BARDHYL MAHMUTI: IDETË PËR ‘SHQIPËRINË E MADHE’, ‘SHIPËRINË ETNIKE’ DHE ‘SHQIPËRINË NATYRALE’ – PENGESA SERIOZE PËR REALIZIMIN E ASPIRATAVE PËR BASHKIM KOMBËTAR!

Pashtriku.org, 04. 07. 2013 – Reagimi im i datës 23 qershor 2013 i titulluar “Ideja e «Shqipërisë Natyrale» – konstruksion «artificial» në funksion të manipulimit politik!” që ishte reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt të titulluar “Nuk do të ketë «Shqipëri të Madhe» por do të ketë «Shqipërisë Natyrale» hasi në reagime të disa mbështetësve të «Shqipërisë Natyrale » dhe të ithtarëve të «Shqipërisë Etnike».
Duke lexuar reagimet e tyre ndaj shkrimit tim fitohet përshtypja se ata ose nuk e kanë lexuar shkrimin tim ose nuk posedojnë kapacitetet e nevojshme teorike për të kuptuar një tekst të fushës së politologjisë. Shumica e atyre që nuk pajtohen me qasjen time përsërisin sintezën e shkrimit të autores Vera Dushi, e cila “më rikujton se ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar të Lidhjes së Prizrenit, që ka vazhduar edhe pas shthurjes së saj në shumë programe të lëvizjeve kombëtare, edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar nga LNDSH-ja deri te Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), tani Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK)”! ((http://www.albaniapress.com)
Që në fillim po theksoj se qëllim i këtij shkrimi nuk është të polemizoj me autor të njohur apo anonim por të shtroj argumentet, që sipas mendimit tim, mund t’i hyjnë në punë veprimtarëve politik në realizimin e aspiratave tona kombëtare!

Trajtimi i termit “etni-etnik” paraqitet si domosdoshmëri për të kuptuar paqëndrueshmërinë e atyre që pretendojnë se “ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar që nga Lidhja Shqiptare Prizrenit e deri më sot” dhe qartësimin e këtij nocioni teorik mund të na ndihmojë të jemi koherent në mbështetje të kërkesave tona të ligjshme.
Etimologjia e termi “etnik” rrjedh nga greqishtja e vjetër (ἔθνος / ethnos) që emërtonte një grupim njerëzish me institucione të përcaktuara keq, që ekzistonin para “polisit grek” dhe që konsideroheshin më inferior se organizimi politik i «Qytetit-shtet», si bashkësi me zakone dhe ligje të përcaktuara qartë.
Kështu, “etnitë” konsideroheshin popullsi jashtë «Qytetit-shtet», qofshin grek të pa civilizuar, qofshin barbarë! (Annamaria Rivera, «Ethnie-ethnicité», në veprën e René Gallissot, Mondher Kilani, Annamaria Rivera, L’imbroglio ethnique, Botimi Payot, Lausanne, 2000, f.101-102).
Ky term me konotacion negativ do të riaktualizohet për herë të parë në vitin 1854 nga Joseph Arthour Gobineau në veprën e tij «Essai sur l’inégalités des races» (Ese për pabarazitë e racave) dhe në këtë vepër ky term ka kuptimin e «racës njerëzore». Ndërsa, ky term do të gjejë përdorim më të shpeshtë pas botimit të veprës së Vacher de la Pourge «Les sélections sociales» (Selekcionimi shoqëror) i vitit 1896.
Në këtë vepër «etnia» merr kuptimin e “fraksioneve të një popullsie homogjene për nga raca, që bashkëjetojnë me te dhe që përfundojnë të asimilohen si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë kulturor” (Vepra e cituar f.102). Me një fjalë, të dy definicionet e nocionit “etni” ngërthejnë kuptimin e grupeve shoqërore pa struktura politike të përcaktuara qartë!
Më vonë, sidomos gjatë periudhës së krijimit të shteteve kombëtare, termi “grup etnik” do të përdoret për të dalluar kombet “e civilizuara” me struktura shtetërore nga popujt pa shtet dhe pa organizim politik.
Aspirata politike e përpiluar në kohën e krijimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit është aspiratë e bashkimit të territoreve të ndara në katër vilajete administrative të Perandorisë Otomane në një shtet të pavarur. T’i vishet ideja e «Shqipërisë Etnike» programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra t’i vishet një terminologji jo adekuate dhe që nuk përdorej në atë kohë, është rezultat i mosnjohjes ose përpjekje e manipulimit.
E drejta e popujve për vetëvendosje është një ndër parimet e të drejtës ndërkombëtare mbi bazën e të cilës janë mbështetur aspiratat e popujve që të jetojnë të lirë e të pavarur dhe të jenë sovran në territorin e vet për të përcaktuar format dhe modalitetet e regjimeve politike. Po e theksoj për ata që nuk duan të kuptojnë: parim i të drejtës ndërkombëtare është e drejta e popujve për vetëvendosje jo e drejta e etnive për vetëvendosje! Përkundër kësaj të drejte të normativizuar në të drejtën ndërkombëtare realizimi praktik kërkon mobilizim të gjithanshëm dhe mbështetje të fuqishme. Kush ka nevojë të koklavitë kërkesat tona duke i shtuar atribute që nuk kanë as bazë shkencore e as përkrahje politike?
Atyre që në akuzat kundër meje interpretojnë shkrimin tim “si përpjekje për të ndalur procesin e ribashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm kombëtar!” u them se bashkimi kombëtar nuk ka nevojë për atributet “e mëdha”, “etnike” dhe “natyrale” por ka nevojë për veprime të koordinuara dhe të gjithanshme për ndryshimin e raportit të forcave për t’i dhënë forcën e nevojshme kërkesave tona legjitime!
T’i shtosh atributet: « e madhe», « etnike» dhe «natyrale» kërkesës legjitime të shqiptarëve që të jetojnë në një shtet të bashkuar nuk e ndihmon realizimin e aspiratave tona shekullore. Përkundrazi, në këtë mënyrë u bëhet shërbim qarqeve që nuk ia duan të mirën shqiptarëve.
Bardhyl Mahmuti – 4 korrik 2013

————————————–

Pretendimet e fqinjeve tanë!(Mos të harrojmë)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura