojmë të na i kryejë punët dikush tjetër, dikush prej lart, dikush prej jashtë. Kësisoj, duke kërkuar që spastrimin e Kosovës nga të korruptuarit të na e bëjnë ndërkombëtarët, ne po e tregojmë që as s’jemi qytetarë të Republikës përnjëmend e as deputetë të vërtetë të Kuvendit.
Dëgjuam këtu disa deputetë edhe duke na thënë, cila është alternativa? A e dini nëçka më përngjanë kjo? Kur të afrohet një person që ka vendosur të ta thyej këmbën dhe ai person paraprakisht të njofton që dëshiron të ta thyej këmbën. Dhe, ai vjen e të thotë: cila është alternativa jote?! Alternativa ime është të mos ma thyesh këmbën! Ndaj një personi që vjen të ta thyej këmbën, nuk ke nevojë të kesh alternativë tjetër përveç se mos të ta thyej këmbën. Kjo tregon defanzivën në të cilën ka rënë Kuvendi i Republikës si organi më i lart përfaqësues e legjislativ.
Në Kosovë, këta të korruptuarit, pas meje, e qe besa edhe para meje, duhen akuzuar e gjykuar si kriminelë të paqes për atë çfarë i bënë popullit tonë për këta 16 vjet, e jo si kriminelë të luftës për atë çfarë i bënë Serbisë në ata 16 muaj. Po, unë pajtohem me ju. Shumë prej tyre e kanë vendin në burg. Edhe në mesin e deputetëve ka aso që e kanë vendin në burg. Por, në burgun tonë. Dhe, jo me iniciativa të Serbisë e të Rusisë.
Jo pak liberalë në botë, sepse ky nuk është fenomen i izoluar te Kosovës, sidomos në shekullin XXI, e bënë atë gabimin e mirënjohur: filluan që në emër të lirisë ta luftojnë fundamentalizimin, e më pas, për ta vazhduar luftën kundër fundamentalizimit hoqën dorë nga liria. Ne duhet ta luftojmë këtë kastë të kriminelëve e të të korruptuarve në emër të Republikës sonë e drejtësisë universale, në emër të kombit tonë e të demokracisë klasike, në emër të së drejtës e drejtësisë, por ne nuk guxojmë që t’i sakrifikojmë të gjitha këto vetëm që të mund t’i luftojmë këta pushtetarë të krimit. Nuk duhet ta humbim arsyen. Nëse një person ka vrarë, ai nuk duhet të jetë në burg për dhunim dhe anasjelltas. Sepse, padrejtësia është e dyfishtë. Nuk po e fut në burg për vrasje dhe po e fut për dhunim. Kjo po ndodh edhe në Kosovë. I gjithë zelli dhe pasioni është që këta njerëz të hiqen nga skena politike sepse e kanë vjedhur Kosovën e pasluftës. Mirëpo, le t’ua japim mirënjohjen e paraluftës e të luftës, e le t’ua japim edhe dënimin e pasluftës në emër të luftës, e në emër të ardhmërisë sonë dhe të nevojës për zhvillim e përparim. Ky ngatërrim i tezave është tepër i rëndë, është padrejtësi e dyfishtë. Po dënon për atë që nuk e kanë bërë dhe nuk po e dënon për atë që e kanë bërë.
Unë nuk do të thosha që ata që duan ta votojnë Gjykatën Speciale janë doemos jopatriotë. Më parë, mendoj që janë naivë. Kosova është vend i pazareve. Këta nuk t’i japin paratë e veta se shokët e vet i japin. Bile edhe nëse dikush përfundon në burg, shumë më tepër kjo do të jetë se këta e dhanë, e sakrifikuan, sesa pse ai bëri ndonjë krim.
Punën që s’e kanë bërë UNMIK-u dhe EULEX-i nuk do ta bëjë as Gjykata Speciale. Madje, kjo e fundit paraqet verzionin ekstrem të UNMIK-ut dhe EULEX-it të cilat preferonin pjesëtarët e UÇK-së dhe jo ata të policisë e ushtrisë së Serbisë, ndërsa tash Gjykata Speciale këtë preferencë e bën edhe absolute edhe normë. UNMIK-u e pat sjellur një rregullore në bazë të së cilës nuk gjykonte askë në mungesë(in absentia) dhe asisoj i ndiqte pjesëtarët e UÇK-së që janë këtu në Kosovë, e jo kriminelët serbë që kishin ikur prej këtu. Gjykata Speciale është verzioni ekstrem i UNMIK-ut dhe EULEX-it. Pra, nuk do ta na e sjellë Këshilli i Sigurimit i OKB-së një UNMIK të ri në vend të Gjykatën Speciale por pikërisht kjo Gjykatë Speciale është UNMIK i ri në verzionin e tij më eksterm të mundshëm duke imponuar gjykime etnike. UNMIK-u i ka preferuar pjesëtarët e UÇK-së. Njësoj, Gjykata Speciale, jo vetëm që i preferon, por e imponon drejtësinë selektive ndaj tyre. E, gjykimet etnike nuk janë gjykime. Gjykimet etnike janë paragjykime. Votimi për Gjykatën Speciale është votim për Paragjykim Etnik. Rrjedhimisht, kjo Gjykatëështë tashmë gjykim dhe ky gjykim është tashmë dënim duke qenë paragjykim.
Le të kthehemi edhe për një moment te vota PËR si votë naive. Pse ky naivitet? Nga buron ai dhe çka e mundëson atë? Naiviteti i votës PËR vjen nga mendësia e pacientit dhe e të burgosurit. Pacienti dhe i burgosuri janë përplot vetëmashtrim, përplot shpresë naive, përplot dëshirë e aspak vullnet. Pacientit në spital dhe të mbyllurit në burg, optimizmi u vie nga mungesa e informacioneve. Një autor i huaj thoshte që në jetë nuk ka lumturi pa pak vetëmashtrim, mirëpo te pacienti dhe i burgosuri pothuajse e gjithë lumturia është vetëmashtrim. Mjeku e pacienti e kanë një raport special: gënjeshtra duhet të jetë e atillë saqë i gënjyeri i cili e beson atë duhet ta bëjë edhe gënjeshtarin që më pastaj ta marrë gënjeshtrën e vet për të vërtetë. Burokratët ndërkombëtarë që kanë bërë trysni mbi politikanët vendas nuk e besojnë këtë Gjykatë Speciale si të drejtë e të vërtetë. Por, pritet që besimi ynë me zell e pasion t’i bëjë edhe vetë ndërkombëtarët të besojnë. E dini qysh motra medicinale në spital, pacientit i cili është në ditët e fundit të jetës ia sjellë supën, dhe me buzëqeshjen e vet tëportokalltë e plastike mandej i thotë se do të lirohesh javën tjetër se e paske pirë supën krejt. Edhe pacienti e din se nuk është kështu, edhe motra medicinale e din se nuk është kështu, por nuk ia thonë njëri-tjetrit. Ne të gjithë e dimë që Gjykata Speciale nuk ështëkurrfarë shërimi, kurrfarë drejtësie e kurrfarë lirie. Mirëpo, i gjithë diskutimi këtu bëhet jo për të thënëdiçka, por për të mos thënë asgjë.
Nga ata që deklaruan se do të votojnë PËR, u tha se po e zgjedhin të keqen më të vogël. Mirëpo, ta zgjedhësh të keqen më të vogël do të thotë ta zgjedhësh të keqen. Dhe, ta zgjedhësh të keqen më të vogël do të thotë që pas kësaj zgjedhjeje ta rrisësh ca ta keqen. E keqja më e vogël nuk është njësoj e vogël sikur para se të zgjedhet sikur pasi që të zgjedhet ajo. Por, mbi të gjitha, deri kur do të zgjedhim këso të këqijash më të vogla? Kur do ta zgjedhim të mirën? Dhe, sërish, zgjedhja e vazhdueshme e të keqes më të vogël nuk është tipar i njeriut të lirë e sovran por i atij qëështë i shtrirë në spital ose i mbyllur në burg. I burgosuri dhe pacienti vazhdimisht e zgjedhin të keqen më të vogël. Kosova nuk bëhet dot e lirë e sovrane nëse të tillë nuk janë pikësëpari deputetët e saj, përfaqësuesit e popullit të saj si ushtrues të sovranitetit siç edhe definohet në Kushtetutë.
As disa prej deputetëve që e bënë këtu njëfarëvetëkritike mazohiste s’janë të drejtë e janë të dëmshëm. Le të bëjnë vetëkritikën këta deputetë për veten e tyre. Vetëkritikë individuale. Pse bëjnë këta deputetë vetëkritikë kolektive? Thonë, s’është gjë populli jonë, s’është gjë shteti jonë, s’është gjë shoqëria jonë, s’janë gjë politikanët në Kosovë, s’është gjë asnjë politikan në Kosovë. Fol për veten tënde. Këta njerëz i kanë ambiciet e mëdha individuale. Ndërkaq, për të qenë më keq se kaq, nuk kanë fare vetëkritikë individuale por vetëm vetëkritikë kolektive. “Po vetë e kena lypur ne Gjykatë Speciale”. Jo, ndoshta ti e ke lypur, ne jo, populli nuk e ka lypë. Vendose në referendum dhe e sheh a e ka lypur populli.
Gjykata Speciale tashmë e ka sjellur fillimin e rrëfimit të ri për luftën e fundit në Kosovë. Ministri i Punëve të jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë vizitës në Kosovë para dy muajve deklaroi: “Nga përvoja gjermane mund të them që ballafaqimi me të kaluarën është bazë për atë që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt së ardhmes.” A nuk do të duhej që ai këtë ta thotë në Beograd? Pse e krahason Kosovën e neve me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore?! Pikërisht Gjykata Speciale po bën që neve e jo Serbisë t’ia marrinpër shembull Gjermaninë e pasluftës së dytë botërore. U tha që edhe Serbia e ka njëfarë Gjykate Speciale atje. Mirëpo, për 160,000 joserbë të vrarë në 4 luftërat në ish Jugosllavi, nga Gjykata në Serbi për krime lufte e krim të organizuar janë dënuar vetëm 160 serbë. Thua se secili i vrau nga 1000! Duke lënë anash për një moment të torturuarit, të plagosurit, e të dhunuarit. E shumë më tepër se kaq tashmë kanë dënuar UNMIK-u dhe EULEX-i.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Pas nënshkrimit të ‘Zajednicës’(Asociacionit të komunave me shumicë serbe) e për zbatimin e saj nevojitet një rrëfim i ri për Kosovën, një narracion i ri për luftën e fundit në Kosovë, që t’i bëhet vendi ‘Zajednicës’. Gjykata Speciale ka mision historik e politik që t’i bëjë shqiptarët e Kosovës që kolektivisht të ndjehen fajtor dhe ta pranojnë me turp instalimin e Zajednicës në Kosovë. Mbamendja jonë kolektive për luftën duhet ndryshuar në mënyrë që të mund të implantohet në trupin e shtetit dhe territorit të Kosovës ‘Zajednica’. Do të thuhet që Serbia bëri shumë krime mbi shqiptarët prandaj u lejua dhe njoh pavarësia e Kosovës, mirëpo shqiptarët i bënë krimet më monstruoze prandaj u njoh ‘Zajednica’ për serbët. Tash për tash, Zajednica nuk ka vend në Kosovë. Me rrëfimin e ri për historinë e Kosovën, me Gjykatën Speciale, qëllimi është që shqiptarët kolektivisht të ndjehen fajtorë dhe t’i bëjnë vend Zajednicës në Kosovë si një entitet territorial administrativ autonom brenda Kosovës e kundër Kosovës.
Gjykata Speciale konsiston në një histori të re politike për Kosovën.Historia politike është parashikim i së kaluarës. Gjykata Speciale duke parashikuar ndryshe do ta shkruajë ndryshe historinë.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Sot, më 26 qershor, janë bërë saktësisht dy vjet prej kur është votuar ratifikimi i marrëveshjes Thaci-Daciq me Serbinë. Pra, me 26 qershor të vitit 2013 u pat ratifikuar marrëveshja me Serbinë në këtë Kuvend. Saktësisht dy vjet më vonë po i hapet rruga Gjyktaës Speciale dhe Zajedincës.
Të hënën, Mustafa e Thaçi do të shkojnë në Bruksel për ‘Zajednicën’. Ata po duan që tëhënën t’ia çojnë peshqesh Vuçiqit e Daçiqit Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Duke mos votuar për këtë Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ju i lini duarthatë Vuçiqin e Daçiqin në Bruksel si dhe e vështirësoni sajimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë.
Nuk ka ‘Zajednicë’ pa Gjykatën Speciale dhe nuk ka Gjykatë Speciale pa ‘Zajednicën’. Nga historia e dimë se pas kapitullimit vjen Tribunali. Negociatat dhe marrëveshja e Thaçit me Serbinë me 19 prill 2013 ishin kapitullim. Serbia i fitoi integrimet evropiane, njëherë statusin e vendit kandidat e pastaj edhe negociatat për anëtarësim, Serbia e fitoi pushtetin në dhjetë komuna të Kosovës. Miliarda euro e dollarë janë dhënë në Kosovë për multietnicitet, e partia e Daçiqit e fitoi më shumë se çerekun e komunave të Kosovës kurse Kosova po e fiton Gjykatën Speciale për krimet e pjesëtarëve të UÇK-së! Gjykata Speciale është infrastruktura e bosnjëzimit të Kosovës. Me ‘Zajednicën’ dhe Gjykatën Speciale, po i garantohet një luftë edhe brezit të ardhshëm në Kosovë, edhe fëmijëve tonë. Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve pa së paku një luftë të përjetuar. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra në jetën e tyre por s’ka asnjë brez pa asnjë luftë. Kemi shpresuar se mbase brezi që ka lindur pas luftës nuk do të përjetojë luftë sikurse ne. Mirëpo, me Gjykatën Speciale e me ‘Zajednicën’ edhe ky brez e ka luftën të siguruar.
Për fund, më lejoni ta kujtoj një thënie tëPaulo Herkenhoff, kur thotë se ‘kujtesa është përvojë që njerëzit e kanë vetëm kur mendojnë’. Mund të mendosh pa u kujtuar, por s’mund të kujtosh pa menduar e pa u menduar. Thirrja jonë te kujtesa historike është thirrje për të menduar për të tashmen dhe të ardhmen. Ne po kërkojmë që ju të mendoni. Kush mendon për Kosovën, nuk ia bën asaj Gjykatën.
Ju falemnderit.