Gjenevë, 17. 04. 2015 – (Me rastin e dyvjetorit të vdekjes së Sylejman Mehmetit) – Sylejman Mehmeti lindi më 1942 në Besianë (ish-Podujevë). Ai rrjedhë nga një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Veç kësaj familja Mehmeti në Llap e më gjer njihet si vatër sportistësh. Nga brumi i të njëjtës familjeje është dhe nipi i tij Esat Mehmeti i cili pati shkëlqyer si portier në Trepçë të Mitrovicës, Liri të Prizrenit, Budiçnost të Pejës, Vardar të Shkupit, (skuadër kjo atë kohë anëtare e Ligës së Parë Federative të ish-Jugosllavisë) Kulmin e suksesit Esati si portier e shënoi me kalimin e tij në Beshiktash të Stambollit. Ndërkaq Idriz e Jakup Mehmeti deri në mbyllje të karrierës i mbetën besnikë skuadrës së tyre të zemrës KF “LLAPI” të Besianës (Podujevës).
Në anën tjetër formë jashtëzakonisht të mirë pati treguar edhe portieri Ismail Mehmeti , i cili një dhjetëvjetësh të plotë barti me sukses fanellën e kaltër të Klubit Hendbollistik KH”LLAPI” Pikënisje e kësaj gurre të gjallë e të pashtershme talentesh ishte Sylejman Mehmeti, i cili ua hapi rrugën për të ecur përpara edhe gjeneratave të ardhshme të cilat e mbajtën gjallë në një kohë të trazuar jetën sportive në Kosovë.
Sylejmani që në vitet e 60-ta talentin prej sportisti e shpreh në skuadrën KH” NORMALISTI” të Prishtinës. Edhe pse kjo ekip atëbotë mblidhte ajkën e sportistëve më të mirë të të gjitha trojeve shqiptare Sylejman Mehmeti ishte i pa konkurrencë dhe gjatë qëndroi njëshi i Normalistit.
Te “Normalisti” siç e quanin shkurtas Syla përjetoi çastet më të lumtura të jetës së vet. Krahas formimit të tij si sportist ai ndiqte edhe mësimet në shkollën Normale të Prishtinës, të cilat i përfundoi me plotë sukses.
Megjithëkëtë Syla në Prishtinë nuk gjente rehati kur e dinte shumë mirë që Besiana (Podujeva) e tij e dashur vlonte nga talentet e fushave të ndryshme të sportit. Por ata shuheshin në mungesë prijatarësh dhe iniciativash të cilat mungonin, gjithashtu edhe injoroheshin totalisht nga strukturat udhëheqëse të pushtetit të asaj kohe.
Sylejman Mehmeti gati pesë decenie me ditar në dore përhapi dije në shumë shkolla të Llapit.
Ç’është e vërteta ishte tepër vështirë të veprohej sepse Kosova po shkatërrohej mes katastrofash të njëpasnjëshme politike të regjimeve serbo-sllave, ku shqiptarët kishin shumë pak peshë shoqërore. Në një situatë të tillë sociale e politike lind e selitet në Llap koncepti i njeriut të pavarur dhe të ndërgjegjësuar për rolin në shoqëri.
Nga bërthama e këtij brezi del Sylejman Mehmeti, i cili themelon në Besianë (Podujevë) Klubin e Hendbollit LLAPI. Përveç kësaj në të njëjtën kohë merë ditarin në dorë dhe së bashku me të vëllanë Xhaferin, arsimdashës dhe veteran i arsimit në komunën e Besianës (Podujevës), gjysmë shekulli u shpërndajnë gjeneratave të shumta të fshatit LLapashticë të Besianës (Podujevës), dije dhe kulturë.
Gjithashtu Sylejman Mehmeti e ngjall aktivitetin e ndrymë kulturor e themeldalë në regjionin e Llapit, duke inkurajuar bashkëmoshatarët në krijimin e Shoqërisë Kulturore – Artistike “JOSIP RELA” të Besianës (Podujevës). Shoqëri kjo e cila nga gjiri i saj nxori emra që nuk harrohen nga fusha e artit skenik dhe ajo e këngës. Veçmas Sylejman Mehmeti ngelet i paharrueshëm në organizimin shembullor të Klubit Hendbollistik “Llapi”. Ne këtë klub Syla kreu detyra të shumta dhe falë angazhimit të tij të sinqertë “LLAPI” ishte njëri ndër ekipet më të mira të hendbollit në Kosovë. Plejada e hendbollistëve të Sylës sa e sa herë ua pati prishur llogarit edhe skuadrave më me nëmë në ish-Jugosllavi, duke i gjunjëzuar ato shpeshherë edhe në terrenet e tyre. Syla u kujdes që krahas ekipit të meshkujve të veproi dhe ekipi i femrave.
Zotimeve të tij u doli zot duke krijuar edhe grupin e vashave hendbolliste të LLapit të cilat dhjetëvjeçar me radhë treguan formë solide në Ligën e Parë Hendbollistike të Kosovës.
Kur klubi futbollistik “LLAPI” ballafaqohej me paqartësitë me qenë o mos me qenë në rang garash me skuadrat më të mira të vendit Syla pa ngurruar i dilte në ndihmë ekipit të vetëm të qytezës, duke mbrojtur ngjyrat e tij. Falë Sylejman Mehmetit dhe formës së tij të shkëlqyeshme Llapi dy-tre herë i është shmangur largimit nga Liga e Parë Krahinore e Futbollit të Kosovës.
Uzurpimin e terreneve sportive në vitet e 90-ta nga ana e Serbisë, Syla e përjetojë rëndë. Ai në këtë situatë të pështjellë mblodhi shokë dhe miq të cilët i aktivizoi në Shoqatën e Sporteve të Pavarura të Besianës (Podujevës), ku edhe kreu detyrën e Kryetarit të Shoqatës. Syla punën e konsideronte si një proces të pambarim dhe nuk donte të humbasë asnjë çast. Po ashtu ai ishte edhe anëtar i rregullt e mjaft aktiv i FEDERATËS SË HENDBOLLIT TË KOSOVËS.
Ai dhe kolegët e tij e ndjenin detyrë kombëtare që së bashku me qytetarët ta ruajnë sa më kujdesshëm mëvetësinë e sportit kosovar. Si kuadër me eksperiencë dhe mjaft praktik Syla, në bashkëveprim me udhëheqësit shqiptarë të fabrikës së shtyllave “FAPOL” të Besianës (Podujevës), themeloi Klubin Hendbollistik me të njëjtin emër. Ky klub edhe pse nën okupim në radhët e veta tuboi emrat më afirmativ të hendbollit llapjan.
Në mënyrë që të rritet një rini e pastër jetëdhënëse e bashkuar e premtuese Syla gjen mirëkuptim tek pronarët e hapësirave në fshatin Dumnicë të Besianës (Podujevës), të cilët livadhet e tyre i shndërrojnë në fusha sporti. Në këto fusha përafërsisht të përshtatshme për lojë u rezistua politika neofashiste e Millosheviqit e cila me gjithë tiraninë sistematike nuk arriti nënshtrimin e shqiptarëve.
Sylejman Mehmeti lojtar dhe trajner për disa vite i skuadrës KH“LLAPI“ së bashku me lojtarët në Dumnicë të poshtme të Besianës (ish Podujeva) – Foto e viteve të 90-ta periudha kur regjimi i Millosheviqit uzurpoi mjediset e kësaj skuadre.
LOTË MALLI PËR VENDLINDJEN DHE SHOKËT
Në kohën kur u fitua liria e shumëpritur e Kosovës, Syla për arsye shëndetësore medoemos detyrohet të marrë udhën e mërgimit. Ai plot melankoli e brengë vendoset në qytetin Avignon në jug të Francës. Edhe pse i shkëputur nga Atdheu asnjëherë nuk i harroi shokët dhe miqtë e shumtë në Kosovë, me të cilët kishte ndarë të mirën dhe të keqën.
Interesim të posaçëm ky veprimtar i devotshëm kishte për rimëkëmbjen e sportit në atdheun e posa çliruar. Një nga ditët më të lumtura në jetën e Sylejman Mehmetit, do të mbetet ajo e 18 dhjetorit 2004 kur FHK-ja u bë anëtare e EHF-së. Nga gëzimi i papërmbajtur për këtë akt solemn Syla i përmalluar uronte nga Franca udhëheqësit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, dhe gjithë shokët tjerë për realizimin e kësaj ëndrre shekullore. Pas një qëndrimi relativisht të gjatë në Francë, Syla vazhdonte të kishte probleme me shëndetin. Ai diagnostikohet me një sëmundje të rëndë dhe të pashëruar nga e cila ndërroi jetë më 2 prill 2013. Lajmi i vdekjes veç familjes Mehmeti kishte prekur thellë të gjithë. Sylën e njihte tërë LLAPI si sportist në zë. Prandaj të gjithë ia kishim borxh një varrim sa më të dinjitetshëm.
Syla u varros në varrezat qendrore të Besianës (Podujevës) më 5prill 2013. Vargu i njerëzve nga të gjitha viset e Kosovës,ishte i gjatë shumë i gjatë, fill zinte te Hotel “BESIANA” kurse fundi nuk shihej fare. Syla e meritoi një përcjellje me kaq madhështi sepse ishte mësues i zellshëm dhe sportist i mirëfilltë. Ai qëndroi vazhdimisht në shërbim të sportit, dhe të shkollës shqipe, si përgjigje e dëshirës së zjarrtë për të ruajtur identitetin kulturor e kombëtar nga hegjemonizmi i egër serbo-sllav.