AV.BEJTUSH ISUFI: PROJEKT-PROGRAMI I PËRKUJDESJES SHQIPTARE

 

Prishtinë, 29. 07. 2016: “Një gjuhë, një komb, një Atdhe” – Hasan Prishtina
Në përkushtim të shqiptarëve të të gjitha kohërave që punuan dhe luftuan për liri!
HYRJE APO VIZIONI SHQIPTAR I SHEKULLIT XXI
Pse duhet të veprojmë sot, pa vonesë?
Duke pasur parasysh historinë shqiptare dhe pasojat e saj, përkatësisht pasojat e faktorëve dezintegrues të kombit shqiptarë (Ndarja në 6 shtete në Ballkan) nga të cilat copëtimi më i madh është realizuar para 103 vjetëve, disa religjione, diaspora e shpërndarë në dhjetëra shtete të botës, qindra parti politike dhe faktorë tjerë dezintegrues, ndërsa në anën tjetër mungesën e integrimeve shqiptare me të cilat do të neutralizohej e pastaj eventualisht ndaleshin pasojat e ndarjes së dhunshme politike dhe mërgimit,
Duke pasur parasysh sakrificën e paraardhësve tonë, e në radhë të parë porositë e mëdha të Rilindjes Kombëtare dhe testamentin e dëshmorëve të kombit,
Të përkushtuar për të mbrojtur identitetin shqiptar si dhe interesat kombëtare,
Duke pasur parasysh se mërgata shqiptare është më e madhe se popullata shqiptare në territoret etnike dhe nevojat e mërgatës që të mbrohet nga asimilimi përmes integrimit,
Duke pasur parasysh realitetin politik të botës dhe Europës së sotme,
Duke pasur parasysh Duke pasur parasysh nevojën për një hapje më të madhe të shoqërisë shqiptare ndaj botës,
Duke pasur parasysh nevojat e mëdha të zhvillimit ekonomik,
Duke pasur parasysh mungesat e mëdha të edukimit demokratik dhe patriotik,
Duke pasur parasysh nevojat e mëdha të komunikimit dhe bashkëpunimit me popujt miq të shqiptarëve në botën e zhvilluar,
Duke pasur parasysh se gjenerata më e vjetër e shqiptarëve do të ketë më shumë përvojë politike dhe jetësore, ndërsa rinia më shumë energji dhe guxim besojmë se duhet ti vihet “gurthemeli’organizatës se parë panshqiptare, një organizate shoqërore, kombëtare, kulturore, demokratike dhe integruese, e cila do te jetë vepër e idealeve dhe idealistëve shqiptarë të këtij shekulli dhe monumenti kryesor i të gjitha përpjekjeve, sakrificave dhe veprave liridashëse të të gjithë brezave të deritashëm të shqiptarëve,
Prandaj, Kuvendi i Përkohshëm i organizatës “Përkujdesja Shqiptare” miraton këtë,
PROGRAM TË PËRKUJDESJES SHQIPTARE
I. SI JEMI, APO GJENDJA E KOMBIT SHQIPTAR NË SHEKULLIN XXI DHE FAKTORËT E FUQISHËM DEZINTEGRUES TË TIJ
1. Ndarja e trojeve etnike në 6 shtete në Ballkan
Shqiptarët kanë hyrë në shekullin e XXI të ndarë në 6 shtete në Ballkan, Përpos në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarët në të 4 shtetet tjera edhe pse janë etnik dhe autokton ballafaqohen me pozitën e tyre të pakicës, si të tillë vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të jenë objekt i “përpunimit” të politikave shtetomëdha.
Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të vuajnë pasojat e tranzicionit të zgjatur apo ato të luftës dhe sidomos vazhdojnë ti vuajnë pasojat e përçarjes në të cilat i ka futur pluralizmi i partive politike (nuk jemi kundër pluralizmit por frutat e tij të mira vijnë më vonë) dhe lufta e egër për pushtet. Vazhdojnë ndërhyrjet dhe instrumentalizimi i opinionit dhe partive politike nga fuqitë e huaja, ndërsa më shqetësuese është ndërhyrja e Rusisë dhe ndikimi i saj në Ballkan.
Pra, një komb i ndarë në 6 shtete, 3 besime dhe dhjetëra rryma tjera fetare, i gjendur në sandviçin në mes të Serbisë dhe Greqisë, të mësuara dhe të gatshme të dyja të grabisin troje shqiptare, nën presion të ndikimit gjithnjë e më të fuqishëm të politikave agresive ruse, neo otomane dhe radikale islamike dhe me një diasporë të përçarë, e cila me shpejtësi po asimilohet…pra nëse kjo gjendje nuk është e mjaftueshme që “trupi të marrë forcën dhe ti kthehet regjenerimit të plagëve”, atëherë nuk mund të pritet asgjë më e mirë se sa kapitullimi i përjetshëm dhe përfundimtar i shqiptarëve në shekullin XXI. Në këtë realitet të rrezikshëm shumica e shqiptarëve vazhdojnë verbërisht ti “rregullojnë dhe zbukurojnë pullazet e shtëpisë së tyre pa e menduar së pari se a do të qëndrojnë themelet ”.
Duhet të takojmë njeri tjetrin që të shohim se çka mund të bëjmë që e ardhmja e fëmijëve tanë te jete me e sigurt, sepse siç e dimë kemi shume arsye qe te frikësohemi për të ardhmen e tyre, jo pse e kemi shpike këtë frikë nga bezdisja por pse këtë frikë e konfirmon historia jonë e largët dhe e afërt, sepse këtë frikë e arsyeton harresa dhe mendjelehtësia jonë e pa shpjegueshme, sepse në fund edhe harresën edhe mendjelehtësinë i krijon zbrazësia e institucioneve tona, të cilat nga ana tjetër nuk i bëjmë dot me energjitë tona të copëtuara nga ndarjet-amputimet dhe nga qarjet e përçarjet…
Prandaj për të parë të sotmen prej të kaluarës dhe për të parë të nesërmen nga e sotmja duhet të kemi guximin, durimin, mençurinë, përkushtimin që ti qasemi njëri tjetrit, sot dhe këtu jo për përfitim individual, privat por për fat kolektiv, kombëtar i cili nuk zgjidhet nga individët por nga grupet, lëvizjet, institucionet dhe nëse është kështu pse të mos provojmë të kuptojmë se a gabuan të parët tanë? Pse atyre prej gjenerate në gjenerate ju përsëritet gjenocidi, a mësuan ata diçka prej kësaj apo shume shpejt harruan dhe pastaj u përsërit historia, a kemi mësuar ne si gjenerate e luftës dhe apo bëjmë dikça çka që kjo mos thëntë Zoti te mos u përsëritet fëmijëve tanë, a mund tu themi fëmijëve tanë se nuk e kemi ditur? A nuk mund ti bisedojmë ne këto çështje, a nuk duhet ti bisedojmë, a nuk duhet ta ftojmë njeri tjetrin, a nuk duhet ti qasemi njeri tjetrit? Dhe nëse nuk e gjejmë dijen, argumentin, forcën dhe logjiken te njeri tjetri, te bashkimi ku tjetër mund te mbështetemi?
Shqiptarët po e jetojnë periudhën e demoralizimit i cili u instalua nga pa dija shqiptare dhe nga dora e huaj por këtij demoralizimi duhet ti përgjigjemi me “mobilizim” të gjithë atyre që kanë gatishmëri, duan dhe dëshirojnë ti japin shoqërisë, popullit dhe shtetit të tyre, ide, vizion, energji, vullnet, dije, solidaritet, dashuri..sepse kështu e pasurojnë vetveten, ruajnë dhe forcojnë dinjitetin e tyre dhe arsyetojnë ekzistencën e tyre, duke i hapur rrugë të ardhmes dhe obliguar gjeneratat që vijnë…
2. Mërgata shqiptare dhe mbrojtja e sajë nga asimilimi.

Më shumë se trefishi i shqiptareve jetojnë në diasporë, si emigracion i ri në vendet Europiane dhe SHBA, ndërsa si emigracion më i vjetër në Turqi, pra përderisa në gjysmën e dytë të shekullit XX popujt e mëdhenj të Europës filluan integrimin dhe bashkëpunimin në mes tyre për të krijuar një lloj Federate të shteteve, e cila tashmë përfshinë 28 kombe, shqiptarët vazhdojnë të dezintegrohen, pra të lëvizin në drejtim të kundërt me historinë e progresit njerëzor.

Diaspora shqiptare është po ashtu e përçarë dhe atomizuar nga shumë faktorë, së pari mungesa e kujdesit të Shqipërisë dhe Kosovës, mos koordinimi në mes këtyre dy shteteve e pastaj edhe veprimi përçarës i partive dhe shoqatave si dhe kuptohet manipulimi i madh që ju bëhet edhe nga faktorët antishqiptarë.

Mbrojtja e interesave shqiptare kudo në botë përmes integrimit të trojeve shqiptare, integrimit dhe bashkimit të diasporës, dhe lidhjes përkatësisht integrimit të diasporës në të gjitha proceset e zhvillimit dhe fuqizimit të interesave shqiptare përmes bashkëpunimit dhe komunikimit intensiv me gjithë faktorët shqiptar dhe miqtë-aleatët e shqiptarëve kudo në botë. Kjo mbrojtje ka të bëjë në radhë të parë me mbrojtjen e vlerave themelore të identitetit shqiptar (një gjuhë, një komb, një atdhe) si dhe zhvillimin dhe fuqizimin e vlerave euro-perëndimore.
3. Religjioni dhe shqiptarët sot, ose, si do të realizohem porositë e madhe të Rilindjes Kombëtare?
Shqiptarët në kulturën e tyre kultivojnë besimet e tyre, por për shkak të shumë faktorëve institucionet e tyre fetare duket se nuk bashkëpunojnë sa duhet në mes tyre, së paku ky bashkëpunim nuk duket se po vije duke u zgjeruar por përkundrazi.
Interesi jetik i shqiptarëve është që besimet fetare dhe institucionet që i përfaqësojnë ato të bashkëpunojnë në mes tyre sepse në të kundërtën keqkuptimet dhe përplasjet nuk mund të evitohen.
Nuk është e mundur që me dijen dhe vullnetin që kanë të gjithë udhëheqësit shpirtëror të shqiptarëve të mos kuptojnë se duke i takuar të njëjtit komb dhe duke vepruar në të njëjtin popull e duke mos bashkëpunuar ngushtë do ti kontribuojnë jo unitetit por përçarjes kombëtare, këtë ata nuk mund ta bëjnë dhe të presin që shqiptarët të ju besojnë atyre se ata me të vërtetë janë udhëheqës shpirtërorë të shqiptarëve.
Shkollimi i kuadrit arsimor dhe i klerikëve në vendet tjera duhet të përcillet dhe mbikëqyret sepse është e pa pranueshme që kuadrot e tillë të cilët nuk njohin kulturën, traditën, psikologjinë e shqiptarëve të marrin rolin e pedagogëve të brezit të ri, siç nuk mund të ngjaj askund në shtete normale.
4. Ideologjitë dhe lufta politike nuk i kanë kontribuar bashkimit, por vetëm përçarjeve.
Siç është e njohur, pluralizmi politik është trajta e sistemit të tanishëm të shtetit bashkëkohor, e cila, pastaj manifestohet në mekanizmin pozitë –opozitë, por nëse shikohet historia e tij dhe historia e shteteve ku pluralizmi politik instalohet për herë të parë ( ne e kemi rastin e Shqipërisë), duket shumë e qartë se, ai sjell edhe vështirësi, rreziqe dhe shpeshherë konflikte dhe luftëra civile, prandaj, përderisa edhe konkurrenca në mes të partive politike të fillojë t’i japë frytet e veta të shëndosha dhe të domosdoshme, do të kalojë një kohë e gjatë, e deri atëherë, duhet të gjenden shumë rrugë dhe zgjidhje origjinale që, sa do pak do t’i korrigjojnë dhe do t’i neutralizojnë efektet e dëmshme të luftës së paskrupullt për pushtet në mes të partive politike dhe të keqpërdorimit të pushtetit prej tyre.
Në këtë situatë të vështirë ne besojmë se nuk ka mënyrë dhe rrugë më të mirë për të shëruar këto plagë të thella të së kaluarës se sa kthimi i vullnetit të humbur, kthimi kah vetja dhe kah aleatët tonë historik, i cili kthim mund të bëhet duke u afruar, duke komunikuar dhe koordinuar në mes nesh për të ndërtuar një infrastrukturë-organizatë pan shqiptare (një shtëpi të marrëveshjes shqiptare).
II. ÇFARË TË ARDHME DUAM TË NDËRTOJMË DHE SI DO TË VEPROJ PËRKUJDESJA SHQIPTARE
1. Integrimi dhe homogjenizimi i hapësirës shqiptare në Ballkan
Organizata do të veprojë pandërprerë që procesi i integrimit brenda secilës hapësirë organizative të saj të intensifikohet dhe të zgjerohet duke filluar nga integrimi i brendshëm i Shqipërisë, i Kosovës, e i shqiptarëve të Maqedonisë, atyre në Serbi dhe Mal të Zi, pastaj integrimi i tyre me pjesët tjera të hapësirës shqiptare dhe në fund bashkimi i plotë i diasporës shqiptare dhe lidhja e saj e fuqishme me trojet prej nga ajo është krijuar.
Duke e rritur qarkullimin e mallrave, njerëzve, bashkëveprimin në projekte të përbashkëta, themelimin e institucioneve të përbashkëta, si ambasadat e përbashkëta, konsullatat, institutet, spitalet, projektet shkencore etj.
Zhvillimi i marrëdhënieve me popujt miq dhe aleatë të shqiptarëve, duke hulumtuar interesat afatgjate dhe ndikuar në komunikimet e zgjeruara me popujt dhe kulturat me të cilat shqiptarët komunikojnë natyrshëm dhe gjejnë interesat dhe gatishmërinë e dyanshme.
2. Bashkimi i Diasporës shqiptare
Po të analizohet roli dhe potenciali politik, ekonomik dhe ushtarak i diasporës shqiptare do të kuptohej se me çfarë përmasash kemi të bëjmë dhe këtë potencial kaq të madh vetëm një komb i pa pjekur politikisht do të mund ta injoronte. A nuk ishte lufta e Kosovës një provë e mjaftueshme për këtë?
3. Integrimi i diasporës me trojet e tyre etnike dhe ngritja e lobimit të diasporës për interesat e sajë dhe interesat e trojeve etnike.
Nuk përjashtohet që mërgimi si një fatkeqësi siç ishte më herët (e tillë ishte shpërngulja e popullatës dhe e trurit që nga koha e Skënderbeut e këndej) të mund të kthehet në një akcelerator (avantazh) të zhvillimit dhe konsolidimit kombëtar. Kjo është e besueshme nëse arrijmë të bashkojmë diasporën në një trup-bashkësi të vetme dhe pastaj si e tillë ajo do të mund të kujdesej për interesat e sajë dhe të ndihmonte kombin e saj, sepse nuk është e rastit që të gjithë popujt e konsoliduar kanë prirjen e rritjes dhe zgjerimit, ndërsa vetëm një trupi të sëmurë i amputohen gjymtyrët.
Organizata do të punojë me të gjithë që të bashkojë së pari mërgatën shqiptare brenda saj, e pastaj të bëjë edhe integrimin e saj në jetën integrale kombëtare. Organizata do të jetë ” infrastrukturë” “fizike” dhe virtuale (“interneti shqiptar”), një sistem i qarkullimit të “gjakut” i cili do të ushqej me informacion, dije, përvojë, vizion dhe fuqi gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve, një organizatë që do të përmbush idealet e Rilindësve për kombin.
4. Komunikimi i përhershëm, intensiv dhe cilësor në mes besimeve fetare
Rilindja Shqiptare e shekullit XIX kishte kuptuar dhe gjetur rrugën më civilizuese dhe dinjitoze të bashkimit të kombit duke pasur për bazë edhe besimet fetare të cilat bëheshin pjesë e pandarë e këtij bashkimi. Ky fakt historik është kuptuar dhe afirmuar prej shumë personaliteteve botërore duke përfshirë edhe Nënkryetarin e SHBA, James Biden, i cili thoshte se kjo cilësi shqiptarët i bënë shembullin më të mirë në botë të bashkëjetesës së besimeve.
5. Komunikimi mes ideologjive, partive dhe grupeve politike dhe ndikimi i PSH në ruajtjen e unitetit dhe përparësisë së interesave kombëtare në partitë dhe institucionet tjera politike në trojet etnike
Arsyeja e përfshirjes së veprimtarëve politik në PSH është që pjesa e tyre e brumosur me edukatë dhe ndjenja patriotike të fillojnë një dialogë të gjerë e të pandërprerë në mes tyre me qëllim që të kuptohet një herë e përgjithmonë se interesat politike nuk mund të vendosen mbi ato kombëtare dhe lufta politike në mes partive nuk guxon të rrezikoj themelet e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Përkundrazi, pjesa e veprimtareve politik në PSH do të përcjell pastaj në të gjitha partitë politike jo vetëm porosi të bashkimit por do të jap edhe kontribute konkrete që konkurrenca në mes ideologjive politike ti kontribuoj zhvillimit, mirëqenies dhe fuqizimit e jo rrënimit, demoralizimit dhe rrezikimit të së ardhmes së shoqërisë shqiptare.
6. Lobimi për çështjet kombëtare në institucionet vendore dhe ndërkombëtare
PSH do të bashkëpunoj me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe organizatat tjera shqiptare dhe do të vendos marrëdhënie të mira edhe me popujt miq dhe aleatë të shqiptarëve. Organizata do të ndihmojë dhe përkrahë proceset dhe vlerat e vërteta në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare, ndërsa do të loboj fuqishëm që interesat shqiptare të promovohen ruhen dhe fuqizohen kudo por në radhë të parë në trojet etnike shqiptare.
7. Ngritja e institucioneve të përbashkëta shqiptare në Ballkan dhe atyre pan-shqiptare
PSH do të përkrah, nisë dhe motivoj ngritjen e institucioneve të përbashkëta shqiptare në Ballkan dhe në botë dhe atë në radhë të pare të institucioneve shkencore, kulturore sportive dhe fetare.
8. Fjalëmira shqiptare
PSH me ndihmën e ekspertëve të albanologjisë, etnologjisë, psikologjisë, pedagogjisë, andragogjisë dhe ekspertëve tjerë të cilët duke pasur për bazë kryesore “Platformën e Përkujdesjes shqiptare” të autorit Gjokë Dabaj do të përgatisin një program të veçantë të Fjalëmirës shqiptare i cili pastaj do të filloj të zbatohet në disa qytete të mëdha shqiptare, ndërsa më vonë rrjeti i tyre do të zgjerohet dhe ajo do të shtrihet në të gjitha vendbanimet shqiptare.
9. Edukimi, emancipimi kombëtar, qytetar dhe politik, vullnetarizmi dhe aktivizmi
Shkollimi fillorë duhet të edukojë breza të rinj me idealin e lirisë, atdhedashurisë, punës dhe ndërtimit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj shkencës dhe artit. Duke pasur popullatën më të re në Europë do të duhej të punonim çdo ditë që të kishim edhe shkollën më të mirë se të gjithë të tjerët, sepse siç e dimë atje çdo orë vendoset për të ardhmen e kombit.
Brezi i ri duhet ti ketë idealet e të nesërmes dhe këto mund ti ketë vetëm nëse i kupton dhe i ka njohur idealet e kolosëve të mendimit kombëtarë dhe idealet e dëshmoreve të atdheut.
Duke u nisur prej të kaluarës mund ta kuptojmë të sotmen, ndërsa duke e njohur të sotmen mund të planifikojmë të ardhmen, vetëm kështu mund të ecet sigurt më tutje, por nuk ka rrugë të reja pa e kuptuar prej nga kemi arritur këtu.
Me aktivizëm shpresoj se do të krijohet një mjedis më i përshtatshëm për krijuesit, për përgjegjësitë publike dhe politike, për rregullat dhe praktikat që përditë hapin, e jo mbyllin hapësirat për jetë dhe shpresë për njohje dhe pranim të punës e kontributit dhe suksesit.
Jeta publike shqiptare duhet të mbushet me përmbajtje dhe vlera të reja, të cilat ose nuk krijohen, por edhe për aq sa krijohen shpesh nuk njihen apo njihen vetëm në suaza të ngushta lokale, pa u shtrirë në gjithë hapësirën kulturore dhe kombëtare shqiptare.
III. PARIMET E FUNKSIONIMIT DHE ORGANIZIMIT
Bashkimi dhe organizimi i qytetarëve në PSH do të bëhet në bazat e vullnetarizmit, solidaritetit, aktivizmit, patriotizmit, transparencës, respektimit të vullnetit të shumicës së antarëve të sajë, debatit të lirë, marrjes së vendimeve demokratike dhe votimit të mbyllur dhe praktikave tjera më të mira demokratike dhe parlamentare.
Organizata, si pjesë integrale e shoqërisë civile dhe do të mbajë një drejtpeshim në mes aktivizimit qytetarë dhe politik, aktivitetit humanitarë dhe solidar, do të jetë aktive në çështjet publike pa marrë pa përkrahur asnjë parti politike por duke kontribuar duke u bazuar në programin dhe parimet e PSH.
1. PSH në hapësirë dhe kohë
PSH do të organizohet sipas është paraparë me Statutin e sajë i cili parasheh që PSH të organizohet në secilin shtet të botës ku ka shqiptarë dhe atë varësisht nga numri dhe interesimi ky organizim mund të jetë në një apo dy nivele.
Organizimi në trojet etnike do të bëhet pa vonese dhe menjëherë në dy nivele, në atë shtetit ( distriktit) dhe në nivelin e bashkive dhe komunave, përderisa në diasporë në fillim do të konsolidohen udhëheqjet e shteteve ( distrikteve) ndërsa pastaj do të zgjerohet edhe në Lande ( gjermane), kantone 9 Zvicerane), apo njësi tjera federale apo njësi të mëdha administrative.
Projektet e PSH mund të jenë të interesit dhe nivelit të degës, distriktit dhe të nivelit të PSH.
PSH do të hartoj planet e saja strategjike prej të cilave do të rrjedhin pastaj planet vjetore të punës.
Detyrë e përhershme dhe e pa afatizuar do të jetë zgjerimi I organizatës dhe konsolidimi I sajë financiar.
2. Hulumtimi, analiza dhe vendimet
Lëvizja-Organizata, pas debateve dhe analizave do të merrte vendime të cilat anëtarësia e saj do ti zbatonte ato në mënyrë vullnetare, duke e zgjeruar numrin e veprimtarëve dhe numrin e vendimeve, do të ndikohej gjithnjë e më fuqishëm në drejtim të progresit, zhvillimit, vlerave dhe idealeve të shoqërisë në të gjitha fushat e jetës, e sidomos në ato me rëndësi jetike për të sotmen dhe të ardhmen e gjeneratave që vijnë, me zgjerimin dhe fuqizimin e PSH ajo do të kishte ndikimin e saj pozitiv edhe në jetën politike.
Organizata do të punoj paralelisht në zgjerimin dhe ndërtimin e saj të brendshëm si dhe do të realizojë projekte edukative, këshilluese, njohëse, identifikuese, do të hulumtoj resurset dhe energjitë, do të masë dhe testoj energjitë, gatishmërinë dhe hapësirat e punës së përbashkët, do të vendos komunikimin sa me kualitativ, do të përcjell me vëmendje të gjitha proceset e rëndësishme me peshë në jetën shoqërore.
3. Kontributet, financimi, komunikimi
Veprimtarët e PSH do të kontribuojnë me punën dhe mjetet e tyre financiare. Në dokumentet e PSH do të përcaktohen detyrimet minimale të cilat do të përmbushen vullnetarisht, me përpikëri, pedanteri dhe krenari. Këtu propozohet detyrimi në kohë prej një ore minimale në javë e cila orë do ti përkushtohet PSH dhe po ashtu 2 euro anëtarësi mujore e cila do të deklarohej dhe paguhej pastaj në shuma vjetore, asnjëri e as tjetri detyrim nuk e kalojnë 1% e të hyrave e as kohës së pushimit dhe punës.
Rinia shqiptare ka dijet e gjuhëve të huaja dhe shkathtësitë e komunikimit me teknologjitë informative të cilat do të përdoren për të realizuar programin e PSH.
IV. A MUND TË KEMI NJË TË ARDHME MË TË SIGURT PËR FËMIJTË TANË?
-Shpresat pritjet dhe besimi në të ardhmen-përgjigjja e qytetarisë shqiptare e shekullit xxi është hapësira e përbashkët shqiptare-
Nga e kaluara dhe nga verifikimi sipërfaqësor i disponimit të shqiptarëve të të gjitha viseve etnike dhe atyre në diasporë mund të konstatohet lehtë se një organizatë e tillë do të pritet mirë. Mijëra organizata të ngritura në baza patriotike e dëshmojnë këtë, por të shpresojmë se ka ardhur koha për një Rilindje morale dhe patriotike shqiptare kur energjitë e të gjitha këtyre organizatave do të koordinohen në një vend dhe kjo pastaj do ta bëj kalimin nga energjitë potenciale në fuqi reale. Ka shumë shembuj të suksesshëm të këtij lloji të organizatave në botë si Kongresi Botërore i Hebrenjve (i cili si bashkim i diasporës hebreje u krijua në vitin 1934 në Gjenevë dhe pastaj arriti të themeloj shtetin e tij në vitin 1948, në vendin prej nga ishte dëbuar para 2000 vjetëve) dhe organizata tjera të ngjashme.
Misioni themelor i organizatës është të përfshijë brenda saj potencialin më vizionar idealist dhe patriotik shqiptarë dhe të ndërtoj një organizatë të fuqishme edukuese, emancipuese, demokratike dhe politike, e cila do të kthehet në një mburojë të fuqishme të interesave legjitime dhe strategjike të shqiptarëve dhe në një urë të komunikimit dhe këmbimit intensiv me botën e zhvilluar.
Një shtëpi e përbashkët, ku do të komunikohet 24 orë për problemet e përbashkëta të të gjithëve dhe të secilit veç e veç, pra një lëvizje-organizatë jo partiake (jo partizane), me karakter kombëtarë, e cila do të respektojë dhe njoh të gjitha institucionet dhe shoqatat tjera shqiptare duke ju qasur atyre me vullnetin për bashkëpunim dhe koordinim, pa ndërhyrë në autonominë e tyre dhe pa asnjë pretendim për tu vendosur mbi to, por përkundrazi duke parë te të gjitha organizatat shqiptare aleatë dhe partnerë të pakontestueshëm në përpjekjet për të zgjidhur bashkërisht problemet dhe gjetur zgjidhjet e përbashkëta, për të mbrojtur qenien tonë shqiptare gjithkund dhe përgjithmonë, me mjete paqësore dhe demokratike dhe në bashkëveprim me miqtë dhe aleatët e shqiptarëve,
Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur por kanë energji që të zënë kohën e humbur, krijojnë perspektiven e re dhe pastaj të shkojnë në hap me popujt e zhvilluar dhe kulturat e tyre. Nga e kaluara jonë dhe nga përvojat e popujve tjerë e kemi të njohur se popujt dhe shoqëritë mobilizohen në situata krizash.
Suksesi, rritja dhe fuqizimi i PSH do të varet në radhë të parë nga sjellja e përditshme e veprimtarëve të PSH, ndërsa këta duhet të përpiqen të jenë shembulli më i mire jo vetëm brenda shoqërisë shqiptare port ë krahasueshëm e më të mirë sesa veprimtarët gjegjës të popujve tjerë. Këta shembuj të dalluar pastaj do të shtyjnë dhe motivojnë të tjerët që të mos presin dhe hezitojnë, të jenë përkrahës, dashamirë, simpatizantë, idealistë, qytetarë të devotshëm të botës ë që e duan atdheun, shtetin dhe lirinë e tyre!
Anëtari duhet të jetë transparent dhe shembulli moral i mjedisit, dhe kjo pastaj do t’i kontribuonte rritjes së shpejtë të organizatës në një lëvizje përparimtare, kulturore, arsimore, morale, në një motor të ndërtimit të një shoqërie të solidaritetit, kompromisit, komunikimit dhe bashkëpunimit, duke u ngritur kundër polarizimeve të shoqërisë dhe sidomos atyre polarizimeve artificiale, të cilat mund të bëhen pengesa të progresit, që humbin energjitë dhe shpresat për një te ardhme dhe për një shoqëri dhe shtet të suksesshëm.
Pra, PSH na duhet që të bashkohemi për të shëruar plagët e mëdha të së kaluarës, që të përballojmë sfidat e shekullit XXI, që të mbrojmë integritetin e kombit shqiptarë në Ballkan dhe në botë, që të konkurrojmë dhe prosperojmë krahas popujve tjerë të Europës dhe që vlerat më të mira të traditës sonë kombëtare ti fisnikërojmë me vlerat e vendeve me të zhvilluara europerendimore…

Bejtush Isufi – Prishtinë, Korrik 2016

Këtë skemë e punoi studiuesi, Gjokë Dabaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura