BEHXHET SH. SHALA: LEHTËSUESIT DHE SHTRËNGUESIT, INJORANTËT DHE EKZEKUTUESIT

Pashtriku.org, 26. 08. 2013 – Si pupla lehtësues, si robëria shtrëngues – Kosova është vend i ndodhive por edhe i çudirave. Po të kishte kaluar këndejpari Liza ai tregimi i mrekullueshëm për fëmijë e të kamurve (politikanëve psh.dhe shërbyesve të tyre siç janë biznesmenët dhe “intelektualët”) “Liza në botën e çudive “do të shkruhej ndryshe dhe do të kishte tjetër përmbajtje. Dhe historia do të merrte një tjetër drejtim. Mirëpo, edhe në këto rrethana Kosova u dëshmua se është si ai zogu (jo i Tunës) por Feniksi sepse u ngritë mbi gërmadhat dhe hirin e saj që e lanë pas vete Millosheviqi, Koshtunica, Nikoliqi dhe Daçiqi me shokë që sot po bisedojnë (dy prej tyre) për forcimin e Serbisë brenda Kosovës ndërkohë që Koshtunica dëshiron të ndërhyjë në gjeografi duke e fshirë Kosovën nga harta gjeografike! Millosheviqi është në rrethin e 1765 të rrethit të ferrit të Dante Aligerit duke pritur të rehabilitohet nga simpatiku i baroneshës së Brukselit! Dhe ky rehabilitim mund të ndodhë shumë shpejt aq më parë që “normalizuesi” i marëdhënieve me Kosovën kohë më parë e ka rehabilituar Aleksandar Rankoviqin i njohur që ka kryer krime të llahtarshme kundër shqiptarëve që nga viti 1945 e deri në vitet 70-ta kur e larguan nga posti pas Plenumit të Brioneve.

Në fakt krimineli Tito e largoi me pretekst se ka ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve mirëpo arsyeja e vërtetë ishte se ai u rrezikua nga Rankoviqi, Jovanka Broz dhe gjeneralët serbë të Likës në me krye Gjoko Jovaniqin. Tito e forcoi pozicionin te shqiptarët e Kosovës duke iu dhënë një infuzion edhe politikanëve dhe “intelektualëve” shqipfolës që ishin pjesë e mekanizimit dhunues të Rankoviqit e tash e “gjykonin” kriminelin që e rehabilitoi Ivica Daçiq , pjellë politike e Slobodan Millosheviqit! Asokohe nënat tona nuk kishin dëgjuar për Lizën në botën e çudirave andaj nuk na i tregonin këto tregime por tregonin se si fshatra të tëra dhe lagje të qyteteve po shpërngulen në Turqi, në krahinat ku mizat brejnë hekur, për shkak të dhunës policore të përditshme. Baballarët na vinin të mavijosur, pa dhëmbë dhe dhëmballë dhe për muaj të tërë nuk qëndronin në këmbët e tyre. Sa dhunimet, vrasjet dhe burgosjet ndodhnin atëherë! Në krye të kësaj piramide të krimit ishin Tito dhe Rankoviq! Rehabilitimi i Rankoviqit pikërisht në kohën e “normalizimit“ të marëdhënieve me Kosovën është goditje e radhës që po e bënë Daçiqi ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Pasi jemi te normalizimi më duhet të theksoj se në ekipin negociator të Serbisë është edhe një serb i Kosovës me të cilin u pata takuar në shtëpinë e atdhetarit të mbytur nën torturë Shefki Latifi – Monolli në Besianë para se fillonte varrimi. Unë isha në cilësinë e aktivistit për të drejtat e njeriut – KMDLNj ndërsa ai ishte në cilësinë e ekspertit të mjekësisë ligjore. Kishte ardhur që me letra ta mbulojë krimin e policisë së Serbisë kur shenjat e dhunës shtazarake fizike vëreheshin edhe nga Hëna! Nuk është thjesht një simbolikë! Përmes rikthimit në një të kaluar me plotë vuajtje për shqiptarët ai po i gërryen plagët tona! Duke na provokuar po na bënë me dije se ambalazhimi mund të ketë ndryshuar por përmbajtje dhe synimi mbeten të njëjtë! Ndërsa këta zogjtë tanë të Tunës po i fusin veshët në lesh!
Faktikisht Kosova, që nga përfundimi i luftës ka pasur lehtësues për t’i ndihmuar proceset politike por edhe për të bërë përpjekje për t’ua zbutur dhembjet dhe vuajtjet. Lehtësuesit kanë qenë ndërkombëtarë, miq të mëdhenj, që na kanë lehtësuar duke na shaluar dhe vendorë që, duke kuptuar vuajtjet tona kanë marrë përsipër këtë mision aspak të lehtë! Lehtësuesi i parë vendor nuk u vlerësua sa duhet sepse, thjesht nuk ishte ndërkombëtar ndonëse me mish e me shpirt deshi të ndihmojë! E kuptoni se e kam fjalën për Bajram Rexhepin i cili në emër të qeverisë së atëhershme në fshatin Reçak i dha përkrahje asaj nënës plakë legjendare por nuk hasi në mirkuptim! Madje, këtu edhe mori fund misioni lehtësues i Bajram Rexhepit! Shtëpia e vetme publike e legalizuar në Kosovë – RTK vetëm një herë e pati dhënë përgjigjen e Plakës së Reçakut dhe pastaj asnjëherë nuk e ka përsëritur në përpjekje për ta mundësuar vazhdimin e karrierës së lehtësuesit Rexhepi ! Fatkeqësisht për Bajramin dhe fatmirësisht për nevojtarët këtij misioni iu vë pika. Por ka mbetur si dokument i filozofisë popullore se: ”çka kërkon njeriu , ate e gjenë”! Me një lule nuk vjen pranvera prandaj e kemi lehtësuesin tjetër i cili ka vepruar dhe për fat tonin të mirë ende po vepron çdokund ku bukës i thuhet hleb dhe ujit i thuhet voda! Puro shqiptar është angazhimi i tij. Ka vepruar edhe në Afganistan ku Shqipe ( onjën ) Hebibi e shpëtoi nga kthetrat e mullahëve të Talibanit si degë të BIK-ut të Kosovastanit! Ku duhet të mbrohen interesat e shqiptarisë në kuadër të Serbisë dhe Rusisë , flijimi ka qenë i përmasave biblike për Mongolinë ekzotike!
Lehtësuesit ndërkombëtarë kanë qenë të shumtë. Ata klerikët e Shën Exhidios që donin të na linin nën Serbinë me drejta të plota politike siç ishte ruajtja e alfabetit me shkronja cirilike! Na lehtësuan në Rambuje duke na ngulur në kunj (si dikur turqit e sulltan Muratit) nga i cili kurrsesi të lirohemi! Vetëm po ngulemi thellë e më thellë! Na lehtësuan në Vjenë politikisht dhe materialisht! Na lehtësoi shumë edhe Tribunali i Hagës me zonjën Karla del Ponte! Na lehtësoi UNMIK-u, EULESH-i e tash po bëhet gati të na lehtësojë OSBE me postierët e Valdete Dakës! Fort na ka lehtësuar dhe fatmirësisht po vazhdon të na lehtësojë edhe baronesha Ashton. Me një fjallë dikujt po ia flladitë! Është interesant se pas çdo lehtësimi lartësia e kunjit ku na kanë ngulur ka treguar rënie. Sa ishte fillimi i kishim ndjenjat e përziera të dhimbjes dhe kënaqësisë! Tash ka filluar të na dhemb pak si shumë! Për kënaqësi as që mund të flitet! Është interesant se pas çdo lehtësimi situata është ngatërruar më shumë sipas stilit të leshit të arapit! Pata dëgjuar se kur të bëhet puna lesh arapi, ngushtë do ta kemi! Lehtësuesit tanë ndërkombëtarë, ndryshe miq të politikanëve tanë na fusin llugave për arritjen e marrëveshjeve por nuk marrin asnjë përgjegjësi për zbatimin e tyre! Ta fusin deri në asht e pastaj thonë të merremi vesh me Serbinë! Serbia nuk merr vesh sepse nuk detyrohet të merr vesh! Neve na detyrojnë ta marrim vesh se si është jeta në Mars kur as prapanicën nuk e kemi në Tokë! Lehtësuesi i radhës për të cilin besoj se nuk do të jetë i fundit OSBE pati mbetur pa punë krejt. Ishte në prag të falimentimit! Valdete Daka i angazhojë në punë fillimisht si postierë e më vonë do të jet vet Valdete Daka ajo që do të bëhet postiere e tyre duke i bartur fletvotimet pa logo të Kosovës! Këto fletvotime do të jenë uniseks. Sikur brekët për femra dhe meshkuj! Këto fletvotime do të jenë edhe të Kosovës edhe të Serbisë.Uniseks fletvotime! OSBE sot është shtylla e vetme funksionale e UNMIK-ut në Kosovë dhe ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës! Jam i sigurt se OSBE do të jetë shumë e suksesshme në organizimin e zgjedhjeve për serbët në veri të Kosovës. Ka shumë përvojë në këtë drejtim duke i organizuar të gjitha zgjedhje, së bashku me Serbinë në vendet ku ka jetuar edhe një serb i vetëm në Kosovë, që nga përfundimi i luftës deri në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Qeveria e Kosovës i ka hapur shumë punë OSBE në Kosovë duke i angazhuar edhe pas zgjedhjeve. Duhet të jeni së paku të marrë e të besoni se me përfundimin e zgjedhjeve përfundon edhe angazhimi i OSBE-së. Pas zgjedhjeve do të formohen institucionet paralele lokale. Kush do të punojë për demokratizimin dhe integrimin e tyre?! Natyrisht se do të jetë OSBE. Dhe shumë punë të tjera! Rroftë lehtësuesi (shaluesi) ynë i radhës, OSBE. Rrofshin zogjtë e Tunës në politikën tonë, poshtë bashkimi kombëtar dhe rroftë Republika e Tretë e Kosovës!
Vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik dhe rivrasja e tij në Prishtinë
Hasan Prishtina ka qenë dhe mbetet shembull se si duhet të jet një politikan shqiptar. Në aspektin njerëzor, kombëtar, intelektual, moral, ushtarak, strategjik dhe ate të sakrificës. Është i patejkalueshëm deri më sot. Dhe do të mbetet i tillë edhe për shumë kohë. Përjetësisht besoj sepse ato rrethana nuk do të përsëriten më. Urdhërin për vrasjen e tij e dha Nikolla Pashiqi. Planin pëe vrasjen e bëri Ahmet Zogolli, mbreti analfabet i Shqipërisë me xhandarët e tij që paguheshin dhe ishin pjesë e buxhetit të mbretërisë serb-kroato-sllovene ndërsa ekzekutimin e bëri Isuf Reçi një pinjoll i mbretit analfabet, vrasës të patriotëve shqiptarë Ahmet Zogolli i Parë! Hasan Prishtina mbeti frymëzim për të gjithë patriotët shqiptarë. Ahmet Zogolli u rehabilitua nga demokrati i Partisë së Punës, Sali Berisha. U nderua shumë edhe nga Republika e Kosovës përkatësisht nga presidentja e kësaj republike zonja Atifete Jahjaga. Ajo, e mbushur me emocione të papërmbajtura vuri kurorë në përmendoren e këtij shfarosësi të patriotëve shqiptarë! Detyrat u ndanë. Presidentja duhej ta nderonte Ahmet Zogollin ndërsa kryeministri Hashim Thaçi patriotin Hasan Prishtina. Seç u bë puna e kryeministrit i doli një punë e rëndësishme shtetërore (kafja e mëngjesit me zëvendësin e tij të parë Behgjet Pacollin) ai e luti presidenten ta nderojë edhe Hasan Prishtinën. Edhe ashtu presidentja ishte në Tiranë dhe në këtë mënyrë kursehej buxheti i Kosovës. Me emocione të përgjysmuara nga presidentja e nderua edhe viktime e kriminelit. Ishte rasti i parë që thuaja në të njëjtën kohë nderoheshin edhe krimineli edhe viktima!
Universiteti i Prishtinës është vendi ku më së shumti në botë prodhohen analfabetë me diploma të cilët pastaj paisen edhe me tituj shkencorë. Nga mr.e deri në dr. Në kohën e rektorit politik , kimistit Mujë Rugova aty u vendos busti i Hasan Prishtinës. Me alkiminë e tij mashtruese rektori politik i mashtroi të gjithë sepse ishte krejtësisht e kundërta e Hasan Prishtinës! Ajo ishte vrasja e dytë e Hasan Prishtinës! Me ardhjen e rektorit të dytë puro politik, historianit Ibrahim Gashi ky universitet u emërua me emrin e Hasan Prishtinës. Ditë e shënuar do të duhej të ishte. Mirëpo, Universiteti i Prishtinës tash Universiteti” Hasan Prishtina” vazhdon ende që të prodhojë analfabetë serialë me diploma dhe tituj shkencorë! Për një vit ka rënë 1000 vende në listën e universiteteve të botës! Është fare në fund të pusit me një rektor pus dhe një pjesë të profesorëve pus dhe të pistë. Të pamoralshëm. Injoranca kryesisht është shoqëruesja e parë e imoralitetit. Këtu janë bashkuar. Thuaja janë bërë një! Këtu, në një farë mënyre është legalizuar shfrytëzimi i studenteve për skllavëri seksuale. Profesorë të caktuar i kushtëzojnë studentet që t’ua përmbushin pasionet e tyre të shfrenuara seksuale në këmbim të një note kaluese! Ua caktojnë provimet gjatë uikendeve dhe në orë të vona të, mbrëmjes. Mbase për t’i kursyer nga vapa e madhe. Madje ua heqin edhe rrobat. Duket për të njëjtën arsye! Për t’i kursyer nga vapa e madhe. Profesorë të caktuar i mbajnë studentet me vite të tëra në një provim. Madje detyrohet edhe t’i ndërpresin studimet! Në Universitetin “Hasan Prishtina “mund të flitet për krim të organizuar seksual ku studentet e kanë rolin e topit për ping – pong ose nga një profesor te tjetri! Pas përfundimit të luftës profesorë nga koha e ish Jugosllavisë ua ipnin notat kaluease komandantëve dhe hajdutëve të ndryshëm. Nga frika, për para apo për të kompensuar mungesën e patriotizmit! U mbushën institucionet me analfabetë me tituj shkencorë! Kjo është vrasja e tretë e Hasan Prishtinës në Prishtinë. Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina“. A do të jetë e fundit? Nuk besoj sepse rrjeti i horrave është shumë i fuqishëm. Prapa tyre qëndron forca e politikës!
22 gusht 2013, Prishtinë – Behxhet Sh.SHALA

PAK MË SHUMË MORAL MADJE EDHE NË POLITIKË !

Kreativiteti dhe fleksibiliteti
Serbia dhe “postierët“ e Valdete Dakës të quajtur OSBE po organizojnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës apo siç është legalizuar ndërkombëtarisht (neve edhe ashtu nuk na pyet kush për asgjë) në komunat me shumicë serbe! Nëse thoni komunat me shumicë serbe atëherë mund të llogarisni në përkrahje ndërkombëtare apo, së paku në një buzëqeshje impresive dhe impozante të baroneshës Ashton në ndërkohë që puthjet janë të ndara vetëm për dy bukuroshët e Ballkanit, Thaçin dhe Daçiqin. Këta kanë ekskluzivitet për kiss-at e baroneshës Ashton. Të tjerët apo vdekatarët e zakonshëm në mesin e të cilëve jam edhe unë, vetëm mund të ëndërrojmë të jenë në një perimetër 100 metërsh afër baroneshës ndërsa për puthje mund të shpresojnë vetëm në kushte të fatamorganës. E që nënkupton që edhe mund të shpresohet sepse në Kosovë në temperaturat 38-40 shkallë Celsius dhe me furnizim të rregullt me ujë prej 4 orëve brenda 24 orëve, fatamorganën e keni në prag të derës! Mos edhe brenda në shtëpi! Në fakt, nëse nuk më është ndryshuar dioptria e kam parë baroneshën duke i çokur faqet edhe me një zkryeministër që nënkupton devalvimin e puthjeve në masë të madhe. Cili është ky njeri me fat të mirë apo me fat pak më të mirë nuk po ua them emrin sepse… Sepse ?! Po definitivisht puthjet e baroneshës për zotin Thaçi po dalin të jenë puthje të Judës para kryqëzimit të Krishtit! Nuk ka gjasa të ndodhë ndryshe ! Për Daçiqin është tjetër tregim. Atij vetëm sa po i trashen faqet edhe ashtu të fryra! Me Daçiqin Serbia po bëhet bashkëpronare e Kosovës pa qenë e detyruar të paguaj tatim në pronë. Faturat po i paguan Kosova dhe askush tjetër! Nuk ka logjikë në një shtet edhe gjysmënormal që shteti që ka disponim armiqësor të jetë përcaktues për zhvillimin e proceseve politike apo organizimin e zgjedhjeve siç po bën Serbia në Kosovë! Apo që postierët e Valdete Dakës të punësuar në OSBE të organizojnë zgjedhje vetëm në një pjesë të territorit të Kosovës . Faktikisht kjo nënkupton kontestimin e sovranitetit të pushtetit në atë pjesë të okupuar të Kosovës edhe nga Serbia, edhe nga OSBE por edhe nga Brukseli dhe Vashingtoni! Na kanë zënë ngushtë që na ka avulluar truri dhe këtë na kanë ambalazhuar si integrim të veriut që do të thotë se po bëjnë përpjekje ta shesin m…n për mjaltë! Dikush kështu edhe po e blenë! Ia pafshin hajrin! Pse postierët e Valdete Dakës nuk po lehtësojnë (organizojnë) zgjedhje për shqiptarët në Luginën e Preshevës?! Nëse ju, mozomakeq në fjalorin tuaj përdorni termin komunat me shumicë shqiptare në Kosovë (e të tilla janë pjesa dërrmuese e komunave në Kosovë) menjëherë do të akuzoheni se jeni kundër Kosovës multietnike, se jeni nacionalist i përbetuar, se jeni kundër marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, se jeni kundër liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera integruese në BE, NATO dhe anëtarësim në OKB! Duhet ta pranoni se të qenit udhëheqës i Al-Qaedes duket të jetë kompliment krahasuar me akuzat e mësipërme! Prandaj edhe është vështirë mos të them e pamundur t’u rezistosh këtyre temperaturave që po e shkrijnë edhe çelikun dhe , rrjedhimisht është normale që po buhemi qull apo po ndahemi të lagur! Qoftë nga djersitja, nga fërkimet dhe presioni apo thjesht mbase nuk po na mbanë, po i lagim tëlinjat! Apo brekët siç po thonë këta që po e shetisin Evropën! Kosova gjithmonë ka pasur problem me krijimin e elitave intelektuale të vërteta sepse elitat e vërteta intelektuale njëkohësisht janë edhe elita kombëtare! Në kohën e Titos intelektualët i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe socializmit vetqeverisës ndërsa kanë luftuar pa kompromis nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë! Ata “intelektualë“ apo mbetjet e tyre sot janë pjesa “kreative“ e kabinetit të presidentes Jahjaga , bashkëpunëtorë shumë të ngushtë dhe të besueshëm të kryeministrit Thaçi dhe disa ministra që dikur kishin reputacionin e një kombëtari! Apo të disa politikanëve opozitarë! Besoni se sot është shumë vështirë ta deklaroni përcaktimin kombëtar sipas vullnetit të lirë! Është rrethanë rënduese për karrierë dhe për një vend pune nëse thoni se keni qeni ish i burgosur politik apo , mos e dhashtë Zoti se dëshironi bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar tash ka derivuar në Republikë të Tretë. Siç kemi filluar do të bëjmë republika më shumë se vet Franca ! E njohur për republikanizëm! Njerëzit kreativ ofrojnë zgjidhje kreative. Sikur për dukjen e fletvotimeve për zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe ! Për hirë të kreativitetit lejohet të hiqen edhe kokat! Në fund të fundit , ç’vlerë ka koka e bukur dhe e mençur e Fadil Malokut përballë një ideje kreative të Lulezezës që ka luajtur valle para humanistit me përmasa botërore siç ishte Moamer Gadafi?! Apo patriotit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave që nga Sulltan Pekmezi e deri te Sapmurat Nazarbajev siç ishte dhe është Gjet Macolli pjesa më e bukur udhëheqjes së kooperativës politike të quajtur AKR. Realisht, koka që fluturon nuk llogaritet më se është bartëse e ideve kreative sepse ajo mbetet peng dhe faturë e mbrojtjes së parimeve! E këta intelektualët e dikurshëm, këlyshë të Titos dhe Rrahman Morinës , të sistemuar në sofrat e Jahjagës dhe Hashim Thaçit nuk kanë parime në jetë prandaj nuk kanë obligim t’i mbrojnë ato. Ata vetëm ofrojnë ide kreative dhe lëpijnë pjatat e atyre që i ushqejnë. Dikur ishin pjatat e emajluara të Emos nga Celje tash janë nga porcelani fine kinez i dinastisë Ming! Por definitivisht, injorantët mbesin injorantë tërë jetën e tyre dhe të pafytyrët mbesin të pafytyrë! Mosha e tyre dhe zgjatja e rrogtarllëkut vetëm sa ua trashë lëkurën prandaj edhe nuk e kanë ndjenjën e turpit. Nuk skuqen fare ! Përkah jetëgjatësia politike janë elefantë, lëkurën e kanë si të buallit, stilin e ecjes e kanë si zvarranikët (krokodili, gjarpri, hardhucat etj), grykësinë e kanë si gjirafës (fyti i gjatë dhe i thellë), kafshojnë si hijenat, kundërmojnë si qelbësit dhe besnikërinë e kanë si të qenit që u shërben të gjithë atyre që ua mbushin pjatat! Si rregull, në fund të tregimit ata gjithmonë e kafshojnë bëmirësin e tyre! As Kosova nuk mund të jetë përjashtim. Fletëvotimet do të jenë ashtu si do Serbia dhe nëse u shkonë mendja në vend të logos së Republikës së Dytë të Kosovës do të vendosin logon e Car Dushanit. Ne nuk guxojmë të kundërshtojmë. Fadil Maloku si kokë turku mbeti pa kokë duke u ekzekutuar nga një femër biologjike dhe një mashkull biologjik me hormone dhe qëndrim prej femre! Ndërsa lehtësuesit apo postierët e OSBE do ta pranojnë pa problem! Interesant, shumë interesant por neve nënën na kanë shkërdhyer më së shumti pikërisht lehtësuesit. Që nga UNMIK-u e deri te postierët e Valdetes! E kam një lutje për lehtësusuesit. Mos na lehtësoni më shumë po na shaloni burrërisht dhe egërsisht. Edhe ashtu gjithmonë po ndahemi të …!
Kush do i fiton zgjedhjet lokale
Ka qenë si rregull se fituesi i zgjedhjeve lokale i ka fituar edhe ato të mëdhatë. Janë bërë shumë gjëra që nuk përkojnë me rregullat demokratike dhe ligjin vetëm për t’i fituar zgjedhjet! Fillimisht, ato zgjedhje janë pranuar nga BE duke deklaruar se janë në përputhje me standardet ndërkombëtare e pastaj, kur është dashur të bëhet presion mbi të zgjedhurit është “zbuluar Amerika“ duke deklaruar se ato zgjedhje kanë qenë të manipuluara dhe me vjedhje industriale të votave! Ne në Kosovë jemi mësuar me hajni dhe vjedhje të zakonshme dhe nuk kemi ditur çka është vjedhja industriale. Ka dalë një Kuvend me të cilin: ”krenohet Kosova“ por turpërohet inteligjenca e njeriut dhe demokracia ! Por koha dhe proceset në të cilat po kalon Kosova i ka dhënë komptetencë dhe nur injorantëve të të gjitha partive politike dhe komuniteteve. Që nënkupton edhe Kosovës pasi Kosova është edhe ashtu shtet i të gjitha komuniteteve që jetojnë aty! Edhe tash zgjedhjet lokale do të jenë tregues për zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj se në aspektin strategjik fitues i zgjedhjeve lokale por edhe të përgjithshme do të jetë ai subjekt politik i cili do ta kthej moralin në politikë dhe i cili dinjitetin do ta ketë para interesit personal. Si model për zgjedhjet lokale do ta propozoja Rufki Sumën, kryetar të Hanit të Elezit i cili mishëron në vete përkushtimin, moralin, dinjitetin, njerëzoren dhe kombëtaren. Rufki Suma është e kundërta e këtyre grykësve të pangopshëm të cilët ndonëse kapen me pelë për dore nuk i lëshojnë postet e tyre deri sa:” gjyqi ta thotë fjalën e vet përfundimtare “. Prandaj edhe thashë se zgjedhjet do t’i fitojë ai ose ata që vlerat morale i kanë mbi detyrimin ligjor. Në këtë kontekst mendoj se shumica e subjekteve garuese në zgjedhje , sidomos për zgjedhje të përgjithshme duhet t’i përmirësojnë apo më mirë të them pastrojnë listat e tyre zgjedhore duke e bërë dekriminalizimin e tyre moral, njerëzor, kombëtar dhe politik! Nuk paraqet rrezik aq të madh lista zgjedhore që ka të vdekur në të por lista e të gjallëve që me veprimet e tyre kanë vdekur për së gjalli! Kjo listë prodhon deputetë sikur në legjislaturën aktuale dhe për Kosovën do të ishte më mirë dhe më e përballueshme sfida me një fatkeqësi natyrore të përmasave të mëdha se një legjislaturë e ngjashme me këtë që e kemi sot! Sepse, natyra tregohet e mëshirshme kurse njeriu i liruar prej të gjithë skrupujve nuk di për mëshirën!
Deri më tani nuk po shoh ndonjë ndryshim të madh apo përpjekje të rikthimit të moralit edhe në politikë. Prandaj edhe është një dyngjyrësh ; bardh e zi. Po riciklohen të vdekurit nga Varrezat e Elefantëve në mungesë të kandidatëve tjerë! Po bëhen kalkulime për të ruajtur apo grabitur pushtetin e jo për të ndërtuar shtetin! Po duket se as ata që ndihmuan në lindjen dhe krijimin e shtetit të Kosovës nuk janë të interesuar për forcimin e tij. Madje po e rrënojnë atë. Këta i kanë vetëm dy qëllime;
1. ose po duan të na lidhin shumë me Serbinë duke na detyruar të bisedojmë me te për çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës ose
2. po duan të na bashkojnë me Shqipërinë pasi që t’i kenë marrë një pjesë të territorit të Kosovës duke i dhënë Serbisë.
Nuk po shoh rrugë të tretë përmes së cilës Kosova do të forcohej si shtet duke siguruar integritetin territorial dhe duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. Mëdyshjet rreth fletvotimeve dhe përcaktimi që strukturave kriminale në veri t’u njihet e drejta për neutralitet përballë statusit të Kosovës është çmendi e radhës të cilin po e paketojnë nën petkun e ideve kreative! Vërtetë, a jemi aq të marrë të gëlltisim këtë karrem që po na hudhin ndërkombëtarët së bashku me Serbinë ?! Këtë grep me krimba të vendit ! Dikush, qartazi duket se këtë e merr si mençuri! Nëse është shkruar të bie viktimë e bukurisë dhe sharmit të zonjushës Etna dhe Monika Bellushit kjo nuk nënkupton që duhet të jem viktimë e sharmit dhe mençurisë së Zezdita Tahririt, Gjet Macollit, Marko Jakshiqit dhe Zvonko Veselinovoqit! Përkundër temperaturave të larta dhe avullimit të trurit nuk e besoj se kam arritur ende këtë shkallë të çmendurisë!
Prandaj votën time do ta ndajë për Sahit Plisin i cili, edhe para togut të pushkatimit duke injoruar interesat personale brohoriti për bashkimin kombëtar dhe Luginën e Preshevës! U sakrifikua për ideale në emër të cilave na kanë rrjepur disa politikanë deri në asht! Pra, për kryeministër të Kosovës votoj Sahit Plisin ndërsa për zgjedhje lokale për Partinë e të Fortëve. Arsyetimi është se Sahit Plisi na bën të qeshim ndërsa politikanët e sotit kryesisht na bëjnë të qajmë! Ndërkaq, Partia e të Fortëve po luan qoke me ne pa i fituar zgjedhjet në kohën që partitë tjera po luajnë qoke me ne pasi po i fitojnë zgjedhjet! Po e vlerësoj thjesht sinqeritetin!
19 gusht 2013, Prishtinë – Behxhet Sh.SHALA

VAPA SI ARSYETIM APO PIKËNISJE PËR FALIMENTIM!

Territori evropian, mentaliteti afrikan
Në Republikën e lodhur shumë të Kosovës po bën vapë e madhe. Temperaturat po shkojnë deri më 40 gradë në hije. Merreni me mend se deri ku shkojnë nëse nuk jeni në dhe nën hije! Prandaj i kuptoj dhe i admiroj politikanët tanë që në temperatura sahariane asnjëherë nuk ndalen së punuari për të mirën dhe interesin e tyre aq më parë që, si të zgjedhur nga populli janë populli vet! Janë ajka e këtij populli i cili është bërë si qumështi me 0% yndyrë shkaku se ajkën e kanë mbledhur dhe po e mbledhin ata që janë të thirrur ta bëjnë këtë. Ajka e popullit! Ndoshta për ngushëllim duhet të themi se qumështi pa yndyrë është shumë i kërkuar, i dobishëm për shëndet dhe rekomandim i mjekëve kundër shumë sëmundjeve dhe se parandalon sulmin në zemër, tru (për ata që e kanë) dhe enëve të gjakut! Populli duhet të ketë yndyrë dhe besoj se edhe populli ynë e ka! Politikanëve u del yndyra , dikujt më shpejt e dikujt më ngadalë! Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë pse politikanët ndonëse nuk kanë fare yndyrë quhen ajka e popullit! Disi logjikisht nuk po ma kapë truri i cili, edhe ashtu po reagon vetëm sa për të siguruar mbijetesën fizike . Prandaj duhet ta kuptoni se po vetdeklarohem se nuk mbajë përgjegjësi as politike e as ligjore për këtë që po e shkruaj. Duhet ta pranoni se nuk është aspak e lehtë të shkoni çdo javë në Bruksel si Zezdita jonë e famshme e cila pas një kohe të caktuar lirisht mund të punësohet si cicerone në Bruksel për blerësit me xhepa të thellë të cilët janë të interesuar të bëjnë shoping në kryeqytetin e Evropës. Jam i sigurt se Zezdita i di më mirë butiqet dhe restorantet për të kamurit në Bruksel se që i di Inspektorati i Punës i Kosovës ndërmarrjet që e shkërdhejnë Ligjin e Punës në Prishtinë! E lëre më në Kosovë! Se gënjen njeriu për të shpëtuar një jetë apo për ta liruar dikend prej një zori të madh, e kuptoj! Se gënjen njeriu për shtetin dhe popullin gjithashtu e kuptoj sepse kjo edhe lejohet dhe nuk mund të llogaritet si shkarje etike! Se gënjen njeriu pa asnjë arsye apo vetëm sa për të mbetur pjesë e një loje të ndyrë kryesisht, nuk e kuptoj në asnjë mënyrë! Po definitivisht jemi popull me fat ! Politikanët tanë kurrë nuk kanë gënjyer dhe nuk gënjejnë për interesa të tyre të ngushta apo për të mbijetuar! Ata, edhe kur duhet t’i shmangen të vërtetës e bëjnë për motive të larta morale, kombëtare dhe njerëzore! Duke i shërbyer shtetit dhe duke u sakrifikuar për popullin! Duke e shkërdhyer popullin në çdo situatë dhe nga çdo pozitë. Jo të gjithë e bëjnë këtë! Psh. Ahmadinexhati nuk e ka shkërdhyer popullin e Kosovës. As Robert Mugabe e as Raul Kastro! As Berluskoni.. Ndale pak këtu se këtij nuk i besohet e as bunga-bungave të tij. Do të thoni se as Holland, Obama, Merkel apo baronesha e famshme dhe dilerka e puthjeve për Serbi dhe Kosovë , zonja Ashton nuk e bëjnë këtë ! E pse atëherë na detyrojnë të bisedojmë me Serbinë për çështje të cilat janë çështje ekskluzivisht të një shteti?! Pse duhet të bisedojmë për Mitrovicën e jo për Nishin apo për Novi Sadin?! Pse duhet të bisedojmë për liqenin e Ujmanit (Gazivodës) e të mos bisedojmë për lumenjt Danub dhe Sava?! Pse duhet Valdete Daka të angazhojë postierët e OSBE-së për shpërndarjen e fletvotimeve për zgjedhjet e 3 nëntorit në komunat serbe (!!!) kur i kemi postierët e Postës së Kosovës?! Dhe, pse duhet të diskutohet se si duhet të duken fletvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nuk diskutohet se si duhet të duken fletvotimet në Serbi ?! Kush po gënjen në këtë mes?! Ata që duhet ta thonë të vërtetën apo ne që na është dehidruar truri! Më shumë nga temperaturat e larta të gënjeshtrave vendore dhe ndërkombëtare se sa nga temperaturat e larta të caktuara nga Zoti! Pse do të duhej që Serbia të jetë përcaktuese e zhvillimeve në Kosovë dhe të bëhet bashkëpronare e Kosovës pa investuar asgjë përveç dhunës më shumë se një shekull?! E kuptoj se bisedimet midis dy shteteve që kanë probleme janë të domosdoshme! Ama nuk e kuptoj që ne gjithmonë të ndahemi të lagur! Dhe pse vetëm ne duhet të lëshojmë pe?! Pse vetëm ne duhet ta hamë çdo gjë që na hudhet në pjatë?! Në fakt Serbisë po i ipet menyja me listëne e ushqimeve ( kërkesava ) ndërsa ne po na caktohet pjesa mekanike e punës. Larja e pjatave ! Qoftë me lavatriqe apo shumë herë po përdoret edhe mënyra klasike dhe tradicionale e larjes . Lëpirja e pjatave! Dikush sahanlëpirjen e ka pasur shenjë identifikimi dikur! Është bërë shumë problem të hiqet dorë nga tradita ! Analizojini anëtarët e delegacioneve nga Kosova . Të kaluarën e tyre apo të parardhësve të tyre dhe gjërat bëhen të qarta! Analizojini gjirollogaritë e tyre para dhe pas përfundimit të negociatave dhe do ta keni të qartë cili ka qenë motive i tyre “për mbrojtjen e interesave të shetit“! Analizojini ngritjen e rrufeshme të tyre në shkallarën e kierarkisë dhe do ta kiji të qartë motivin e tyre për “mbrojtje të interesave shtetërore dhe ato të popullit “.Gjërat po marrin erë dhe ky kundërmim nuk largohet me mbyllje të hundëve ! Kush është Serbia që po luan qoke me ne dhe kush janë këta “tanët“ që gjithashtu po luajnë qoke me ne?! O Zot i Madh më ndihmo që truri im të këndellet dhe të gjykoj drejt duke besuar se ky është vetëm makth i çastit! Apo lajthitje e rastit ! e jo inskenim që shumë lehtë na dërgon në falimentim!
Këmbëthikpërpjetja si pjesë e traditës
Një mik i imi të cilin e çmoj si doajen të gazetarisë eteristike në Kosovë e tash besa edhe po shkruan duke dërguar projektile të shkurtëra por shumë vdekjeprurëse ka shkruar për zonjën me këmbë thik përpjetë në një amasadë të Kosovës në një shtet tjetër duke konsideruar si diçka skandaloze. Në fakt me këtë mikun tim kam dallime dhe nuk pajtohem çdoherë e sidomos jo tani. Sepse, nëse francezët përkatësisht A.Dima e ka shkruar “ Zonja me Kamelie “ pse ne shqiptarët mos ta shkruajmë “ Zonja me këmbë thik përpjetë “.! Në fund të fundit këmbët thik përpjetë janë pjesë e traditës sonë prandaj këtu nuk mund të flitet për asgjë skandaloze! Merreni me mend po ta zinin ndonjë nëpunëse të ambasadës në një pozitë të perservitetit të skajshëm. Duke i pritur palët me mirësjellje dhe kulturë! Atëherë vërtetë do të llogaritej skandal i vërtetë! I njëjti Muharrem shkruan se në pushtet lehtë mund të vijnë ata që kanë punuar me dhe për Serbinë por nuk i tregon emrat duke thënë se: ”kjo është pyetje (emrat e mundshëm) për 1 milion dollarë“! Unë dua të hyjë në biznes me Muharremin. Thjesht , le t’i jep vetëm 100.000 dollarë dhe unë do t’i them emrat për të cilat Nitaj thotë se vlejnë 1 milion dollarë! Ata 900.000 dollarë që mbesin nga 1 milionë le t’i mbajë për vete! Së paku 50% të emrave që nuk i përmend Muharremi janë në pushtet apo shkërdhehen me pushtetin. Afërsisht 20 % pinë kafe me Muharremin dhe mua ndërsa 30 % i kanë postet e garantuara dhe të rezervuara me Pakon e Daçiqit dhe Nikoliqit!

Dy atllarë nuk lidhen në një mullarë
E keni vërejtur se kohën e fundit njëri Behxhet (Shala) po shkruan më rrallë dhe tjetri Behgjet (Pacolli) është bërë si Rita Ora. Nuk po zbret nga faqet e gazetave dhe nga Shtëpia e vetme Publike e regjistruar në Kosovë – RTK. Madje, sipas parimit të okupimit të Vol Stritit ai ka okupuar edhe televizionin me vetëm një klan dhe vetëm një padron – Klan Kosova si dhe në televizionin e Miliarderit – KTV. Mos të flasë për mediet në Afrikë, Azerbejxhan, Kazakistan, Jagodina, Palma Plus dhe RTS. Botërisht e pranoj se kam mbetur askund hiç dhe nën hijen e Berluskonit lokal , Gjet Macollit! Kam pësuar fijasko mediale ! Edhe gazeta për të cilën kam shkruar qe pesë vite po më diskriminon kur po shkruajmë të njëjtën ditë me Pacollin duke me vendosur në bisht të sorrës! Këtu po e shoh se kemi një gazetari që i di vlerat dhe i çmon analizat e mirëfillta. Dhe kjo më bën të ndjehem shumë mirë sepse po vlerësohen ata që kanë sakrifikuar çdo gjë për shtetin e Kosovës, popullin e saj kosovar, shqiptarët e Shqipërisë dhe patriotët e Tanzanisë. Prandaj, duke e pranuar cilësinë mbi meritokracinë deklaroj se jam deklasuar krejtësisht në planin publicistik nga miku im i madh Behgjet Pacolli për të cilin gojëkëqinjt thonin se nuk e kam mik! Pastaj, për ta zbutur paksa këtë fijasko publicistike po thirrem në traditën tonë shekullore se: ”dy atllarë nuk lidhen në një mullar”. Po tërhiqem vullnetarisht nga lidhja në atë mullar. Le të mbetet ai mullar vetëm për Behgjetin! Më duhet ta pranoj, ndonëse jo me shumë dëshirë se po vjen koha e vlerave të mirëfillta! T’i respektojmë ato! Ma m.. nuk mund të bëhet se që është bërë!

12 gusht 2013, Prishtinë – Behxhet Sh. SHALA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura