ARDIAN RAMADANI: REZIME SKICËS SË MENDIMIT POLITIK SHQIPTAR TË HYSAMEDIN FERRAJT

Kumanovë, 25. 04. 2013 – Libri i autorit të shquar, Hysamedin Ferraj « Skicë e mendimit politik shqiptar » i botuar vite më parë zgjoi kërshërinë time për lexim. Më sfidoi autori edhe me tjetrin libër, me titull «E pafilozofuara» një ese e shkëlqyer politike dhe historike, e gërshetuar me dromca filozofike, por ama libri «Skicë e mendimit politik shqiptar» është libër që me të vërtetë ia vlen të lexohet nga secili studiues dhe intelektual. Për vetë faktin se autori me një penë të mprehtë dhe argumentative shtjellon gjëra që jo vetëm i kanë munguar shkencës dhe historiografisë shqiptare, por edhe merr guximin t`i thotë këto gjëra, ngase ndoshta faktet edhe janë ditur, por ka munguar guximi për t`i radhitur në formë taksative dhe për t`i thënë troç. Kushtin e vendosur nga studiuesi, politologu dhe filozofi bashkëkohor gjerman, Jurgen Habermas, për atributin Intelektual, me gjasa e plotëson Hysamedin Ferraj. Krejt kjo ngase intelektuali duhet të ketë fantazi dhe guxim të flasë publikisht. Ferraj e ka bërë këtë gjë dhe po e bën edhe sot e kësaj dite.
Kësisoj Hysamedin Ferraj si përkrahës i nacionalizmit dhe ideve që dalin nga ajo, mëton të pohojë dhe përkrahë thënien e Entoni Kuintonit që nacionalizmi është përpjekje për të bërë shtetin dhe kombin të përputhen, nisur nga rrethanat kur nuk përputhen ato. Ndërsa duke cituar një varg autorësh, ai ndalet te thënia e Kantit, për ndërtimin e kombit duke pasur vullnetin e mirë për të ndërtuar diçka. E kësisoj edhe vullnetin e mirë për të ndërtuar kombin shqiptar. Sipas Ferrajt ekzistojnë 2 koncepte në teorinë e kombit dhe nacionalizmit :
1. Kombi politik, subjektiv, qytetar, i shtetasit të cilin e kanë anglezët, francezët dhe amerikanët
2. Kombin kulturor, etnik, objektiv, primordial, historik (rasti gjerman, rus dhe italian).
Ferraj duke dhënë informacione të shumta jep një informatë tejet të vlefshme që sipas fjalorit akademik francez të vitit 1777, atdheu përkufizohej si vendi apo shteti në të cilin është lindur ndokush. Kjo teori bazament për kombin politik francez, shërben për shkrirjen e gjithë etnive të tjera, si dhe nuk bazohet në teorinë e gjakut dhe të origjinës. Kësisoj sipas teorisë së parë del se kombi është shteti dhe shteti është kombi. Sieyes thekson që : kombi është trup njerëzish të bashkuar që jetojnë nën të njëjtat ligje dhe që përfaqësohen në të njëjtat mbledhje ligjvënëse. Sipas kësaj teorie shqiptarët nuk dalin të jenë në favor. Pse ? Ngase sipas mendimit tim këtu vjen në shprehje arsyeja shtetërore, e kjo arsye është shpesh herë pretekst për të shkrirë dhe asimiluar grupe të tjera etnike, (kujtojmë rastin e Kosovës ku edhe pse kishte ndonjë pëfaqësues shqifolës në institucione serbe, Kosova ishte e kolonizuar dhe e okupuar, shqiptarët e Kosovës jetonin nën ligjet e Serbisë, por nuk ishin pjesë e shtetit dhe kombit serb).

– Dr.Hysamedin Ferraj – 

Ndërsa tek koncepti i dytë, i cili është në favor të shqiptarëve, ngase bazohet tek gjuha, gjaku, lashtësia, vlejnë edhe 4 kriteret e tjera që janë të domosdoshme për të ardhmen e kombeve : 1. Kriteri i mjaftueshmërisë (kombi të jetë i mjaftueshëm për të qenë si i tillë, respektivisht të qenësojë) 2. Kujtesa historike për një shtet (që ky komb të ketë si detyrë dhe obligim njësimin dhe bashkimin) 3. Ekzistenca e një elite kulturore (ngase pa elitat kombi shndërrohet në krejtësisht diçka tjetër e nuk mbetet komb) si dhe 4. Aftësia e dëshmuar për pushtime.
Shqiptarët këtë kriter të fundit nuk e kanë pasur. Ata duke mos qenë në gjendje të pushtojnë mbetën të eksponuar përballë rudhosjes dhe tkurrjes territoriale, nga fqinjët ballkanikë.
Kësisoj Ferraj duke argumentuar nëpër faza të ndryshme historike nevojën e jetësimit nga ana e shqiptarëve si komb, nxjerr në pah edhe divergjencat ndërshqiptare, lëvizjet kontradiktore dhe kundërshtuese ndërshqiptare. Kësisoj kombndërtimi tek shqiptarët, e më vonë shtetndërtimi është i përcjellur çdoherë me tezën dhe antitezën, me atë që është pro dhe kundër.
Kësisoj Ferraj duke u nisur nga periudha romake, duke dalë në periudhën bizantine e deri tek sundimi osman përshkruan në mënyrë briliante vasalitetin shqiptar përballë të tjerëve. Kësisoj ai nuk mund të paraqitet si rrënues i miteve, po përkundrazi demitizon mitet dhe i kthen në figura reale dhe objektive, në mënyrë që të kihet pasqyrë e qartë për secilin personazh se çka, kush dhe cili ka qenë, ç`farë ka punuar e kështu me radhë. Në dukje i rëndë, sulmi kritik ndaj figurës kombëtare të Skëndërbeut, si një figurë e cila kërkon të dalë me çdo kusht nga pluhuri i mitit dhe stërglorifikimit, i glorifikuar mvarësisht nga pushtetet aktuale që kanë qeverisur në Shqipëri, Ferraj na paraqet një Skëndërbe tjetër, ashtu si nuk do të donim të ishte, por një Skëndërbe real, vasal ndaj Venedikut dhe Papatit, ndërsa figurën e Hamza Kastriotit, Mojsi Golemit …. si figura vasale ndaj osmanëve. Bile dhe vet Skëndërbeu na paraqitet herë si vasal i sulltanit fillimisht, herë i fqinjëve, e herë i Venedikut…. pra, përmes kësaj autori mëton të tregojë se secila figurë shqiptare ka qenë e prirur drejt vasalitetit nga tjetri, për shkak të mosplotësimit të kushtit të vetmjaftueshmërisë dhe aftësisë për pushtime.
Ferraj duke e përshkruar këtë periudhë me një penë argumentative del tek figura e Ali Pash Tepelenës. Kjo figurë servile dhe kontribuese për lirimin e kombit helen, nuk është asgjë tjetër pos vasale ndaj helenëve. Dhe Ferraj me të drejtë shtron pyetjen se përse figura e Ali Pashës shikohet si heroike, ndërsa e Bushatliut heshtet dhe nuk përmendet. Me gjasa sepse ky i fundit nuk ishte vasal i helenëve por i osmanëve. Andaj nuk mund të shpallet hero vetëm njëri vasal, ose duhet të shpallen të dytë heronj ose asnjëri, por sipas tij asnjëri ngase të dytë kanë qenë vasalë.
Ferraj duke shkoqitur periudhën e lavdishme të Rilindjes Kombëtare, thekson se Rilindja Kombëtare dhe Lidhja e Prizrenit janë lëvizje që janë nxitur nga figurat kombëtare shqiptare që kanë qenë në poste kyçe në Perandorinë Osmane. Ai guxon të shprehet se po të mbahej si duhet kursi i Lidhjes së Prizrenit dhe po të luftohej kundër armiqve të vërtetë shqiptar, fqinjëve grabitqarë, e po mos të përçahej Lidhja duke nxituar me vrap shpalljen e luftës kundër Perandorisë Osmane, në momentin kur shqiptarët kishin privilegje në këtë Perandori, do të flitej për rrethana krejtësisht të tjera gjeopolitike.
Por Ferraj thekson se fuqia pëçarëse e fqinjëve grabitqarë bëri të vetën. Në këto rrethana lindi ideja e panballkanizmit. Kjo ide ishte e lansuar nga ministri i punëve të jashtme të asaj kohe Adam Czartoryski. Dhe pikërisht kjo ide, e detajuar më pas edhe nga Ilija Grashanini më 1844 me thirrjen « Ballkani i ballkanasve » nuk ishte asgjë tjetër përpos ishte si një kumt që ti nxiste shqiptarët për luftë kundër Perandorisë Osmane, në mënyrë që këta të dobësoheshin, e kur të dobësoheshin mandej do të ishin fqinjët ata që do t`iu ndërhynin në mes dhe do t`i aneksonin. Rezultati del të jetë kështu. Ferraj merr guximin të jep edhe një fakt të fortë historik, kur shprehet se shqiptarët po mos të përkrahnin panballkanizmin rus dhe serb, do të ishin në favore shumë më të mëdha sot. Ai poashtu shprehet se Isa Boletini, po të mos e kishte lëshuar frontin e luftës që kishte marrë përsipër në Ibër –Mavriq, ushtria serbe me gjasa do të ishte thyer. Ndërsa Ferraj na shpalos faktin e ditur tani më, që figura më e shquar e nacionalizmit shqiptar të jetë Hasan Prishtina, por i cili nuk u përkrah sa duhet nga të tjerët. Hasan Prishtina kishte shkëlqyer dhe gati e kishte thyer ushtrinë serbe në Merdar, por ama sipas Ferrajt një dallëndyshe nuk sjell pranverën.
Duke nxjerrë figurën e Hasan Prishtinës si një figurë të shquar të nacionalizmit shqiptar ai krahason figurat e shtetarëve të tjerë dhe udhëheqësve të tjerë. Kësisoj, Ferraj ndan veprimtarinë e udhëheqësve shqiptarë në dy rryma : 1. Në ata që kanë si synim bashkimin kombëtar duke luftuar fqinjët (nacionalistët e vërtetë), po që nuk e kanë si parësore luftimin e Perandorisë Osmane si dhe 2. Ata që mëtojnë të luftojnë Perandorinë Osmane, e kësisoj të bashkëpunojnë ngushtë me shtetet fqinje.
Por bashkëpunimi me shtetet fqinje është përjashtues për nacionalizmin shqiptar. Ky nacionalizëm i cili nuk është mesianik, është i rrezikuar mbi të gjitha nga ai serb dhe grek. Feraj duke analizuar në thellësi idetë nacionaliste shqiptare thekson se panballkanizmi dhe bashkëpunimi me fqinjët nuk ishte treguar dobiprurës për shqiptarët, as në epokën e Skëndërbeut, as në epokën pas tij, as në epokën e Hasan Prishtinës, e as në epokën e para dhe pas luftërave botërore. Ferraj duke analizuar tre rrymat, të cilat ai i quan si antinacionaliste shqiptare dhe përjashtuese për nacionalizmin shqiptar i ndan ato në : 1. Rrymën zogiste 2. Rrymën noliste 3. Rrymën komuniste dhe enveriste. Që të trija këto rryma janë antinacionaliste shqiptare dhe në thelb kanë panballkanizmin apo bashkëpunimin me fqinjët, në dëm të nacionalizmit shqiptar.
Kësisoj Ahmet Zogu i sjellur në p– ushtet nga serbët, me 2 bateri artilerie fushore, 2 malore, me 10 mitraloza të rëndë, 20 të lehtë, me një ushtri të përbërë prej 1000 trupash të rregullta jugosllave, 1000 rezervistëve të tjerë dhe 500 matjanëve, me një sërë mercenarësh me pagesë afro 800 sosh të gjeneralit Wrangel, të komanduar nga 40 oficerë rus të bardhë si dhe me 16 oficerë të rregullt serb, dëshmon se nuk është asgjë tjetër përpos figurë antinacionaliste shqiptare dhe vegël serbe. Ferraj na jep edhe një fakt tjetër, atë se babai i Ahmet Zogollit, Xhelal Pashe Zogolli, pas Gaspër Krasniqit ishte shqiptari i parë që u rekrutua si agjent i nacionalizmit serb. Ai në Zvicërr kishte marrë emrin serb Stanko Ivanov dhe po nga Serbia i paguhej banesa, shërbëtorët dhe pensioni. Pra, kemi edhe të atin edhe të birin në shërbim të plotë të serbëve. Shkojmë më tutje, Ahmet Zogu në rrethin e tij të bashkëpunëtorëve kishte njerëzit që ishin kryekëput serbofilë : Ceno beg Kryeziu, Xhemil Dino, Iliaz Vrioni, Sejfi Vllajmasi etj. Ahmet Zogu i dekoruar me dekoratën e lartë « Ylli i Karagjorgjit » i klasit të parë më 1926 nacionalizmin shqiptar e kishte quajtur si aventurizëm, e mes tjerash kishte qenë kundër asaj që të zhvillohet luftë kundër pushtueses së krahinës shqiptare me emrin Kosovë, Serbisë pra. Kësisoj për Zogun serbë të mirë ishin radikalët e Pashiqit, por fill pas Zogut edhe Noli si dhe nolizmi si lëvizje antinacionaliste shqiptare del në vazhdën e atyre lëvizjeve që nuk kishin synim nacionalizmin shqiptar, por bashkëpunimin me fqinjët. Për Nolin nacionalizmi shqiptar ishte luks, ndërsa për të serbë të mirë ishin demokratët e Davidoviqit. E në fakt foli krejtësisht e kundërta, se as ata të Pashiqit për shqiptarët e as këta të Davidoviqit nuk do të ishin të mirë, po do ishin kobsjellës për shqiptarët. Lajthitjen e njëjtë do ta bënte edhe Enver Hoxha vite më vonë, duke mos marrë mësim nga historia dhe duke lidhë aleancë me komunistët jugosllavë në dëm të aspiratave nacionale shqiptare.
Sipas Ferrajt nacionalizmi shqiptar është përjashtues për bashkëpunimin me serbët dhe sllavët (përderisa ata e mbajnë të okupuar Kosovën dhe viset tjera shqiptare) si dhe me grekët (që mbajnë të okupuar pjesën shqiptare të Çamërisë). Megjithë thirrjen e disave, për shembull të Jani Vretos për një komb shqiptaro helen, kjo gjë për Ferrajn është antinacionalizmit shqiptar, sepse s`mund të ketë bashkëpunim as me sllavët e as me grekët, kur ata mbajnë territore të okupuara tonat.
Kur arrin te lëvizja komuniste shqiptare, e përbërë nga një sërë Kiçosh e Koçosh, me origjinë tjetërfare prej asaj shqiptare, lëvizje kjo e përkrahur nga jugosllavët, duke analizuar enverizmin dhe veprimin e tij dhe të makinerisë së tij, Ferraj nuk e dallon as figurën e Enver Hoxhës nga Zogu dhe Noli, bile thekson se enverizmi në fakt, është stalinizëm e stalinizmi është pansllavizëm i përcjellur me komunizëm. Koncepti enverist sipas Ferrajt barazon kufijtë e atdheut me ato shtetërorë. Më 1975 shkruhej nëpër libra « atdheu ynë nga Vërmoshi në Konispol » pra sipas konceptit enverist shqiptarët ishin vetëm nga Vërmoshi gjeri në Konispol, e jo jashtë këtij territori.
Vet ideja e komunizmit, e marksizmit dhe e leninizmit ishin në fakt përjashtuese për nacionalizmin shqiptar. Sipas Ferrajt, i cili citon studiuesin serb Gajo Petroviq, Marksi megjithë se nuk kishte menduar gjithmonë mirë për sllavët, me idetë e tij kishte pasur më shumë sukses tek to, por në formën e vet të stalinizuar apo sllavizuar.
Ferraj duke kritikuar mercenarizmin shqiptar, por edhe duke satirizuar me shembullin kur dikush i drejtohet shqiptarit : « Do shkosh në ferr ? Sa të paguajnë » atje i përgjigjet shqiptari, kritikon qasjen mercenare të udhëheqësisë shqiptare që është gati për privilegj e pushtet të bëjë gjithçka. Duke analizuar enverizmin si rrymë kryekëput antinacionalizmit shqiptar e bile edhe përjashtues për të, Ferraj me fakte provon të bind lexuesin se edhe Enver Hoxha nuk ishte asgjë tjetër, pos një njeri i cili për pushtet ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka. Ndërsa vet idenë e komunizmit shqiptar të Hoxhës, Ferraj e njëson me stalinizmin, e stalinizmi është krejtësisht kundër nacionalizmit shqiptar. Ferraj ardhjen në pushtet të komunistëve shqiptarë ia atribuon komunistëve jugosllavë, ndërsa heshtja e komunistëve shqiptarë përballë krimeve dhe gjenocidit serb (lexo : masakra e Tivarit) e konsideron turp dhe njollë të keqe, si dhe vulosëse për meritimin e definimit të komunizmit shqiptar si anti nacionaliste.
Ferraj duke dhënë fakte të pamohueshme thekson ndikimin e rrymës vllehe në sistemin komunist shqiptar. Kësisoj nga 8 anëtarët për redaktimin e Historisë së Shqipërisë 5 sipas Ferrajt nuk janë shqiptarë, respektivisht 4 janë vlleh duke përfshirë edhe redaktorin përgjegjës Stefanaq Pollo, 1 është hebre Aleks Buda, i cili është edhe kryetar i ASHASH. Ferraj duke cituar autorë të tjerë e sheh komunizmin si revoltë të intelektualëve toskë kundër atyre gegë. Kësisoj edhe në aspektin e besimit feja islame dhe ajo katolike ishin më të persekutuara në Shqipërinë komuniste. Nga 2169 institucione fetare të rrënuara 1270 i takonin Islamit (740 xhami, 530 teqe, tyrbe dhe mekame) si dhe 157 kisha katolike. Si monumente kulture gjatë regjimit komunist ishin ruajtur vetëm 4 xhami, 1 kishë e besimit katolik dhe 14 të besimit ortodoks. Ndërsa prej të të dënuarve gjatë komunizmit me vdekje 5 ishin klerikë ortodoks, 23 muslimanë dhe 127 katolikë. Andaj edhe enverizmi, si antinacionalizëm shqiptar dhe stalinizmi si nacionalizëm rus nuk janë përjashtues për njëri tjetrin, respektivisht janë përjashtues për nacionalizmin shqiptar.
Pra, sipas Ferrajt zogizmi, nolizmi dhe komunizmi shqiptar (enverizmi) janë në thelb anti nacionalizmit shqiptar dhe përjashtues për të. Edhe pse nolizmi dhe zogizmi ishin kundërshtuese ndaj njëra tjetrës, ato janë përjashtuese për nacionalizmin shqiptar. Ndërsa sipas Tënes nga nolizmi kalohet lehtë në komunizëm shqiptar dhe anasjelltas, por që këto dyja të kenë lidhje me nacionalizmin shqiptar, kjo është e pamundur.
Për në fund mund të konstatojmë se kjo vepër e ndërtuar me një mprehtësi dhe argumentim shkencor, e dedikuar për studentët e shkencave politike dhe historisë, por edhe për ithtrët e librit, meriton të lexohet, jo që të pranohet verbërisht e tëra si e saktë, por të studiohet dhe analizohet me korrektësi dhe konsistencë. Përpjekja e Hysamedin Ferrajt për të nxjerrë në dritë dy lëvizjet, atë pro dhe kundër nacionalizmit shqiptar ia vlejnë të studiohen, komentohen dhe lexohen nga secili lexues. Ndërsa për atë se në çfarë gjendje jemi nuk duhet të fajësohet askush tjetër, pos nesh. Sepse edhe Franc Kafka do të shprehej në një rast se : « Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht fajit ». Por nuk duhet edhe të bëhemi ndjekës të verbër të atyre që shkruajnë, megjithëse mund të kenë edhe të drejtë. Lypset kundërshtuar dhe polemizuar. Krejt kjo ngase njeriu duhet të jetë dijetar, e ai është i tillë derisa merret me kërkimin e diturisë, por në momentin kur të mendojë se është bërë dijetar, ai është shndërruar në jodijetar.
– Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe publicist, opinionist dhe kolumnist i rregullt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura