ANDREA DANGLLI: ‘NJË PLUMB PËR DIJEN NË EMËR TË GJAKMARRJES!’

Tiranë, 17. 09. 2014: Sot zilja e shkollës thyen heshtjen e pushimeve dhe pas çdo tringëllime duket sikur thërret fëmijët rreth vatrës së dijes. Të gjithë nxitojnë të hedhin hapat e tyre të vegjël për t’ju bashkuar bankave ku do të shkruajnë vitet më të bukura të jetës. Tablosë së bukur të kësaj dite, i mungojnë shumë fëmijë të cilët janë kyçur në shtëpi bashkë me një realitet të dhimbshëm. Mes mureve të lashtë, mbërthyer nga frika e një tradite të egër, gdhihen dhe ngrysen të pafajshmit e kësaj bote, nën censurën e çmëndur të gjakmarrjes.
Të gjitha statistikat që grumbullova duke nisur nga “INSTAT” deri tek “Komiteti i Pajtimit të Gjaqeve” mbi shifrën e fëmijëve që nuk do të frekuentojnë shkollën këtë vit si shkak i ngujimit, më rezultojnë të gabuara pasi nuk korespondojnë me njera-tjetrën. Diku deklarohet se janë 590-të fëmijë, disa të tjerë deklarojnë 70-të fëmijë, duke kundërshtuar kështu njëra-tjetrën. Nuk e di cilët duhen besuar, pasi e vërteta në Shqipërinë tonë vazhdon të gatuhet sipas shijeve të atyre që na kanë robëruar prej vitesh.
Statistikat e fëmijëve të ngujuar ndërtohen sipas interesit të onganizatave të caktuara, për të ngritur në piedestal punën e tyre duke përfituar kështu fonde të majme. Statistikat e fëmijëve të ngujuar ndërtohen sipas interesit të qeverisë, për të dalë sa më ballëlartë në sytë e Europës. Por sado që të gënjejnë me shifrat dhe të bëhen qesharakë, mjafton dhe vetëm një fëmijë i gjendur nën thundrat e gjakmarrjes, për të ndezur sirenën e alarmit. E kush po i dëgjon?!

Në një kohë kur përpiqemi të bëjmë hapa gjigandë drejt antarësimit në Bashkimin Europian dhe në një kohë kur vendi lufton të arrijë një demokraci moderne si në vendet perëndimore, ndeshemi me histori tejet të frikshme lidhur me fenomenin që mban rrënjët që në shekullin e XV’të. Lekë Dukagjini, një princ shqiptar, hartoi një kod mbi themelet e një sërë ligjesh tradicionale duke e pagëzuar me emrin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Fatkeqsisht ky kod i rezistoi kohës, luftrave, sistemeve, civilizimit, duke ardhur ndër shekuj gojë pas goje si sëmundje që sjell vdekjen për të gjithë ata që i robëron. Ai sot duhet të gjendej brenda mureve të ndonjë muzeu si një relikë ardhur nga lashtësia ku tregohen ligjet e të parëve tanë. Tragjikisht kur mungon ligji dhe institucionet flenë, Kanuni ri zgjuar dhe nis të marrë jetë. Veç ngujimin e fëmijëve nuk mund t’ja ngarkoj Kanunit, por injorancës së një pjese të popullsisë e cila e ka keqinterpretuar dhe deformuar atë. Ai mes të tjerash thotë: “Gjaku lahet vetem me gjak dhe askush nuk duhet të prekë gratë dhe fëmijët!” Sikur ta dinin mirë gjaksit këtë kod, shumë 15-të shtatorë do të ishin ndryshe.
Këto ditë u ndesha me dhjetra histori fëmijesh të burgosur në kullat e ngujimit. Një vogëlush që besoj se ishte rreth të katërmbëdhjetave, thoshte se ëndrra e tij më e madhe është të hyjë një ditë në derën e shkollës dhe pa zhurmë të ulet në bankën e dijes të cilën ja përshkruan çdo natë e ëma. Ai nuk dinte as shkrim, as këndim! Një vajzë ëndërronte të ndiqte shkollën e baletit për tu bërë një balerinë, por kurrë nuk kishte dalë nga pragu i portës së kyçur nga gjyshi i saj. Mikesha e vetme me të cilën ajo luante dhe kërcente çdo ditë ishte një kukull e vjetër prej lecke. Për ta fëmijëri do të thotë të qëndrosh i izoluar në shtëpi dhe të përleshesh çdo moment me agoninë e pafundme sepse nuk njohin jetën e një fëmije normal.
Sa shumë histori që jetojnë në Shqipërinë tonë të vogël dhe ne nuk i njohim, nuk i dimë, nuk i kuptojmë. Mjafton veç një moment ta vëmë veten në rolin e këtyre fëmijëve për të parë se mosha e internetit për ta është shumë larg dhe rilindja fshihet pas dritareve mbërthyer nga hekurat. Është mjaft e rëndësishme që kjo grup moshë të marrë njohuritë e nevojshme. Braktisja e shkollës është faktor pengues, vendimtar për emancipimin e tyre, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin kulturor, social dhe profesional. Këta fëmijë duke mos u edukuar me një frymë bashkëkohore, rrezikojnë që në një të ardhme të shndërrohen në njerëz të rrezikshëm për shoqërinë. Ata duhet të shpenzojnë kohën mes aktiviteteve sportive, kulturore, edukative, të cilat nxisin fantazinë dhe zhvillojnë inteligjencën.
Prej kaq kohësh kjo plagë vazhdon të gangrenizohet dhe shohim një heshtje totale të shtetit Shqiptar i cili nuk gjen dot forcë për ta monitoruar atë. Plot turp, “Ministria e Arsimit dhe Sportit”, përtyp aqë thjeshtë këtë çështje, duke bërë veç disa shfaqje mediatike për ti mbyllur gojën shqiptarëve. Ajo duhet të krijojë me seriozitet një grup pune që të dialogojë me familjet në asmëri për të arritur një marrveshje. Nëse nuk di, atëhere nuk duhet të heshtë përpara ndërkombëtarëve, por duhet të tregojë dhe këtë faqe të zezë të Shqipërisë. Përkohësisht dhe urgjentisht duhet të krijojë një staf arsimtarësh të cilët duhet të punojnë në kullat e ngujimit, për ti dhënë atyre fëmijëve edukimin e nevojshëm. Avokati i popullit, duhet të bëjë rolin e tij dhe të vërë përpara përgjegjësisë të gjitha organet kopetente, të cilat do të vazhdojnë të mbyllin njërin sy dhe të zenë njërin vesh. Organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, të cilat i shohim shpesh të shfaqen në media duke promovuar punën e tyre, duhet të heqin dorë nga luga boshe që ushqejnë këtë popull dhe të lëvizin çdo mjet që dinsponojnë për të shëruar së bashku këtë plagë. Pra e gjithë shoqëria duhet të lëvizë për të sjellë atë ndryshimin e madh që të gjithë e duam por që s’bëjmë asgjë për ta sjellë.
Edhe sa fëmijë duhet të vriten që shtetit dhe shoqërisë ti bëjë përshtypje që të nisin të reflektojnë?!
Edhe për sa kohë do ti vidhet këtyre fëmijëve fëmijëria?!
Edhe sa shtatorë të tillë do ti gjejë këta fëmijë analfabet dhe të dënuar me vdekje?!
Ky plumb për dijen në emër të gjakmarrjes, duhet të kthehet në forcë, në ëndrra dhe buzëqeshje.
A nuk është mëkat të vrasësh një fëmijë?

– Kontakti me autorin: [email protected]

……………………………………………….

STOP GJAKMARRJES!

………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura