ARIF EJUPI: MINATORËT E TREPҪËS ROJE NË HISTORI DHE HISTORI NË KOHË

Prishtinë, 17. 02. 2014 – Më 20 shkurt mbushen 25 vjet nga dita e ngujimit të 1300 minatorëve të Trepçës në galeritë e nëndheshme të Stantergut. Në një faqe gazete është e pamundur të rrëfehet e gjithë odiseada e kësaj ngjarje të madhe historike. Prandaj në nderim të këtij jubileu të rëndësishëm do të trajtojmë vetëm disa nga segmentet kyçe të këtyre zhvillimeve.
Pas përfundimit të Dy Luftërave Botërore – Kosovën dhe viset tjera shqiptare i ripushtoi sërish Serbia. Ushtria e saj dogji dhe shkatërroi qytete dhe fshatra të tëra. Mijëra shqiptare u shpërngulën nga trojet e tyre etnike për në Turqi dhe vende të ndryshme të botës.

Kah fundi i Luftës se Dytë Botërore saktësisht në janar dhe shkurt të vitit 1945 banorët e Drenicës përjetuan tmerre të papara. Forcat çetnike së bashku me ato partizane vranë 235 veta vetëm pse ishin shqiptarë. Në mbrojtje të Drenicës vritet me 21 shkurt të këtij viti dhe tribuni Shaban Polluzha. Në emër gjoja të një mobilizimi, pabesisht në Tivar vriten mbi katërmijë shqiptarë. Ngjashëm u veprua edhe ndaj mijëra të rinjëve tjerë shqiptarë të inkuadruar dhunshëm në Veri në të ashtuquajturin front i Sremit dhe ai i Trieshtës. Edhe viti në vijim ishte i përgjakshëm ku çetnikët e partizanët serbë shumëfishuan torturat dhe vrasjet e shqiptarëve. Po ashtu u organizuan procese gjyqësore politike, si ai kundër Halim Spahiut, Marie Shllakut e Gjon Serreçit. Më 1947 vetëm në dy procese politike dhjetëra shqiptarë u dënuan me vdekje dhe disa prej tyre u ekzekutuan.

Pamje nga greva e minatorëve të Trepçës (Stanterg) nga 20 – 28 shkurt 1989.

Dhuna dhe terrori masiv ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe më 1968 dhe më 1981 ku si pretekst u morën demonstratat studentore të atyre viteve. Ndëshkimet drakonike ndaj shqiptarëve nuk patën të ndalur. Kështu që një popull të lashtë me një kulturë e histori të veçantë siç ishin shqiptarët, Serbia pareshtur i kërcënonte edhe me zhdukje fizike.
Shkaktar për një albanofobi kaq të rëndë ishte pseudoshkenca serbe, e cila vazhdimisht mbolli urrejtje ndaj shqiptarëve. Ultra shovinistët serbë Vasa Cubrilloviq, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq e deri te kryekrimineli Millosheviq u bënë lektyrë e përditëshmrisë serbe, se shqiptarët me çdo mjet duhet zhdukur. Aparthedi në Kosovë u shtri në të gjitha fushat e jetës duke filluar nga çerdhja e fëmijëve e deri në kulturë. Këtij hegjemonizmi serbomadh iu kundërvunë të parët minatorët e Trepçës.
Ata më 17 nëntor 1988 marshojnë nga Stantërgu për në Prishtinë duke kaluar mbi pesëdhjetë kilometra në këmbë. Vargut të minatorëve iu bashkëngjitën edhe shumë punëtorë të tjerë. Mbi tremijë minatorë e punëtorë vendosen në pallatin e Rinisë “Boro e Ramizi” në Prishtinë.
Në mëngjesin e hershëm të asaj dite, atyre iu ishin bashkuar edhe minatorët e Novobërdës dhe ata të Goleshit. Me këtë rast krijohet një grup këshillues nga radhët e minatorëve ku Avdi Uka, Tahir Selmani dhe Esat Jusufi, kërkuan që para minatorëve protestues në mënyrë urgjente të paraqitet udhëheqja e atëhershme e Kosovës, që te japë sqarime rreth gjendjes së krijuar ku shqiptarët ishin bërë shembull diskriminimi në të gjitha fushat e jetës. I tërbuar nga kërkesat e minatorëve të Kosovës vetëm dy ditë më vonë krye kasapi i ardhshëm i Ballkanit Millosheviq plot mllef flet në një miting para një numri jashtëzakonisht të madh të serbëve të tubuar në Beograd, ku hapur ai shpreh synimet fashiste ndaj shqiptarëve të Kosovës. Me gjithë kërcënimet minatorët nuk u zbrapseën për asnjë çast. Ata më 18 dhe 19 nëntor 1988 në palestrën e sporteve “Minatori” të Mitrovicës u tubuan prapë, me qëllim të artikulimit sa më të qartë të kërkesave të tyre.
Protestuesëve në sallën “Minatori” i drejtohet Azem Vllasi ish- anëtar i Kryesisë së Kuvendit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, duke u premtuar që në Kosovë nuk do të lejojë largimin e kuadrove shqiptare e as suprimimin e Kushtetutës së vitit 1974.
Më gjithë premtimet e Vllasit tubimet e minatorëve vazhduan deri më 21 nëntor 1988. Rinia e atëhershme studentore dhe ajo e shkollave të mesme duke i vlerësuar si të ligjshme kërkesat e minatorëve doli në përkrahje të tyre. Në Prishtinë para ndërtesës së Kuvendit Krahinor të Kosovës ishin tubuar mbi njëqind e pesëdhjetë mijë demonstrues të ardhur nga të gjitha viset e vendit. Ata këmbëngulnin në shqyrtimin e kërkesave të minatorëve që njëherësh ato ishin dhe kërkesa të tyre.
Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe Kryesia e saj në vend që të ndalonin fushatën agresive të Serbisë, aprovuan tekstin për vlerësimin e këtyre ngjarjeve.
Ky tekst i përpiluar në Beograd i dorëzohet udhëheqjes politike të Kosovës nga njëfarë Zoran Angjelkoviq. Disa renegatë shqiptarë në institucionet e asaj kohe për arsye karrieriste iu nënshtruan diktateve të Beogradit dhe kështu i hapën rrugë Serbisë për shuarjen e autonomisë së Kosovës. Tashmë minatorëve nuk u kishte ngelë tjetër alternativë vetëm greva e përgjithshme me ngujim në thellësitë e nëntokës. Greva nisi më 20 dhe përfundoi më 28 shkurt 1989.
Lajmin për ngujimin e minatorëve në galeritë e thella të Stantërgut në opinion e dha drejtori teknik i minierës “Trepça” Z. Ibush Jonuzi. Pas kësaj informate e gjithë Kosova u ngrit në përkrahje të minatorëve. Gjithashtu kjo ngjarje vërshoi edhe ballinat e medieve të vendit dhe ato ndërkombëtare.
E, gjithë ish’Jugosllavia u trondit nga sakrifica dhe heroizmi i minatorëve të Trepçës. Republika e Sllovenisë edhe pse njësi e Federatës jugosllave u solidarizua me këtë grevë. Bile Kryetari i Kuvendit të Sllovenisë pati thënë: “Tragjedia në Trepçë është turpi ynë”. Gjithashtu edhe Republika e Kroacisë me tretman të ngjashëm si ajo e Sllovenisë mbështeti minatorët e Trepçës. Veçmas vlen të theksohet deklarata e guximshme e profesorit Lang atëbotë këshilltar i presidentit të Kroacisë ku në mes tjerash ishte shprehur me fjalët: ”Në horizontin e nëntë të gjithë e kemi humbur të drejtën e heshtjes”.
Të bombarduar nga reagimet e shumta zyrtarët e lartë të vetëquajturës Federatë jugosllave më 24 shkurt 1989, në Stantërg e delegojnë Kryetarin e atëhershëm të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë Stipe Shuvar, por minatorët tashmë me përvojë refuzuan takimin me te. Pastaj Shuvar për rrjedhat e grevës u informua nga Burhan Kavaja dhe Aziz Abrashi, që në atë periudhë ishin udhëheqës të Kombinatit Metalurgjik “Trepça”. Pas garancive se nuk do të ndodhë tradhtia Shuvar i shoqëruar nga Remzi Kolgeci dhe ish-funksionarë të tjerë të lartë të Kosovës zbritën në galeritë e thella të minierës Trepça, në mënyrë që t’i binden minatorët për ndërprerjen e grevës.

…………………………………..

Shtojcë e Pashtriku.org

Stanterg, 24. 02. 1989: Pamje nga takimi i Kryetarit të Kryesisë së KQ të LKJ’së Stipe Shuvar, me minatorët e Trepçës, të cilët ishin në grevë nga 20 – 28 shkurt 1989.

Shikoni videomaterialin:

Minatori Avdi Uka si kryeprotagonist i grevës, vëren se Shuvar s’është i vendosur në jetësimin e kërkesave të minatorëve dhe pa kurrfarë ngurrimi i drejtohet atij me fjalët: ”Ne jemi këtu çdo moment të ballafaquar me rrezikun për jetën, atëherë nëse nuk mbërrini realizimin e kërkesave tona ju lutemi mos na torturoni me premtime të rrejshme”. Këta njerëz që me shpatullat e tyre kanë nxjerrë mijëra tonelata xehe të llojit të ndryshëm vazhdojnë grevën – pa menduar fare për jetën dhe familjet e tyre. Për këtë më së miri flet rasti i minatorit të pensionuar Hashim Parduzi, i cili ishte hedhur në grevë duke thënë: ”dua të vdesë me shokët e mi”! Akt vendosmërie dhe të pakundshoq kishte treguar edhe minatori Bajram Kurti, të cilit i kishte vdekur bashkëshortja dhe nuk kishte pranuar që të ndahet nga shokët për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut të tij të jetës. Por ai kishte qëndruar së bashku me ta deri më 28 shkurt 1989 kur ndodhi dalja e të gjithë minatorëve nga galeritë e thella të minierës së Trepçës.
Përkundër këtij akti Serbia vazhdoi intensifikimin e dhunës dhe të reprezaljeve. Më 1 mars 1989 e ashtuquajtura Federate e ish- Jugosllavisë solli forca shtesë të policisë dhe të ushtrisë në Kosovë, me qëllim që t’i zbraps shqiptarët nga kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi.
Një përpjekje e tillë e Serbisë dhe aleatëve të saj ishte e kot sepse populli shqiptar i Kosovës vazhdoi protestat pavarësisht dhunës së egër, burgosjeve dhe vrasjeve. Vetëm gjatë vitit 1989 makineria gjakatare e Millosheviqit tregoi barbarinë e saj duke i vrarë me armë zjarri apo mbytur me torturë mbi dyzet shqiptarë të Kosovës. Kjo valë represive identike me inkuizicionin e kuq nuk i kurseu as minatorët të cilët u ndoqën dhunshëm nga vendet e tyre të punës. Veç kësaj ata u dënuan me burgim duke inskenuar ndaj tyre procese të montuara.
Minatorët e Trepçës falë sakrificës së tyre u bënë emblemë e Historisë së fundshekullit të njëzetë, dhe ata do të mbetën gjatë në kujtesën e mendjeve të ndritura të botës paqedashëse.
____________
Literatura e shfrytëzuar:
1. Muhamet Mjeku, “Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha” Prishtinë, 1991,
2. “Fjalori enciklopedik shqiptar” Tirane, 1985,
3. Mr.Mustafë Haziri, “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, Prizren – Kllokot, 2011 f.383,
4. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë “Buletini” Nr.4, Korrik – shtator 1997.

…………………………………………

Flet Avdi Uka – ish’minator i Trepçës | Shkurt 2013:

==========================
Slloveni, 1990: Sh. Berisha me minatorët e Trepçës – Avdi Uka dhe Mursel Haziri.

 —————————————————————

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura