Shkup, 02. 04. 2015 – (Vështrim librit “Unë jam gegë”, autor Mustafa Nano, shtëpia botuese universitare “UET Pres”, Tiranë, 2013, 193 faqe) – Libri i autorit Mustafa Nano mori dhenë. Ky libër doli në dritë në momentin kur dikotomia gegë-toskë është bërë tejet shqetësuese, në momentin kur shqiptarët në vend të unifikimit dhe bashkimit shpirtëror dhe kombëtar, janë të prirur drejt fragmentarizimit, e kjo jo edhe aq për fajin e tyre sa për fajin e elitave drejtuese politike dhe intelektuale.
Me të drejtë edhe Primo Shllaku, i cili ka shkruar parathënien e këtij libri, thekson që ky libër edhe sikur të kishte titullin « Une jam gay » nuk do t`i çudiste edhe zgjonte kërshërinë lexuesit dhe auditorit, po aq sa i ka zgjuar me titullin « Unë jam gegë ». Edhe pse për disa binomi gegë-toskë, bashkë ose ndarazi mund të jenë fjalë pa kuptim ose historizëm thjesht, sot më shumë se kurrë ky binom i tillë çfarë është shfaq dhe shpërfaqet si sfidë në vete, mu ashtu sikurse edhe binomi ilir-epirot.
Megjithë këtë dikotomi dhe divergjencat që mund të dalin nga kjo dikotomi, autori, gazetari, analisti dhe intelektuali Mustafa Nano mendon që në fillim se ata që bëjnë komb janë gegët, e ata që bëjnë shtet janë toskët. Autori fillon librin me konstatimin që e ka vendosur edhe në titull, nga ilirët te gegët, nga epirotët tek toskët. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, viti 1980. Artikulli « gegë » shfaqet dy herë, njëherë në kuptimin « banor vendas i krahinave veriore e të mesme të Shqipërisë, pse ai me prejardhje nga këto krahina » dhe herën e dytë në kuptimin « që lidhet me krahinat veriore dhe të mesme të Shqipërisë, ose me banorët e këtyre krahinave, karakteristik për këto krahina ». Jepen dy ilustrime « toskët dhe gegët », dialekti gegë. Ndërsa tek artikulli « toskë »që shfaqet poashtu si term dy herë, në të dyja rastet shkoqitur mu si termi gegë, mirëpo duke pasur plus edhe kufirin që ndan Gegërinë me Toskërinë, lumin Shkumbin. Megjithë tentimin për fashitje dhe mospërdorim të kësaj dikotomie, ndasitë prapë se prapë ekzistojnë. Me gjasa autori nuk e kishte dëgjuar më herët këtë term binomësh tosk-gegë, veçse në vitin 1990. Më herët ky term nuk ishte përdorur. Edhe pse këto terma nuk u hoqën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, por u përdorën deri në vitin 1960, më vonë ishte bërë praktikë të os përdorej ky term, më shumë prej skrupujve se sa me ndonjë porosi apo urdhër. Dhe taksativisht radhit autorët që kanë shmangur përdorimin e këtyre termave, duke filluar që me Aleks Budën i cili në librin me titull « Shkrime historike », duke ndjekur gur më gur historinë e Shqipërisë që nga lashtësia deri në ditët e sotshme, nuk ka përmendur as edhe njëherë të vetme termat gegë e toskë. Aty gjenden termat Labëri, Dukagjin, por jo edhe Gegëri e Toskëri. Poashtu edhe Kristo Frashëri bën të njëjtën gjë, i cili përpos fjalës « Toskëri » që përmend 3-4 herë, në librin « Historia e qytetërimit shqiptar », nuk përmend më tutje këto terme.
Ndërsa në librin « Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë » i njëjti autor përmend vetëm njëherë termin Gegëri e njëherë Toskëri. Shaban Demiraj me Kristaq Priftin, në monografinë e tyre mbi Kongresin e Manastirit, i përmendin këto dy terme vetëm në ndonjë citim ose në procesverbalet e Kongresit. I vetmi që përdor tek-tuk këto fjalë është Eqrem Çabej. Edhe Duka ndjek shembullin e njejtë të profesorëve të vet në librin Historia e Shqipërisë 1912-2000. Pra autori Nano, nxjerr konstatimin se zotimi për të mos ëprmendur këto « fjalë të turpit » dhe betimin e tyre për këtë gjë, është si një lloj hipokrizie akademike. Gegëria dhe Toskëria sipas autorit janë dy pjesë konstituive të kombit shqiptar, ndërsa gegët dhe toskët kanë qenë gjithmonë pjesë e ekuacionit të real politikës kombëtare shqiptare. Megjithë mëtimin e Enver Hoxhës dhe shpurës së tij për mos të bërë pis imazhin kombëtar përmes theksimit të identiteteve lokale e krahinore, arrihet në konstatimin se përmendja e shpeshtë e këtyre termave do të nxirrte në pah këtë dikotomi, si nëj cen apo papërsosmëri kongjenitale të kombit shqiptar (i cili sipas Nanos vuan edhe nga një sëmundje tjetër e bartur që nga lindja e tij, natyra multifetare e tij). Ndërsa të gjithë të huajt që janë marrur me Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk gjen asnjë prej tyre që nuk ka përmendur dhe nuk ak folur për gegët dhe toskët. Disa mendimtarë mendojnë se ndarja ggegë-toskë ka qënë e kahmotshme, duke filluar që me dallimin gjuhësor, duke filluar që me Arshi Pipën, i cili bën ndërlidhjen epirotë-toskë dhe ilirë-gegë ndërsa edhe autorja Nathalie Clayer ndan mendim të njëjtë. Ajo shprehet se Austro-Hungaria ka forcuar idenë se gegët janë pasardhës të ilirëve, ndersa toskët kanë besuar se janë pasardhës të pellazgëve. Ndërsa gjeologu austriak Ami Boue, ndarjen gegë-toskë e sheh që nga koha e pushtimit romak, ku pjesa Jugore formoi Epirin, epjesa tjetër ngeli nën romakët. Këtë tezë sipas Nanos, mbron edhe Johan Georg von Hahn, albanolog i shquar, i cili mbështetet tek ideja e Strabonit, gjeografit të famshëm grek. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe Wadham Peackock, autor britanez, Indro Montanelli, gazetar i njohur italian, Joseph Swire, historian britanik, i cili shkon edhe më larg duke nxjerrë në pah edhe dallimet e lehta racore mes shqiptarëve të veriut dhe të jugut.
Sami Frashëri dhe Pashko Vasa, përmendin Gegërinë dhe Toskërinë, duke ravijëzuar edhe kufijtë e këtyre rajoneve. Autorë të tjerë të huaj i mëshojnë idesë se ndarja gegë-toskë ka edhe një burim tjetër, pushtimin e gegëve nga serbët pas shek. 6 ndërsa toskët nga bullgarët dy shekuj më vonë. Ndërsa ndasitë janë theksuar edhe në fund të shek 18 dhe fillim të shek. 19, kur shqiptarët gjendeshin nën dominimin osman, Bushatlinjtë në Veri dhe Ali Pashë Janina në Jug, me Pashallëqet e tyre, të cilët edhe kishin luftuar mes veti. Ami Boue, por edhe George von Hahn, shprehen se toskët dhe gegët nuk merren vesh njëri me tjetrin, sepse mes tyre mbretëron një antipati e trashëguar gjysh-stërgjysh, e cila shkakton zënie e grindje… Sipas Mustafa Nanos, emërtimet Toskëri dhe Gegëri, janë përdorur më shpesh pas periudhës së pashallëqeve. George Gawrych që kë gërmuar mirë në arkivat osmane, na bën me dije se dokumentet zyrtare që ai ka hulumtuar, i kanë rënë në sy më shumë termat « Gegëri –Toskëri » sesa shqiptarë e Shqipëri. Ndërsa Nathalie Clayer i referohet salnamesë osmane (dokument zyrtar i Perëndorisë, i ngjajshëm me vjetarë e sotëm statistikorë, që qeveritë e nxjerrin çdo vit), flet për një Shqipëri të ndarë në Gegalik dhe Toskalik. Kjo salname është e vitit 1896. Por në këtë kohë rilindasit kishin dalur në skenë duke tentuar krijimin e kombit shqiptar nga « hiçi », duke luftuar ndasitë dhe përçarjen mes shqiptarëve. Por ishte tejet e vështirë, sepse në atë kohë distanca ishte tejet e madhe, vetëm për ilustrim 200 km rrugë të shtruar në atë kohë ka pasur Shqipëria e vitit 1912.
Autori më tej vazhdon me shkoqitjen e gjërave ku megjithë ndasitë, gegë e toskë vihen në kërkim të sho-shoqit, duke filluar që nga alfabeti i përbashkët, me mbledhjen në Stamboll, me një rol tejet të theksuar të autoriteteve otomane. Sipas disa autorëve kjo është mbledhja e parë që janë bërë bashkë gegë e toskë. Këtë mendim e ndajnë edhe Kristo Frashëri e edhe Arben Puto. Por sipas autorit faktet përgënjeshtrojnë këtë version. Ngase Lidhja e Prizrenit ishte një reagim vetmbrojtjeje, i nxitur nga disa konjuktura nderkombetare, nën kontrolin dhe nxitjen e otomanëve. Por sidoqoftë gegë toskë u bënë bashkë aty në përpjekje për unifikim. Kujdes në përpjekje ama.
Antonio Baldacci, antropolog dhe autodidakt italian, mbron tezën se nëse don të gjesh shqiptarin e pastër atë e ke mes gegëve. Edhe Edith Durham potencon se në Toskëri « ka shumë grekë e vllehë, me të cilët shqiptarët kanë bërë martesa ». Ndërsa sipas saj sipër Shkumbinit popullsia është e tëra shqiptare. Mirëpo sido që të jetë qysh në krye të herës toskët ishin ata që e pranuan më lehtë sundimin osman, e u bënë njësh me këtë sundim. Gegët më pak, por secili grup u desh të paguante një taksë për këtë zgjedhje. Të parët mbetën më të prapambetur të dytët humbën nga tharmi i tyre identitar. Përderisa E. Durham potencon se instiktet fisnore tek gegët janë më të forta, tek toskët sheh njëfarë esprit de corps dhe …. pastërti.
Më tutje në libër autori duke u marrur me figura të ndryshme historike të penës dhe pushkës, analizon veprimet e tyre, vështron dhe nxjerr në pah divergjencat dhe inatet gegë-toskë, gegë-gegë, toskë-toskë. Habitesh nga argumentet dhe forca bindëse e tyre.
Mustafa Nano pohon me një guxim të pashoq se kontaktin e parë me gegërishten e kishte pasur si të gjithë fëmijët e tjerë toskë, gjatë viteve të shkollës, në lëndën e leximit letrar, tek poezitë e P. Vasës, N. Mjedës apo Migjenit. Edhe pse me më tepër vështirësi, ai arrinte përsëri t`i mësonte poezitë e tyre, për dallim prej atyreve të Naimit, Asdrenit apo Çajupit. Nano arrin në konstatimin se komunizmi pengoi shqiptarët që të njohin veten e pastaj botën. Përmend rastin e mosnjohjes së tij të një autori të shquar Vangjel Koçen. I cili ishte gegë. Apo përmend rastin e Nexhmedin Spahiut, i cili nuk kishte njohur Nebil Çikën, një publicist i famshëm. Apo mosleximi i Martin Camajt nga Primo Shllaku.
Duke përmendur kronologjitë të ndryshme autori përshkruan me saktësi edhe tentativën e Arshi Pipës, për të rikuperuar gegërishten e shpërfillur nga Shqipëria socialiste dhe nomenklatura politike e akademike toske . Me siguri edhe ata dishepujt e gegënishtes nisen nga ky konstatim i Pipës. Duke mëtuar të nxjerrin gegërishten në epërsi ontologjike ndaj toskërishtes, përmes paskajores, prej rotacizmit të munguar dhe pasurisë leksikore. Mirëpo këtë nismë e kundërshtojnë ata që në njëfarë mënyre morrën pjesë si gegë, në Kongresin e Drejtëshkrimit. Rexhep Qosja i quan ideologë të shpërbërjes së kombit. Më pas vjen Dh. Shuteriqi, I. Ajeti, M. Domi, J. Kastrati, B. Beci. B. Bokshi etj.
Autori Nano në gamën e kontribuesve të shqipes afirmon katër B-të, Buzukun, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, si kontribuues të gjuhës shqipe, që kanë shkruar të parët gjuhën shqipe, duke ndikuar në zgjimin kulturor e kombëtar. E mbi të gjitha për shkak të përdorimit të alfabetit latin. Port ë një vlere i sheh edhe ata të letërsisë së Bejtexhinjve. Edhe pse kanë shkruar me alfabet arab. Muhamet Kyçiku, Baba Meleq Shembërdhenji, Ibrahim Nezimi janë kolos të shquar. Mjafton të shohim poemën « Ervehaja » të Kyçikut dhe aty do të shihet një shqipe e pastër dhe e kulluar, burimore. Përpos emrit të poemës. Ata sipas Nanos ishin njerëz të fesë, por ishin edhe shqiptarë.
Sipas E. Çabejt zhvillimii gjuhës shqipe që nga Lidhja e Prizrenit e më tutje… është zhvillimi më i madh që ka përjetuar shqipja që nga Buzuku më 1555 e gjer në kohën e Hahnit 1845. Një fakt shumë bindës dhe i domosdoshëm për ta thënë. Apo rithënë.
Ndërsa duke analizuar mendimet e Ardian Vehbiut vis-à-vis Arshi Pipës, autori nxjerr në pahë mendimet e dy autorëve të shquar, i pari mbrojtës i standardit, me arsyetimin se standardi është përfshirës, jo ëprjashtues, i hapur për tu pasuruar me fjalë të reja dhe me norma, mjete e struktura fjalëformuese. Ndërsa Arshi Pipa shpërfaq edhe njëherë idenë e epërsisë së gegërishtes, e sidomos me paskajoren gege. Sipas Pipës paskajorja gege përkon me paskajoren e anglishtes, ndërsa shprehja toske për të plus pjesoren e shkueme të foljes bazë nuk e sheh si diçka përkuese me infinitivin e anglishtes. Pipa e nxjerr në shesh këtë me përkthimin e frazës së njohur tek Hamleti i Shekspirit « To be or not to be, that is the question », duke e përkthyer këtë « Me qenë apo mos me qenë kjo është pikëpyetja », krahas përkthimit nolian « Të rrosh a të mos rrosh ja kjo është çështja ». Nano sheh përkthimin e Pipës si diçka që zotënon një shkallë më të pasur vokalike.
Gati në fund autori shtron dilemën se shqipja standarde a është problemi për kosovarët ? Apo është zgjidhja e problemit ? Ai potencon se në Shqipëri nuk ka një problem papajtueshmërie mes gegëve e standardit me bazë toskërishten, gjë që nuk është e njëjtë me shqiptarët e Kosovës. Pipa për shembull, sipas Nanos, mbron qëndrimin se kosovarët me tiparet e veçanta fonetike që nuk gjenden as në dialektet e tjera të gegërishtes, nuk parapëlqejnë shqipen standarde, e cila nuk u shkon për shtati. Ai mbron në librin e tij « Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste » qëndrimin se mishmashi i formave të ligjërimit të kosovarishtes së përzieme me klishe të marra hua prej shqipes zyrtare si dhe prej serbo-kroatishtes. Edhe Ernest Koliqi menjëherë pas Kongresit të Drejtëshkrimit (1972) shpreh mendimin se kosovarët ndihen të sikletosur me kanë vështirësi të shprehen me një të folme shumë larg, si fonetikisht edhe në strukturën interne, larg prej të folmes së tyre. Mirëpo në anën tjetër argumenti përplasës është se asnjë nga poetët e njohur kosovarë, e as Esad Mekuli (Sat Nokshiqi), e as ndonjë nga poetët e njohur kosovarë, as ndonjë nga elita politike apo kulturore nuk e kanë ushqyer tezën e papajtueshmërisë së kosovarëve me gjuhën standarde.
Sipas Mustafa Nanos, Arshi Pipa, mbron mendimin e një gegërishte të standardizuar, e për rrjedhojë idenë e shqipes me dy standarde. Po kështu edhe Primo Shllaku, i cili fton kontributin e shtetit dhe mobilizimin e resurseve publike e nacionale në këtë funskion dhe drejtim. Për të përjetësuar në terma gjuhësorë, topitjen e kosovarëve dhe dikotominë gegë/toskë. Poashtu edhe Ledi Shamku-Shkreli në librën e tij « Standard apo neostandard » fton për rishikim të standardit, i cili sipas tij nuk është dogmë. E Ardian Vehbiu fton në riafirmimin e gegërishtes. Shkruani në gegërisht e jo për gegërishten, lëshon kushtrimin ai. Sipas tij me të drejtë gegërishtja ka nevojë më shumë për shkrimtarë të mirëfilltë sesa për analistë polemizues. Pra sipas tij Vehbiu kërkon që standardi të mos preket e as të dublohet, por të rikuperohen vlerat dhe prestigjet e gegërishtes. Edhe pse Arshi Pipa mendon se mungesa e rishikimit të një standardi të dytë do të na shpije deri tek një kanosje sektare gegë-toskë, Mustafa Nano, me një erudicion të pashoq thekson se ky problem zgjidhet përmes një debati të ngritur mbi premisa, që problemi duhet pranuar, që nuk zgjidhet nëse palët nuk dalin nga llogoret, duke pasur në fokus interesin kombëtar e jo motivimet e solidaritetet lokale. Duke pasur për precedent Kongresin e Manastirit. Sepse aty u ra në ujdi mbi një çështje me interes vital kombëtar. Duke lëshuar secila palë diçka nga vetja. Kongresi i Manastirit sipas Nanos, nuk ka rëndësinë e çështjes së trajtuar, por me mënyrën se si është trajtuar.
Nano përfundon librin me parantezën e fundit shumë të fortë emocionalisht për çdo lexues, kur Hoxha Hafëz Ibrahim Efendiu qante në krahët e At Fishtës më 1908. Ai përmend rastin kur at Fishta, i cili nuk kishte ardhur të mbrojë alfabetin e Bashkimit, por kishte ardhur të bashkohet me pjesëmarrësit e Kongresit dhe të adoptonte atë alfabet, të cilin Kongresi do ta vendoste si më të dobishëm për ngritjen e popullit, si dhe thekson rëndësinë e unifikimit përmes përqafimit që hoxhë Hafëz Ibrahim Efendiu, një hoxhë nga Shkupi, i zuri rrugën priftit françeskan, Gjergj Fishtës duke e përqafuar me lot në sy, dhe duke e puthur si një fëmjë. Një rast sa emocional aq edhe emblematik. Gjergj Fishta, poet françeskan, në krahët e hoxhës musliman. Shumica e delegaatëve në atë ngjarje kishin qenë të krishterë, por treçereku i spektatorëve që mund të ishin 300-400 veta, ishin muslimanë gegë e toskë. Kish edhe turq, grekë, vllehë që bënin sehir.
Por ky unifikim ishte një Mise-en-scene e denjë për kombin tonë dhe për historinë e tij.
Mendoj se ky libër i autorit Nano, e ka vendin në mesin e librave, simbolika e të cilave është qëndrimi në një linjë unifikuese, duke përqafuar dallimet gjuhësore, zakonore, …..
Me të drejtë autori qysh në vitin 2009, me një konstatim që lirisht mund ta quajmë shkencor, arrin në konstatimin shumë përmbledhës për gegët-toskët. Ai shkruan : « gegët janë qeflinj të armëve, toskët qeflinj të parave ; gegët dijnë të bëjnë luftë, toskët propagandë ; gegët janë trima, toskët janë mendjehapur ; gegët janë të dhënë pas fisit, toskët pas vetes ;gegët janë poetikë, toskët prozaikë ; gegët janë të zgjuar, finokë e dinakë, toskët të mençur, pragmatistë e të korruptueshëm ;gegët pëlqejnë jetën rapsodike brenda fisit, toskët pëlqejnë jetën sociale jashtë shtëpisë ;gegët duan ta shikojnë bukurinë, toskët duan ta shijojnë atë ; gegët pëlqejnë burrërinë, toskët njerëzillëkun ; gegët duan gratë për t`i nderuar e për tu ndëruar prej tyre, toskët i duan gratë për t`i kënaqur e për tu kënaqur prej tyre ; gegët jetojnë për një nder, toskët për një çikë qejfi ;gegët janë fanatikë, toskët të shthurrur ;gegët te çdo njeri shohin mikun/armikun, toskët shohin një ortak ;gegët bartin vyrtyte kombëtare, toskët vyrtyte civike ; gegët janë të dhënë pa snormave etike, toskët pas atyre civile ; gegët parapëlqejnë vetëgjyqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnë të jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti ; gegët shohin me dyshim modernitetin, toskët shohin traditën ;gegët janë tradiconalistë, konservatorë e reaksionarë, toskët janë progresistë, liberalë e revolucionarë ; gegët janë zogollian, toskët fannolian (unë do të shtoja edhe enveristë) ; me gegët ndërton komb, me toskët ndërton demokracinë dhe shtetin e së drejtës ; gegët janë të djathtë, e toskët të majtë ».
Nuk kam se çfarë të shtojë më tepër, as edhe një pikë, as edhe një presje. Mbetet të mburremi me këtë autorë, i cili me këtë libër ka plotësuar një zbrazëti të madhe mes nesh. Për në fund dua të bëj analogji me ata që duan ta lëxojnë këtë libër. Kur Majsi i parashtroi pyetje Enest Heminguejit, se ç`libra duhet lexuar, ai iu përgjigj të gjitha, që të dijë se me cilin duhet të matet. Por kur Majsi e pyet shkrimtarin e famshëm se, megjithatë të gjitha s`ka si ti ketë lexuar, pra nuk mundet. Ernest Heminguej i përgjigjet : « Unë nuk thashë ç`mundet, por ç`duhet ». E unë besoj se libri i Mustafa Nanos « Unë jam gegë » është një libër që edhe duhet lexuar edhe mundet të lexohet. E aq më tepër edhe të kuptohet.
– Autori është profesor, përkthyes, publicist dhe autor i katër librave.