ANXHELA DEVOLE: ‘PARLAMENTI I FTERRËS’, VENDI KU ËSHTË E NDALUAR TË FLITET PËR POLITIKË!…

Tiranë, 29. 03. 2016: I pagëzuar, pas bisedës ndërmjet nipit dhe gjyshit, me më shumë se 30 anëtarë, “Parlamenti i Fterrës” vijon takimet edhe pas 25 vitesh, që nga krijimi. Tradita, që vazhdon edhe sot, me shpresën që ta trashëgojnë edhe fëmijët e tyre: Fterra të futet në rekordet “Guinnes”…
“Vjen kur të duash, ikën kur të duash, njësoj si në Parlament.”-nga të gjitha pikat e Rregullores, kjo është kryesorja e “Parlamentit të Fterrës”. Janë një grup pensionistësh, të cilët kanë krijuar “Parlamentin e Fterrës” dhe takohen një herë në javë. Përgjatë 60 minutave, në vazhdim diskutojnë çdo gjë, përveç politikës. Janë të gjithë intelektualë dhe në tavolinën, ku konsumojnë kafenë, janë të barabartë të gjithë. Shkrimtari Bardhyl Xhama dhe vëllai i tij, Agroni (ekonomist), së bashku me ish-ushtarakun, Vexhit Gjoni dhe ekonomistin, Feksor Shkurti, flasin në këtë intervistë për “Parlamentin e Fterrës”, që nga themelimi e deri tani. Ndërsa anëtarët e tjerë të parlamentit janë: Muzafer Korkuti-Akademik, Halit Zhupa- ish-ushtarak, Rexho Kurupi-gjeolog, Roland Mita-fotograf etj. Gjatë takimit për intervistën, ishin 9 anëtarë të “Parlamentit”, të cilët me shumë dëshirë diskutonin për historinë e Fterrës dhe traditën, për t’u mbledhur së bashku, të cilën dëshirojnë ta trashëgojnë te brezat e rinj.

NGA NJË TAKIM I DISA ANËTARËVE TË “PARLAMENTIT TË FTERRËS”

(TIRANË, MARS 2016)

Si ju lindi ideja për të krijuar “Parlamentin e Fterrës”?
Agroni:
Emri ka lindur shumë rastësisht. Një nga shokët tanë, një ditë, u ngrit dhe filloi të vishej mirë. E pyet nipi, që ishte rreth 4-vjeçar: “Gjyshi, ku do shkosh?”, dhe ai i përgjigjet: “Do shkoj te Parlamenti…” Do vi dhe unë”- i thotë nipi. Kështu, e mori dhe e pruri ne tavolinë dhe i tha ky është Parlamenti. Duke bërë shaka: “parlamenti-parlamenti”, i mbeti peemeri “Parlamenti” dhe pastaj, muhabet pas muhabeti, filluan të dalin edhe ato, që u quajtën “rregullorja” e Parlamentit, që të funksiononim njësoj si Parlamenti: vjen kur të duash, ikën kur të duash!? Kemi një rregull të vërtetë, në këtë tavolinë nuk lejohen biseda politike, se ne mblidhemi të çmallemi me njëri-tjetrin.
-Kur e keni krijuar “Parlamentin e Fterrës”?
Bardhyli:
Kjo traditë ka filluar në vitin ’91-’92 dhe që nga ajo kohë ne nuk i jemi ndarë njëri-tjetrit, pra rreth 25 vjet. Nuk është se këtë e bëjmë vetëm ne, kjo ka qenë traditë me thënë të drejtën e të gjithë atyre që janë me origjinë nga fshati Fterrës, domethënë na ka mbetur si traditë kjo.

Anëtarët e Parlamentit të “Fterrës”.

-Çfarë përmban tjetër “Rregullorja” e Parlamentit?
Agroni:
Nuk lejohet të mbash nëpër gojë njëri-tjetrin, të përgojosh dhe të shash. Ndonjë lavdërim edhe e bëjmë, se na pëlqen, por të fillojmë të shajmë njerëz nuk e bëjmë. Mblidhemi e bisedojmë, më tepër kujtojmë me nostalgji ngjarjet tona të vjetra të prindërve tanë, të njerëzve tanë. Kjo na bëri, pastaj, që krijuam edhe një gazetë, sepse ne kemi gazetën tonë dhe tani në maj bën plot 20 vite që është krijuar, me eemrin “Fterra jonë”. Atë e nxjerrim në mënyrë periodike, në dy muaj ose tre muaj, sipas rastit. Por ka vazhduar dhe, deri tani, ka shkuar në numrin 93. Me vullnet kemi krijuar goxha material dhe, po të shikosh të hapësh në internet, dalin mbi 30 mijë faqe. Ndërsa unë, në fondin tim, që shokët e quajnë “kasaforta e Agronit”, mund të kem mbi 30 mijë fotografi të ndryshme të të gjithëve. Kjo është ajo pjesa, që ne duam të mburremi pak (qesh). Akademia e Shkencave ka 38 veta nga e tërë Shqipëria dhe dy janë nga fshati ynë. Gjeneralë ka pak Shqipëria, por këtu pranë nesh kemi një gjeneral. (Qesh)
Bardhyli: Kemi përmbledhur të gjitha, nëse mund të themi, ato që quhen histori, ngjarje nga më të ndryshmet, kujtime, biografitë e njerëzve më të shquar të të gjithë viteve. Fterra mund të futet në rekordet “Guinnes” për intelektualizmin, për shkollën, për njerëzit e arsimuar, që kanë mbaruar Universitetin. Kemi profesorë, doktorë, kemi kryetarin e Akademisë së Shkencave, kemi 5-6 shkrimtarë që janë nga më të dalluarit në Shqipëri. Jo vetëm për këta është shkruar në gazetë, por është shkruar edhe për njerëzit e thjeshtë, për nënat tona, që gati-gati kanë qenë analfabete. Është shkruar gjithçka për fshatin, është absolutisht gazetë historike, në atë është përmbledhur tërë historia. Merita është e Agron Xhamës, Feksor Shkurtit dhe Muzafer Korkutit, këta e botojnë tani gazetën.
-Kush kujdeset për dukjen e gazetës së Fterrës?
Agroni: Faqosje, të tëra këto i bëj unë…
Feksori:
Ne jemi kompjuteristë, pavarësisht moshës, punojmë në “Tvitter” e “Facebook”, punojmë fotografi. Bardhyl Xhama është fejsbukist i vjetër, Agroni po ashtu. Më i moshuari është 96 vjeç, edhe unë pas këtyre. Kemi edhe Xha Beqon, që s’na ka ardhur. Këta i ka kapur sëmundja e “Facebook”-ut, domethënë janë aktivë.
-Si do ta festoni 20-vjetorin e gazetës?
Feksori:
Në maj gazeta futet në vitin e 20-të. Çdo vit, në ditën e fundit të majit, të gjithë bashkë shkojnë te Kodrat e Liqenit të Tiranës dhe e festojmë në natyrë, familjarisht.
-Po ata, që nuk janë nga Fterra, a janë pjesë e grupit tuaj?
Bardhyli:
Po, kemi shumë shokë dhe miq. Ata i kemi bërë “qytetarë nderi”, po nuk i pranojmë si anëtarë. (qesh). Dy-tre veta edhe i kemi pranuar si anëtarë, por janë me votë konsultative. Këtu kemi një rregull të përgjithshëm, që pothuajse zbatohet gjithnjë: kush ka ditëlindjen e festojmë këtu, çfarë bën ai në shtëpi me familjen është tjetër punë ajo; këtu do të mblidhen të tërë që të festojmë me një gotë raki, me gjëra sipas mundësive që ka secili.
-Si e keni caktuar vendin, ku takoheni dhe a jeni afër me njëri-tjetrin?
Bardhyli:
Kemi zgjedhur qendrën, vetëm për këtë qëllim, sepse disa vinë që nga Kombinati, për shembull. Ne e kemi pasur këtë takim të përditshëm para 3-4 vjetëve. Mirëpo, pak mosha, hallet dhe problemet, tani e kemi lënë vetëm një herë në javë. Për shembull, ditën e shtunë është “seancë parlamentare”, kurse ditët e tjera i quajmë “mbledhje të komisionit”. Absolutisht, në asnjë ditë nuk kemi munguar, vetëm kur kemi qenë sëmurë.
-Zakonisht, takimi juaj zgjat 1 orë?
Feksori:
Zakonisht, rrimë nga një orë. Ndërsa, kur kemi ditëlindje, rrimë dhe nga 2 orë. Kjo traditë s’ndodh vetëm në Tiranë, por edhe në Sarandë, se dhe atje janë 60-70 familje nga fshati ynë. Gjithashtu, mblidhen të shtunave, ndërsa të dielave, kur kanë ngjarje të shënuara, si ndonjë urim, pension etj.
-Këtu, në Tiranë, a njihni ndonjë grup tjetër, që mblidhet kështu, si ju?
Feksori:
Jo! Një “dhomë” kemi, kjo është “dhoma e lartë e parlamentit”, ato janë “dhomat e ulëta”. Në Sarandë, po kështu dhe në Vlorë kemi goxha komunikim. Gjithashtu, ata janë të organizuar, mblidhen e pinë kafe në një lokal të caktuar, diskutojnë, kështu siç bëjmë ne. Ne jemi pak si më të mirët, më të bukurit, më të organizuarit (qesh). Ata marrin shembull nga ne. Kur vjen ndonjëri nga ata në Tiranë, që na sheh këtu, thotë: “sa mirë e bëni juve, kështu do e bëjmë dhe ne”. Është një traditë, që s’është vetëm e jona, e bëjmë të gjithë. Shpresojmë që ta vazhdojnë edhe fëmijët tanë, kjo është kryesorja.
-Po ata, që nuk janë të pranishëm në takimet që bëni, i “ndëshkoni”?
Agroni:
Ne jemi shumë liberalë, në këtë kuptim. Secili zgjedh atë, që i pëlqen. (Gjatë bisedës me Z. Agron, vjen një anëtar i “Parlamentit të Fterrës”, të cilit ata e thërrasin “Çiklisti”, sepse është shumë i shpejtë, kur ecën me biçikletë). Ne nuk detyrojmë dot njeri, pasi kemi një parim: Secili të shkojë atje, ku e ndien veten më mirë. Dhe ky mjedis, ku ne mblidhemi, është bërë vetë interesant. Kështu që vinë vetë këtu, nuk i detyrojmë ne. Sa herë vjen këtu (i referohet Çiklistit), na jep karamele. Ky është një nga miqtë tanë, nga Vora dhe është bërë pothuajse “anëtar nderi”; ky është Arif Bej Vora.
Bardhyli: Kemi edhe disa miq shumë të nderuar, që janë në Evropë. Është Agim Gashi, poet dhe shkrimtar nga Kosova dhe Mentor Thaqi. Këta janë pjesë e Parlamentit tonë dhe në “Facebook” janë shumë aktivë. Janë shkrimtarë dhe vjershat, që kanë bërë për Fterrën, janë të shkëlqyera.
Vexhiti: Parlamenti ynë ka një veçori, nuk është rastësi që mblidhemi, sepse kërkohen këto gazeta që nga Kanadaja dhe Australia. Si Parlament ka dhe disa kontribute, që janë vërtet të vyera dhe në mënyrë të veçantë për bashkëfshatarët tanë. Ne kemi marrë nismën e kemi dhënë lekë për varrezat e fshatit, që sot janë më moderne se të Tiranës. Kemi financuar për të mbajtur rrugën e për ta rregulluar atëë. Kemi marrë edhe një nismë që, një herë në 5 vjet, të festojmë së bashku me bashkëfshatarët tanë në fshat. Atje shkojmë nga të gjitha anët dhe festojmë një ditë të bukur, kushtuar bashkëfshatarëve, që kështu të lidhemi më shumë me ata, që kemi atje. Dhe qëllimi ynë ky është, ne jemi këtu, por mendjen dhe zemrën i kemi atje. Pra, ata janë në shpirtin tonë.
Bardhyli: Kjo është pjesë e traditës. Bisedojmë për fshatin, ndihmojmë me sa kemi mundësi. Ka ndodhur që kemi ndhimuar dhe me lekë, pak lekë, sa kemi për ta bërë këtë punë. Gazeta jonë, për shembull, botohet me sponsorizime. Madje, ka radhë për sponsorizime. Kështu, paguajnë ata, që janë në Kanada, Itali, Greqi ose Amerikë, se është një dëshirë e madhe e tyre. Ata tani janë shpërndarë në të katërta anët e kontinenteve.
Vexhiti: Më e bukura, nga të gjitha këtu, është se s’ka “të mëdhenj dhe të vegjël”. Këtu janë të gjithë njëlloj, si ai që është profesor dhe si punëtori. Janë të thjeshtë, të mirëpritur, të dashur; dëgjohet mendimi dhe s’pranohet një fjalë e keqe.

Tiranë, mars 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura