Me shkas
ATË QË NUK PO E BËN AKADEMIA E SHKENCAVE PËR ALI HADRIN, DUHET TA BËJË INSTITUTI I HISTORISË QË E MBAN EMRIN E TIJ
Nga Bedri Halimi, Prishtinë 3 dhjetor 2023
Përse deri tani nuk është botuar kompleti i veprave me punimet e akademik Ali Hadrit? A po injorohet akademik Ali Hadri nga institucionet shkencore të Kosovës?
Për përsonalitetin e akademik Ali Hadrit nuk është shkruar sa duhet. Deri më tani vetëm Instituti i Historisë së Kosovës ka mbajtur një tribunë shkencore ku janë lexuar 24 kumtesa të historianëve të ndryshëm si: adakemik Marenglen Verli, akademik Kristaq Prifti, dr. Zekeria Cana, dr. Edi Shukriu, dr. Emine Arifi – Bakalli, dr. Fehmi Rexhepi, dr. Drita Gunga, dr. Sulltane Ukaj, dr. Xhelal Gjeçovi, dr. Fazli Syla, dr. Isa Bicaj, dr. Ymer Jaka, dr. Fatmira Musaj, dr. Sabile Keçmezi – Basha, dr. Izber Hoti, dr. Haki Kasumi, dr. Jusuf Bajraktari, Mr. Frashër Demaj, Mr. Qemajl Morina, Mr. Bedri Muhadri, Mr. Arben Arifi, Mr. Mehmet Gjoshaj etj. Këto materiale janë botuar në një libër të veçantë me titull “Ali Hadri – jeta dhe vepra”.
Për të gjallë të Ali Hadrit janë botuar librat:
– Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941 – 1945, Prishtinë 1971;
– Kritikë historiografike I, Shkup, 1973;
– Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, Prishtinë 1974;
– Këshillat nacionalçlirimtare në Kosovë 1941 – 1945, Prishtinë 1974, pastaj në gjuhën serbokroate gjashtë libra, në mesin e të cilëva edhe: “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij”;
– “Ali Kelmendi (1900-1939)”, Prishtinë 1984.
Pastaj 8 libra shkollor. Punime shkencore, artikuj e fejtone që sipas kronologjisë së bibliografisë ky numër arrin në 238, që janë botuar në revista e gazeta të ndryshme, si:
– “Përparimi”,
– “Rilindja”,
– “Zani i rinisë”,
– “Gjurmime albanologjike”,
– “Fjala”,
– “Kosova – Kosovo”,
– “Seminari i kulturës shqiptare për të huaj”,
– “Horizontet e historisë”,
– “Studime historike – Tiranë”,
– “Bota e re” etj.
Pastaj 54 punime të ndryshme i janë botuar në:
– “Istorijski glasnik” – Beograd;
– “Pregled” Sarajevo;
– “Glas” Beograd;
– “Kosova – Kosovo”;
– “Knjizhevne novine” – Beograd dhe në shumë revista të ndryshme shkencore në ish Jugosllavi.
Ndërkaq nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në vitin 2003 është botuar vetëm një libër me titull “Marrëdhënjet Shqiptare – Jugosllave”, që përmban gjithësej 9 punime që përfshinë 300 e sa faqe. Punimet e botuara në këtë libër janë këto:
– Historiografia jugosllave mbi shtetin ilir;
– Përgjigje vrejtjeve lidhur me tekstet historike të njësive “shqiptarët” dhe
– “marrëdhëniet shqipëtare jugosllave” në enciklopedinë e Jugosllavisë;
– Vështrim kritik lidhur me “Historinë e Jugosllavisë”;
– Shqyrtim kritik mbi memoaret e Svetozar Vukmanoviq – Tempos;
– Vlera e veprës së Dimitrije Tucoviqit “Serbia e Shqipëria”;
– Pseudoshkenca është e dëmshme;
– Pseudoshkenca e Bogdanoviqit në shërbim të nacionalizmit;
– Disa fjalë për përhapjen e islamizmit në Ballkan;
– Pozita dhe gjendja e Kosovës në mbretërinë e Jugosllavisë (1918 – 1941).
Në edicionin e botimeve të ASHAK deri më tani janë botuar disa libra në lëmi të ndryshme. Shumë nga punimet janë ribotime edhe të autorëve të gjallë, si dhe komplete veprash të autorëve të ndryshëm. Pa dashur për të nënçmuar vlerën e asnjë libri të kësaj Akademie, dua të vë në spikamë, jo vetëm nevojën por edhe domosdoshmërinë që të bëhet botimi i shumë punimeve historike të Ali Hadrit që do të përfshinin disa libra.
Është e kuptueshme se koha në të cilën ka jetuar dhe vepruar Ali Hadri, e pamundëson botimin e të gjitha punimeve të tij, për shkak se disa i ka shkelur koha, nga se Ali Hadri, brenda këtij arsenali të madh të punimeve, është dashur të shkruaj edhe punime formale, për të bërë të mundur të shkruaj punime esenciale shkencore.
Edhe punimet e akademikut Aleks Buda, të botuara brenda 4 librave me punime të përzgjedhura nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sigurisht nuk i perfshijnë të gjitha punimet e akademik Aleks Budës, sepse disa i ka shkelur koha. Por ama, Akademia Shqiptare këtë e ka bërë me Aleks Budën.
Ndërkaq Akademia e Shkencave e Kosovës ka bërë mirë që ka botuar komplete veprash të autorëve të antarëve të ndryshëm të saj, si Gazmend Zajmit, etj, kurse kompletin e Fehmi Aganit e botoi tjetër kush, e që para të gjithëve do të duhej edhe këtë gjë ta bënte ASHAK. Por kjo praktikë e botimit të kompleteve (sidomos të autorëve që nuk janë gjallë, si Ali Podrimjes, Gazmend Zajmit etj) duhet të ndiqet edhe ndaj krijimtarisë shkencore të akademik Ali Hadrit.
Në këtë rast, si shembuj të shumtë të disa punimeve të Ali Hadrit që do mund të botoheshin do të ishin:
– “Liria” fletushkë e parë shqipe në Kosovë – Metohi;
– Arti shqiptar i mesjetës;
– Disa mendime për shkencën në Kosovës (Bashkë me Idriz Ajetin);
– Disa çështje nga historia nacionale shqiptare;
– Diskutime në “Kosova – Kosovo”;
– Dy çështje nga historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut;
– Epoka e Skenderbeut (disa çështje nga historia e epokës së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut;
– Flamuri kombëtar shqiptar dhe përdorimi i tij i lirë;
– Gabimi që po i atribuohet (lidhur me kritikat për tekstet shqiptare dhe
– “Marrëdheniet shqiptare jugosllave” për Enciklopedinë e Jugosllavisë);
– Gjakova prej themelimit e deri më 1941;
– Kontribut për ndriçimin e epokës së Skenderbeut;
– Kontribut për ndriçimin e Lidhjes së Prizrenit (1878 – 1881);
– Kryengritja e madhe ilire (lufta iliro – romake);
– Kryengritjet shqiptare në fillim shek XX;
– Kthesë e rëndësishme në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare;
– Kultura e shqiptarëve në kohën e mesme;
– Lidhja e Prizrenit (1878 – 1881) (Disa shkrime);
– Lidhja e Prizrenit në historiografinë jugosllave;
– Lidhja e Prizrenit udhëhoqi luftën e popullit shqiptar për autonomi;
– Luftrat iliro – romake dhe kryengritja e madhe e ilirëve;
– Lëvizja nacionale çlirimtare në Kosovë 1941 – 1945;
– Lëvizja Nacionalçlirimtare e Gjakovës;
– Lëvizja çlirimtare shqiptare në epokën skenderbegiane (6 vazhdime);
– Ndjekja kundër meje mi gjason aferës së Drajfusit;
– Në kongresin e drejtshkqimit të gjuhës shqipe;
– Një komb – një gjuhë letrare;
– Një ndër të pavdekshmit – Emin Duraku “Qëndresa”;
– Njëanshmëria e historisë politike (tekst i anatemuar);
– Pasqyrë e lëvizjes çlirimtare shqiptare në epokën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut 1443 – 1468;
– Periodizimi i lëvizjes kombëtare shqiptare;
– Prijës ushtarak e burrështeti i talentuar (kushtuar 500 vjetorit të Skenderbeut);
– Rëndësia historike e lëvizjes çlirimtare në epokën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut;
– Rezistenca e shqiptarëve kundër Turqisë në kohën e Skenderbeut;
– Rilindja Kombëtare Shqipëtare;
– Rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 – 1881;
– Rrethanat historike në kohën e kongresit të Manastirit;
– Rrjedhimi i natyrshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare;
– Simpoziumi i Prishtinës kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut;
– Specifikat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës 1941 – 1945;
– Të kapërcehen dobësitë në lëmin e marrëdhënieve ndërnacionale;
– Vendi dhe rëndësia e lëvizjes kombëtare shqiptare në historinë e popullit shqiptar etj.
Natyrisht për punime të caktuara, redaksia që do t’i përgatiste, do të bënte një koment të zgjeruar në fillim.
Ali Hadri u anatemua nga sistemi komunist jugosllav antishqiptar. Pra Ali Hadri u anatemua nga titistët. Disa nga këta ish titist ndodhen edhe sot në Akademinë e Shkencave të Kosovës. Ne e dimë si kanë vepruar dje, pavarësisht në e dinë vetë ata se si kanë vepruar dhe sa kanë qenë në nivel të detyrave që i kërkonte koha. Por gjithashtu po e shohim edhe sa e si po veprojnë sot. Është koha që jo vetëm historianët në secilin institucion shkencor që gjenden, ta ngrisin zërin në këtë drejtim dhe të mos heshtin për akademik Ali Hadrin.
Ose më troç: Kush duhet të përkujdeset për krijimtarinë shkencore të akademik Ali Hadrit? Ai ishte pjesë e ASHAK, si dhe pjesë e Institutit të Historisë. Përderisa ASHAK hesht në këtë temë, a duhet të hesht edhe Instituti i Historisë, i cili e mban madje edhe emrin e tij?
Besoj se ana financiare për një gjë të tillë nuk është pengesë, ku përderisa është përkrahur me të drejtë botimi i kompletit të veprave të Rexhep Qosjes, Adem Demaçit etj, nuk do të vëhej në pikëpyetje gatishmëria institucionale për botimin e kompletit të veprave të një përsonaliteti emblematik siç ishte akademik Ali Hadri. Kjo jo vetëm që do t‘i bënte nderë përsonalitetit të akademik Ali Hadrit, por do t’i bënte nder vet shkencës së historisë dhe Institucioneve ku ka punuar e vepruar dr. Ali Hadri.
Dhe jo vetëm kaq! Botimi i veprave të akademik Ali Hadrit, do t’i bënte nderë edhe vet institucionit që do ta bënte një veprim të tillë.
***
PS: Ndërkohë kuptova se Instituti i Historisë, paska botuar edhe librin “Studime dhe kritikë historiografike” me autor akademik Ali Hadrin (*). Të shpresojmë, se puna e këtij Instituti nuk do të ndalet me kaq, në raport me krijimtarinë shkencore të akademikut Ali Hadri.
______________________
SHTOJCË E PASHTRIKUT
(*) Nga Akademik Ali Hadri
STUDIME DHE KRITIKË HISTORIKE
Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë
Më 2 dhjetor 2023
Libri: “Studime dhe kritikë histriografike”, i Akademik Ali Hadri, është botimi i radhës i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë.
Në përvjetorin e 95 të lindjes dhe 36 vjetorin e ndarjes nga jeta të Akademik Ali Hadrit, Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, botoj të përmbledhur në një vëllim disa nga studimet shkencore, kritikat dhe polemikat e pa botuara, më cilat Akademik Ali Hadri ju kundërvu historiografisë dhe pseudoshkencës serbe, të cilat për shkak të rrethanave të kohës ishte e pamundur të botoheshin.
Sot, pas më shumë se tri dekada, Instituti i Historisë ka nderin që ti botoj të përmbledhura në një vëllim, i cili do të jetë në dobi të historiografisë shqiptare, studiuesve dhe adhuruesve të shkencës dhe historisë në përgjithësi.
Libri: “Studime dhe kritikë historiografike”, përbëhet nga katër kapituj: I. Monografi; II. Studime historike; III. Kritikë historiografike dhe IV. Shkrime, polemika dhe kundërshtime.
Akademik Ali Hadri (03.03.1928 – 02.12.1987)
____________________
Më 1 dhjetor 2023 Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë ka njoftuar se më 4 dhjetor do të mbahet një Akademi përkujtimore dhe përuruese të veprës së Akademik Ali Hadrit “Studime dhe kritikë historiografike”.
Në vijim lexoni ftesën dhe programin e kësaj akademie shkencore:
F t e s ë
Ftoheni të merrni pjesë në Akademinë përkujtimore dhe përuruese të veprës së Akademik Ali Hadrit “Studime dhe kritikë historiografike”.
Akademia mbahet më 4 dhjetor 2023, në orën 11:00, në Amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Bashkëngjitur gjeni programin e Akademisë.
Ardhja juaj na nderon!
© Pashtriku.org