ARIF EJUPI: NË GJENEVË EKSPOZOHEN THESARET NËNUJORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Gjenevë, 20. 02. 2016: Departamenti i Arkeologjisë klasike pranë Universitetit të Gjenevës dhe Qendra e Kërkimeve Arkeologjike e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me revistën shkencore “Ocean 71” dhe Shoqatën shqiptaro-zvicerane Orikum, që veprimtari të përbashkët kanë hulumtimet arkeologjike, kanë organizuar këto ditë në Gjenevë të Zvicrës ekspozitën me fotografi “Udhëtimi kah e panjohura”.
Kurse mbrëmë në një nga sallat e Uni Bastions të këtij qyteti është shfaqur dokumentari me titull “Fshehtësitë në shtetin e shqiponjave të zeza”.
Si ekspozita, ashtu dhe kinokronika temë boshte kanë pasur gjetjet e amforave nënujore të shekullit të gjashtë para erës sonë në gjirin e Sarandës.
Drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike të Shqipërisë, zoti Luan Përzhita, e konsideron bregdetin shqiptar si një hapësirë që fsheh thesare të shumta nënujore.
Ai mendon se gjithë ky thesar nënujor kërkon fonde, sepse të gjitha gjetjet duhet të konservohen dhe të trajtohen në mënyrë të veçantë.

Ndërkaq harta arkeologjike, si kusht i parë për gërmime nënujore, është realizuar nga arkeologu i njohur shqiptar, Ardian Anastasi dhe nga njohësi i shkëlqyer i arkeologjisë nënujore, dr.Jeff Royal, profesor në Universitetin e Karolinës Lindore të SHBA-së.
Po ashtu gjatë dokumentarit shiheshin edhe skanimet e bëra në zonat me potencial të lartë arkeologjik, duke filluar nga gjiri i Vlorës e deri në derdhjen e Shkumbinit.
Në të gjitha këto gërmime, përveç ekspertëve shqiptarë, kanë marrë pjesë edhe shkencëtarë të huaj që kanë bërë emër në arkeologji. Nga të huajit duhet veçuar profesorët nga Gjeneva, Jean- Paul Descoeudres dhe Gionota Consagra, të cilët shquhen me punën e tyre kërkimore në këtë fushë. Ata së bashku me profesorin Saimir Shpuza kanë bërë gërmime të vlerave të rralla në Shkodër, por si vepër kapitale janë konsideruar gjetjet e tyre në monumentin e dyzet shenjtorëve në kishën e Sarandës.
Me interes arkeologjik shihet edhe zona nënujore e Triporitit si dhe Kepi i Stilinosit deri në gjirin e Kakomesë.
Gjithashtu edhe gjiri detar i Gamës, Arushës, Shën Janit dhe Shën Vasilit posedojnë mbetje antike dhe mesjetare.Këto gjetje që datojnë nga shekulli i katërt i para Krishtit, konsiderohen si zbulime të rralla dhe janë të pakta në rajon dhe si të tilla kanë rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Kjo ekspozitë me vlera i nxjerr si kampion arkeologët zviceranë, sepse më 2004 në veri të Alpeve Shqiptare hulumtime pati bërë dhe arkeologu i njohur, Cristian Zindel, profesor në Universitetin shtetëror të Cyrihut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura