ARIF EJUPI: ‘DITËT E AGIMIT’ U MBAJTËN EDHE NË GJENEVË

Gjenevë, 20 maj 2017: Shoqata Atdhetare “Zhegra” në Gjenevë të Zvicrës, edhe këtë vit ka organizuar përvjetorin e tetëmbëdhjetë të rënies së bashkëfshatarit të saj dhe heroit të kombit, Agim Ramadani. Në këtë jubile me rëndësi të veçantë historike janë përkujtuar edhe të njëqindetrembëdhjetë dëshmorët e tjerë të Betejës së Koshares, të cilët me heroizmin e tyre të paparë ndaj forcave serbe bënë që kjo betejë të kujtohet nëpër vite e shekuj si një nga ngjarjet më të lavdishme të UÇK-së. Intonimi i himnit kombëtar dhe një minutë heshtje në nderim të të gjithë të rënëve për lirinë e trojeve tona shënoi edhe fillimin kësaj akademie solemne.
Pastaj pjesëmarrësit e shumtë të tubuar në “Salle Communale des Libellulles” të komunës Vernier të kantonit të Gjenevës, me përmbajtjen e programit i ka njoftuar Afërdita Veseli Krasniqi, moderatore e këtij manifestimi.
Organizatorët e këtij jubileu si rëndomë prioritet u kanë dhënë mysafirëve të ftuar të këtij manifestimi qofshin ata përshkrues të ndodhive nga Beteja e Koshares apo pjesëmarrës të programit artistik. Një vështrim të formuluar me përpikëri dhe me forcë të duhur shprehëse mbi jetën dhe veprën e Agim Ramadanit përgatitur nga shkrimtari dhe publicisti Sabit Rrustemi e ka lexuar z.Agim Sherifi, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Zhegra” me seli në Gjenevë të Zvicrës.
Kurse rrëfime deri me tani të panjohura nga Epopeja e Koshares shpalosi Musa Gjakova bashkëpunëtor i ngushtë i Agim Ramadanit dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Ai tha se të flasësh për Agim Ramadanin, poet, piktor dhe udhëheqës i dalluar ushtarak është detyrë me mjaft përgjegjësi e njëkohësisht edhe nderim i veçantë.

Shukrije Ramadani, gruaja e heroit të kombit, Agim Ramadani.

Nën komandën e Agim Ramadanit- Katanës dhe të oficerëve të tjerë të karrierës këta trima emrat e të cilëve i keni shënuar me kaq mjeshtëri mbi këtë pëlhurë të bardhë shpartalluan ushtrinë serbe të armatosur deri në dhëmbë e shumëfishë me të madhe në numër e të përforcuar madje edhe me mercionar rusë. Andaj këta burra të guximshëm me në krye Agimin që sollën lindjen e agimeve të bardha meritojnë nderimin dhe respektin, ngase Kosharen e dikurshme të prangave dhe mureve me gjemba e kthyen në urë kalimi që shpije në pjesën tjetër të Atdheut tonë, të prerë në dysh padrejtësisht njëqindvjet më parë.
Ai gjatë fjalës së tij tha se kujtimet e ngjarjeve me pamje tmerri dhe gjaku çdoherë trazojnë ndjenjat e njeriut normal, dhe si të tilla janë të padëshiruara dhe me ankth të përhershëm. Të gjithë e dinë që shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë si dhe ata të Kosovës Lindore, duke ditur pasojat shkatërruese të luftës gjithmonë kanë preferuar zgjidhje me mjete paqësore.
Mirëpo Serbia asnjëherë nuk ka provuar dialogun dhe marrëveshjet. Në vend të tyre ndaj shqiptarëve ndër shekuj ka ushtruar dhunë dhe terror me të vetmin qëllim mbajtjen e tyre nën tutelën e Beogradit. Kjo gjendje e padurueshme imponoi edhe luftën e hapur dhe frontale.
Miqtë tanë ndërkombëtarë duke vërejtur shfrenimin e regjimit të Millosheviqit, dhe duke vlerësuar si të drejtë luftën tonë na dhanë përkrahjen e nevojshme, me çfarë aspiratat e popullit të Kosovës u bënë realitet më 17 shkurt 2008, kur Kosova edhe zyrtarisht shpalli mëvetësinë e saj dhe shkëputjen definitive nga Serbia.
Më pas pasuan edhe njohjet ndërkombëtare nga vende të ndryshme të botës.
Z. Musa Gjakova i plagosur në Betejën e Koshares më 11prill 1999 mendon se me kontribut të pazëvendësueshëm në këtë ngjarje madhore janë dhe të njëqindetrembëdhjetë të rënët e tjerë të kësaj beteje. Ata të prirë nga Agim Ramadani dhe eprorët e tjerë u dhanë leksione gjeneralëve dhe ushtarëve serbë, të cilët veten e pandehnin si të pathyeshëm.
Gjakova diskutimin e tij e mbylli duke thënë se Agim Ramadani, Sali Çeku, e shumë të tjerë të edukuar që në djep me frymën e atdhedashurisë pakurrfarë ngurrimi lanë lukset e vendeve të Perëndimit dhe rrokën armët në mbrojtje të Atdheut. Andaj ata me gjakun e tyre të derdhur shënuan edhe pavdekësinë.
Në këtë akademi përkujtimore të pranishëm ishin edhe Feriz Tërshnjeva, Arben Limani, Zidi Rrahmani dhe vëllezërit Jusuf e Qazim Jasiqi, bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit dhe të njëqindetrembëdhjetë martirëve të tjerë të rënë në Betejën e Koshares.
Tubimin e ka përshëndetur edhe z. Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Gjenevë.
Ai pa bërë përjashtime vlerësoi lart gjakun e derdhur të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se pa sakrificën e tyre Pavarësia e Kosovës, do të ishte vetëm utopi.
Arian Agushi i njohur si Gold-AG mjaft i dëshiruar edhe në diasporë !
Pjesa artistike e këtij manifestimi është begatuar me këngë e valle të trevave tona të interpretuara për mrekulli nga Ansamblet “Vatra” e Cyrihut “Ilirët” e Llozanës dhe “Rapsodët e Gjenevës” Po ashtu programit i kanë dhënë fizionominë e duhur me këngët e tyte të kënduara në duet edhe bashkëshortët Shpejtim e Afërditë Krasniqi.
Ndërkaq preshevari Arian Agushi i njohur ndryshe edhe si Gold-AG me zërin e tij të ëmbël dhe këngët me tematikë atdhetare ka ngritur të gjithë në këmbë. Ai tashmë është bërë pjesë e pandarë e diasporës sonë.
Gold-AG edhe në përvjetorët e kaluar të organizuar këtu në Gjenevë, u ka kënduar pa përjashtim me shpirt të gjithë dëshmorëve të trojeve tona.
Në fund të manifestimit në emër të familjes Ramadani organizatorët dhe të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur zonja Shukrije Ramadani,bashkëshorte e heroit Agim Ramadani.
Ajo ka bërë thirrje për shtim kujdesi në zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Duke thënë se vetëm kështu kryejmë amanetin e Agimit dhe të martirëve të tjerë të rënë ndër breza në mbrojtje të Kosovës.
Edhe sot u pa qartë që shoqata atdhetare “Zhegra” nga Gjeneva me organizime të mira dhe të çdovjetshme të përvjetorëve të Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë të rënë për lirinë dhe mëvetësinë e trojeve tona plotësisht po e arsyeton ekzistimin e saj .
Ajo mbi një dekadë po luan rolin e një institucioni mbrojtës të gjuhës, historisë, dhe të kulturës sonë kombëtare.

====================================

Rifadie Grajcevci – Agim Ramadani

Gold Ag ft Ismet Bexheti – Armikut si perulet

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura