AFRIM MORINA: UKSHI HOTIT I DUHET NDIHMA, E JO TË LAVDOHET!

Pashtriku.org, 15. 05. 2012 – (Një reagim në dhjetëvjetorin e humbjes pa gjurmë të Prof.Ukshin Hotit – maj 2009) – Ukshini u shpallë i çmendur, para delegacionit të Evropës së Bashkuar, më 1997 nga Ibrahim Rugova dhe nomenklatura politike e kohës, nën udhëheqjen e tij. Çmimi Saharovë i përcaktuar për Ukshin Hotin u ble dhe kaloi te Ibrahim Rugova; Për Ukshin Hotin, partia e tij UNIKOMB-i, pati kërkuar që të jetë në përbërje të delegacionit në Rambuje, përkundër shkrimeve që janë publikuar se gjoja ka qenë anëtar i delegacionit, nuk është pranuar të jetë, për këtë ekzistojnë procesverbalet e Lëvizjes për Bashkim Demokratik (LBD’s) që drejtonte Rexhep Qosja;…
     Në përvjetorin e dhjetë të humbjes së gjurmëve në burgun e Dubravës për profesor Ukshin Hotin, më 16 maj u mbajt një Akademi politike. Ai nga oratorët u lëvdua si një eurodit i filozofisë politike shqiptare nga shumë këndvështrime dhe u hapën tema studimi për Te, për të plotësuar gjenialitetin e këtij intelektuali me përmasa kombëtare. Njeriu i përmasave të Ukshinit, në pozitën në të cilën gjendet fati i Tij, nuk ka nevojë për lavde, por ka nevojë për ndihmë konkrete, se për të parën e kanë bërë, e bëjnë dhe do ta bëjnë edhe më mirë ata që do të merren drejtpërsëdrejti me veprimtarin e Tij politiko shkencore.

_________________________________________

     Prandaj në këtë dhjetëvjetor ka qenë momenti për të shtruar drejtë çështjen Hoti, që nga fillimi i vitit nëntëdhjetë, për të mësuar të vërtetën opinioni kombëtar, sepse disa me qëllime të caktuar i fshehin faktet për shfajësim, ngase atë kohë i takonin taborit tjetër të veprimit politik, në momentet “Kur kombi varej n’litar”. ( A. A. )
     Në këtë akademi politike ka qenë dashtë të trajtohej çështja Hoti, duke u nisur nga faktet se:
    – Ukshin Hoti iu kthye ligjërimit në fakultet, por kurrë nuk iu rikthye titulli i profesorit;
    – Ukshin Hotit dy numra të “DEA – Demokracisë autentike” me mijëra ekzemplarë iu bllokuan në depo për të mos dalë në shitje;
   – Ukshin Hotit iu vërsulën për ta hequr nga Kryetari i degës së LDK në Rahovec, Jusuf Buxhovi me kompani dhe si dikur në kohën e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, kur qendrave u vinin në ndihmë filialet e saj, ashtu edhe kësaj here Skender Zogaj kërkoi në emër të Degës së LDK së Fushë Kosovës largimin e Tij nga kryetari i Degës së LDK në Rahovec:
    – Burgosjen e Tij mediat dhe liderthit politik e transmetuan sikur të kishte ndodhur një arrestim i një qytetari të rëndomtë:
    – Ukshin Hoti nuk kishte mbrojtje institucionale të Qeverisë Bukoshi, ndërkohë që nomenklatura e LDK e kishte këtë mbrojtje;
   – Peticioni i qytetarëve për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu dhe të burgosurve tjerë u pengua nga aktivistët e LDK’së dhe për këtë atë botë është thënë publikisht;
    – Nga Xhemajl Mustafa, këshilltari i Rugovës, në një shkrim të tij, pat thënë, se Ukshini ishte futur në një thes me Dobrica Qosiqin dhe për këtë vlerësim UNIKOMB’i asokohe pati reaguar publikisht:
   – Moslejimi i depërtimit të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, botimi i parë, nga Shqipëria londineze në pjesën tjetër të saj të robëruar me ç’rast u bë asgjësimi i kamionit bashkë me 4500 ekzemplarët e tij;
    – Ukshini u shpallë i çmendur, para delegacionit të Evropës së Bashkuar, më 1997 nga Ibrahim Rugova dhe nomenklatura politike e kohës, nën udhëheqjen e tij
    – Çmimi Saharovë i përcaktuar për Ukshin Hotin u ble dhe kaloi te Ibrahim Rugova;
    – Për Ukshin Hotin, partia e tij UNIKOMB-i, pati kërkuar që të jetë në përbërje të delegacionit në Rambuje, përkundër shkrimeve që janë publikuar se gjoja ka qenë anëtar i delegacionit, nuk është pranuar të jetë, për këtë ekzistojnë procesverbalet e Lëvizjes për Bashkim Demokratik (LBD’s) që drejtonte Rexhep Qosja;
    – Ukshin Hoti nuk u pranua të jetë Ministër i Jashtëm i Kosovës në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi, me motivacion se ai është i vdekur.., këtë e ka thënë Mehmet Hajrizi, për këtë ekziston procesverbali;
    – Për Ukshin Hotin, Sebastiani, udhëheqës i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ka kërkuar nga familja që të hiqet nga politika dhe si familje më lehtë e ka për ta liruar nga burgu;
    – Në asnjë protestë të organizuar pas lufte për lirimin e të burgosurve politik, nga folësit, nuk është zënë në gojë emri i Ukshin Hotit;
    – Që nga fillimi i veprimit të Strukturave qeveritare dhe pas shpalljes së pavarësisë, asnjëherë nuk është kërkuar gjetja e tij nga institucionet e Kosovës, por trajtohet si të gjithë të pagjeturit tjerë.
    Organizatori për të qenë në nivel të trajtimit akademik të Ukshin Hotit ka qenë dashtë nga ky këndë vështrim ta trajtoj çështjen Hoti. Kjo formë e të trajtuarit do të ndriçonte dhe fuqizonte mendimin e profesorit të shpallur publikisht në Gjykatën e Qarkut në Prizren, se e kishte burgosur një pjesë e alternativës politike të Kosovës. Do të dilte në shesh se kush ishin ata dhe pse e burgosën atë. Kur i rrezikon Hoti liderthit politik për të bashkërenditur veprimin me UDB për ta eliminuar nga skena politike dhe më vonë edhe për t’ia humbur gjurmët?!
    Botërisht dihet se Aktakuza e ngritur nga Prokurori i Gjykatës së Qarkut në Prizren, e fajësonte për veprimtari armiqësore kundër shtetit serb, sepse ishte aktivist i Lëvizjes Popullor për Republikën e Kosovës dhe për angazhimin e tij në Partinë e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB. Në akademi nuk u fol fare për këto të dyja, sepse duhej heshtur veprimtaria e tij edhe në praktikë. Më lehtë është të flitet për veprimtarinë intelektuale të tij. Pse i ikët këtij në dy akademitë e organizuara së fundi për Ukshinin!?
    Edhe herëve tjera e kam thënë se prishej ballansi politik po të lejohej angazhimi i tij në UNIKOMB. Jeta e tij, që del edhe nga shkrimet analitike, në të cilën gjendej kombi, e veçanërisht territoret e pushtuara në ish Jugosllavi, paralajmëronin kryengritje. Se zëri kryengritës, për herë të parë publikisht, kur i drejtohet masës në varrimin e një dëshmori, se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet, ishte mjaftë domethënës. Këto ishin studiuar mirë e mirë nga të dyja palët dhe përcillej kudo që angazhohet, në universitet, në LDK, në “DEA”, me shantazhe e ndërskamca, me bojkote e dajak, por nuk mund ta toleronin të delte në skenën politike dhe të merrte timonin e një partie që në program kishte bashkimin kombëtar dhe nuk përjashtonte mjete për të realizuar atë.
    Pas burgosjes së tij të gjitha veprimet që u ndërmorën kundër tij ishin përllogaritur mirë, që emri i tij të mos depërtojë në masat e popullit, se bagazhi i tij jetësor do t’i lente të gjithë nën hije, e hija për filishat është e dëmshme, nuk mund të rriten.
    Mënyra e trajtimit të çështjes Hoti nga ky këndvështrim në një tryezë apo debat, siç u tha më lartë, do të lëvizte mekanizmat ndërkombëtar dhe ato vendor, sepse kishte dal një qëndrim unik dhe me obligime për të vepruar dhe nuk do të trajtohet çështja e tij si qytetar i rëndomtë, ashtu si po e trajton zv. Kryeministri z. Manaj. Pse i ikët kësaj forme, këtë mund të japin përgjigje organizatorët e dy akademive që u mbajtën kohëve të fundit në Prishtinë.
    Forma e trajtimit të çështjes Hoti deri sot me akademi, më tepër të jep për të kuptuar, si organizim post mortum dhe derisa nuk i kemi argumentet e kapshme duhet ikur nga ky shabllon, që tashmë është bërë modë.
Therandë, 19. 05. 2009

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura