ALI MEHMETI: ZGJEDHJET NË SHQIPËRI – NUMRI MAGJIK 71!?

Gjenevë, 23 qershor 2017 – Zgjedhjet në Shqipëri të datës 25 qershor mund t’i japin fund kaosit, Gërdecit, Lazaratit, firmave piramidale, faljes së mijëra kilometrave katror det fqinjit grek, vjedhjeve marramendëse nga ndërtimi i Rrugës së Kombit, vrasjes së protestuesve me duar në xhepa në bulevard, sjelljes servile ndaj Serbisë dhe Greqisë, ndalimit të ndërtimeve kaotike mbi kanale vaditëse apo ato kulluese, eksploatimit të egër të resurseve natyrore për llogari ekskluzivisht private, …. dhe të gjitha këto për fajin e mosfunksionimit të sistemit gjyqësor. Sistem i cili nuk ishte në gjendje të dënoj askënd për cilindo nga këto krime, duke hapur kështu rrugë për krime të reja. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, pasi që sistemi gjyqësor “demokratik” u ndërtua në fillim të viteve 90 nga juristët e dalë nga “shkolla e plepave” pas një kursi 6 mujor. Pavarësisht që më vonë këta gjyqtarë u pajisën me diploma (të blera) të juristit, ata jurist nuk u bënë asnjëherë, gjykatës dhe prokurorë, hiç se hiç.
Pas dy viteve të qeverisë Rama filluan dyshimet se z. Rama nuk është i interesuar për dënimin e keqbërësve shumëvjeçar, në krye me Sali Berishën, Lulëzim Bashën, Fatmir Mejdiun …. Pas fillimit të procedurave për ndryshimet në sistemin gjyqësor dhe sidomos për verifikimin e figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingun) u kuptua se çfarë janë në gjendje të bëjnë kundërshtarët e këtyre ndryshimeve, që t’i parandalojnë ato. Dhe si për çudi, por jo për të gjithë, këtij kori të kundërshtarëve iu bashkua edhe “aleati” i Edi Ramës, z. Ilir Meta. Edhe pse me “qetësi dhe dashuri”, nuk la guri pa lëvizur që të sabotoj këtë reformë, mes tjerash edhe duke ia shkelur njërin sy Bashës/Berishës, kurse tjetrin Ramës. Duke u shtirur se është jetësisht i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje mes Ramës dhe Bashës, që të mos cenohet legjitimiteti i zgjedhjeve me mospjesëmarrjen e Partisë Demokratike, luante rolin e palës neutrale që tanimë edhe i takonte pasi që pretendonte dhe u zgjodh për President të vendit. Por, në momentin që pajtimi mes Ramës dhe Bashës u arrit, që Meta nuk e dëshironte dhe nuk e priste, nxori fytyrën e vërtet duke zëvendësuar qetësinë me agresivitet dhe dashurinë me urrejtje, të dyja këto të drejtuara kah “aleati” i tij Edi Rama. Madje, duke shkelur normat elementare të përgjegjësisë shtetërore, në një intervistë mediumeve greke, ku akuzonte kryeministrin e vendit të tij, ndërmjet tjerash edhe për prishjen e raporteve me fqinjët(!). Kurse ditëve të fundit kërkoi edhe ekzaminimin mjekësor të kryeministrit të vendit të tij, me të cilin ishte në koalicion për 4 vjet. Gjënë e ngjashme e bëri edhe “analisti i famshëm” nga Mitrovica Nexhmedin Spahiu duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e drogës në një dialog në televizionin shtetëror serb me Ivica Daçiqin. Dallimi qëndron në faktin se NS beson se ai nuk është shqiptar por “kosovar” dhe shteti i Shqipërisë është për të njësoj si cilido shtet tjetër, madje ndjen vetën e tij më të afërt me Serbinë sesa me Shqipërinë. Në këtë mënyrë Ilir Meta u reshtua hapur në krahun e atyre që janë kundër reformave në drejtësi duke iu bashkuar listës së mësipërme Berisha, Basha, Mejdiu, duke i mbrojtur kështu ata, por sipas të gjitha gjasave duke e mbrojtur edhe vetën e tij.

Shtrohet pyetja: a meriton ky njeri të jetë President i Republikës së Shqipërisë? Sigurisht që jo. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të qëndrimit të tij ndaj reformës në drejtësi të cilën do të mundohet ta sabotoj në çdo mënyrë të mundshme edhe në të ardhmen. Si president, do ta ketë më lehtë.
Dhe pyetja e dytë që mund të shtrohet është: a meriton Edi Rama, respektivisht Partia Socialiste t’i fitoj s’paku 71 mandate në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë? Përkundër atyre që besojnë që kështu do përqendrohet fuqia e tepruar tek një parti, respektivisht tek një individ, unë kam bindje të thellë se po. Janë s’paku dy arsye për këtë. E para, për ta testuar përfundimisht Ramën se a është i gatshëm ta përfundoj reformën në drejtësi duke dërguar para gjykatës shumë keqbërës të profilit të lartë, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake, që nuk do të mund ta bënte apo do ta përdorte si justifikim, nëse do jetë i kushtëzuar nga PD ose LSI, respektivisht nga Basha apo Meta i cili do mbetet de fakto kryetar i LSI-së. Dhe arsyeja e dytë: nuk është e dobishme për shtetin as e shëndetshme për demokracinë që një parti të mbetet pandërprere në pushtet, herë me njërën, herë me palën tjetër, duke mos bartur asnjë lloj përgjegjësie për krimet dhe dështimet e qeverisjes nga njëra anë dhe duke shfrytëzuar të gjitha përparësitë që ka qeverisja për ta forcuar partinë, duke favorizuar vetën dhe militantët e partisë me vende punë apo me fitime nga fondet publike. Vetëm kështu LSI arriti që ta ris numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, nga 4 deputetë në vitin 2009, në 17 deputet në vitin 2013. Nëse nuk është kështu, atëherë i bie se këtë rritje kanë shënuar për shkak të “meritave” të tyre në faljen e detit Greqisë, apo për vrasjet në bulevard me 21 janar 2011.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura