RUDINA XHUNGA: VALBONA E BEKUAR

Tiranë, 29. 06. 2016: Rrugës për të shkuar në Valbonë, në një ditë të trishtuar si ajo e Brexit, një avokat më shpjegon se kjo ngjarje është e mirë për Shqipërinë, sepse, sipas tij, tanimë BE nuk do të ketë kohë të na vëzhgojë e bezdisë dhe qetësisht mund të mbjellim hashash e pasurohemi.
Kur arrij në Valbonë, një mrekulli e natyrës, një bukuri unike, me të cilën mund të mburremi e krenohemi, pa drojë se kemi shtuar gjë, drejtohem në hotelin ku kam bërë emision, 6 vjet më parë. Por nuk e gjej më. Në vend të tij, është një kompleks hotelesh, nuk gjej më kapanonin prej druri me pak dhoma, ngjitur Kroit të Valbonës, plot gjinkalla, flutura e ujë të bekuar, por dy hotele të mëdha guri, restorantet e mëdha plot piktura bjeshkësh dhe poezi në kornizë.
Vetëm Mirash Lamthi, pronari është po i njëjti. Asnjë kg më tepër, me bluzë pambuku e duart gjithmonë të zëna, sa në kuzhinë, sa në hotel. Me hashash është marrë, më pyesin shoqëruesit, të ndikuar nga bisedat e mëngjesit, duke u habitur nga aq shumë ndryshim. Po Mirashi nuk ka nevojë për hashashin. Thesari i tij, është te kroi. Nga 10 dhoma, tani ka mundësi të presë 300 vetë në natë, me krevatet ku të vë në gjumë uji dhe ajri.

Çfarë ajri! Provo këto dite zhegu të shkosh atje dhe do të më besosh.
Aty afër, është zalli ku piktorët vënë telajot, ku kuajt ndalojnë, si për të përshëndetur artistin, ku piqet helli dhe aroma shpërndahet në gjithë luginën. Mirashi, Marku, Ibrahimi, nuk flasin për Brexit, as për politikë Tirane, për hashash jo se jo. Flasin për telefonin që nuk po vjen në këtë copë parajsë. Ata shkojnë nën një pemë që i thërrasin PTT dhe aty rrinë e presin mesazhet për rezervim në hotel.
Flasin për rrugën që të çon te trageti dhe është copë e të bën copë, kur vjen me makinë, ndaj të gjithë vijnë nga Gjakova, veç kujt kërkon aventurën, apo të rrëzojë gurët e veshkave. Marku tregon se qyshkur u bë rruga që të sjell në Valbone, erdhi dhe fati e mirëqenia në fshat.
Tani në Valbonë nuk ka më njeri papunë. Emigracioni është i tejkaluar. Nuk ka njeri me mend që lë shtëpinë, kur nëse e hap shtëpinë dhe pret miq, jeton mirë dhe puna sjell punë. Aty çdo shtëpi është një bujtinë, çdo makinë e kalë është për turistët, çdo i ri është një kamerier, çdo grua një kuzhiniere, çdo burrë, një guide për ecje deri në Theth, që mban 11 km nga Valbona por do 5 orë në këmbë. Na kanë thënë se do të bëhet rruga, tregojnë, atëherë do të bashkohemi e do presim dhe përcjellim gjithë botën.
Ata njerëz të mrekullueshëm që punojnë e nuk qahen kurrë, që bëjnë mjaltin më të mirë të gështenjave, që mbledhin çajin më erëmirë që ke shijuar, të japin kënaqësi pafund kur i takon dhe i sheh sa janë zhvilluar dhe e kupton se u deshën vetëm pak vite, një rrugë dhe siguria se aty s’të bën keq as miza, që të shndërroheshin nga emigrante në tokën të huaj, në zotër të shtëpisë së vet dhe bujtësit e një fundjave nga më fantastiket që të qëllon të provosh.
Ata janë shembulli se nuk ka si shtëpia jote, duhet vetëm ta kuptosh dhe ta kthesh në mundësi. Ata bënë gjithçka mund të bëjë një njeri për shtëpinë e tij, për fshatin e tij, pa pritur shoqatat e turizmit me listat çarçafë të ankesave, që nuk japin kurrë ide, as ofrojnë zgjidhje. Pa pritur as kompanitë celulare, që i kanë mbushur pallatet e Tiranës me antena, po nuk shkojnë dot, as lart në veri,as tutje në jug.
Vetëm duke dëgjuar zërin e ujit, te orëve , të maleve dhe duke besuar te zërat e tokës së të parëve, ju shtruan punës dhe tani nuk kanë asgjë më pak se në Zvicër, madje kanë më shumë. Valbona nuk është më fshat. Turizmi e bëri Valbonën qytetërim. Turizmi është mundësia e saj e vetme për zhvillim. Siç është për Shqipërinë. Nuk kemi rruge tjetër. Kush nuk e kupton, nuk e do këtë vend. Si ai avokati që i gëzohej lirisë për të mbjellë hashash dhe korrur para, por jo dot pasuri. As qytetërim, as krenari, as paqe, si ato që t’i jep vetëm një fundjave Valbone.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura