ARIF EJUPI: VALA E IKJES SË SHQIPTARËVE NGA KOSOVA KA MARRË PËRMASA SHQETËSUESE!

Gjenevë, 01. 12. 2014 – Vala e imigrimit të shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit ka marrë përmasa shqetësuese. Pjesë e këtij imigrimi në masë të madhe janë të rinjtë të cilët në pa mundësi për ta ndërtuar jetën e tyre në Kosovë, marrinë në sy rrugët e botës. Këta të shpërngulur nga halli vendgrumbullim e kanë Hungarinë, pastaj këtu secili nisë gjurmimin e gjetjes së një rruge që e shpije në një vend të Perëndimit. Në të shumtën e rasteve ky rrugëtim i mundimshëm është me pasoja. Po edhe nëse realizohet kalimi bije fjala në Austri, Gjermani, Francë, Zvicër, apo në vendet Skandinave është i kushtueshëm dhe nuk garanton të ardhme. Këtë joshje për ikje masive nga Kosova e bëjnë grupe të specializuara të kontrabandistëve që përfitojnë shuma të majme parash nga këta njerëz në nevojë.
Po ashtu disa Medie të shkruara dhe vizive ditë më parë publikuan një listë të gjatë të profesioneve për të cilat gjoja, se Suedia dhe Kanadaja kanë nevojë urgjente për fuqi punëtore. Mbase edhe kjo bëri që të shpërthejë posi një vullkan kjo valë e re largimit nga Kosova. Të gjithë e dimë që Kosova si vendi më i ri në botë tranzicionin e ka të vështirë dhe absolutisht të pamundur pa përkrahjen e SHBA-ës dhe të Evropës, veçanërisht të Gjermanisë e cila është njëra ndër shtetet më të zhvilluara të botës në aspektin ekonomik. Fillet e shtetit dhe të se drejtës në Kosovë, fatkeqësisht filluan pa kurrfarë baze.

Kush po e dëshiron ripërsëritjen e kampit të Bllacës?! Pamje nga eksodi masiv i shqiptarëve të Kosovës më 1999. (Foto e marrë nga Mediet e Zvicrës frëngjishtfolëse)

Regjimi i Millosheviqit edhe atë që populli shqiptar e kishte ndërtuar me mund e sakrificë nga djersa e vet e plaçkiti dhe e shkatërroi deri në themele. Mirëpo populli i Kosovës i njohur si punëdashës me gjithë plagën e madhe në shpirt për humbjen e më të dashurve nisi të shoh kah e ardhmja.
Ata që kishin mbet pa kulm mbi kokë diku me vetëpunë e diku të ndihmuar me mjete materiale nga miq e shokë apo nga njerëz vullnetmirë të Diasporës, siguruan një kulm mbi kokë pa trokitur nëpër zyrat e shtetit të Kosovës. Gjithashtu rikthimin e shqiptarëve të Kosovës pas luftës nëpër shtëpitë e tyre e ndihmuan edhe aleatët tanë. Sidomos Caritasi i Zvicrës, bëri investime në Drenicë e Prizren, duke riparuar rrjetin elektrik gati tërësisht të shkatërruar. Në fshatrat e Drenicës zviceranët ndërtuan edhe disa shtëpi familjare për skamnorët. Populli shqiptar i përvuajtur nëpër shekuj u tregua i durueshëm dhe u la hapësirë të mjaftueshme atyre që kishin marrë në duar krijimin e shtetit, që t’i ndërtojnë institucionet e munguara të Kosovës.
Fatkeqësisht disa nga ata që e morën besimin dhe disa që depërtuan në krye të institucioneve shtetërore me rrugë urithi u treguan tepër lakmitarë.
Nga frika që nuk u vije më rasti edhe për një mandat të dytë çdo gjë me vlerë e përvetësuan për vete. Megjithatë në popull ende mbeti shpresa se kjo dukuri e shëmtuar do të jetë e momentit dhe një ditë do të marrë fund. Pasuritë e këtyre njerëzve shumëfishoheshin brenda natës, ndërsa shtresa e të varfërve e venitur filloj ta humb edhe atë fije shprese për një jetë – një grimë më ndryshe.
Në ballinat e shtypit të ditës me të aguar mëngjesi shfaqeshin tituj me afera për keqpërdorim dhe korrupsion. Epilogu i hajnisë së tyre përfundonte me kinse marrjen në pyetje, ku keqpërdoruesi apo keqpërdoruesja sqarimin për aktakuzë e bënin duke pirë kafe dhe pas pak liroheshin si të pafajshëm pa ferrë në këmbë. Akumulimi për vite të tëra i këtyre të zezave ka bërë që njerëzit ta braktisin vendin përkundër dëshirës së tyre. Prandaj akuzat dhe qortimet nga ata që po i mbajnë gati qe gjashtë muaj të paralizuara institucionet e Kosovës, karshi kësaj kategorie janë të pa qëndrueshme, sepse ikja masive është e imponuar kryekëput si pasojë e karrierizmit të tyre.
Gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë, shihet nga aeroplani pa dylbi dhe pa syza dhe nuk do fare koment. Hipokrizia arrin kulmin kur këto shpërngulje disa i konsiderojnë si dëshirë e jo si nevojë. Ata që dikur kanë luftuar me të gjitha mjetet për çlirim dhe bashkim kombëtar, sot po bëjnë përpjekje si të shpëtojnë nga varfëria dhe nga shtypja e vetvetes.

(Kontakti me autorin: [email protected])

……………………………………………………………………………….

IKJA NGA KOSOVA DHE REAGIMI I POLICISË, 25 11 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

VIKTIMA LETRARE

Nga Rexhep Kasumaj, Dimër, 2024 Viktima letrare (Mbi lirinë, gjithmonë) 1. Udhëtari i rrallë kishte një trazim. Një…