AZIS GJERGJI: ZOGU DHE SHPALLJA E PAVARËSISË

(Pashtriku.org, 02. 08. 2012) – Në faqen 35 të botimit: “Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve”, Tiranë, 2008, thuhet: “Vjen një letër e Ismail Qemal Vlorës, me anën e Ibrahim Kolocit nga Elbasani. Ismail Qemal Beu thoshte: Arrita në Vlorë, ku kemi thirrur një Kongres për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Ju lutem të vini sa më shpejt në këtë Kongres pasi koha nuk pret. (1).
Shumë interesante kjo “letër” e shkruar nga dora e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Bej Vlorës, ndonëse e pa dokumentuar gjëkundi. Por le ta marrim si të mirëqenë dhe t’i kthehemi datës 21 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, përfaqësuesit e kolonisë shqiptare në Bukuresht dhe shoqëruesit e tjerë zbritën në portin e Durrësit. Dihet se nga qyteti i Durrësit u bënë telefonatat dhe u nisën telegramet e parë në Shijak, Tiranë, Krujë, Kavajë e Elbasan për t’u njoftuar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës. I kërcënuar me arrestim nga autoritetet osmane të qytetit, Ismail Qemali vendosi ta ngrinte Flamurin Kombëtar në Vlorë, ku ndjehej më i sigurt. Pasi mori me vete edhe përfaqësuesit e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës, karvani і Ismail Qemal bej Vlorës çau mes për mes baltërave të Myzeqesë për të mbërritur në Vlorë më 25 Nëntor. Po atë mbasdite e deri natën vonë, Plaku Hero і Pavarësisë së Shqipërisë vazhdoi t’u dërgonte telegrame edhe prefekturave e nënprefekturave që nuk ishin njoftuar akoma për ngjarjen e madhe që do të ndodhte.(2)

Kopertina e librit: “Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve”, Tiranë, 2008 – i autorit Hysen Selmani

………………………………………….

Me këtë rast, le të supozojmë se Ismail Qemali është ulur dhe e ka shkruar letrën e përmendur në kujtimet e Ahmet Zogut dhe korrieri është nisur nga Vlora herët në mëngjesin e 26 Nëntorit pë të mbërritur në Elbasan në darkë vonë. Përsëri me urgjencë korrieri Ibrahim Koloci duhet të jetë nisur nga Elbasani në mëngjesin e 27 Nëntorit për të mbërritur në Burgajet në darkë vonë. Të nesërmen, pra më datën 28 Nëntor 1912, po me urgjencë paria e Matit ka zgjedhur Ahmet Muhtar Bej Zogollin, Riza Bej Çelën dhe Kurt Agë Kadiun si përfaqësues të Matit në Kuvendin e Vlorës. Pra edhe me supozimin hipotetik se letra është dërguar me korrier special të Ismail Qemalit nga Vlora, Ahmet Zogu rezulton të ketë qenë akoma në Mat më 28 Nëntor 1912, kur në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u ngrit Flamuri Kombëtar. Mirëpo, në botimin “Nga notimet e Zogut” na del se ai paska qenë një faktor aktiv në mbledhjen e parë të Kuvendit që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Tekstualisht në “notimet” thuhet:
Sa mbërriti në Vlorë, Zogu shkoi tek Ismail Qemali, i cili kur e pa Zogun, u çua në këmbë e përqafoi i mallëngjyer… Pasi përfunduan përshëndetjet e rastit, Zogu u vu në dijeni të qëllimeve dhe të programit të kongresit, duke u treguar i zjarrtë në realizimin e ëndrrës shekullore të Shqipërisë. Fjalimi i tij pati një ushtim të thellë tek të gjithë pjesëmarrësit në këtë kongres, të cilët e quajtën si një nga shtyllat e shëndosha për ruajtjen e fatit të lumtur të së nesërmes së Atdheut. Në kongresin e Vlorës, Zogu ishte edhe përfaqësues i Mirditës, pasi e ngarkuan me këtë detyrë kapidan Marka Gjoni me bajraktarët e Mirditës. Pasi morën fund të gjitha bisedimet, më 28 nëntor 1912, në orën katër pasdite në prezencën e 47 delegatëve të popullit, në Vlorën kreshnike u ngrit drejt qiellit të kaltër Flamuri i Pavarësisë Shqiptare dhe Shqipëria u shpall zyrtarisht si Shtet i Pavarur…(3)
Mirëpo dokumentet dhe studimet historike flasin për një të vërtetë krejt tjetër. Sipas tyre, për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive mbretërore serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën që Kuvendin Kombëtar ta mblidhnin të nesërmen, më 28 Nëntor 1912. Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindj’e Shqipniës” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Beratti, firmëtar і Deklaratës së Pavarësisë; të ribotuara nga firmëtari jetër Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumenta Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925) dhe së fundi të përmbledhura në dy botime nga Instituti і Historisë і Akademisë së Shkencave të RSH. I mbështetur në dokumentet e mësipërme, albanologu i njohur Rober Elsie ka ekspozuar në internet proçesverbalin e mbledhes së parë të Kuvendit të Vlorës, fjalën e nismëtarit dhe kryetarit të mbledhjes, Ismail Qemali, Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe një listë prej 40 firmëtarëve të saj që përfaqësonin të gjitha trevat shqiptare nga Plava e Gucia në Çamëri, nga Durrësi në Shkup e Prishtinë. Pavarësisht se çfarë shkruhet në botimin “Nga notimet e Zogut…”, emri i të deleguarve të Matit, nuk figuron aty.(4) ( Lexoni këtu dokumentin: 1912 The Declaration of Albanian Independence – http://www.albanianhistory.net/texts20_1/AH1912_1.html – Sh.B)
Në të vërtetë, Ahmet bej Zogolli me delegatët e Matit dhe 25 kalorësit shoqërues të tyre kanё qenё rreth datёs 30 Nëntor 1912 në Elbasan. Këtë fakt e dëshmon një telegram informues i prefektit në detyrë i Elbasanit, Aqif pashë Biçakçiu, dërguar Qeverisё së Pёrkohshme tё Vlorёs mё 2 dhjetor 1912. Shprehimisht, nё atё telegram thuhet:
Nga goja e Ahmet be Matit qё erdhi nё Elbasan, mёsuam se serbёt, kur hynё nё Lumё, paskan filluar tё djegin shtёpira dhe tё vrasin njerёz. Nga kjo sjellje barbare lumjanёt qenkan revoltuar kundra serbёve dhe nja gjashtё batalione serbe і paskan zhdukur. Njё sasi tjetёr ushtarёsh qё mundёn tё shpёtojnё e paskan dёbuar nga Luma dhe u paskan marrё nga dy topa dhe nja dy mitralozё (5).
Në telegramin e Aqif Pashёs nuk bёhet fjalё se Ahmet bej Zogolli kishte nё plan tё shkonte nё Vlorё, por as “Nga notimet e Zogut…” nuk përmëndet fare takimi i tij me prefektin Aqif pashë Biçakçiu. Nё fakt, Aqif Pasha kishte qenë ndër personalitetet e parë që Ismail Qemali i kishte kërkuar për të marrë pjesë në Kuvendin historik të Vlorës, por ai nuk kishte parё tё arsyeshme të largohej nga Elbasani, nё njё kohё kur delegatёt e ardhur nga Ohri e kishin njoftuar mbi rrezikun e afёrt tё pushtimit të qytetit nga trupat ushtarake të mbretërisë së Serbisë. Në vend të tij, Qysh më 25 Nëntor 1912, Aqif Pasha dhe 27 përfaqësues të qytetit e krahinave të prefekturës së Elbasanit kishin nënshkruar telegramin e njohur dërguar Ismail Qemalit: “Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishterë, me nji za kanë pranue indipendencën e Shqipniës” dhe kishin zgjedhur tre delegatёt e Elbasanit pёr Kuvendin e Vlorёs: intelektualёt patriotë: Mit’hat bej Frashëri (i biri i Abdyl bej Frashërit), Lef Nosin dhe Shefqet Daiun, të cilët figurojnë firmëtarë të deklaratës historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. (6)
Në vend të Aqif Pashës, në botimin “Nga notimet e Zogut” përmendet djali i hallës së Zogut, ku dhe ka bujtur atё natё, Dervish bej Biçaku, i cili duhet tё jetё edhe autori i letrës informative që korrieri Koloci ia ka dorëzuar Ahmet bej Zogollit në Burgajet. Në “notimet e Zogut” thuhet se, delegatët e Matit “arritën në Elbasan ku morën Hamdi bej Ohrin, një patriot që gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në internim për lirinë e Shqipërisë dhe Dervish bej Biçakun, e u nisën drejt Fierit. Aty ishte ushtria turke nën komandën e Xhavit Pashës, që ishte tërhequr nga Kumanova, krejtësisht e shkatërruar, me të sëmurë. Zogu do t’u bënte një vizitë, pasi ushtria ishte pothuajse në një gjendje kritike, pa ushqime, e lodhur, në pritje për t’u nisur për në Stamboll.” (7)
Pas takimit me ushtarët dhe Xhavit Pashën në Fier, sipas botimit “Nga notimet e Zogut…” del se Ahmet bej Zogolli qenka nisur drejt e në mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, ku ai paskish mbajtur edhe fjalimin e thellë programatik. Mirëpo, përsëri dokumentet historike flasin për një të vërtetë ndryshe. E para, Xhavit pasha me ushtrinë e tij gjendej në Berat dhe jo në Fier; fakt i cili na bën të supozojmë se delgatët e Matit nga Elbasani mund të kenë udhëtuar drejt Beratit ose Mallakastrës dhe prej andej kanë mbërritur në Tepelenë. Mbërritja në Tepelenë vërtetohet nga telegrami që Ahmet bej Zogolli i ka dërguar prej aty Ismail Qemal bej Vlorës, më datë 19 Vjeshtë e Tretë 1328/ 2 Dhjetor 1912, ku thotë:
Shkëlqesisë Tija Ismail Qemal Bej Efendiut, Vlorë
U zgjodha përfaqësues i Matjes. Ndënshkruni për mua vendimet e Kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhërin Tuaj. Ahmed Myhtar Matja. (8)
Duket se përgjigja e Plakut të Vlorës, Ismail Qemali, ka qenë se ishte i mirëpritur, si çdo përfaqësues i trojeve shqiptare. Ahmed Muhtar Matja dhe përfaqësuesit e tjerë të Matit arritën të marrin pjesë në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Vlorës dhe të fundit të tij. Pavarësisht nga përkrahja me gojë e Ahmet Bej Zogollit pёr Qeverinë e Përkohshme të Ismail Bej Vlorës, sipas proçesverbalit të mbledhjes së 7 dhjetorit 1912, ai as ka mbajtur ndonjë fjalim, as ka bërë ndonjё pyetje apo diskutim. Duhej të kalonin 75 vjet, që studiuesi këmbëngulës і fotografive historike Niko Kotherja të zbulonte në Fototekën Kombëtare “Marubi” fotografinë e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, і ekspozuar më 28 Nëntor 1937, por і zhdukur më pas në mënyrë misterioze. Me këtë zbulim tashmë kemi një tablo të plotë të punimeve dhe pjesëmarrësve të Kuvendit historik të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Studiuesi Aleksandër Meksi përmend 40 firmëtarë të Aktit, 32 pjesëmarrës të tjerë në punimet e Kuvendit të Vlorës dhe 4 delegatë që nuk arritën të paraqiteshin në kohë; gjithsej 76 vetë. Në emër të grupit përgatitor, Meksi shpreh mendimin se “të gjithë këta burra të shquar janë të barabartë përpara Kombit për Shpalljen e Pavarësisë e ngritjen e flamurit kuq e zi dhe njësoj duhen nderuar.” (9) ( Lexoni këtu: http://fjalaelire.co.uk/2012/07/20/kuvendi-i-vlores-pjesemarresit-ne-te-dhe-firmetaret-e-aktit-te-pavaresise/ – Sh.B)
Por, á janë vërtet të barabartë katër delegatët që nuk morën fare pjesë Kuvendin e Pavarësisë, për arsye nga më të ndryshmet, me 72 pjesëmarrësit në punimet e Kuvendit të Vlorës, e aq më pak me 40 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë?! Po ashtu, si mund të jenë të barabartë me firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë 32 delegatët që morën pjesë në mbledhjet e Kuvendit, por nuk hodhën firmat në Aktin Historik të Shpalljes së Pavarësisë?! Justifikimi і Zotit Meksi se “mbase ata nuk і jepnin atë rëndësi që ka për ne sot,” është pak i besueshëm, pasi pjesa dërrmuese e delegatëve ishin bukur fort të shkolluar dhe e njihnin mirë praktikën e themelimit dhe funksionimit ligjor të një shteti të pavarur e sovran. Është më tepër і besueshëm fakti і përgjegjshmërisë së tyre se firmosja e Deklaratës së Pavarësisë ishte një akt shumë і rrezikshëm, pasi për Portën e Lartë të Stambollit ai veprim do të thoshte tradhti e lartë dhe dënohej me vdekje në litar. Për nalogji, le t’і referohemi dy fragmenteve të sjella në shqip nga studiuesja Albana Mëlyshi në librin “Udhëtim në historinë e Amerikës”:

“Në mbrëmjen e 4 korrikut 1776, Kongresi Kontinental aprovoi Deklaratën e Pavarësisë… Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. І pari që hodhi firmën ishte Xhon Henkoku (John Hancock), përfaqësuesi і Masaçusets. Ishte një firmë e madhe. “Në këtë mënyrë, mbreti s’do ketë nevojë të vërë syzet për ta parë”, u shpreh ai pasi la penën… Kur delegatët po firmosnin Deklaratën, Xhon Henkok tha se ajo duhej firmosur nga të gjithë, pasi “ne duhet të qëndrojmë së bashku.” Benxhamin Frenklini u përgjigj me humor me atë frazë që mbeti historike: “Yes, we must endeed all hang together, or most assuredly we shall all hang separately.” (“Po, ne duhet të qëndrojmë së bashku, ndryshe me siguri do të na varin veç e veç.”)(10)
Gjithsesi, në kujtimet e tij, mikpritësi i Ahmet Beut, Eqrem Bej Vlora, dëshmon:
Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij Dervish bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së pa përmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme . (11)
Ambicjen e papёrmbajtur dhe aftёsitё e jashtёzakonshme pёr tё arritur nё majёn e piramidёs sё pushtetit, siç shprehet Vlora, Ahmet Zogu do t’i shpaloste nё vitet 1920-1928, kur arriti të bëhej Kryeministër e President і Shqipërisë dhe së fundi të kurorëzohej “Mbret і Shqiptarëve”. Ai e sundoi popullin shqiptar për 15 vjet me dorë të hekurt. Ish-koloneli і Xhandarmërisë, Faik Quku dëshmon: “Kur Zogu erdhi në fuqi, në vitin 1924, gjeti nji Shqipni të vorfën, por me nji ekonomi të paprekur; me nji financë pa asnji borxh, nji shtet të pavarun politikisht e me nji funksion me të vërtetë ekuilibrues në Ballkan e Adriatik; me nji administratë të ndershme shembullore, me nji demokraci në fillim, por në zhvillim e sipër; me nji popullsi, që me sakrifica të mëdha kundër nji bote, kishte mujtë me imponue pavarsinë e vet e për këtë ishte kryenaltë e entuziaste…. Gjatë 15 vjetëve të regjimit diktatorial të Zogut, të lidhun mbas qerres italiane, burimet ekonomike e financiare, si bankat, minierat, tregtia e jashtme, ujnat e bregu i detit, peshku, ndërmarrjet e ndryshme, vijat e portet ajrore ishin kaparua prej italianëve (12).
Poeti filozof italian Virgjili ka lënë një fjalë të mënçur: “Finis coronat opus” (Fundi kurorëzon veprën”). Edhe ish-pjesëmarrësi në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Mbreti Zog, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë duhej të merrte vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij politike: ta bashkonte fatin e tij me fatin e Duçes, apo të kryente detyrën e tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke u vënë në krye të mbrojtjes së atdheut të rrezikuar nga pushtuesit fashistë? Në fakt ai zgjodhi rrugën e tretë: atë të braktisjes së ushtrisë dhe popullit të tij, ikjes fshehurazi nëpër natë për të shpëtuar kokën dhe familjen e tij…

_________________________
Shënimet:
1) H. Selmani, “Nga notimet e Mbretit Zogu I…” f. 35.
2) Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (nëntor 1912–janar 1914), Tiranë, 1963; Teuta Hoxha, Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh, 1888–1919), Tiranë: DPASH & 8 Nëntori, 1982; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë: Toena, 2002.
3) H. Selmani, Nga notimet e Mbretit Zog I…, f. 36
4) Lef Nosi, Dokumente historike (1912–1918), botim II, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë: 2007, f. 176-179; www.albanianhistory.net/1912 The Declaration of Albanian Indipendence.
5). Lef Nosi, Dokumente historike (1912–1918), vep. e përm., f. 138, Teuta Hoxha, Ismail Qemali, përmbledhje dokumentesh f. 249.
6) Qeveria e Përkohshme e Vlorës …, f. 28; T. Hoxha, Ismail Qemali … f. 226.
7) H. Selmani, Nga notimet e Mbretit Zog I…, f. 35.
8) L. Nosi, Dokumente historike (1912–1918), f. 137; T. Hoxha, Ismail Qemali, përmbledhje dokumentesh…, f. 246-47.
9) L. Nosi, Dokumente historike, f. 185; Aleksander Meksi, Kuvendi і Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, artikull
і botuar në gazetat “TemA Online”, dt. 12 korrik dhe “Panorama”, dt. 5 korrik 2012.
10) Albana Mëlyshi Lifschin, Udhëtim në historinë e Amerikës, botim і dytë, Tiranë: Arbëria, 2006, f. 64, 68.
11) E. Vlora, Kujtime…, vep. e përm., f. 452–453.
12) F. Quku, Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I, Tiranë: ilar, 2006, f. 43.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura