ARKIVI NDËRKOMUNAL I PRIZRENIT

Njohuri themelore për Arkivin e Kosovës

ARKIVI NDËRKOMUNAL I PRIZRENIT

Nga Sheradin Berisha

ÇKA ËSHTË ARKIVI

Arkivi është institucion shtetëror që merret me grumbullimin, konservimin, ruajtjen, sistemimin dhe në raste të veçanta edhe me botimin e dokumenteve e të dorëshkrimeve me vlerë historike. Gjithashtu prezanton dhe jep në shfrytëzim lëndën arkivore për qëllime profesionale dhe shkencore. Rrjedhimisht arkivi përfshinë tërësinë e dokumenteve, të akteve etj., që lidhen me veprimtarinë e një institucioni, të një organizate ose të një njeriu dhe që ruhen si materiale me vlerë historike.

ÇKA RUAN ARKIVI I KOSOVËS

Arkivi i Kosovës ruan, mbron dhe administron lëndën arkivore të organeve dhe të organizatave publike, të personave fizik e juridik, të familjeve dhe subjekteve të tjerë, veprimtaria e të cilëve shtrihet apo është shtrirë në territorin e Kosovës apo në një pjesë të saj, që i referohet dokumentit të trashëguar nga e kaluara e Kosovës, të institucioneve qendrore dhe subjekteve private të kaluara në pronësi publike. Selia e Arkivit të Kosovës është në Prishtinë. (Ligji për lëndën arkivore dhe arkivat, 27 shtator 2007) Rrjedhimisht Arkivi i Kosovës është unik dhe në përbërje të tij hynë Arkivi ndërkomunal; Arkivi komunal dhe Arkivi privat.

NJOHURI THEMELORE PËR HISTORIKUN E ARKIVIT TË KOSOVËS

Fillet e punës institucionale arkivore në Kosovë  datojnë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në vitin 1948, kur në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe  Kulturë, formohet Qendra Arkivore, e cila kujdesej për mbrojtjen dhe evidentimin e lëndës arkivore.

Më 20 mars 1951 me Vendimin e Këshillit Krahinor themelohet Arkivi (Shtetëror) Krahinor i Kosovës dhe me këtë fillon funksionimi i shërbimit arkivor në Kosovë.

Ky institucion deri në vitin 1965 ishte nën mbikëqyrjen dhe financimin e drejtpërdrejtë të Këshillit Ekzekutiv Krahinor të Kosovës

Pas vitit 1968 filluan të formohen arkivat rajonale dhe ato komunale, me çka fillon edhe ndërtimi i rrjetit arkivor në territorin e Kosovës. Themelohet Arkivi ndërkomunal i Prizrenit, pastaj i Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Prishtinës dhe Arkivi Historik i Gjakovës.

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës (në vitin 1989 – 1990…) dhe vendosjes së masave të dhunshme në të gjitha institucionet e vendit, edhe Arkivi i Kosovës administrohet nga këto masa të dhunshme.

Ndërsa pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë (vitet 1998-1999), sikurse edhe veprimtaritë tjera, edhe shërbimi arkivor pësoi  ndryshime pozitive.

Fillimisht shërbimi arkivor në Kosovë ishte  në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por duke u bazuar  në përvojat  evropiane, me Ligjin Nr. 02/L-80, datë 13 korrik 2006, administrimi me arkiva në kuadër të Qeverisë së Kosovës merr një formë të re të organizimit: Arkivat organizohen në Agjenci Shtetërore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit deri më 31.12.2016, ndërsa me një vendim të Qeverisë nga 01.01.2017 kjo agjensi kalon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. (Historiku i ASHAK-së)

AGJENCIA SHTETËRORE E ARKIVAVE TË KOSOVËS DHE STRUKTURA ORGANIZATIVE E SAJ

Në Kosovë Institucioni qëndror (sipëror) i Arkivit është Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK).

Struktura organizative e ASHAK përbëhet nga:

1. Zyra e kryeshefit ekzekutiv;

2. Departamenti për veprimtari arkivore;

3. Departamenti për arkiva ndërkomunale;

4. Departamenti për politika zhvillimore dhe

5. Departamenti i administratës dhe financave.

ARKIVAT NDËRKOMUNALE TË ASHAK-së

Në kuadër të Departamentit për arkiva ndërkomunale, funksionojnë dhe bashkëveprojnë gjashtë (6) arkiva ndërkomunale:

1. Arkivi Ndërkomunal i Prishtinës,

2. Arkivi Ndërkomunal i Pejës,

3. Arkivi Ndërkomunal i Gjilanit,

4. Arkivi Ndërkomunal i Mitrovicës,

5. Arkivi Ndërkomunal i Gjakovës,

6. Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit.

ARKIVI NDËRKOMUNAL I PRIZRENIT

Njohuri themelore

Arkivi Komunal i Prizrenit ose Arkivi Ndërkomunal i Prizreni është arkivi i parë i themeluar më 26 dhjetor 1967, në bazë të Ligjit Themelor mbi materialin arkivor dhe Shërbimin e arkivës. Quhet Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, sepse ka për qëllim grumbullimin, sistemimin dhe mbrojtjen e lëndës arkivore për territorin e komunave të Prizrenit, Therandës, Rahovecit, Malishevës dhe Sharrit. (Arkivi i Prizrenit – Wikipedia)

Arkivi i Prizrenit, fillimisht punën e ka nisur në objektin e Komunës së Prizrenit, me dy vetë: Syrea Paçarizin dhe një punëtore.

Punën e nisën duke vizituar organizatat shoqërore në katër komunat nënshkruese. Rëndësi parësore ju kushtua materialit të regjistraturave, të cilat u morën për ruajtje të përhershme në Arkivin Historik të Prizrenit. (Historiku dhe veprimtaria e Arkivit Ndërkomunal të Prizrenit, gazetadielli)

FONDI I PARË I ARKIVIT TË PRIZRENIT

Fondi i parë nga punonjësit e këtij arkivi, merren në komunën e Dragashit, me 13 maj të vitit 1968, dhe ky fond u emërtua si: Fondi i Këshillave Popullor të Komunës së Dragashit (1945 – 1961)  (Po aty)

Ndërkaq nën fondet e këtij fondi janë:

Arsimi, Shëndetësia, Administrata, kadastra etj.

Konkretisht në këtë fond arkivor përfshihet:

– Fondi: Këshilli Popullor i Brodosanës;

– Fondi: Këshilli Popullor i Bellobradit;

– Fondi: Këshilli Popullor i Brodit;

– Fondi: Këshilli Popullor i Vranishtës;

– Fondi: Këshilli Popullor i Restelicës. (Po aty)

KOMISIONI I PARË I PUNËS NË ARKIVIN E PRIZRENIT

Për përgatitjen e fillimit të punës në Arkivin e Prizrenit, u formua një Komision prej shtatë anëtarësh me këtë përbërje:

• Sherif Thaçi, përfaqësues i Kuvendit Komunal Prizren,

• Gjorgje Mlladenoviq, përfaqësues i Kuvendit Komunal Prizren,

• Fatim Dërguti, përfaqësues i Kuvendit Komunal Rahovec,

• Hysen Lushi, përfaqësues i Kuvendit Komunal Suharekë,

• Myrteza Kojçin, përfaqësues i Kuvendit Komunal Dragash.

Me shtimin e punëve në arkiv  pranohen edhe dy punëtorë (atkivistë). (Po aty)

OBJEKTET E ARKIVIT TË PRIZRENIT NDËR VITE

Arkivi i Prizrenit ndër vitet është zhvendosur në disa objekte (ndërtesa) publike. Nga ndërtesa e Kuvendit komunal të Prizrenit (ku ishte fillimisht) arkivi u bartë në ish-objektin e Sigurimit Social, (afër “Bajrakli” Xhamisë). Aty kushtet e punës dhe të mirëmbajtjes së lëndëve arkivore ishin më të mira.

Më pas arkivi vendoset në ndërtesën e ish-Bankës Komerciale të Prishtinës, me seli në Prizren, me kushte më të mira dhe hapësira më të mëdha. Kishte dy zyra dhe një depo për vendosjen dhe ruajtjen e lëndëve arkivore. Pastaj arkivi ka kaluar, në ish-objektin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në ndërtesën e ish-internatit, si objekt në pronësi të kishës katolike.

Pas luftës së fundit në Kosovë (1998 -1999), akivi ndërron sërish lokacionin dhe vendoset në ndërtesën e Shoqatës së të Verbërve dhe të Shurdhëve në Prizren, pastaj në ndërtesën e avokatëve shoqëror e publik në pronësi të Komunës, dhe së fundi arkivi vendoset në objektin e vjetër të Gjykatës Komunale për Kundërvajtje.

SHËRBIMET DHE SEKSIONET E ARKIVIT …

Arkivi Ndër komunal i Prizrenit ka disa  shërbime dhe seksione për mbrojtjen dhe pranimin e lëndëve arkivore. Ato janë:

1. Shërbimi i mbrojtjes së lëndës arkivore jashtë objektit të arkivit (shërbim i jashtëm);

2. Shërbimi arkivor i depos;

3. Kuadri i kualifikuar arkivor;

4. Seksioni për punë të përgjithshme dhe financiare;

5. Seksioni për rregullimin, përpunimin dhe konservimin e lëndës arkivore; dhe

6. Biblioteka e arkivit. (Bisedë me drejtorin e depos, Hajri Berisha, më 11.05.2023)

VIZITA IME NË ARKIVIN NDËRKOMUNAL TË PRIZRENIT

Më 11 maj 2023 vizitova Arkivin Ndërkomunal të Prizrenit dhe me këtë rast takova drejtorin e arkivit, Hyrmet Veliu, shefin e shërbimit arkivor të depos, Hajri Berisha dhe studiuesin Prof. Sokol Cena, i cili nga hulumtimet që ka bërë në arkivin Ndërkomunal të Prizrenit, ka botuar librin shkencor: “Rrethanat kulturo – arsimore dhe kolonizimi ndërmjet dy luftërave botërore 1918 – 1941, Prizren 2013.

Gjatë bisedës nga drejtori Hyrmet Veliu u informova për ecurinë e punëve dhe kushtet në të cilat punohet në arkiv.

Ndërkohë së bashku me shefin e shërbimit arkivor  të depos, Hajri Berisha vizituam ambientet e arkivit.

Zoti Berisha përkundër kushteve të rënda thotë se “Stafi profesional që punon në Akivin Ndërkomunal të Prizrenit deri në prill të këtij (2023), ka krijuar 65 Fonde, me 450 nën-fonde si dhe ka përpunuar – konservuar mbi 500 metra material arkivor.”

Pas një periudhe disavjeçare me kërkesën e drejtorit Hyrmet Veliu, Kuvendi Komunal i Prizrenit ka ndarë një truall për ndërtimin e një objekti të ri për Arkivin Ndërkomunal të Prizrenit.

Për këtë qëllim, më 11.11.2022, në ambientet e Noterisë në Prizren, u nënshkrua Vendimi i Komunës së Prizrenit, për ndarjen e truallit për ndërtimin e objektit të Arkivit Ndër Komunal të Prizrenit, mes kryetarit të Komunës Shaqir Totaj dhe ish kryeshefit të ASHAK, Bedri Zyberajt.

Përfundim

Me ndërtimin e objektit të ri do të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e kushteve të nevojshme për punë normale dhe mirëmbajtjen e lëndëve arkivore.

________

Ilustrimet: Prizren, 11 maj 2023: gjatë vizitës në Arkivin Ndërkomunal të Prizrenit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

MOTIVE JETIKE

MOTIVE JETIKE Nga Meti Rexhepi Hysen Këqiku: “LULELALET  VESHIN  PETALE” (Poezi dhe tregime për fëmijë) Shtëpia botuese, KURORA,…