REXHEP KASUMAJ: KULTURA E LAMTUMIRËS (VIRTYTI I MUNGUAR SHQIPTAR)

Berlin, 30. 06. 2013 – “Nga unë kurrë nuk do dëgjoni fjalën lamtumirë”, tha Sali Berisha në paraqitjen e parë publike kur u shtrëngua të pranojë disfatën e thellë, gati referendare, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri.
Fjalën burrnore e, njëkohësisht, morale, që ky nuk e thotë dot, do ta shqiptonin pa komplekse e qetësisht, V. Çërçilli, triumfatori i Luftës së dytë të përbotshme e nobelist i letërsisë, Helmut Kohli, rrafshues i Perdes së hekurt, bashkërrëzues i komunizmit dhe kancelar historik i Bashkimit gjerman dhe, tutje, Sharl de Goli, heroi kombëtar i Rezistencës e njeriu që i shpëtoi ftyrën Francës së poshtëruar.
Do të lamtumireshin, pastaj, dhe Leh Valesa që u pat kryengritur kundër tiranisë bolshevike qysh në kohën kur Berisha bartte ujin e njelmët të Hoxhës nga Tirana në Paris dhe Vaclav Havelli, shkrimtar i shquar, disident i hershëm e arkitekt i prishjes miqësore të federatës çekosllovake, që pat ruajtur përgjegjshëm paqen në Miteleuropë atyre moteve të stuhishme, kur për të njëjtën punë përgjakeshin vdekshëm sllavët ballkanës.
Madje, do të ndaheshin nga zeja e politikës dhe liderë të tjerë më voglanë e lokalë të tranzicionit përreth: Gligorovi nacionalist (që vdiq më pas) i Maqedonisë apo Kuçani tejpamës i Sllovenisë.
E Berisha, tashmë pa fronin e absolutizuar të ministrit të parë, i pazoti ta nxirrte atë fjalë, nuk dëshmoi as format historie e ndjeshmëri demokracie si të parët, e as realizëm politik, si këta shtegësit e tij dhe, natyrisht, as nderim atdheu si të dyja palët bashkë.

Sala, mërzitet për humbjen…, por s’lamtumiret me politikën!

Korifenjtë ikën ashtu siç erdhën e qeverisën – madhnueshëm. Me lehtësi e ndërgjegjeprehje të admirueshme. Përplot magji e stil. Po ky, vetëm ky, ka ndarë mëndjen të zvarritet ende pas karuselit pushtetar. I vetmuar e krejt i paekzemplar në Europë. 
Mbase, pikërisht kjo është leva e spjegimit. Ç’është e drejta, ndërsa jashtë kishte një referencë të shkëlqyer, në përvojën e politikës shqiptare ai s’ka një të tillë (pandani i tij, Nano, ndonëse më finok e liberal, do të dorëhiqej taktikisht, por do të pështillej si vdekurinë nëpër skenën politike: herë të partisë që posa kishte lënë, në rrekjen për ta ligështuar primjen saj, e herë të shtetit, në lojën dyshe e dështake me Berishën bashkë, për tu vënë në ballë të tij). Megjithatë duke qenë vetë i pakrahasueshëm me ta, pra i vocërr e meskin, mashtrues e dredharak, i pabesë e tinzar, despot e konservues i demokracisë defekte, shërbëtor i regjimi komunist e përngjallës i mbetjeve të tij në një kohë të dytë, dhuntar që dërgoi në mort mijëra qytetarë të trathtuar e populist sharlatan që i futi shpesh thikë Bruti bashkëkombësve të Shqipërisë së jashtme – prej tij, prandaj, nuk ishte e pritshme një fjalë e tillë.
Kishte humbur zgjedhjet (1996), por do të vidhte votat për të mbajtur forcërisht selinë e Predsidencës, pastaj do të dilte i djegur (1997), por do të provonte të rimerrte pushtetin me tankse (si në Kontinentin e puçeve) e me arkmortin e mikut të vrarë pabesisht dhe nuk ka pasur as së fundmi shumicën e nëvojshme (2005, 2009), por ka trafikuar manadate me para e shantazhe për të qëndruar paligjshëm në krye të Republikës së gjunjëzuar. Kësaj radhe, ndërkaq, nuk i hyri vesit të rryer të manipulimit, sepse refuzimi popullor, kje aq rrënues, e survejimi i jashtëm aq i hollë, saqë, si thoshte kundërshtari i tij, edhe në shtëpi po të hapte kutitë, do të dilte i mbaruar. Thjeshtë, një aventurë e përsëritur do të fundoste atë dhe klanësit e tij. Ndoshta tmerrshëm.
Ja, pra, përse poashtu ishte e papritshme që ky njeri, shpirti i të cilit ka ateruar para 68 vitesh në vend e në kohë të gabuar, të mos lamtumiret me politikën.
Hidhtësinë a peshërënden e gurtë të fjalës nuk e qas kurrsesi mendësia, nuk e njeh aspak kultura dhe e trëmb keq hipoteka e fajeve të tij.
Ai do jetë aty, gogolshëm e aktiv, si rojë e trashëgimisë negative dhe kujtesë kujdestare se keqësia mund të rikthehet prapë. Me vrullin e saj primitiv e të përgjakur!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura