BACA ADEM DEMAÇI, DY DITËLINDJE DHE RILINDJA NË PANTEONIN E AMSHUESHMËRISË!

BACA ADEM DEMAÇI, DY DITËLINDJE DHE RILINDJA NË PANTEONIN E AMSHUESHMËRISË!

Nga Behxhet Shala Bajgora, Prishtinë 28 shkurt 2022        

Idealizmi si pikënisje dhe pikësynim drejt hyjnores

Dikush mbahet mend shkaku se ka jetuar gjatë , tjetri se ka krijuar pasuri të madhe ose se ka qëndruar në pushtet për një kohë të gjatë dhe rekorde të tjera që bëhen interesant si shifra për institucionet që merren me statistika dhe krahasime, pa lënë ndonjë vepër për interes të njerëzimit apo popullit që i takojnë. Këta harrohen shpejt shkaku se nuk kanë lënë vepra por kanë lënë shifra të cilat, dita – ditës ndryshojnë, të rejat i mbulojnë të mëparshmet. Masa kritike asnjëherë nuk formohet prej shumicës por nga një pakicë idealiste dhe e vendosur deri në paarsyeshmëri në arritjen e qëllimeve, jo atyre personale por të përgjithshme, dhe, pastaj, kur arrijnë  pikën e vlimit mbështillen me mbështjellësin e shumicës që është hezituese por se vepron sipas parimit të ortekut të borës, nga një bos i vogël bore  shndërrohet në një fuqi të pamatë që fshinë çdo gjë që has gjatë rrugës. Idealistët i kanë lëvizur të gjitha proceset e mëdha botërore e që në jo pak raste janë identifikuar si budallenj të cilët nuk shohin më larg se hundën e që, realisht ishte e kundërta; idealistët e kishin të theksuar nuhatjen e pagabueshme për ndryshime të mëdha historike, shihnin me mendje e jo me sy siç rëndom shohin realistët, rrezikun dhe frikën nuk i njihnin as si shprehje gramatikore prandaj edhe e kanë të siguruar biletën drejt përjetësisë. Kryeidealisti shqiptar në mos vetëm pas luftës së dytë botërore, në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët ishte, pa asnjë dyshim, i Papërsëritshmi dhe i Përjetshmi , Bacë Adem Demaçi. Si i vetmi djalë, pasi i vdiq  në moshë të re vëllau dhe edhe babai, Nënën Nazife e ndërroi me Nënën Shqipëri kurse motrën e vetme Ajshen e ndërroi me të gjitha motrat shqiptare që u rreshtuan në luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Pra, në luftën e gjatë për liri prej të cilave afërsisht 30 vjet i kaloi në burgjet dhe llogoret jugosllave dhe serbe, Baca Adem Demaçi u bë frymëzim dhe Akademi Politike dhe Kombëtare për aktivistët politik dhe kombëtar për të përfunduar me të Lavdishmen  Ushtri Çlirimtare e Kosovës, përfaqësues politik e së cilës u bë në çastet më të vështira për UÇK-në ,e cila nga brenda mohohej dhe luftohej nga politikanët e ashtuquajtur pacifistë e që nuk e luanin veshin për këtë kurse , në anën tjetër , nga disa qarqe ndërkombëtare konsiderohej si organizatë terroriste . I gjindur në gërshërë midis mohuesve të së drejtës së shqiptarëve për çlirim , liri , pavarësi dhe bashkim kombëtar vetëm idealizmi , ndjenja e sakrificës dhe e vetëmohimit në çdo kohë dhe pa asnjë hezitim , bëri që Baca Adem ta vazhdoi luftën e Marathomakut, deri në çastin kur Kosova në shkurt të vitit 2008 e fitoi një gjysmëpavarësie e cila ishte  e kushtëzuar dhe e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët dhe e mohuar nga brenda nga opozita e atëhershme dhe pozita e tanishme. Sa ishte në burgjet dhe llogoret e ish – Jugosllavisë, nuk kishte shqiptar më të sulmuar sikur që edhe pas daljes nga burgu, gjithashtu sulmohej sepse nuk pajtohej me mënyrën e kundërshtimit të regjimit serb, pastaj doli me Projektin Ballkania e sidomos u pushkatua publikisht, urbi et orbi pasi kundërshtoi të shkojë në Konferencën e Rambujesë. Të gjitha i duroi maksimalisht ndonëse thuaja të gjitha parashikimet i dolën të sakta. Nuk fituan shqiptarët dhe Kosova që e nënshkruan Rambujenë por fituan shkaku se Serbia nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë ndryshe, po të ndodhte kjo, Serbinë sot do ta kishim këmbëkryq në Kosovë, e mbështetur nga një Marrëveshje Ndërkombëtare. Tash, merreni me mend sa problem po na shkakton Asociacioni i komunave serbe në Kosovë e lëre më po të ishte nënshkruar nga Serbia Marrëveshja e Rambujesë!  Baca Adem Demaçi, pas përfundimit të luftës doli në mbrojtje të pakicave sepse shihte më larg dhe më qartë se të tjerët. Nga ish – jugosllavët dhe ish bashkëpunëtorët e Serbisë , Baca Adem u cilësua su vëlla i serbëve dhe në këtë bazë sulmohej nga politikanët me të vetmën arsye që të margjinalizohej politikisht.

Pse sulmohej Baca Adem pas përfundimit të luftës

Në rrafshin e gjerë Baca Adem sulmohej sepse kundërshtonte disa procese të dëmshme si Decentralizimi në baza etnike , kërkonte që pavarësia të shpallej më shpejt dhe të ishte e pakushtëzuar , të hiqej bllokada  mbi lumin Ibër , e përkrahte Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin deri në çastin kur u largua nga kjo përkrahje , ishte pjesëmarrës i çdo proteste dhe ishte në radhën e parë të protestës kur u vranë Arben Xheladini dhe Mon Bala , kundërshtonte pajtimin me Serbinë që e propozonte Kushneri duke bërë përpjekje të amnistojnë krimet serbe nga bashkësia ndërkombëtare sikur që kundërshtoi edhe disa veprime të një pjese të stërkequr të krahut të luftës. Në Kosovën e pasluftës të gjitha rrugët e Bacës Adem Demaçi drejt institucioneve të Kosovës u mbyllën hermetikisht nga politikanët e atëhershëm , nga ndërkombëtarët por nuk u përkrahën as nga pozita aktuale kur kishin mundësi reale për përkrahje. Baca Adem Demaçi ishte kundërshtar i rreptë dhe pa asnjë kompromis i formimit të  Gjykatës Speciale i cili mbështetej në një raport politik të senatorit Dik Marti , ndryshe i mbushur me fakte të rreme nga Serbia , një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si dhe dosjet e disa politikanëve dhe  disaa subjekteve politike kosovare. Përkundër të gjithave Baca Adem të gjithë shqiptarët i konsideronte vëllezër sikur që të gjitha shqiptaret i konsideronte motra dhe nëna .  Moto udhëheqëse e optimizmit të Bacës Adem Demaçi ishte rinia e Kosovës dhe gjendja të cilën e përshkruante si më të mirën në historinë e shqiptarëve për faktin se ishte mbrojtur dhe ruajtur substanca kombëtare dhe se ajo më nuk mund të rrezikohej nga Serbia.

Trimi i mirë , me shokë pak

Thuhet se trimi i mirë ka shumë shokë kurse në rastin e Bacës Adem Demaçi ndodhi e kundërta. Pasi nuk i kapi majat e pushtetit , ata që donin të përfitonin nga kjo , me shpejtësi u larguan duke u rreshtuar aty ku vinte era pushtet dhe ku ishte grazhdi i shtetit. Me kalimin e kohës iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe kjo u shfrytëzua që të qitej në harresë totale me ç’rast afër i qëndruan vetëm familja , djali Shqiptari , shoqja Xhemajlia , nga larg vajza Abetarja e sidomos e Madhërishmja Arbërie Demaçi e cila në çastet më të rënda iu bë mjeke , infermiere , pastruese , kuzhiniere , vajzë , motër dhe djal shkuar djali. Deri në çastin kur ndërroi jetë për Bacën u kujdes edhe Shashivar Makolli – Qali , shtëpia e të cilit ishte edhe shtëpi e Bacës. Kurse , sa ishte në gjendje të lëvizte , vendi ku më së shumti ka qëndruar Baca Adem Demaçi ka qenë shtëpia ime ku , në çdo kohë e shoqëronin gruaja ime Fexhrie Shala – Bilalli që Baca e kishte fort për zemër sikur edhe fëmijët , Shkëmbi dhe Blini , të cilët Baca i quante ushtarët e mi kurse ata e quanin Bacën , Gjeneral. Ka ndodhur shpesh që Baca Adem të bashkëbisedonte me Shkëmbi ( Baca ia la emrin ) dhe Blinin deri në orët e mëngjesit duke më përjashtuar nga biseda. Bacës i qëndruan afër Tahir Hani nga Veleshta e Strugës , Nuhi Ahmeti dhe Avdullah Dërguti që kanë kaluar shumë kohë me Bacën , deri sa kaloi në amshim , Dr. Haki Gashi , Besim Baraliu , Basri Ibrahimi , Idriz Hysenaj dhe  Elmi Reçica . Edhe fëmijët e Llapqinit , Trimi dhe Rini ishin afër dhe me Bacën si dhe e shoqja Bahtija  që nuk mërzitej me ne edhe kur shkonim vakt e pa vakt. Kur Bacës Adem  iu përkeqësua fort gjendja shëndetësore , barra e përkujdesjes ra kryesisht mbi familjen dhe sidomos mbi Arbërie Demaçin , Zoti e shpërbleftë në këtë dhe në botën tjetër për sakrificën e pashembullt që e bëri për përkujdesjen ndaj Bacës . Më duhet ta përmend kujdesin e madh që e bëri Prof . dr. Nexhmedin Shala sikur edhe Curr Gjocaj sa ishte drejtor i QKUK-së. Deri në kohën kur Baca iku në amshim , vështirë të ketë kaluar një ditë që nuk e kam vizituar por më duket se asgjë nuk kam bërë për të. Të gjithë shokët e vërtetë të Bacës Adem i kemi mbetur borxh Bacës sepse kam ndjenjën se kemi dhe është dashur të bëjmë më shumë për të që e konsideronim si Udhëheqës Shpirtëror dhe Baba të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Kalimi në amshim i Bacës Adem Demaçi

Personalitetet që krijojnë dhe lënë vepra në të mirë të njerëzimit dhe popullit që i takojnë e kanë vetëm një datë , datën e lindjes . Dhe e kanë datën kur kalojnë në amshim e cila zgjatë për aq kohë sa zgjatë njerëzimi sepse lidhet pazgjidhshëm me kujtesën historike dhe njerëzore. Baca është i tillë , pa asnjë dyshim. Në ditën kur shkoi në amshim , përveç politikanëve që kishin rënë në provim edhe më herët , edhe shumë qytetarë ranë në provim në një ceremoni që ishte në shpërputhje të madhe me veprën dhe trashigiminë politike dhe kombëtare të Bacës Adem. Në radhët e para të të ftuarve por edhe të të paftuarve ishin më shumë ata që e kishin luftuar Bacën për së gjalli kurse shokët e vërtetë ishin jashtë perimetrit të skenës ku luhej një komedi politike . Po , edhe kjo kaloi dhe të gjithë kishin pritur që , së paku pas kalimit në amshim do të trajtohej në përputhje me meritat e që nuk ndodhi. Një kohë të gjatë krejtësisht afër vendit ku prehej në pëprjetësi Baca Adem Demaçi parkoheshin veturat dhe kamionë dhe ambienti më shumë i përngjante një tregu në ndonjë fshat , se në një vend që do të duhej të konsiderohej si i shenjt . Mjedisi nuk mirëmbahej , nuk kishte gjelbrim dhe lule kurse edhe emri në pllakë kishte filluar të shlyhej . Po të mos ishte familja dhe Arbërie Demaçi që kohëpaskohe e pastron ambientin , ai mjedis do të shndërrohej në deponi të mbeturinave . Edhe gjatë vizitës së 26 shkurtit 2022 , ditëlindja e Bacës Adem Demaçi , mjedisi ishte i padinjitetshëm për një kolos të çështjes kombëtare i cili vetëmohimin e zgjodhi para asaj se të jetonte në kushte të pajetueshme të robërisë. Ishim aty Xhaviti , Elmiu , Duli , Rrumullaku , Baraleci , Llapqini , Rini dhe unë si dhe dy- tre shokë të Bacës. Në atë mjedis turpërues të trajtimit të një personaliteti me përmasa botërore sikur që ishte dhe mbeti Baca Adem Demaçi , nuk ke si të ndjehesh  ndryshe përveçse si bashkëpjesëmarrës të këtij trajtimi të turpshëm madje me përgjegjësi më të madhe se vet politikanët e dikurshëm dhe të tashëm që aspak ose fare pak punuan që ky trajtim të jetë më ndryshe , në mos të jetë në përputhje me meritat , atëherë , së paku të trajtohet si Varri afër.

Baca Adem , shpresoj se na falë sikur që na ke falur gjithmonë . A e meritojmë këtë , sigurisht se jo ! Dikur , edhe në llogoret e ish – Jugosllavisë , më shumë turpëroheshim nga ti se nga çdo dënim që na vinte nga disa paraardhësitë biologjikë dhe politikë të ish – politikanëve dhe të disa ish – politikanëve aktualë sikur që na mbulonte edhe një perde turpi edhe kur të vizitonim kur e kishe gjendjen e vështirësuar shëndetësore . Pataj turpëroheshim edhe nga kujtimet që i kishim për TY . E tash …, nuk po e vazhdoj më tutje se dikush mund të ndjehet i fyer dhe keq , jo shkaku YT , por shkaku ynë.

Baca ADEM , mirë u pafshim në botën tjetër . Në parajsë sigurisht se jo se nuk e kemi bërë vendin , por shpresoj se sikur që na prisje kur dilnim nga karantina në burgjet dhe llogoret e ish – Jugosllavisë  për të na takuar dhe dhënë zemër , ashtu do të zëshë vend edhe në udhëkryqin ku ndahen rrugët për në Ferr dhe në Parajsë , për të na falur dhe për të na ngushëlluar!

Behxhet Shala Bajgora, Prishtinë 28 shkurt 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura