AURON TARE: PO BATONI YNË, PËR ÇFARË FALJE FLET?

Tiranë, 28 Prill 2020: PLANI PËR TË FALUR KRIMET SERBE!

Simon Wiesenthal në librin e tij të famshëm “The Sunflower” tregon për një Çifut në Aushvic, i cili u ndesh me një dilemë të madhe morale. Një dilemë e cila përfaqëson dilemën e popullit të tij; Faljen ndaj persekutorëve. Simon Wisenthal na tregon se si një ushtar SS i plagosur për vdekje kërkonte falje nga i burgosuri i Aushvicit duke kërkuar paqen përpara vdekjes se tij.
“Më kot priste në dëshpërim për fjalët e ngushëllimit që mund ti jepnin paqen që kërkonte para vdekjes. Mbrapa dritares së katit të dytë unë pashë një burrë me një fëmijë të vogël në krahë. Rrobat e tij kishin marrë flakë. Ngjitur ishte një grua me siguri nëna e fëmijës. Me dorën e lirë burri i vuri pëllëmbën në sytë e fëmijës dhe u hodh në rrugë. Gruaja e ndoqi. Nga dritaret e tjera filluan të hidheshin trupa në flakë. Ne filluam të qëllonim.

Ushtari SS i cili mendonte se Wisental ishte një përfaqësues i rracës së tij përpiqej të kërkonte falje për të çliruar koshiencën përpara vdekjes që po e priste nga çasti në çast.
Ai i lutet çifutit të dënuar në Aushvic për të pranuar faljen e tij. Luten duke pritur me ankth fjalën që do t’i sillte një vdekje të qetë. Por djaloshi çifut, i cili me siguri priste vdekjen e afërt në kampin famëkeq edhe pse i rrethuar nga shokët e ushtarit SS të shtrirë në barele, qëndroi i heshtur deri sa ushtari dha shpirt. Një heshtje e cila e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij si një dilemë e madhe morale. A mund të falen kriminelët.”
Ky pasazh i marrë nga libri i një prej ikonave të persekutimit çifut, Wiesenthal flet qartë për dilemën morale nëse duhen falur persekutorët, ata që masakruan një popull të tërë, ata që dogjën me zjarr fshatra të tëra, ata që përdhunuan vajzat e reja që shpërngulën me qindra mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre. Heshtja e Simon Wiesenthal dhe drama morale e heshtjes se tij ka qenë pikë debati për shumë autoritete fetare dhe filozofike. Por heshtja dhe mos falja e këtyre krimeve ka qenë dhe është një prej gurëve të rëndësishëm në themelin e Shtetit të Izraelit.
***
Mu kujtua ky debat kur dëgjova Kosovarin Baton Haxhiu i cili me zë dhe figurë propozonte faljen e krimeve serbe.
Unë kam pasur fatin e mirë dhe të keq të kem qenë pjesë e një ekipi britanik që ka ndjekur ngjarjet e Kosovës për 6 muaj në Tropojë në 1998 dhe 6 muaj të tjera në Kukës në ’99. E kam përjetuar tragjedinë kosovare me të gjitha tmerret e saja. Kam parë karvanet e pleqve me fëmijë të tmerruar nga dhuna serbe, kam folur dhe nuk më ka zënë gjumi nga përshkrimet e burrave të torturuar dhe traumatizuar nga torturat serbe, kam pare lotët e vajzave të përdhunuara që kishin tentuar vetëvrasje. Kam parë djem dhe vajza të reja të ardhura nga Europa për të luftuar në rradhët e UÒªK-së të vrarë nga armët serbe. Unë nuk e di se ku ka qenë Baton Haxhiu në këtë kohë por me vjen turp që dëgjoj nga një kosovar një propozim të tillë. Është një trup për një gazetar dhe intelektual i cili propozon faljen e Krimeve ndaj popullit të tij.
Baton Haxhiu nëse ka ndonjë problem mund të shikojë modelin Izraelit, i cili vazhdon ende me një këmbëngulje të admirueshme të kërkojë kriminelët nazistë kudo në Botë për t’i sjellë para drejtësisë. Sjellja përpara drejtësisë e kriminelëve që masakruan popullin çifut edhe pas dekadash ka qenë një forcë e madhe morale e izraelitëve për t’i kujtuar botës mbarë masakrat e shfarosjes. Po Batoni ynë? Për çfarë falje flet?
***
Baton Haxhiu: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të përfshijë faljen e krimeve të luftës
https://www.youtube.com/watch?v=fu2XcBxyqUg

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura