AVZI MUSTAFA: GAZETAT DHE REVISTAT NË PERANDORINË OSMANE – BOTUAR NË SHKUP DHE MANASTIR

Shkup, 08. 10. 2013 – Para disa javësh kolegia ime prof. dr. Sevim Alil nga Biblioteka kombëtare Turke më kish dërguar një katalog përmbledhës të shtypit periodik, përgatitur nga Hasan Duman. Para shumë vitesh kisha lexuar një informatë mbi këtë katalog nga historiani shqiptar prof. Gazmend Shpuza. Nga ky katalog mjaft interesant marrim shumë të dhëna mbi shtypin periodik gjatë Perandorisë Osmane. Interesimi im ishte që unë nga ky katalog të veçoj gazetat dhe revistat që ishin botuar në dy qendrat e rëndësishme shqiptare në Shkup dhe në Manastir.
Të gjitha botimet të evidentuara në katalogun e kësaj përmbledhje nga vetë titujt e gazetave dhe revistave mund të kuptojmë se janë shumë me rëndësi për të marrë informacione të ndryshme edhe nga viset e ndryshme që ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Arkivat osmane ende mbajnë mijëra dokumente të pastudiuara në lidhje me Perandorinë Osmane. Kohëve të fundit Arkivi i Stambollit si dhe bibliotekat u nënshtrohen procesit të katalogimit. Këtë punë shumë të vështirë dhe delikate nuk duhet që ta bëjë vetëm shteti Turk, por edhe historianët dhe studiuesit e të gjithë shteteve që ishin nën Perandorinë Osmane, se vetëm në këtë në mënyrë do të zbardhen shumë pikëpyetje të historisë së asaj periudhe. Historianët shqiptarë individualisht kanë bërë kërkime në arkiva të tillë, por numri i atyre është shumë i pakt, për faktin që shumë dokumente, gazeta e revista janë në osmanishten e vjetër që vështirëson shumë kërkimin sepse nuk ekziston kuadër i tillë që do njoh gjuhën e vjetër turko-osmane. Arkivat e pasura të shtetit Turk ruajnë shumë të dhëna për shumë çështje si ato historike dhe thesaret ekonomike, socio-kulturore dhe demografike të vendeve të ndryshme.

Katalogu përmbledhës i shtypit periodik arab i bibliotekave të Stambollit që është botuar në vitin 1406/1986 (që kap periudhën 1828-1928), shkruar me një parathënie nga Ekmjelddin Ihsanoglu vijmë në dijeni se shtypi periodik në Perandorinë Osamane zë fill me gazetën “Vekayi-Mirsisye “ (Lajmet e Egjiptit) e cila nisë të botohet në dy gjuhë arabisht dhe turqisht në Kajro, që në kohën e udhëheqësit të Egjiptit me prejardhje shqiptare Mehmet Aliut.
Nga studimet e bëra rezulton se nga numëri prej 1804 titujsh dhe revistash, më tepër se gjysma, 1162 tituj kanë dalë në Stamboll, ngase 331 brenda në Turqi, kurse 316 jashtë saj në 32 vende të botës.
Por sipas të njëjtit autor thuhet se që në vitin 1831 fillon të dal gazeta e parë turke në Stamboll me titullin “Takvim-i Vekayi”. Mirëpo, në vitin e dytë po e njëjta gazetë del në katër gjuhë: turqisht, arabisht, armenisht dhe greqisht. Kjo gazetë shumëgjuhësore krijon të drejtën që në Perandorinë osmane mediumet e shtypura të njoftojnë miletin (popullin) në sfera të ndryshme të jetës politiko-shoqërore, kulturore dhe ekonomike në Perandorinë Osmane.
Sipas Katalogut në vilajetet e banuara me popullatë shqiptare janë regjistruar 21 organe, ku katër prej tyre turqisht dhe shqip. Prej tyre dhjetë në Manastir dhe dhjetë në Shkup dhe një në Shkodër.
Në bazë të të dhënave se kush i udhëhiqte këto gazeta qartë mund të vërehet se shumica janë shqiptar, por edhe gjenden edhe turq, e sidomos në këto gazeta e revista hasen edhe shumë kontribute të gazetarëve joshqiptar ose artikuj që janë marrë nga gazetat e revistat e ndryshme. Sa për ilustrim do të japin disa gazeta dhe emra të njohur shqiptar, të cilët kanë qenë udhëheqës gazetash e revistash ose drejtor të këtyre organeve:
– Mehmet Naxhi Gjirokastra nxirrte gazeten “Saika”(Rrufeja),
– Dr. Ibrahim Themo në Rumani nxjerrte gazetën “Eshëk” ( Drita),
– Qamil Tepelena “Shakaxhiu,
– Hasan Prishtina të përditshmen “Zuhre”, pastaj “Tazminat” (Dëmshpërblimin) – bredna dy viteve dolën 412 numra,
– “Dikat” nga Jusuf Ali Albani, pastaj
– Riza Teofik,
– Syrija Vlora,
– Zija Mati,
– Arif Gjakova,
– Hajri Frashëri ,
– Josif Bageri, etj.
Gjatë viteve 1911-1912 në Shkup botohej revista pedagogjike mujore “Jeni mektep” (Shkolla e re), që ishte organ i Këshillit Pedagogjik të shkollës Normale (pedagogjike) që funksiononte në Shkup. Nga kjo revistë dolën 14 numra dhe udhëhiqej nga kryeredaktori Sabri Xhemaili, që i njëjti ishte edhe drejtor i kësaj shkolle. Po në këtë vit në Shkup doli gazeta javore me emrin “Top”, që për nga karakteri ishte gazetë politike dhe udhëhiqej nga Rustemi (pa mbiemër). Gjatë jetës së vetë nga kjo gazetë javore dolën 12 numra. Nga katalogu kuptojmë se po i njëjti botues e botoi edhe gazetën javore “Shar”. Në Katolog është evidentuar vetëm numri 18, që do të thotë se kanë dalë disa numra të kësaj gazete.
Gjithashtu në Shkup është botuar edhe gazeta dy javore, të cilën e redaktonte dhe udhëhiqte Sali Zeki dhe mbante titullin: “Mucahede-i mille” ( Lufta kombëtare), ndërsa prej saj janë botuar 79 numra të kësaj gazete. Kjo gazetë ka qenë gazetë e osmane e lirë dhe e pavarur
Në muajin gusht të vitit 1911 filloi të dal një e përjavshme me titullin: Ars” (Qielli) botuar nga Mehmet Sami, por përveç se një numri kjo gazetë nuk pati jetë të gjatë.
Prej 20. 8. 1911 në Shkup filloi të dalë edhe gazeta shqipe me titull “Shkupi” të udhëhequr nga Jashar Erebara e më vonë edhe gazeta “Vardar”. Në Shkup dolën edhe gazetat “Hak” (E drejta), që dilte tri herë në javë, si dhe gazeta “Sada-i Mililet” (Zëri i popullit), si gazetë e pavarur ekonomike, shoqërore e politike për myslimanët e këtyre vendeve.
Në Manastir dilte gazeta zyrtare “Manastir” që daton shumë herët. Në këtë vilajet del edhe gazeta “Bashkim e Përparim” që për katër vjet u botuan 317 numra. Zija Mati më 1910 botoi gazetën “Ileri” ( përparimi), ku mendohet se kjo gazetë është po ashtu organ i shtypit të komitetit “Bashkim Përparim”.
Në vitin 1911 del edhe gazeta e përjavshme “Korsun” ( Plumbi) , nga e cila kanë dalë tetë numra.
Në Manastir botohej edhe revista mujore “Jeni fikir” (Mendimi i ri), që udhëhiqej nga Ethem Nizhad dhe A. Ferid, kjo reviste ka trajtuar probleme bujqësore. Pas tri viteve kjo gazetë është transferohet në Stamboll.
Në katalogun e kësaj përmbledhje sigurisht se gjenden edhe shumë gazeta dhe revista ku kishte redaktorë e gazetarë shqiptarë, por edhe turq.
Këtë fond me koleksione të gazetave dhe revistave duhet ta ketë së paku Biblioteka Kombëtare Shqiptare. Bazuar në titujt dhe periodicitetin e gazetave dhe revistave që gjinden, pa dyshim këtë koleksion qoftë edhe të fotokopjuar në bibliotekat shqiptare.
Shumica e këtyre gazetave ende nuk janë përkthyer e studiuar, andaj u mbetet institucioneve, apo qendrave kërkimore historike që t’i sigurojnë dhe t’i përkthejnë sa më parë për të marrë informacione të reja ku do të plotësohet dhe begatohet historia jonë kombëtare.

——————————————–

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura