PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (VII)

Prishtinë, 14 shtator 2020: Nëna Terezë fjeti – Miti rron
Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, e cila me shumë mburrje deklaronte se “me prejardhje dhe me gjak jam shqiptare”, gjithmonë ishte lutur për kombin tonë, për fatin e tij, prosperitetin dhe lumturinë. Ajo e dinte se rruga e popullit tonë nëpër sfidat e historisë ishte shumë e vështir, me shumë të papritura dhe me shumë padrejtësi që i bën regjimet e epokave të ndryshme. Prandaj, sa herë që kishte pasur rastin, jo vetëm në takime me vellëzër, motra dhe miq shqiptarë ajo lutej që Zoti ta bekonte popullin tonë, që Zoti ti bënte dritë ecjës së kombit tonë drejt një jete më të lu
mtur, drejt dashurisë mes veti, drejt kthimit kah Zoti i tij, drejt bashkimit në një shtet etnik, skenderbegian.
Është e vërtetë se, historia e kombit tonë të ndarë, historia e regjimeve nëpër të cilat kaloi ai, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por edhe vet ngjarjet e kohës nuk i mundësuan Nënës Terezë që të jetë më shumë e pranishme në gjirin e popullit nga i cili doli. Kjo, pra jo që ajo nuk dëshironte të ishte sa më afër popullit të saj, por në të shumtën, rrethanat historike shoqërore, politike, kulturore dhe sidomos ideologjike pamundësuan kontakte, takime, bashkëbisedime më të shumta midis Nënës Terezë dhe pjesëtarëve të kombit tonë. Sidoqoftë, është e ditur se krerët e Kishës katolike shqiptare bën përpjekje që të jenë të kujdesshëm ndaj autoritetit të Nënës Terezë, duke i shprehur nderime dhe respekt të merituar. Ç’ është e vërteta, Kosova dhe populli i saj, sidomos udhëheqësit fetar të Kishës katolike shqiptare kishin pasur mundësi që të kenë një përkujdesje më të madhe dhe më të shpeshtë për Nënën Terezë, e cila megjithatë jetonte dhe vepronte në një largësi të madhe gjeografike prej tokave shqiptare. Nga ana tjetër, Shqipëria komuniste dhe regjimi monist enverian, i cili fatkeqësisht i kishte shpallur luftë fesë besimit fetar, Kishës dhe Xhamive, ishte treguar i pamëshirshëm dhe jo mirënjohës ndaj nobelistës sonë të parë shqiptare. Kështu që, Nëna Terezë, për herë të parë e vizitoi Shqipërinë vetëm në vitin 1989, ndonëse, në Atdheun tonë ende po sundonte regjimi komunist. Ishte viti 1989, kur regjimi komunist në Shqipëri, sigurisht duke ndje se po rrënohej, po shembej i lejoi Nënës Terezë që të vinte në Atdhe. Por, para kësaj Nëna Terezë, në moshë të thyer, dhe e shqetësuar shumë se, ndoshta nuk mund ta prek varrin e nënës saj Dranes dhe motrës Ages, kishte dërguar tre letra në adresë të autoriteteve shqiptare për ti lejuar vizitën. Veç tjerash në letrën e tretë dërguar personalisht Nexhmije Hoxhës, shkruante :”… Si grua, si nënë që të më lejoni të vijë në Shqipëri para se të mbyllë sytë për herë të fundit, dua të shoh varrin e nënës dhe të motrës…”. Dhe, pikërisht në vitin 1989, nga Budapesti i Hungarisë, Nëna Terezë, e lutur të jepte ndonjë porosi për popullin tonë kishte deklaruar:” Po, unë gjithmonë bart në zemrën time popullin tim shqiptar dhe i lutem Zotit për paqe dhe prosperitet, për një të ardhme më të mirë..Dëshiroj t’i përshëndes të gjithë me këto fjalë:” Ju dua, Zoti ju do, Zoti ju bekoftë”!

Më pas, në vitin 1991, Nëna Terezë sërish kishte ardhur në Shqipëri dhe me atë rast i ishte lejuar hapja e misionit në vend. Dhe për çudi, pikërisht motrat misionare të Nënës Terezë, kishin shkuar në burg për ta vizituar Nexhmije Hoxhën dhe për ti dërguar libra për lexim. Në gusht të vitit 1992, derisa Ramiz Alia po vuante dënimin nga regjimi i ri demokratik shqiptar i sapoardhur në pushtet, Nëna Terezë, ai shpirtbardh shqiptar nuk e kishe harruar dhe i kishte dërguar një letër falënderimi. Ajo e njoftonte për hapjen e misionit “Misionaret e Dashurisë” dhe veç të tjerash i shkruante :” e të lutemi së bashku për popullin tonë. Lutu dhe ti! Zoti të bekoftë”! Megjithëse regjim komunist, regjimi në Shqipëri, udhëheqja e saj me në krye Ramiz Alinë në vitin 1991, duke u treguar dukshëm më të moderuar kishin miratuar dy vendime që kishin të bënin me nderimin e veprës së Nënës Terezë për së gjalli. Vendi i i parë kishte të bënte me themelimin e “Urdhrit Nëna Terezë” të klasës së Parë dhe të Dytë dhe vendimin që Nënës Terezë t’i jepet pasaporta shqiptare. Të dyja këto vendime u realizuan për së gjalli të Nënës Terezë, dhe ndoshta sado pak Atdheu Nënë i Nënës Terezë, u tregua më i but, më i dashur e më i afërt ndaj Nënës sonë – Gonxhe Bojaxhiu! Në vitin 1993, kur Papa erdhi të vizitonte Shqipërinë, në Atdhe erdhi për ta pritur dhe nderuar edhe Nëna Terezë, dhe, që tani mund të thuhet se ajo vizitë e përbashkët e Papës dhe e Nënës Terezë ishte historike. Ndër të tjera , me atë rast , pra më 25 prill 1993 Papa kishte deklaruar para qindra mijëra shqiptarëve në Tiranë:”…Edhe në kohën e izolimit të plotë të Shqipërisë, kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e më të varfërve, ishte ajo që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj…Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike. Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë Bijë të Tokës suaj, të popullit tuaj… Zoti ju bekoftë”. Vërtet, edhe sot nga kjo distancë historike pyesim: a mund të kishte bekim më të madh seç i kishte bërë Papa popullit tonë asaj dite të 25 prillit të vitit 1939 ? Kurse një ditë para se ta pranonte Çmimin Nobël për Paqe, nga Osllo e Suedisë, shkruante:” Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijnë në zemrat tona, të gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”!
Në Kosovë, Nëna Terezë kishte ardhur pesë herë, në vitin, 1970, 1978, 1980, 1986 dhe 1988. Në Prizren kishte qëndruar më 9 qershor të vitit 1970, pastaj kishte shkuar në Shkup për tu kthyer së pari në Ferizaj e pastaj sërish në Prizren. Ditën e dielë, të 12 korrikut 1970 ajo, pas meshës së mbrëmjes kishte folur para masës së gjerë të besimtarëve katolik. Qytetarët e Prizrenit, në radhë të parë, anëtarët e famullisë së Prizrenit kishin pasur rastin që ta dëgjojnë dhe ta shohin për së afërmi. Ajo gjithashtu kishte vizituar Kishën e re të Shën Kolit në fshatin Veleshtë afër Prizrenit. Pastaj kishte shkuar në Gjakovë ku kishte vizituar kuvendin françeskan si dhe motrat e “Shna Krygjës”. Nga Gakova kishet vazhduar për në Bishtazhin, për të parë ndërtimin e kishës së sapofilluar “Zonjës Rruzare”.
Secila ardhje në Kosovë ishte një ditë e madhe jo vetëm për Nënën Terezë, sepse po kthehej tek rrënjët e veta kombëtare e të gjakut por, shënonte një gëzim të madh dhe frymëzim për besimtarët katolik. Ajo, si zakonisht lutej dhe e bekonte kombin tonë. Kështu fjala gjatë vizitës në Binçë në vitin 1980, në një mesazh të përcjellur përmes lexuesve të revistës fetare “Drita” porosiste:” Dashnija fillon në familje. Dhe familja që lutet mbetet bashkë. Na kemi shum me u fal ndersa Zotit për gjith t’mirat qe dashnija e Zotit ka dhan per familje tona. Edhe në vitin 1997, kur e kishin pyetur për zhvillimet në Kosovë,. Ajo kishte deklaruar në formë lutjeje dhe bekimi :” Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë…”!
Lutnu shumë për mua si edhe unë lutem për ju. Zoti qoftë me ju”.
Sigurisht se lutjet, bekimet dhe porositë e Nënës Terezë për kombin tonë ishin shumë kuptimplote dhe domethënëse. Me këtë ajo tregonte se pavarësisht se ku gjendet, dhe pavarësisht se sa angazhime ka nëpër mbarë botën, ajo e mbante thellë në zemër, në shpirtin e saj kombin tonë, historikisht të përvuajtur, të ndarë, të sunduar dhe të përçarë. Një nga porositë e saj universale të drejtuara gjithmonë kombit tonë ishte se nuk duhet harruar Zotin, se dhe ti kthehemi Zotit, dashurisë së tij, bekimit të tij ndërsa ajo dashuri e tij rrezaton që nga familja e deri te vet shoqëria si tonalitet. Në fakt, kishin pasur të drejtë ata që kishin shkruar se edhe pse Nëna Terezë nuk ishte deklaruar për zhvillime dhe situata politike në botë, ajo megjithatë, si një ndër femrat më të pushtetshme në historinë moderne të njerëzimit, zbatonte politikën e Selisë së Shenjtë (Vatikanit). Kjo do të thotë se me fuqinë e ideve të saja, ajo ka bërë ndikime të drejtpërdrejta te shumë qeveri të botës dhe te shumë kryetar shtetesh e personalitetesh tjera madhore. Mund të thuhet se, si një motër nderi, me mision të krishterë, ajo kishte arritur të krijonte një perandori të vërtetë, të pamposhtur humaniteti duke rrezatuar me paqe, dashuri dhe thirrje që ti kthehemi Zotit e të jemi me pran Tij. Ajo drejtoi misionin prej 3600 murgeshash në rreth 600 stacione në 122 vende të botës. Në këtë propagandim të filozofisë kristiane, gjithnjë në frymën e mësimeve të Zotit e të Krishtit, Nëna Terezë deklaroi:” E ardhmja nuk është në duart e mia. Zoti do të vendosë. Ai më zgjodhi mua, ai do të zgjedhë një tjetër për ta vazhduar punën”. Filozofia e saj jetësore ishte :” Të braktisurve t’iu jepet ndjenja se i përkasin një bashkësie dhe se ka njerëz që i duan”. Kush ndihmon të tjerët, kush i do të tjerët, gjithnjë sipas saj edhe ndjen dashuri.
Kjo pra ishte filozofia e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shenjëtores e cila iu përgjigj thirrjes së Zotit. Prandaj, Nëna Terezë, më 5 shtator të vitit 1997 nuk ka vdekur, ajo,përgjithmonë ka fjetur, sikur të gjithë shenjtorët tjerë dhe do të zgjohet sa herë që ne besimtarët e thërrasim dhe i lutemi për ndihmë. Ne, mund të lutemi në frymën e shpirtit Terezian:” Hirësia e saj i mbuloftë me urata muret e Kështjellës sonë”!
Ne shqiptarët që mburremi aq shumë para botës me Nënën Terezë, Nënën tonë më të madhe të dashurisë dhe të mëshirës, ne e kemi për borxh që të lutemi për të mbajtur gjallë mëshirën. Shqipëria dhe Kosova ndërkaq, si dy shtyllat, themelet e kombit tonë, së bashku me ipeshkvit, dhe krerët e besimeve të tjera, duhet të bëjmë lutje për kthimin e Gonxhe Bojaxhiut, shenjtores në Atdheun shqiptar!
– FUND –
__________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (VI)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10502

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura