ARBEN ÇOKAJ: MOISIU – THEMELUES I FESË MONOTEISTE, NDËRSA BESIMI NË NJË ZOT LINDI ME ABRAHAMIN!

Tiranë, 13 mars 2017: “Feja është një neurozë obsesionale gjithënjerëzore! – Sigmund Freud) – (“Fe do të thotë varësi nga irracionalja, nënshtrim i tij si realitet objektiv, e cila nuk përshtatet drejtpërdrejt me kushtet sociale dhe fizike, por që më shpejt përputhet me orientimet psiqike të individit. – Karl Jung)
***
Në një kohë të hershme, kur njohuritë e njeriut për tokën dhe universin ishin tepër të vogla dhe kur njeriu i lashtë habitej me dukuritë natyrore apo prejardhjen e vet, pyetja shpesh bëhej, nga e ka prejardhjen njeriu? Nga vjen, kush e krijoi? Dhe duke mos qenë i aftë njeriu i atëhershëm të gjente një përgjigje të argumentuar, ai gjeti mënyrën më të mirë për të qenë i lumtur: gënjeu vetveten! Regjisori i njohur amerikan, Vudi Alen, në një intervistë të tij të kohëve të fundit, ka gjetur formulën e lumturisë. Ai thotë se, “që të jesh i lumtur, duhet të gjesh një gënjeshtër dhe të rrish duke mashtruar vetveten gjithë jetën!”
Duket se pikërisht këtu e ka zanafillën edhe feja. Një përpjekje e njeriut për të gënjyer vetveten, në një kohë kur njeriu nuk ishte edhe aq i ditur. Por Zigmund Frojd sqaron se me rritjen e intelektit të njeriut, edhe feja apo besimi fetar, do të vijë duke rënë.
Moisiu e mori emrin nga grekët, kurse në origjinal, ai quhej Moses, i biri, në gjuhën egjiptiane. Muhamedi a.s. ia arabizoi emrin atij në Musa. Pra, Moisiu mbahet si themelues i fesë monoteiste, ndonëse besimi në një zot të vetëm lindi me Abrahamin. Për Moisiun thonë se ishte një fëmijë i vogël, i cili u gjet në një shportë xunkthi, të lyer me rrëshirë në lumin Nil dhe u shpëtua nga princesha e faraonit. Është interesant fakti se Moisiu ka një histori të lindjes së tij, identike me Sargon Akkadin – themeluesin e Babilonisë së lashtë, 2800 vjet para Krishtit. Sargon Akkadi tregon në shkrimet e gjetura mbi rrasa guri, se atë e hodhi e ëma e tij në lumin Eufrat, në një shportë xunkthi të lyer me rrëshirë… Duke u nisur nga kjo, studiuesve të fesë, që e marrin fenë si fenomen shoqëror e jo hyjnor, u shkon në mendje se këto histori janë manipuluar në atë mënyrë, për të gjetur përkrahjen e njerëzve, për të depërtuar sa më lehtë në nën-ndërgjegjen e tyre, për të kapur masat, dhe në këtë mënyrë për t’u bërë mitike.
Frojd’i thotë: “Feja është një neurozë obsesionale gjithënjerëzore!” Ndërsa Karl Jung vijon: “Fe do të thotë varësi nga irracionalja, nënshtrim i tij si realitet objektiv, e cila nuk përshtatet drejtpërdrejt me kushtet sociale dhe fizike, por që më shpejt përputhet me orientimet psiqike të individit.” Pra, hyn më lehtë në ndërgjegje. Feja është infantilizëm, irracionale dhe përfaqëson pavetëdijen e njeriut. E megjithatë, njerëzit e paditur vazhdojnë të besojnë.
Jungu – djali i një pastori gjerman – mendon në vetvete, se feja ka një ndikim psiqik mbi njerëzimin. Është një trashëgimi kulturore, sidoqoftë, por ndikon mbi pavetëdijen e njerëzve, duke krijuar një iluzion. ‘Feja në vetvete hyn në ndërgjegje që fëmijë dhe i krijon individit dominancë, një shtet brenda kokës së tij’ – thotë Frojdi. Prandaj mendohet se është më mirë, që fenë ta marrin njerëzit kur të rriten, se në atë moshë kanë edhe mundësi të zgjedhin…
Një nga fenomenet më kontradiktore të trajtesës psikologjike e psiko-analitike të fesë nga Frojd & Jung është edhe fenomeni i “vrasjes së t’atit”, i cili si duket u theksua më shumë me Niçen. Vrasja e të atit, dmth psikologjikisht, vrasja e autoritetit të babait. Në Europë, kjo ka ndodhur nga pikëpamja shtet-formuese, pasi ligji qëndron mbi të gjithë dhe asnjë individ nuk ka autoritet dominant mbi shoqërinë, përveç ligjit. Kjo ka sjellë zhvillimin e shoqërisë. Ndërsa feja dominon në shtetet e dobëta, pasi si pjesë e pushtetit mbi njeriun, feja dhe shteti janë në kontradiktë. Shtetet e forta i tregojnë vendin fesë, kurse shtetet e dobëta, gjunjëzohen para saj.
Përzierja e pushtetit me fenë sjell mos-zhvillim shoqëror. Dikur feja e krishterë ishte së bashku me pushtetin në Europë dhe pësuam Mesjetën. Kurse tani problemi më i madh vjen nga islami, pasi ai ecën me psikologjinë sociale të shekullit të 7-të. Nëse marrim parasysh faktin se Magna Carta – karta e parë e të drejtave të fisnikëve anglezë, u firmos nga mbreti anglez me 15 qershor 1215, merret me mend tani se sa të drejta ka patur njeriu në shekullin e 7-të, kur u shkrua Kur’ani. E përderisa Kur’ani që në atë kohë është i pandryshueshëm, dhe tenton edhe sot të bëhet model shoqëror, atëherë nuk ka dyshim që shoqëritë që ndjekin Kur’anin janë të destinuara të mbesin prapa. Shoqëritë islame i lënë edhe gratë pa punë, pa kontribut në të ardhurat publike. Dhe duke mbajtur mbi gjysmën e popullsisë pa kontribut në sektorin publik, shoqëria do të mbetet padyshim e prapambetur. Prandaj, mos u habisni shumë shqiptarë të nderuar, dhe sidomos ju që dashuroni islamin, se pse ne jemi kombi më i përçarë dhe më i prapambetur në Europë. Ja ku e keni shkakun dhe përgjigjen.
Duke shfrytëzuar shtetin e dobët e të pavetëdijshëm shqiptar, xhamitë shqiptare po lulëzojnë përditë, dhe përderisa nuk i ndalon askush, ato po bërtasin me ahengun arab, duke dhunuar edhe tolerancën fetare dhe respektin, që shqiptarët tregojnë për besimin e njëri-tjetrit. Pyetja është, po shkojmë drejt një shteti demokratik, apo islamik?
Shqipëria duhet të lëvizë drejt një shteti ligjor dhe të së drejtës dhe drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të firmave të suksesshme shqiptare, investimeve private dhe hapjes së vendeve të punës. Vetëm kështu, ekonomia jonë mund të bëhet e shëndetshme dhe mund të shërohet e konkurrojë tregun. Dhe vendi e kombi ynë, mund të ecë përpara! Me punë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura