ALBIN KURTI (*): SHQIPËRIA DHE KOSOVA S’JANË SHTETE FQINJE

(Pashtriku.org, 12. 07. 2012) – Shqipëria dhe Kosova për mua nuk janë shtete fqinje. Këtu, forma dhe përmbajtja ndodhen në një marrëdhënie të tensionuar. Fqinjësia e mirë nënkupton që secili duhet të jetë mirë me njëri-tjetrin, ama në shtëpinë e vet. Kur unë vij në Shqipëri, nuk ndjehem si mysafir dhe nuk më presin si mysafir, dhe sa mirë që është kështu.
Mirëdita të gjithëve dhe ju faleminderit për ftesën,
Sondazhet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni tregojnë që shumica dërrmuese e popullit është për bashkim kombëtar të shqiptarëve në një shtet. Mirëpo, shumica dërrmuese e subjekteve politike shqiptare nuk e kanë bashkimin kombëtar shqiptar as në program dhe as në ligjërimin publik. Kjo kauzë, pra, mbetet e papërfaqësuar institucionalisht. Aq shumë është bashkimi kombëtar i vetëcensuruar nga politikanët, saqë do të mund të thuhej se vetëcensura politikisht është bashkim kombëtar.
Shqiptaria si fe e shqiptarëve (Pashko Vasa) edhe në shekullin 21 mbetet pa kishë e pa xhami të saj. Mbetet frymë pa institucion. Shtetet shqiptare duhet të jenë kishë e xhami për shqiptarinë. Kjo frymë shqiptarie gjithsesi është shumë e fuqishme teksa arrin të mbijetojë pa institucionet që do ta mirëmbanin e do ta riprodhonin.

Tiranë, 09.07. 2012: Konferenca Ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”, organizuar nga Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington.

____________

Aq shumë shqiptarëve u kanë faj të tjerët pse mbetën të ndarë, e megjithatë kur e përmendim bashkimin kombëtar, ata flasin disi me faj. Jo pak shqiptarë, sidomos zyrtarët shetërorë, na pëshpërisin se si bashkimin kombëtar duhet ta realizojmë tinëz e me dinakëri. Mirëpo, asisoj, ne e kriminalizojmë kauzën e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar duhet të jetë çështje publike dhe shoqërore.
Jo pëshpëritje, por thirrje. Jo monolog, por dialog. Dhe, dialog i brendshëm i yni për atë që duam ne, në vend se dialog me shovinistët fqinjë të kombit tonë për atë çfarë duan ata prej nesh. Pra, jo negociata me Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Maqedoninë për aspiratat e tyre, por dialog i brendshëm ku shprehemi para njëri-tjetrit e me njëri-tjetrin për të ardhur në shprehje kolektivi ynë.
Bashkimi kombëtar i shqiptarëve as nuk e përjashton bashkimin evropian dhe as nuk mund të zëvendësohet prej tij. Në këtë aspekt, duhet pasur kujdes që ky bashkimi i ardhshëm, që unë besoj është edhe i domosdoshëm edhe i pashmangshëm, të mos jetë i brishtë sikurse pavarësia e Kosovës.
Ne rrezikohemi nga një bashkim kombëtar i kufizuar në simbole me ca territor të shtuar, por pa Ulqinin, Mitrovicën, Bujanocin e Shkupin, pa ushtri çfarë kanë shtetet normale dhe me një valë të re të privatizimit, ku ndoshta e marrim vesh që kemi pasur edhe naftë, por këtë e kuptojmë vetëm në momentin kur shitet ajo shumë lirë.
Bashkimi kombëtar s’duhet të jetë i kufizuar vetëm në kulturë, por të shtrihet edhe në ekonomi dhe shtet të përbashkët. Bllokimi i patates së Kosovës nga Shqipëria dhe bllokimi i çimentos së Shqipërisë nga Kosova, tregon që nevojitet të kemi strategji të përbashkët ekonomike.
Një komb në dy shtete sjell më shumë probleme. Shteti është entitet partikular që thekson veçantinë e vet edhe në dëm të së përbashkëtës së kombit. Edhe shteti i Shqipërisë, edhe shteti i Kosovës janë bërë në emër të kombit e përmes kombit, prandaj ato kanë për borxh t’i shërbejnë kombit, përfshirë këtu edhe bashkimin e shteteve tona.
Mbrëmë, derisa bisedoja me z. Ali Ahmetin, i theksova tri gjëra të nevojshme për shqiptarët jashtë Shqipërisë e Kosovës dhe subjektet e tyre politike:
1) Të jenë radikalë brenda institucioneve por edhe të bëjnë aktivitete jashtinstitucionale të padhunshme;
2) Kombi si formacion socio-historik modern duhet të forcohet sepse ai është, përveçse vlerë, edhe armë e fuqishme që na ka emancipuar edhe kundrejt feudalizmit, edhe kundrejt religjionit;
3) Shqiptarët jashtë Kosovës edhe Shqipërisë duhet të kritikojnë dhe të ankohen për çdo ditë te Tirana dhe Prishtina për të kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e tyre të vazhdueshme.
Shqipëria dhe Kosova për mua nuk janë shtete fqinje. Këtu, forma dhe përmbajtja ndodhen në një marrëdhënie të tensionuar. Fqinjësia e mirë nënkupton që secili duhet të jetë mirë me njëri-tjetrin, ama në shtëpinë e vet. Kur unë vij në Shqipëri, nuk ndjehem si mysafir dhe nuk më presin si mysafir, dhe sa mirë që është kështu.
Ky kontrast midis formës dhe përmbajtjes duhet të eliminohet ose përmes ndryshimit të formës shtetërore, ose përmes ndryshimit të përmbajtjes kombëtare. E, unë jam për shtet të ri për kombin shqiptar dhe jo për komb të ri për shtetin e Kosovës.
Edhe një gjë të mos e harroj në fund: këtu mbase do të duhej të kishim, p.sh. ujë “Rugove” dhe ujë “Tepelene”, në vend të kësaj që kemi.
* Fjala e Albin Kurtit mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare  “Fqinjët e Shqipërisë”, organizuar (më 9 korrik 2012) në Tiranë, nga Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe nga Qendra për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Washington.

…………………………………………

………………………………. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura