ARIF EJUPI: MURAT MEHMET AJETI, LUFTËTAR SYPATREMBUR I CELULAVE TË PARA TË UÇK-së, NË LLAP

Gjenevë, 31 Mars 2020: Mbrëmë papritmas rreth orës njëzet ka ndërruar jetë Murat Mehmet Ajeti, i lindur më 8 janar të vitit 1954, në fshatin Sfeqël të Llapit.
Ai shkollën tetëvjeçare e kreu në fshat dhe Podujevë.Ndërkaq atë të Mesme në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.
Duke parë gjendjen e rëndë dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar të Kosovës, nga sllavo- komunistët profesionin prej polici Murati, nuk e ushtroi asnjëherë.
Çuarjen dorë mbi vëllezërit dhe motrat e tij të një gjaku që luftonin për të drejta dhe barazi me popujtë e tjerë të ish- Jugosllavisë, e konsideronte krim të rëndë.
Si djalë i atdhetarit dhe vizionarit të njohur llapjan Mehmet Hasan Ajeti, i njohur në Llap e më gjerë si Meha, dhe nip i Ismail Ajetit – Bushit, ai që në rininë e tij të hershme së bashku me kushërinjtë e tij Hetem dhe Ali Ajeti, me tërë qenien luftuan me guxim të paparë ndaj regjimeve gjakatare të ish- Jugosllavisë, e veçmas të Serbisë.
Atdhedashurinë dhe qëndresën në familjen Ajeti, e kultivoi Ismail Hasan Ajeti – Bushi, i cili më 23 dhjetor të vitit 1945, në Kranjë të Prespës, së bashku me një grup shokësh i pati mundësuar arratisjen në Greqi, me katërqind luftëtarë Muharrem Bajraktarit, ish- udhëheqës i Ballit Kombëtar.
Po, ky Ismail Ajeti, që për një fije floku i shpëtoi dënimit me ekzekutim në stil gladiatori romak më 8 shkurt të vitit 1950, në cilësinë e gardianit të Burgut të Mitrovicës së Kosovës, ua pati hapur dyert të gjithë të burgosurëve, duke u arratisur edhe vet së bashku me ta.
Pas këtij akti Ismailit, prapë i shqiptohet dënimi me vdekje.Familja Ajeti, në mënyrë që ta shpëtoj nga vdekja Ismailin, shet tokë, drithëra dhe bagëti.

Murat Mehmet Ajeti, 1954 – 2020

Kjo familje revolucionare dhe reformatore me këtë rast ndihmohet me100 (njëqind) lira ari nga miku i saj Latif Merovci.
Falë një shume të majme të hollash Ismail Ajetit, dënimi me vdekje i kthehet në dënim të përjetshëm.
Lëvizjet e brendshme në ish- Jugosllavi, sidomos shpërthimi i shkëndijave të para të konfliktit në fillim të viteve të 60- ta, në mes ultra-nacionalistëve serbë dhe Josip Broz Titos, krijojnë klimë të favorshme dhe ngjallin shpresën për të gjithë të dënuarit politikë, në gjashtë Republikat dhe dy Krahinat e Federatës jugosllave, ku pjesa dërrmuese e të burgosurëve ishin shqiptarë.
Tito për të forcuar pozitën e tij si udhëheqës i ish- Jugosllavisë komuniste, nepërmjet një Dekreti kërkon Amnistimin dhe zbutjen e dënimeve të një numri të konsiderueshëm të dënuarish politikë.
Nga kjo Amnisti do të përfitojë edhe Ismail Ajeti, së bashku me atdhetarët e njohur Skënder Kadriu- Presheva, Begzad Sahiti, Murteza Bajraktari, Mehmet Gega, Hamza Shala, Rrahim Redenica, Ismail Arifi, Dr.Burhan Pasholli- Dibra, Rexhep Bunjaku, Pajazit Tërnava, Mejdi Bajraktari, Eshref Hoxha etj.
Ata gjatë shkurtit dhe marsit të vitit 1960, pas shumë viteve vuajtjesh dhe keqtrajtimesh lirohen nga burgu famëkeq i Idrizovës së Maqedonisë.
Edhe pse përjetuan ferrin të gjithë prapë u riorganizuan me brezin e ri të idealistëve shqiptarë të vitit 1968, brez ky që po luftonte për Universitet në Gjuhën shqipe, dhe simbole kombëtare, si dhe për avancim të statusit të Kosovës.
Më 25 janar të vitit 1969, Hetem Ramadan Ajeti, pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, derisa po priste trenin Podujevë – Polonicë, sulmohet fizikisht nga polici serb Apostol Llaziq.
Sulmi mbi te ishte bërë vetëm pse ai kishte marrë pjesë në demonstratën e 27 Nëntorit 1968, të organizuar në Podujevë, nga studentët Sabit Ibrahim Syla, Xheladin Jetish Rekaliu, Ilaz Ejup Pireva dhe Hakif Ahmet Sheholli etj.
Hetemi si gjithnjë i heshtur pas tri ditësh hakmerret duke e goditur me levë në kokë policin Llaziq, të cilit i shkakton invaliditet të përjetshëm.
Edhe pse dënohet me burgim ai pas lirimit së bashku me nipin e tij Ali Adem Ajeti dhe Murat Mehmet Ajeti, të vendosur për ta bërë vdekjen në betejat për liri të Kosovës, edhe më 1981 gjendën në ballë të protestave gjithëpopullore.
Gjyqet e montuara të ish- Jugosllavisë të dirigjuara nga serbë neofashist dhe të instrumentalizuara nga politika regjide e Lazar Mojsovit, Franjo Herleviqit, Nikolla Lubiçiqit, Velko Kadijeviqit, Petar Graçanit, hibritit Raif Dizdareviq, Borisav Joviqit, dhe veglave të tyre Ali Shukriu, Rrahman Morina, Xhavit Nimani, Sinan Hasani e Husamedin Azemi etj, i dënojnë mijëra shqiptarë të Kosovës, me burgim të rëndë.
Si organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave të shumëta Ali Adem Ajeti, më 18 qershor të vitit 1984, dënohet me 4 vite burgim të rëndë, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Kurse axha i tij Hetem Ajeti, në demonstratat e vitit 1981, përballë rrobaqepësisë “Beko “pronë e një serbi lokal të Podujevës, plagoset rëndë.
Në fund të viteve të 80- ta, regjimi kriminal i Milosheviqit, e intesnifikon edhe më tepër dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve etnik të Kosovës.
Ai më 23 mars 1989 suprimon Autonominë e Kosovës, duke vrarë, burgosur e keqtrajtuar shqiptarët .
Ajetajt e Sfeqlës së Llapit, duke mosnjohur frikën së bashku me shumë të rinj të Llapit, më 27 mars 1989 organizojnë në qytezën e Podujevës, një demonstratë të fuqishme në kundërshtim të politikës gjenocidiale të Millosheviqit.
Në këtë demonstratë të tensionuar nga dhuna e papërmbajtur e shovinistëve serbë vritet djaloshi 23 vjeç Mehmet Maliq Ejupi, nga Vendenisi ( ish- Gllamniku i Podujevës)
Pas kësaj ngjarje të dhembshme një grup shokësh dhe shoqesh të prirë nga Ali Ajeti, organizojnë formacionin e parë të armatosur të njohur edhe si Çeta e Llapit.
Nga ky moment regjioni i Llapit, shndërrohet në arenë protestash të njëpasnjëshme. Djem e vajza të përkrahur edhe nga bujqë, punëtorë, nëpunës, mësues e arsimtarë pa trembur sy nga vdekja vihen në mbrojtje të Kushtetutëshmërisë, së Kosovës, si akti kryesor dhe më i lart ligjor i një vendi.
Pushtuesit me paramendimin që po i zmbrapsin ideologët e këtyre protestave më 6 prill 1989, në orët e hershme të mëngjesit e arrestojnë Hetem Ajetin.
Po ashtu bëjnë përpjekje që t’i kapin Ismail, Ali, dhe Murat Ajetin. Ata të vendosur në luftën e tyre për çlirim të Kosovës, dhe të vetëdijshëm për rrezikun strehohen tek Latifajt e Pollatës, me të cilët ishin në krushqi të hershme.
Këta luftëtarë sypatrembur u përcaktuan për strehim tek Latifajt, të bindur ç’në rast përleshje me forcat pushtuese të Serbisë, do ta kenë edhe përkrahjen e tyre.
Latifajt të njohur edhe si Monollët e Pollatës, ishin trima të pamposhtur. Ata në të gjitha periudhat iu kundërvunë pushtuesëve serbë pa marrë parasysh asnjëherë forcën e tyre numerike në njerëz e armatim.
Më 30 maj të vitit 1989, nga konaku i Muhamet Ibrahim Latifit, Ismail, Ali e Murat Ajeti, zbarkojnë në qytezën e Podujevës, ku së bashku me shokët e tyre organizojnë protestën e radhës me pjesëmarrjen masive të të gjitha shtresave të popullit.
Pushtuesit të lemerisur dhe të gjendur në ankth fillojnë përdorimin e forcës ndaj protestuesve.
Rinia studentore e Llapit, me gjithë gazinlotsjellës, dhe frushkujt e ujit nuk dorëzohet. Policia dhe ushtria serbe e kapluar nga frika kërkon forca shtesë nga Beogradi.
Tanket me zhurmën e tyre shurdhuese zënë pritat në të gjitha rrugët që çojnë në qytezën e Podujevës.
Avionët luftarak për të mbjellur frikë fluturojnë ultë dhe pandërprerë mbi qiellin e Llapit.
Në këtë ditë kritike Ali Adem Ajeti, jep shembullin e luftëtarit të vërtetë duke mbrojtur nxënës e nxënëse të shkollave të mesme të Podujevës.
Ai vritet në përleshje fyta-fytas me policët serbë. Rezistencën e tij të pashoqe e dëshmon edhe shkrepja e rafaleve nga automatiku i tij, mbi policët serbë, ku merrë flakë edhe një pjesë e arës së mbjellur me grurë.
Pas rënijes së Aliut, çdoherë në konsultim me Ismail Ajetin – Bushin, vazhdohet lufta për çlirimin e Kosovës.
Ismaili, përherë në vijë të parë të frontit për çlirimin e tokave shqiptare, porositë Hetemin dhe Muratin, që të veprojnë me maturi.
Duke njohur shpirtin e tyre luftarak dhe kryengritës ai këshillon që të veprohet në treshe.
Pas suksesit në terren propozon zgjerimin e radhëve.Po ashtu si kohë të përshtatshme për atentate parasheh orët e mbrëmjes dhe ato të pasmesnatës.
Hetem e Murat Ajeti, së bashku me Mehmet Sherif Visokën, sulmin e parë e ndërmarrin më 1991 mbi Motelin hotelier ”Besiana “në hyrje të qytezës së Podujevës, ku ishin të vendosura forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.
Më 30 tetor të vitit 1992 Zejnullah Zejnullahu-Zena dhe Murat Ajeti shkojnë në Durrës të Shqipërisë, për të siguruar armatimin e nevojshëm për guerilasit.
Për fatin e tyre të keq më 2 nëntor 1992, Zejnullah Zejnullahu, në të hyrë të vijës kufitare Maqedoni -Kosovë, ndalet nga policia maqedonase. Pikërisht në vendin e quajtur Jazhnicë, ai dhe vetura e tij kontrollohen në hollësi.
Me këtë rast Zejnullahut i konfiskohet municioni dhe e gjithë lënda plasëse, si dhe vetura“Opel Katet 1000”në të cilën kishte fshehur armatimin.
Zejnullah Zejnullahu me urdhërin e prokurorit publik të këtij shteti dërgohet në paraburgim në burgun e Tetovës.
Babai i tij Bejtullahu me djemtë Sylejmanin dhe Asllanin, nga frika që ai, mund të likuidohet nga sllavo- maqedonasit kontaktojnë në Shkup, një avokate të njohur, e cila e lidhur ngushtë me regjimin e Kiro Gligorovit, pas një paradhënie prej 50 mijë DM, e liron Zejnullahun, më 29 dhjetor të vitit 1992, me të drejtë mbrojtje në liri, derisa atij t’i caktohet data e gjykimit.
Me të kthyer në vendlindje Zejnullahu, shet 50 ari tokë, dhe e kthen deri në një qindarkë borxhin e huazuar nga shokë e miq.
Murati që kishte mbetur në Shqipëri për të siguruar edhe pjesën tjetër të armatimit të domosdoshëm ishte ndjerë tepër keq, kur kishte kuptuar lajmin mbi arrestimin e Zejnullahut.
Madje, nga ky moment ai bënte kujdes të shtuar kur blente armatimin, sepse druante në lidhjet e mundshme të matrapazëve shqiptarë me ata sllavo- maqedonas.
Zejnullahun fare- fare nuk e dëshpëroj as ky arrestim i tij i paparashikuar. Ai nisi aktivitetin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Sipas të gjitha gjasave organet maqedonase kishin dërguar rastin Zejnullahu, tek organet e Serbisë.
Ai nisi të kërkohet çdo ditë nga policia e Serbisë në Lladoc të Podujevës, ku edhe jetonte.
Ekspeditës në kërkim të Zejnullah Zejnullahut i pati prirë edhe inspektori i lartë i policisë serbe Miça Joviç.
Nga frika e zbulimit të guerilasëve të parë të Llapit, më 8 korrik të vitit 1993, Zejnullahu, kalon përkohësisht në Zvicër.
Atje nga dëshira për të ndihmuar shokët e tij guerilas më 12 shkurt 1995, me një grup llapjanësh të mërguar në këtë vend të Evropës Qendrore themelojnë shoqatën bamirëse “Ali Ajeti” ku atij i besohet funksioni i sekretarit ekzekutiv.
Kjo shoqatë me organizimin e dy aksioneve të jashtëzakonshme pati ndihmuar UÇK- në, Zona Operative e Llapit me 300mijë(treqindmijë) DM.
Me të shpërthyer lufta frontale në Kosovë, Zejnullahu kthehet në radhët e UÇK- së. Aty takohet me bashkëluftëtarin e tij Murat Ajeti, i cili kryente punë të rëndësishme në furnizimin e UÇK- së, me armatim dhe ushqime.
Murati, Hetemi dhe Mehmeti më 26 korrik 1993, në mesnatë tek Qershitë e Llapashticës i patën zënë pusi një patrulle të policisë serbe, që po kthehej nga Prishtina në bazën e saj në Podujevë.
Nga ky sulm befasues dhe i papritur vetura e policisë qe rrokullisur në ara, ndërkaq policët e gjendur në te patën pësuar lëndime serioze.
Të nesërmen në shenjë hakmarrje policia kriminale e Serbisë, që nga shkolla fillore “Kongresi i Manastirit “e fshatit Gllamnik e deri në qendër të Podujevës, pati keqtrajtuar brutalisht mbi njëqind qytetarë të komunës së Podujevës.
Aksione të kësaj treshje ishin edhe ato në Sibovc, Gërdoc, Lluzhan e Orllan, tek Guroret e Salih Buçajt. Këto aksione ishin paralajmërim ndaj kriminelëve të sojit si:Sredoje Radojeviq- Cipiripi, Bosanaci i Madh, Nebojsha Cvejiq, Millosh Nikoliq, i njohur edhe si i biri i Dragçit, Dragan Rakiq, Tomisllav Petroviq – Toma, Miqa Joviq, Goran Mitroviq, Branisllav Millanoviq etj, të cilët që nga fshati veriperëndimor Përpellac, që gjendet në zonën kufitare me Serbinë, e deri në Ballaban, i terrorizonin pa arsyen më të vogël shqiptarët e pambrojtur të kësaj ane.
Murat Ajeti, që shquhej për bashkëpunim të sinqertë me të gjitha njisitet guerilase, bashkëpunoi ngushtë edhe me themeluesin e celulave të para të UÇK- së, në nivel vendi, heroin Zahir Qerim Pajaziti.
Ai, haptas pranonte që njisiti i udhëhequr nga Zahir Pajaziti, ishte profesional dhe efikas. Murati thoshte që ky njisit përveç profesionalizmit përparësi kishte edhe moshën.Të gjithë ishin të rinj dhe të shkathët për aksione.
Meqë, posedonin këtë element të rëndësishëm dhe parësor të ushtarit të vërtetë ata finalizuan me sukses çdo aksion.
Më 11 tetor 1996 në hyrje të kafiterisë” Fontana”në Podujevë, Zahir Pajaziti, plagosi kriminelin serb të njohur me nofkën Cipiripi. Ditën kur ky polic famëkeq u paaftësua për jetë, u zbulua edhe identiteti i tij i vërtetë si Sredoje Radojeviq.
Më 25 tetor po të këtij viti në Surkish të Podujevës, rreth orës 21 e 25minuta nga dora e Zahir Qerim Pajazit dhe Ilir Halit Konushevcit, u vranë inspektorët zullumçar dhe provokues Millosh Dragomir Nikoliq dhe Dragan Rakiq.
Bashkëluftëtarët besnik të Zahirit me një atentat të programuar si në filma holivudian më 19 shkurt të vitit 1998, në rrugën Podujevë- Prishtinë, saktësisht në fshatin Lluzhan, vranë Nebojsha Cvejiqin, pjesëtar të policisë sekrete të Serbisë.
Murati gjithandej Kosovës, saherë që i jepej rasti në ndenja dhe manifestime kujtonte këto episode lavdi e krenarie të bashkëluftëtarëve të tij.
Murat Ajeti, pas të çlirimit të Kosovës, punoni edhe në ekipin e sigurisë së ish- Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, dhe në Administratën qendrore të LDK- së, në Prishtinë.
Vdekja e tij e parakohshme është humbje e madhe për familjen, dhe shoqërinë në përgjithësi.
Murat Ajeti, për shkak të përhapjes enorme të pandemisë u varros në fshatin e tij të lindjes Sfeqël të Podujevës, pa bujë e ceremoni.
Ai u varros tamam si ushtar i rënë në fushën e Betejës. Edhe në librat e shenjtë si Bibël dhe Kuran, thuhet që Zotifuqiplot të këtillët i mëshiron, dhe i shpërblen me parajsë.
Kujtimi për Muratin, si njërin nga guerilasit e parë të UÇK- së, në Llap, do të jetojë përherë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura