ALI D.JASIQI: VEPËR POETIKE ME STRUKTURË DHE QASJE TJETËR

Prishtinë, 09. 04. 2014 – (Halil Haxhosaj: “Ekspozitë në stinën e re”, poezi, botoi NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2014.) – Halil Haxhosaj është emër i njohur në letërsi, sidomos në poezi. Është autor i 22 veprave pothuajse i të gjitha formave dhe gjinive letrare. Shkruan poezi për fëmijë e për të rritur, poezi haiku, tregime, romane, drama, kritikë e studime letrare, recensione, shkrime për teatër, monografi, publicistikë, e të tjera. Deri tash ka botuar 7 vepra me poezi, 2 me poezi haiku, dy me tregime, një roman, dy drama, tri vepra me kritika letrare, studime e recensione, një monografi për Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, e tjerë.
Vepra që e kemi në dorë është përmbledhje me poezi ku autori, Halil Haxhosaj, shpreh dhe pasqyron ngjyrime të kohës, jetës e katrahurave të saj që burojnë ëmbël e artistikisht nga frymëzimet e poetit. Vepra “Ekspozitë në stinën e re” hapet me poezinë “Në kafenenë e jetës”, që njëherit është prolog dhe çelës, ndër të tjera shkruhet

Në kafenenë e jetës
Në tavolinën përballë dritës
Rri e shikoj kah hyrja

Para meje mbi tavolinë
Veprat me vargje frymojnë
Vaje të shiut rënkojnë
për ta përfunduar me këto vargje:
Vajet e shiut dënesin e vajtojnë
Në kafenenë e jetës
Bashkë me mua e mysafirët


Kjo vepër është e ndarë në gjashtë njësi qerthullore (cikle poetike) që emërtohen: 1. Ofshamat e telefonit, 2. Buzëqeshja e lajmit, 3. Lot e shi, 4. Jehonë kënge, 5. Ndjenjë malli dhe 6. Ankand publik.
Për qerthullin e parë mund të konstatojmë se poeti ka shkruar vargje kushtuar mikut të tij dhe poetit tonë të madh Din Mehmeti, me rastin e shkuarjes në amshim, në të dytin janë vargjet që kanë shprehje deridiku autobiografike, sepse nën të shënohet data dhe vendi i krijimit që është Stambolli. Në qerthullin e tretë janë të shtrira poezi me vargje përkushtuese për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Sulejman Vokshin, Azem Shkrelin, Ali Podrimejn, Zahir Pajazitin, Tahir Deskun, Teki Dervishin, Milianov Kallupin, Vaçe Zelën e të tjerë. Derisa në qerthujt “Jehonë kënge” dhe “Ndjenjë malli” shfaqen situata të tjera, madje edhe lirikë intime me tone paksa më të ndjeshme, qerthulli “Ankand publik” mund të quhet edhe prolog i veprës, ngase në vargjet poetike të poezive të tij, poeti Halil Haxhosaj, në mënyrë moderne, e pse jo edhe post moderne e pasqyron jetën bashkëkohore me të gjitha nuancat e saj. Në këto vargje hapet një dritare prej nga lexuesi do të gjejë edhe ndonjë dromcë të jetës së tij me të gjitha ngjyrat, nuancat, përjetimet dhe shtresimet, sepse:
Teshtima kollitje gërhitje
Në mëngjes në drekë në darkë

Ushqimit i ka rënë epidemia
Nuk gëlltitet as nuk përtypet

Ilaçet gjenden me zor
Dhe kushtojnë shtrenjtë

Çudi edhe në barnatore
Shiten në të zezën

Atëherë pse mos të bëjë kërdi
Kjo epidemi në këtë zallahi

“Ekspozitë në stinën e re”, që është vepra e dhjetë me poezi e këtij krijuesi dhe e 23-ta e opusit të tij letrar, e cila shpreh një përvojë të poetikës në veçanti dhe të krijimtarisë së tij letrare në përgjithësi. Andaj, këtu shihet paksa tjetër qasje, tjetër frymëzim, tjetër figuracion e pse jo edhe një formë e strukturim më i avancuar i poetikës së Halil Haxhosajt si poet.
Siç duket ky është qëllimi i krijuesit Haxhosaj, këtij shkrimtari të njohur e të dalluar, gjë që e bën këtë vepër me të arrirë, me të ngritur dhe në përgjithësi më interesante për kritikën letrare, e sidomos për lexuesin.
Poetika e kësaj vepre është e mbarsur me gjuhë të këndshme poetike në njërën anë, por edhe të pasur e të shtrirë në normat e gjuhës së sotme shqipe, çka e pasuron edhe më shumë atë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura