AZIS GJERGJI: SI U VRA PATRIOTI I MADH HASAN PRISHTINA

(Pashtriku.org, 30. 08. 2012) – Në kuadrin e festimeve te 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, qeveria shqiptare ka porositur ngritjen e dy përmendoreve: njerën për “burrin e madh të kombit” Ahmet Zogu dhe tjetrën për “patriotin e madh” Hasan Prishtina. Të dy të cilësuar “të mëdhenj”: i pari si drejtues me dorë të hekurt shteti; i dyti si udhëheqës i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 për lirinë, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë; i pari si tregtar i Shqipërisë londineze; i dyti si dëshmor profet i Shqipërisë natyrore; ndërkohë armiq për vdekje me njeri-tjetrin. (1)

Sa herë që do të flitet për vdekjen e Ahmet Zogut do të përmendet fakti se e braktisi Atdheun dhe popullin shqiptar në orën më fatkeqe; sa herë do të përkujtohet vdekja e patriotit demokrat Hasan Prishtina do të përmendet kredoja e tij politike, botuar në gazetën “Ora e Shqipnisë” më 22 maj 1928, ku ka dhënë deklaratën e njohur: “Mue n’iden teme patriotike nuk ka mujtë e as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, po as mënia e të tanë anmiqvet! Ka me më shtrue vetëm vdekja!” (2).

Ahmet Zogu

………………………………………..

Deri ditën e botimit të kësaj deklarate, për vrasjen e Hasan Prishtinës ishin dërguar nga Tirana në Vjenë së paku katër atentatorë, emrat e të cilëve tashmë dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika (Lisi, janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928). “Ajo që është me rëndësi të konstatohet,– thekson biografi Tahir Abdyli,– është fakti se të gjithë vrasësit ishin në lidhje e detyra të dyfishta me qarqet politike e qeveritare shqiptare e jugosllave.” Sipas dëshmisë së njërit prej atentatorëve, Ibrahim Likës (Lisi) nga Kruja, dhënë policisë së Vjenës dhe botuar në gazetën “Ora e Shqipnisë”, nr. 2, datë 10 shkurt 1928, nismëtari i atentatit kishte qenë Gani bej Kryeziu. “Të marrmen e telegramit se u vra Hasan Begu”, i kishte thënë ai, “kam me emnue katër advokata e për tri javë ke me kenë i liruem”. Gani bej Kryeziu e kishte prezantuar Likën edhe me Kryetarin e Republikës dhe Kryeministrin e Shqipërisë në Tiranë, Ahmet Zogun. Sipas gazetës “Ora e Shqipnisë”, Zogu e kishte pritur atentatorin me fjalët e mirëseardhjes:

“Urdhno, Z. Brahim! Hasan Begu më ka vra Cenon. Unë e kam pasë Cenon si vlla e ka kenë krahu i djathtë i emi. Due prandaj t’i marr gjakun. Hasan Begu asht nji tradhtar e barbar e shumë i rrezikshëm për Shqipnië. Ke me i ba nji shërbim të madh atdheut me shkue me e vra e ti për vedi mos druej aspak pse unë kam Italinë me vedi e me ndihmën e sajë mund të liroj kollaj fort. Kur të zanë e të pyesin në gjygjë pse e vrave Hasanin, thuej se e ke vra me i marrë hakun Cenos.”

Në përcjellje, Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë Ahmet Zogu i kishte dhënë Lisit 30 napolona ari si kapar. Para se Lisi të nisej për të kryer krimin, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës Terenc Toçi e kishte këshilluar: “Kur të lirohesh, kemi me të lidhë 30 napolona në muej si Baltjon Stambollës e ke me pështue për të tanë jetën t’ande…”. Gani Beu i kishte dhënë edhe një kartëvizitë të futur në një zarf, ku ishte shtypur adresa e konsullit shqiptar në Vjenë, Çatin Saraçit. Në anën e pasme të kartëvizitës, Gani bej Kryeziu i lutej Saraçit që t’i jepte Ibrahimit “adresën e atyne personave”(3).

Lika kishte shkuar në Vjenë, ku ishte takuar me disa miq të tij, të cilët ia kishin ndërruar mëndjen dhe, në vend që të kërkonte adresën e Hasan Prishtinës, ishte dorëzuar në një nga rajonet e policisë së Vjenës. Deponimet e Ibrahim Likës në polici u botua në gazetën vjeneze “Neue freie prese” më 4 shkurt 1928. Ndër të tjera, gazeta shkruante:

“Lisi ia hedh fajin Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, se ky bashkë me dy persona të tjerë e ka shty me e vra Hasan bej Prishtinën, i cili sot është padyshim një nga kundërshtarët ma të mëdhenj e ma të rrezikshëm të Zogut…”

Në të njëjtën datë, gazeta “Reichspost” shkruante:”Atentati ishte drejtuar kundra Hasan bej Prishtinës, kundërshtarit të vjetër të Ahmet Zogut, i cili porsi pris ballkanik pat luftuar … kundër serbëve e kështu u suell edhe kundra Ahmet Zogut që me ndihmën e Serbisë mundi të kthehet në Shqipëri…”

Përpjekja e Ahmet Zogut për vrasjen e Hasan Prishtinës u denoncua nga gazeta “Ora e Shqipnisë” e datës 23 shkurt 1928:”Bisha nuk është ngopur ende. Gjaku që tash sa vjet po thith nga dejet e më të mirëve shqiptarë nuk e ka shuar ende etjen e gjakpirësit president! Nuk mjaftoi gjaku i Avni Rustemit, i Elez Isufit, i Zija Dibrës, i Gurakuqit, i Bajram Currit e sa e sa të tjerëve… Tiranët kanë etje për gjak. Këtë herë Ahmet Zogu don të shkeli mbi trupin e Hasan Prishtinës. Heu vaj, heu turp!” (4)

Ndaj Likës nuk u bënë akuza, por në muajin mars 1928, nën mbrojtjen e një eskorte të policisë së fshehtë austriake, ai u shoqërua për në Beograd. Sipas gazetës “Ora e Shqipnisë” të datës 21 mars 1928 dhe biografëve të Hasan Prishtinës, Ibrahim Lika u arrestua në Beograd me rastin e një ngjarjeje tjetër dhe u dërgua në një nga burgjet e Maqedonisë, ku u zhduk në mister (5). Por Presidenti dhe Kryeministri і Shqipërisë, Ahmet Zogu, kishte dhënë prova se nuk dinte të ndalej pa i përmbushur vendimet e tij. Gjyqi Hetues i Tiranës më 4 qershor 1928, do të nxirrte një fletë arresti për Hasan Prishtinën, në të cilën akuzohej si organizator i një komploti të rrezikshëm shqiptaro–maqedonas në Durrës, me objektiv jetën e Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Zog I. Gjyqi i Posaçëm Politik, i mbledhur më 16 qershor 1928 në Tiranë, i kishte dhënë Hasan Prishtinës dhjetë ditë afat për t’u paraqitur përpara gjyqit. Hasan Prishtina i ishte përgjigjur thirrjes së Gjyqit Politik të Tiranës, më 6 korrik 1928, me deklaratën e mëposhtme, botuar në gazetën “Ora e Shqipnisë”:

“Deklaroj kategorikisht se ky lajm asht krejt i trilluem e nuk asht tjetër veçse nji manovër e kjartë e Zogut me mujtë me çue në vend qëllimet e veta. E para, me përhapjen e këtij lajmi të rrejshëm ai don me gjetë rastin me persekutue patriotët e pafaj kundërshtarë të tij. E dyta, këto persekutime do të vijin me friksue në rastin e zgjedhjeve të reja për konstituente kundërshtarët e tij; e treta, Ahmet Zogu, sikurse jam i lajmëruem nga Shqipnia, nuk e ka hjekë ene mendimin me më largue nga kjo jetë, ndonëse nuk i duel herën e fundit nëpërmjet të dërguemit të vet (Ibrahim Lisi).” (6)

………………………………………………..

Gjyqi i Posaçëm Politik, më 2 korrik 1928, e dënoi Hasan Prishtinën “me vdekje” (në mungesë), ndërsa kryetarin e degës së Shoqërisë “Bashkimi” të Durrësit, mësuesin patriot Ibrahim Arapi dhe dy mekanikë bullgarë, Denko Abaxhief e Theodor Vullkanof u dënuan me varje në litar. Duke komentuar dënimin “me vdekje” të Hasan Prishtinës, gazeta “Ora e Shqipnisë” shkroi: “Kjo asht e pesta herë që ky patriot i vjetër dënohet me vdekje. Kje dënue nga Turqit e Rinj, nga Esat pashë Toptani, nga serbët e sot prap nga nji qeveri shqiptare. Të tana këto dënime janë për at veteran porsi dekoracione të lumnueshme që tregojnë qartë se Hasan Prishtina asht nji personalitet me randësi, në të cilin populli shqiptar me arsye ka ngulë shpresat ma të forta. Na Z. Prishtinës i urojmë jetë të gjatë dhe e sigurojmë se ky dënim i ri ka me xe dhe ma tepër flakën e simpatisë së sinqertë, me të cilën e kanë rrethue edhe e rrethojnë çetat e patriotëve shqiptarë(7).”

I palëkundur në drejtësinë e kauzës së lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë, në vitet 1930–1933 Hasan Prishtina kishte vazhduar të mblidhte fakte e dokumente autentike mbi gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar që banonte në “Kosovën e robërueme prej Mbretnisë Jugosllave” dhe t’ia dërgonte Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve. Patrioti shqiptar Hasan Prishtina gjendej gjithandej: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Kostancë, Romë etj., duke u përpjekur të riorganizonte mbi baza të shëndosha Komitetin e Kosovës, të krijonte komitete lokale në Kosovë dhe në qytete të ndryshme shqiptare në Maqedoni dhe të bashkërendonte veprimtarinë e tyre me organizatën maqedonase VMRO (Vunutrasnja Makedonska Revolucionarna Organizacija – Komiteti i Brendshëm Revolucionar i Maqedonisë) (8) Sipas diplomacisë italiane, realizimi i bashkëpunimit shqiptaro-maqedon duhej të konkretizohej me një marrëveshje mes kryetarit të VMRO-së dhe Hasan Prishtinës, i cili “përfaqësonte Komitetin e Kosovës dhe një krahinë të tërë të fortë në Mbretërinë e Jugosllavisë, prej afër 1 milion banorë, që jetonin në një gjendje depresioni fatalistik”. Në një nga takimet e tij me përfaqësuesin e diplomacisë italiane Vitorio Mapeti (Vittorio Mappetti) në Romë, Hasan Prishtina kishte pohuar se në takimin e tij me kryetarin e VMRO-së, Ivan Mihailov në Gjenevë, ishin marrë vesh për shumë çështje të bashkëpunimit shqiptaro–maqedon.(9)

Në vitin 1931, Mbreti Zog i kishte kërkuar aleatit të tij të madh, Benito Musolinit, që të ndërhynte pranë grupit financiar “Il Credito Italiano” për shtyrjen e borxheve të huas SVEA dhe të akordonte një hua të re për Shqipërinë, me kushte sa më lehtësuese. “Il Credito Italiano” e shtyu vjeljen e borxhit të huas SVEA për në fillim të vitit 1932, ndërsa qeveria italiane i akordoi Mbretërisë Shqiptare një kredi dhjetëvjeçare prej 100 milionë franga ari, me lëvrim 10 milionë franga ari në vit. Huaja 100 milionëshe u dha me kamatë zero për qind dhe shlyerja e saj nga qeveria shqiptare do të fillonte vetëm kur të ardhurat në buxhetin e shtetit të arrinin në shumën e 50 milionë franga ari, diçka që as nuk mund të parashikohej në një të ardhme të afërt, pasi të gjithë e dinin se buxheti shtetërori i vitit 1931 ishte vetëm 31 milionë franga ari.

Marrëveshja ishte miratuar njëzëri e me entuziazëm nga deputetët shqiptarë më 26 qershor 1931, pasi kredia e re ishte një dhuratë e vërtetë. Por lëvrimi i huas 100-milionëshe, ndryshe nga praktikat e mëparshme, këtej e tutje do të bëhej drejtpërsëdrejti nëpërmjet institucioneve qeveritare. Qeveria italiane kishte vënë re se, ndonëse në vitet 1925–1931 kishte hedhur në Shqipëri afro një miliard lireta për ndërtime rrugësh, fortifikime, pajisje ushtarake, pagesa ekspertësh e organizatorësh në fusha të ndryshme të jetës së vendit, një pjesë e madhe e fondeve të dhëna kishin rrjedhur në xhepat Mbretit Zog dhe të qeveritarëve të korruptuar. Si pasojë, shqiptarët e thjeshtë ishin varfëruar më tej dhe kishin shfaqur shenja të forta pakënaqësie ndaj pranisë së italianëve në shtëpinë e tyre. Kështu, Musolini kishte urdhëruar që huaja 100-milionëshe të mos jepej as nëpërmjet shoqërisë SVEA, as me ndërmjetësinë e Mbretit Zog, i cili kishte shfaqur dëshirën që huaja të merrte formën e një transaksioni privat mes tij dhe qeverisë italiane; huaja e re do të lëvrohej nëpërmjet transaksioneve bankare midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Shprehimisht, në kontratën e huas thuhej:”Me administrimin dhe dhënien e kësaj shume do të ngarkohet një komision i përbërë prej katër vetash, dy italianë dhe dy shqiptarë dhe vendimet e komisionit do të merren me shumicë votash (10).

Përjashtimi i Mbretit Zog nga roli i garantuesit të huas së re u pasua menjëherë me ftohjen e marrëdhënieve italo-shqiptare. Kur ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Italisë në Shqipëri, markezi Lupi di Soranja, dhe kreu i misionit ushtarak italian pranë Oborrit Mbretëror, gjeneral Alberto Pariani, i kujtuan Mbretit Zog se koha për ripërtëritjen e “Paktit të Parë të Aleancës e të Sigurimit” skadonte më 27 nëntor 1931, morën si përgjigje prej tij se “këtej e tutje marrëdhëniet italo-shqiptare tashmë do të bazoheshin mbi “Paktin e Dytë të Tiranës”, nenet e të cilit kishin fuqi edhe për 16 vjet të tjera. Megjithatë ngrica e marrëdhënieve italo-shqiptare sapo kishte filluar. Mbreti Zog do t’i udhëzonte ministrat e tij të rishikonin të gjitha marrëveshjet tregtare me firmat italiane dhe Parlamenti Shqiptar miratoi një taksë të rëndë për peshkatarët italianë, të cilët deri atë kohë kishin peshkuar pa asnjë kufizim në ujërat shqiptare. Më 1 prill 1933 Parlamenti Shqiptar miratoi mbylljen e të gjitha shkollave private e klerikale, shumica e të cilave ishin italiane. Si kundërpërgjigje, qeveria italiane tërhoqi pjesën më të madhe të personelit mësimdhënës, së bashku me objektet dhe mjetet e tjera mësimore. Po ashtu, gjeneral Pariani dhe pjesa më e madhe e personelit ushtarak dhe civil italian u larguan nga Shqipëria (11).

Njëkohësisht me bllofin zyrtar anti-italian, Mbreti Zog mori masat e duhura për të ruajtur fronin nga ndonjë puç politik që mund t’i organizonte Musolini me emigrantët politikë shqiptarë. Sipas analistëve të kohës, dy ishin njerëzit që mund të ndihmoheshin nga Musolini për rrezimin e Ahmet Zogut nga froni: Hasan Prishtina dhe Mustafa Kruja. Sipas të dhënave operative, më aktiv dhe më i rrezikshëm paraqitej Hasan Prishtina, pasi gëzonte përkrahjen e patriotëve kosovarë, të cilët ishin gati të ngriheshin me armë në dorë për realizimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kundër rrezikut të Musolinit dhe Prishtinës u aktivizuan diplomacitë e të dy mbretërive ballkanike: të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ashtu siç ndodhi tetë vite më parë, kur operacioni i agjenturës së fshehtë ishte mbyllur me vrasjen e patriotit dhe demokratit Luigj Gurakuqi edhe në fillim të vitit 1933 konsullatat shqiptare dhe agjentura e fshehtë e Mbretërisë Shqiptare u vunë në ndjekje të patriotit të flaktë Hasan Prishtina. Në ditarin e shërbimeve konsullore të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933 janë shënuar të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës: më 10 janar ishte në Vjenë, më 16 mars në Bukuresht, më 1 prill në Sofje, më 11 prill në Selanik, më 1 maj në Stamboll, më 1 qershor në Vjenë, më 6 qershor në Budapest, më 23 qershor në Vjenë, më 30 qershor në Stamboll dhe më 1 korrik 1933 në Selanik (12).

Njoftimin mbi mbërritjen e Hasan Prishtinës në Selanik e dërgoi në Tiranë vetë kryekonsulli Qemal bej Mesareja me telegramin e tij të datës 3 korrik 1933. Më 21 korrik 1933, kryekonsulli shqiptar u bëri me dije eprorëve të tij se deri atë ditë nuk ishte parë “ndonjë i arratisur i ri” në konsullatë. Në lidhje me gjurmimin e lëvizjeve të Hasan Prishtinës, Mesareja do të shprehte shqetësimin se nuk e dinte arsyen e vërtetë pse Hasan Prishtina, ishte transferuar nga shtëpia e të vëllait Ymer Prishtinës në Hotelin “Astoria” (?) “Sado që vëzhgohet me kujdes, informon Qemal Beu, “Prishtina nuk shifet veçse me vëllan e tij”.

Ibrahim Çelo, vrasësi i Hasan Prishtinës.

……………………………………….

 Në të vërtetë, vrasësi i paguar Ibrahim Çelo, i lindur në Resnjë të Maqedonisë më 15 qershor 1896, kishte gjashtë muaj që po e ndiqte veprimtarin e palodhur antizogist dhe anti-karagjeorgjeviç Hasan Prishtina. Në ndjekje të viktimës, Ibrahim Çeloja kishte udhëtuar nga Franca në Vjenë dhe nga Vjena në Athinë. Bileta e tij e prerë në një agjenci italiane në Pire për vaporin “Tevere” mban datën 24 korrik 1933. Nga Brindizi gjurmët e tij ishin gjetur në Durrës e Korçë. Më 3 dhe 4 gusht Ibrahim Çeloja qëndroi në shtëpinë e tij në Resnjë dhe prej aty u nis drejt Selanikut, ku do të kryente edhe krimin e vrasjes së bamirësit të tij, patriotit Hasan Prishtina.

Lajmin e vrasjes së Hasan Prishtinës e botuan menjëherë shumë gazeta greke, ndër të cilat “Spiros” e Janinës më 15 gusht 1933 shkroi: U vra Hasan Beu. Athinë. – Telegrafojnë nga Selaniku se dje mbasdite u vra në mes të tregut ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Beu, prej Ibrahim Hysen Çelos, arritur për këtë nga Manastiri. Vrasësi shtiu kundër viktimës shtatë herë, prej të cilave katër plumba e goditën këtë në figurë dhe e lanë në vend të vdekur. Vrasësi u zu dhe u dërgua në polici (13).

Gazeta “Apogjevmatini” e Selanikut e datës 16 gusht 1933 e shihte vrasjen e Hasan Prishtinës si vepër të përbashkët të shërbimeve sekrete shqiptare e jugosllave:

“Siç dihet, Ahmet Zogu në ndeshjen kundër Hasan Prishtinës, nuk u druajt të përdorë ndihmën jugosllave, pse me anë të jugosllavëve hyri në Shqipëri. Simbas mendimit të Prishtinës, ky veprim i Zogut që u mbështet në ndihmën e armikut më kryesor të Shqipërisë, ka qenë tradhti. Prishtina do të falte ço vepër të kundërshtarëve të tij… por këtë aleancë me armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë kurrë s’kishte për ta falur dhe prandaj nuk druante përpara çdo mjeti për ta përmbysë… Kjo veprimtari qe nën vërejtjen e pafjetur të Jugosllavisë, që në personin e tij shihte një armik të rrezikshëm të sigurimit në shtetin jugosllav. Prandaj i binin pas kudo e kurdoherë në udhëtimet e tij në shtete të ndryshme.”

Selanik, Gusht 1933: Kufoma e Hasan Prishtinës në morgun e Spitalit të Selanikut.

………………………………………………………………

Gazeta “Liria Kombëtare”, duke dhënë lajmin e kobshëm, e quante këtë vrasje politike dhe akuzonte për të qeverinë shqiptare:”Më 14 gusht, në Selanik u vra Hasan Prishtina, prej një të ashtuquajturi Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit. Asasini (it. vrasësi) është një njeri i hurit e i litarit; njeri i cili për para mund të vrasë edhe t’anë. Meqë këtë aventurier e kishte mbajtur me pare e bukë, Hasani nuk e shkonte kurrë nëpër mëndje rrezikun që e pritte… Gjyqi që do të bëhet në Selanik duhet të nxjerrë në shesh komplicitetin e qeverisë shqiptare. Ndryshe ky gjyq s’do të ketë kuptim se vrasësi është një me Isuf Reçin që vrau Avni Rustemin dhe me Balto Stambollën që vrau Luigj Gurakuqin…” (14)

Për të ballancuar sado pak propagandën antizogiste, Ministri i Punëve të Brendshme i Mbretërisë Shqiptare, Musa Juka, më 16 gusht 1933, i dërgoi konsullit shqiptar në Selanik udhëzime se si duhet të shprehej për vrasjen e Hasan Prishtinës:

“Disa fletore greke, për vrasjen e Hasan Prishtinës, duan të thonë, gjoja, se ka qenë e shtytur prej Shqipërisë… Fletorja e atjeshme mbi çështjen duhet të botojë artikuj tue deklarue se vrasësi i Hasan Prishtinës, Ibrahim Sheloja, i lindur në Resnjë të Jugosllavisë, nuk është shtetas shqiptar dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë… Shkaku i vrasjes mund të ketë rrjedhur për arsye personale, pasi Ibrahim Shelo ishte mik i vjetër i Hasan Prishtinës, rritur e ndihmuar prej tij… Vrasja mund të jetë organizuar nga refugjatët revolucionarë shqiptarë që kanë qenë në lidhje me Moskën. Hasan Prishtina ka qenë kryetar i grupit konservator dhe kundërshtar i grupit revolucionar… Vrasësi ka arritur në Selanik prej Manastirit të Jugosllavisë.” (15)

Kryeministri Musa Juka mund të manipulonte shtypin qeveritar, po jo shtypin e huaj, i cili që në fillim e vuri gishtin mbi vrasësin e vërtetë të tribunit të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë, patriotit Hasan Prishtina. Më 18 gusht 1933, gazeta “Jugoslavinska Poshta” botoi këtë lajm: “Selanik, 17 gusht. Në varrimin e Hasan Prishtinës morën pjesë një shumicë e madhe emigrantësh shqiptarë, kundërshtarët e regjimit të sotëm. Tashti kuptohet qartë se u vra për intriga politike. Si mik i Fan Nolit, Hasan Beu luante një rol kundër regjimit të Shqipërisë. Nga ana e emigrantëve shqiptarë besohet se atentati është bërë nga ana e qeverisë shqiptare. Emigrantët thonë se Ibrahimi (atentatori) ka ardhur në Selanik nga Shqipëria (Korçë) dhe nuk është parë me emigrantët.” (16)

Mbi ata që qëndronin pas kësaj vrasjeje të shëmtuar dhe shkaqet e saj, hamendëson gazeta greke “To Fos” e 18 gushtit 1933, e cila shkruan: “Në Beograd asnjë gazetë dhe asnjë parti nuk mungoi të theksojë se në personin e të vrarit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri, bile edhe një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut… Ndjenja e papërmbajtur e kënaqësisë për këtë vrasje domosdo nuk është mjaft që të tregojë se serbët e organizuan. Të paktën mendimi zyrtar është se nga ato që u shkruan direkt ose indirekt ka pjesë dhe “Bella Ruka” (dora e bardhë) që nuk janë veçse fantazi. Por në kulisat flitet shumë. Dhe me gjithë që hetimet mund të sjellin në dritë gjëra të habitshme, prapë Beogradi është i qetë. Askush nuk do të mundë të shkoqitë ç’janë gatuar rreth kësaj vrasjeje. Askush! Se drama e Selanikut është nga ato dramat misterioze që mbyllen brenda në korridoret e errëta të Ministrisë së Jashtme ose janë objekte të marrëveshjeve të fshehta dhe intrigave të pazbuluara. Shumë janë shkruar për Çelon, por askush nuk ka për ta zbuluar dorën misterioze, e cila i dha revolverin dhe arkën që përmbante mjetet e bollshme. Çeloja, i ashtuquajturi pemëshitësi i Resnjës, me pasurinë e tij reale apo fantastike, do të mbetet një personalitet i errët me fund të paditur. Askush s’ka për ta marrë vesh kurrë se oborri i Tiranës e lajkosi apo Beogradi e fanatizoi. Diplomacia ballkanike është një labirint!” (17)

Në “labirinthin ballkanik” askush nuk e vuri re dritën që hodhi mbi të vërtetën korrespondenti i gazetës greke “Tahidhromos” më 17 gusht 1933: “Ja dhe një element i cili dëshmon se medoemos ndonjë dorë e huaj ka marrë pjesë në vrasje. Vrasësi Çelo që nga burgu i ka dërguar një telegram zonjës Xhemile, e cila banon në Resnjë të Jugosllavisë: “Hasan Prishtina u rregullua, unë jam mirë, mos u shqetësoni. Ibrahim.” Korrespondenti shprehet se “marrësi i telegramit nuk është grua” dhe hedh hipotezën se ishte fjala “për një agjent të organizatës, e cila interesohej për vrasjen e Prishtinës”. Sipas ish-emigrantit politik Myslim Peza, і cili në atë kohë jetonte në Resnje, “Xhemilja” ishte Irfan Bej Ohri, “miku më i ngushtë i Ibrahim Çelos, me të cilin rrinte gjithë ditën, vetëm nata i ndante.”(18)

Deri në vitin 1933, Irfan bej Ohrit merrte si emigrant shqiptar në Jugosllavi mbi 1000 dinarë në muaj (shih: AQSH. Fondi 152, viti 1934, dosja 313, fl. 1, nr. rendor 48.) Në këtë listë, përbri emrit të Irfan Ohrit është shënuar: “Nuk merr rrogë”. Në fakt, në fund të vitit 1933, siç dëshmon Myslim Peza, Irfan bej Ohri ishte kthyer në Shqipëri. Po ashtu, kryekonsulli shqiptar i Selanikut, Qemal Bej Mesareja, u transferua në Athinë me detyrën e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Mbretërinë e Greqisë.

Për paradoks, qeveria aktuale e Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim të ngrejë përmendoren e dëshmorit të lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe një për Ahmet Zogun – të dyshuarin kryesor si organizator i vrasjes së tij (!?)

__________________________

Shënimet:

(1) Në fjalën e mbajtur në përurimin e përmendores së Mbretit Zog në Burrel, më 16 korrik 2009, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndër të tjera, tha: “Është një nder i madh, një kënaqësi e veçantë, që sot nisim festën e fitores, duke vendosur në piedestalin që e meriton njërin prej burrave të shquar të Kombit shqiptar, arkitektin dhe themeluesin e shtetit modern të shqiptarëve, Mbretin Zogu i Parë. Vendosja e shtatores të Mbretit Zogu i Parë në këtë shesh është një nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar; pavarësia u shpall në Vlorë, shteti modern shqiptar nisi këtu në Mat, me burrin e madh të kombit Ahmet Zogun.” (Gazeta “Bota Sot”, 16 korrik 2009).

…………………………………………………..

SALI BERISHA: MBRETI AHMET ZOGU BIR I MADH I KOMBIT!

……………………………………………..

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 12 dhjetor 2011, Kryeministri Berisha kërkoi nga institucionet studimore, kërkimore e shkencore që të ridimensionojnë figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të Pavarësisë së Shqipërisë, si Mbretin Zog, Esad Pashë Toptanin, Hasan Prishtinën etj. “Unë besoj se disa prej tyre, Ahmet Zogu, Esat Toptani, Hasan Prishtina duhen të kenë praninë e tyre në kryeqytetin e vendit…”, tha ndër të tjera kryeministri. (Gazeta “TemA”, 12 dhjetor 2011). Meqenëse Kryeministri Berisha po sfidonte rëndë të gjitha arritjet shkencore të studimeve të deritanishme historike, duke ngritur në piedestal tradhtarin më të madh të gjithë kohrave të popullit shqiptar, gjeneral Esad Toptanin, nëpunësit e Institutit të Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës u detyruan t’i bënin me dije rrogëdhënësit të tyre se Esad pasha ishte bashkëpuntori kryesor i mbretërive Serbe e Greke për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë midis tyre. (Gazeta “Shqiptarja.com”, dt. 22/12/2011, suplementi kulturor: intervistë e historianes Ledia Dushku, f. 12; gazeta “Standard inline”, dt. 30/01/2012 etj.)
Ndërsa për figurën e Hasan Prishtinës u jemi referuar botimeve: Hasan Prishtina – Dokumente, përgatitur nga K. Nuro, N. Bata, DPASH, Tiranë 1983, A. Haxhiu, Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës,Tiranë: Naim Frashëri, 1968; T. Abdyli, Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare (1908-1933), Prishtinë: GME, 2003: Muhamet Pirraku, artikujt: “Si deshtova për ta ngritur shtatoren e Hasan Prishtinës në sheshin “Hasan Prishtina” dhe “Si më gjeti miku і Hasan Prishtinës-Koloneli austrak Herbert Modestus Urban për të përmbushur amanetin prinderor” (www.pashtriku.org, dt. 24 maj dhe 23 qershor 2012) etj.
(2) Hasan Prishtina – Dokumente, dok. 130, f. 174–177; gazeta “Ora e Shqipnisë”, nr. 7, 22 maj 1928; A. Haxhiu, Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, f. 259–260; T. Abdyli, Hasan Prishtina…, f. 295.
(3) T. Abdyli, Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare (1908-1933), f. 283 (sipas F. Mehmeti, Dokumente austriake, f. 367–386; M. Pirraku, Si e organizoi Ahmet Zogu atentatin kundër Hasan Prishtinës, gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 15–27 shtator 1980); Hasan Prishtina …, dok. 127, f. 169–170.
(4) Po aty, dok. 128, 129, f. 169–174; gazeta “Ora e Shqipnisë”, nr. 3, 23 shkurt 1928; A. Haxhiu, Hasan Prishtina…, f. 262–263.
(5) B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 130–131; A. Haxhiu, Hasan Prishti-na…,f. 264; T. Abdyli, Hasan Prishtina…, f. 284.
(6) Hasan Prishtina…, dok. 131–133, 135, f. 177–181; gazeta “Ora e Shqipnisë”, nr. 8, dt. 6 korrik 1928.
(7) B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 131–132; Hasan Prishtina… dok. 134, f. 179–180; gazeta “Ora e Shqipnisë”, nr. 8, 6 korrik 1928.
(8) Hasan Prishtina…, dok. 136–139, f. 181–190; gazeta “Shqipëri e Re”, Kostancë, 10 janar 1931; Kumtesë e prof. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës në bashkëpunim me organizatat e tjera politike (1925–1939), në: botimin “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Tiranë: Akademia e Shkencave, f. 147.
(9) Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacies italiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve (1930–1941), Prishtinë, 1997, f. 118–120, 137, 141–143, 158–160.
(10) Historia e Shqipërisë (1965), vëll. II, f. 598–599; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 295, 305, 309; AQSH, Fondi Legata Italiane, raport i Antonio di Sarogna për MPJ të Italisë, më 26 qershor 1931; Shqipenija më 1937, f. 247; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 211–212, 219–227; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 329; .
(11) Fischer, Mbreti Zog…, vep. e përm., f. 219–221, 224–227.
(12) Hasan Prishtina…, dok. 140–145, f. 190–195 ( AQSH. Fondi 251, viti 1933, dosja 98, fl. 1, 3, 5, 7, 18, 20).
(13) Po aty, dok. 146–147, f. 195–197 (AQSH. Fondi 251, viti 1933, dosja 98, fl. 29, 35; gazeta “Maqedonia e Re”, 14 gusht 1933; dok. 148, f. 197 (gazeta “Spiros”, Janinë, 15 gusht 1933); “Gazeta Shqiptare”, nr. 3977, 2 shtator 2007, suplementi “Milosao”.
(14) Hasan Prishtina… dok. 158, f. 213 (gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 171, 20 korrik 1934); dok. 149, f. 198 ( AQSH. Fondi 151, viti 1933, dosja 98, fl. 241–242).
(15) AQSH, Fondi 252, viti 1933, dosja 74, fl. 1, 3.
(16) Hasan Prishtina… dok. 156, f. 208 (AQSH. Fondi 151, viti 1933, dosja 98, fl. 353).
(17) Po aty, dok. 155, f. 207–208 (AQSH. Fondi 151, viti 1933, dosja 98, fl. 284–285).
(18) Po aty, dok. 154, f. 205 (AQSH. Fondi 151, viti 1933, dosja 98, fl. 269–270); Hazis Gjergji, Myslim Peza dëshmitar dhe protagonist, 1912-1939, Tiranë, Princi i Vogël, 2008, f. 358.

……………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura