BAJRAM KURTI – PROFESOR I GJEOGRAFISË SHQIPTARE DHE AUTOR I GJAKUT TË LIRISË

Nga Beqir Elshani
(Përkujtim me rastin e përvjetorit të vdekjes së Prof. Bajram Kurtit)
Bajrami u rrit dhe u shkollua në Prizrenin legjendar, që për të gjithë atdhetarët dhe luftëtarët trima ishte kryeqytet i Shqipërisë sonë Etnike. Ai tërë jetën veproi për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, ishte intelektual dhe atdhetar e devotshëm, ndaj me përkushtim të madh arriti të bëhet një ndër profesorët e zëshëm në mbarë vendin. Me të drejtë Theranda krenohet që arsimtar pati një intelektual të madh kombëtar, të cilët në mbarë Kosovën kanë arritur të bëhen punëtorë, mësues, mjekë, inxhinierë, agronomë, juristë, ekonomistë dhe shumë e shumë profesione të frytshme kombëtare për emancipimin e popullit shqiptar drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Profesor Bajrami ishte një ndër mësimdhënësit e parë në Kosovë që lëndën e gjeografisë së përgjithshme e bëri GJEOGRAFI SHQIPTARE, donte që nxënësit më shumë ta njohin atdheun e tyre të pasur dhe të bukur me prejardhje ilire. Gjithashtu i donte nxënësit që i arsimonte dhe i edukonte me frymë atdhetare, por e urrente hegjemonizmin jugosllav, prandaj kurrë nuk e ndali luftën për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë mëmë.

Qysh në revolucionin e rinisë studentore për Kosovën Republikë në vitin legjendar – 1981, pushteti i Jugosllavisë fashiste e largoi prej detyrës, për shkak se nxënësit i edukonte me ide revolucionare për çlirimin e Kosovës nga kolonizatori serb; duke i bërë kryengritës që me grushte të çelikta të thyenin prangat e robërisë shekullore. Pushteti jugosllav ishte mashtruar, sepse, tashmë nxënësit, me dhjetëra gjenerata, ishin shkolluar dhe ishin ngjitur majave të Universitetit për Kosovën Republikë dhe bashkimin e saj me Shqipërinë Nënë. Fashizmi jugosllav nuk donte që nxënësit shqiptarë të aftësohen nga mësimdhënësit përparimtarë me përvojë të madhe pedagogjike, ndaj në vend të tyre punësonte kursantë të komitetit komunal, që i sillnin prej stallës së Kumrovcit. Me të drejtë mund të thuhet që profesor Bajrami për nxënësit në gjimnaz ka qenë fytyrë e gjeografisë shqiptare. Në jetëshkrimin e natyralisti anglez, Carls Darvin, tregohet se ky shkencëtar punonte nën kushtet e kërcënimit të inkuizicionit kishtar, të cilët e pandehnin të afërm me majmunin, por që Darvini i ngritur aspak nuk brengosej, pasi që i kuptonte priftërinjtë e prapambetur, ngjashëm edhe Profesor Kurti duhej të kuptonte servilët shqipfolës që vepronin në shërbim të reaksionit jugosllav.
Ndonëse Bajrami ishte profesor i Gjeografisë, megjithatë ai ishte njohës dhe dashamir i zjarrtë në fusha tjera të diturisë, të cilin me të drejtë e quanim enciklopedist shqiptar. Prandaj po të kishim ndonjë Ent Leksikografik Shqiptar, Bajram Kurti do të kishte vendin e nderit akademik, për të cilën këtë e vërtetoi më së miri me punën e tij të kujdesshme për mbledhjen e shënimeve luftarake nga dëshmorët që ranë për çlirimin e gjysmë-atdheut për ta bërë Shqipërinë të fortë, të pasur dhe të bukur, me det e me male, me tokën e bukës dhe nëntokën e pasur me minerale. Miku im ishte në gjendje të bënte punë të ndryshme – shkencore, letrare, artistike, ishte në gjendje të bisedonte këmbëkryq, por kishte një të metë, nuk mund të rrinte i qetë. Me një fjalë, i ngjante Gjuzepe Garibaldit revolucionar që kishte luftuar për bashkimin e Italisë.
Me punën e tij të palodhshme shkencore Bajram Kurti arriti të mbledhë shënime mbi jetën dhe veprimtarinë luftarake të heronjve që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës prej Luftës së Dytë Botërore deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës në krye me Komandantin legjendar – Adem Jashari. Sot në mbarë trojet tona shqiptare gjinden me dhjetëra vëllime librash “GJAKU I LIRISË” të shkruar me fjalët e qiriut dhe me fotografi të gjalla për trimat shqiptarë që u vranë për çlirimin e Gjysmë Shqipërisë nga kolonizatori serbosllav.

Vizita dhe përkujtimi për nënën Zizë
Një pasdtie shkova të vizitoj Bajram Kurtin në Bazhdarane të Prizrenit, me që ndalesën e autobustit për Therandë e kisha afër. Të gjithë ishin në banesën e tyre, Bajrami me Zojën dhe fëmijët. Në takim familjar kishte ardhur edhe nëna e Bajram Kurtit, nëna që kishte rritur dhe shkolluar bijtë e saj – Bajramin dhe Aliun. Prania e gjyshes i gëzonte nipat: Taulantin, Shkumbinin dhe Shkëndijen. Ndërkohë Bajrami Shkumbinin e dërgoi për të blerë bukë në furrë. Pas pak Shkumbini kthehet duarbosh. Bajrami e qortoi pse nuk bleu bukë, atëherë Shkumbini i tha se për fat të keq nuk kishte bukë në furrë. Bajrami e kuptoi mosblerjen e bukës në furrë, fëmijët dëshironin që gjyshja të gatuante dhe të hanin pogaçen e saj. Bajramit i dhimbsej e ëma, nuk donte ta mundonte me gatimin e bukës, prandaj e kuptoi dhe e qortoi të birin. Bukë kishte në furrë, mirëpo fëmijët dëshironin të hanin pogaçen fshatare të gjyshes. Ndërkohë nëna Zizë me zemër të madhe ndërhyri: ”Bajram, mos i detyro fëmijët të blejnë bukë furre, për nipat dhe mbesën time jo një, por me dhjetëra pogaçe i gatuaj”. Nuk vonoi dhe tryeza e kuzhinës u zbardhë me miell. Ndryshe me vitet e pleqërisë, ajo si nuse e re e rrahte brumin dhe pogaçja shkëlqeu. Pas pak pogaçja doli prej furrës, dhoma u mbush me erën e këndshme dhe me ngjyrën e saj diellore që vinte nga gruanaja e Dukagjinit. Fëmijët që po lexonin në dhomën tjetër, e ndien erën e pogaçes dhe në mes të dhomës e shtruan sofrën. Ndërkohë bashkëshortja e Bajramit, Zoja, që punonte në fabrikën e këpucëve në Prizren, u kthye. Ngjashëm edhe Zoja prej keqardhjes për mundimin e vjehrrës së vjetër i qortoi i fëmijët, mirëpo lokja ndërhyri se përkundrazi ndihej e lumtur që ua ka plotësuar dëshirën nipave dhe mbesës që i donte më shumë se shumë. Lokes i bëhej zemra malë që fëmijëve u pëlqente buka e saj. Ndërkohë erdhi koha e nisjes me autobus për shtëpi në Therandë. Nuk më lejuan të dalë pa ngrënë darkën së bashku me familjen e Bajramit. Ngjashëm edhe unë isha rritur me pogaçen e nënës time, gatim që fort mirë e trashëgoi prej nënës së saj nikoqire.
Pas çlirimit të vendit tonë nga hordhitë serbofashiste, shkova ta vizitoj shokun dhe mikun tim të idealit kombëtar, Bajram Kurtin, pranë tryezës së shkrimit mbante foton e nënë Zizës, ia përkujtova që kam ngrënë pogaçen e nënës së tij, pogaçja e nënës së shokut tim i ngjante lulediellit. E ëma e Bajramii, kishte një jetë me vuajtje luftarake, duke mbetur jetime, qysh në vajzëri babanë e saj e vranë serbët. E ëma e dëshmorit – Sadri Brahim Cakës, në vitin 1918 u vra në përballje me serboçetnikët. Bajrami më tha që nuk e kam harruar dhe i pikuan lotët. Për fatkeqësinë më të madhe, pas një viti vdes edhe burri i odave shqiptare, Bajrami. Bajram Kurti ka qenë njeri i librit dhe i kalemit, nuk ndalej së lexuari dhe së shkruari. Dy veteranë të mëdhenj të atdheut, Bajram Kurti dhe Ukshin Hoti, kanë qenë vizitorë të shpeshtë në shtëpinë e madhe të babës Qazim.

Në takim me profesorët universitarë
Vlen të përmendet takimi me dy profesorët e ShLP-së në Prishtinë, në pranverë të vitit 1984 unë dhe profesor Bajram Kurti shkuam në Prishtinë, pasi vizituam Bibliotekën e Institutit Albanologjik, aty punonte shoku im i shkollës, Daut Bislimi, shkuam në ShLP, ku kisha punuar më parë. Në krye të shkallëve takuam profesorin e katedrës së Albanisitkës, Dr. Demush Shalën, autor i librit universitar “Letërsia popullore”. Profesor Demushi na ftoi në kabinetin e albanistikës, aty ishte Prof. Rexhep Hoxha. Profesorët e njihnin profesorin e gjeografisë Bajram Kurtin, në atë kohë gjeografët njiheshin në gishta. Siç ishte Rexhep Hoxha i madh në letërsinë për fëmijë, ishte Demush Shala në letërsinë popullor. Gjatë bisedës profesor Rexhepi e njihte vëllain tim, Bislimin, ishin njohur në takime poetike që mbaheshin në gjimnazin e Therandës, prandaj më pyeti se a punon ende në gjimnaz, formalisht iu përgjigja “Po”, pasi që Bislimi, siç thuhet me shokë shumë, gjendej i burgosur për Kosovën Republikë. Mirëpo profesor Rexhepi dëshironte të dinte më shumë për Bislimin, fliste sikur të ishte në odën e tij në Gërmi të Prishtinës. Ndërkohë profesor Demushi, që me të drejtë populli e quan baba të folklorit shqiptar, e kuptoi heshtjen time, prandaj kolegut të tij ia priti “Në Çabe gjendet Bislimi”. Atëherë u qetësuam të gjithë, ndaj profesorët e mëdhenj thanë: ”Daltë faqebardhë!” Demush Shala, autor i librave të shumtë me këngë popullore historike, kishte përfshirë edhe këngët e LNÇ në krye me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, gjithashtu edhe këngët e Oso Kukës që në kullën e tij kishte vrarë armiqtë malazezë, të cilat Komiteti Krahinor i kishte tërhequr nga libraritë dhe fondi i bibliotekave në Kosovë, prandaj duhej të kishim kujdes.
Një takim në shtëpinë time
Kur burrat e vjetër profesorin me përvojë të madhe pedagogjike e pyetën se kush e krijoi krimbin, atëherë Bajrami u tha se duhet të shkojnë së bashku në kabinetin e biologjisë, që me anën e mikroskopit ta shikojmë një bajgë se si zhvillohen larvat me të. Një ditë Bajram Kurti erdhi në vizitë në shtëpinë time, në dhomën e pritjes erdhën shumë fëmijë të lagjes, kishin dëgjuar të flitej shpesh për mësuesin e lavdishëm, ai i donte fëmijët, edhe fëmijët e donin. Një ditë biri im, Adriatiku, (sot inxhinier në Suedi, ishte njëri nga lexuesit e mëdhenj në vendlindje, i njëjti është edhe sot në Suedi: lexon vepra në gjuhën shqipe, suedeze, daneze dhe angleze), Bajramin e kishte pyetur se e dinte që njeriu e ka prejardhjen prej majmunit, por dëshironte të dinte se prej nga e ka prejardhjen majmuni. Bajrami u habit me pyetjen e Adriatikut, nxënës në klasën e dytë fillore, prandaj i tha: “Këtë pyetje që ma bën Adriatiku, as nxënësit e gjimnazit nuk dinë të ma bëjnë”.

* **
Bajram Kurti ishte poet i gjeografisë, ashtu siç është Naim Frashëri poet i Bagëtisë e bujqësisë; kishte shpirt metodik, dinte të ilustronte me shembuj pedagogjik duke përfshirë mendimet atdhetare të rilindësve shqiptarë. Nuk e mësonte tekstin, por e kapërdinte, ashtu siç e kapërdinë i urituri kafshatën e bukës. Ishte plak i odave shqiptare, jo për nga mosha, por për nga puna dhe urtia, e kishte falë pasionit popullor e shkencor, lexonte me dhjetë qira mbi kokë. Sa herë që në bibliotekën time nuk e gjeja librin që më duhej, me vete thosha duket se e ka marrë Bislimi ose Bajrami. Kur i kam treguar Bajramit ato vite, më ka përqafuar. Herën e fundit, në verë të vitit 2013 Bajrami hyri në bibliotekën time shtëpiake, i zgjodhi disa libra dhe çantën e tij të madhe sa çanta e postierit e mbushi plotë me libra. Pasi dolëm në oborr, i thashë se po të thoshte babai çoje një thes grurë për ta bluar në mullirin e fshatit, do të ishe ankuar se është thes i rëndë, kurse për çantën e rëndë me libra nuk ankohesh. Në këtë rast Barjami qeshi dhe më përqafoi. Ishte përqafimi i fundit. Pas një viti, Bajrami na la lamtumirën, me porosinë e vetme që të lexojmë shumë në mënyrë, që atdheun ta njohim më mirë dhe ta duam më shumë se shumë.
Letër Bajram Kurtit
“Miku im, Bajram, ke bërë padrejtësi të madhe, nuk të mjaftonin nxënësit në gjimnazin e Therandës së trentë pas Flamurit Kuqezi, ndaj i kapërceve mal e kodra dhe i more nxënësit e mbarë Kosovës. Tani nuk je profesor i dheshkronjës, as i matematikës, as i fizikës nuk je, je profesor i vegjëlisë shqiptare, që lufton për çlirimin e atdheut dhe bashkimin kombëtar të Shqipërisë sonë. Këtë e tregojnë librat tuaj voluminozë “Gjaku i Lirisë”, që është bërë enciklopedi e përjetshme e gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në altarin e Lirisë, siç e thekson edhe ti, që të mos vritet atdheu. Në mbarë Dukagjinin flitet për dorën metaforike të nxënësit mbi hartën e Shqipërisë Etnike, që me të drejtë populli e quan Shqipëri e Madhe, e cila u copëtua në Kongresin e përgjakshëm të Berlinit. Kështu i vlerësoje, sepse doje që t’ua selitësh ndjenjën e atdhedashurisë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Nxënësit tuaj, që sot shërbejnë në veprimtari të ndryshme kombëtare, rrëfejnë se profesor Bajrami nuk zemërohej nëse nxënësi nuk dinte se çfarë sistemi shtetëror ka Bashkimi Sovjetik, socialist apo kapitalist, zemërohej nëse nxënësi nuk dinte ku gjendet Shqipëria Etnike. Gjenden disa libra të mrekullueshëm që nuk të lënë dot pa i lexuar disa herë me radhë, dhe ky është kapitali voluminoz “Gjaku i Lirisë” kushtuar trimave të pavdekshëm të Kosovës”.
Suedi, 14 shkurt 2026

https://www.facebook.com/hasan.morina.50/videos/775120696972943
——————–

PASHTRIKU: PROF.BAJRAM KURTI PERSONALITET EMBLEMATIK I KOMBIT TONË
https://pashtriku.org/pashtriku-profbajram-kurti-personalitet-emblematik-i-kombit-tone/