BARDHYL MAHMUTI: MENDUH THAÇI ‘E ZBULOI UJIN VALË’! ‘SHQIPTARËVE NË MAQEDONI U MUNGON LIRIA’!

(Pashtriku.org, 29. 05. 2012) – Z. Thaçi! Ju po trumbetoni se zbuluat ujin valë! Shqiptarët e dinë së në regjimin terrorist të Maqedonisë nuk kanë qenë asnjë herë të lirë por janë përvëluar në vazhdimësi! Fatkeqësisht edhe me ndihmën e shqiptarëve të dikurshëm të “ndershëm” komunistët autokrat dhe të atyre vasalëve të ri, të veshur me kostum demokrat! Z.Thaçi! Po ju rikujtoj vetëm një angazhim që morët publikisht në vitin 2006: Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!Gjatë mandatit tënd të dytë qeveritarë 2006-2008 u bënë krime monstruoze kundër shqiptarëve! Është koha që të paguash faturën e hises që të takon në këto krime! Fatura më e lehtë për ty është që të LARGOHESH nga skena politike kombëtare!
Në forumin partiak të grave, kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, shpalosi moton e «re» të PDSH-së dhe zbuloi se «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»!- Talljes së re publike që i bën ky person i vjetër i skenës politike të Maqedonisë i shkon për shtati sintagma ironike shqiptare «E zbulove ujin valë!!!!»
Për ata që nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë më parë Kryetarin e PDSH-së se si flet kur nuk është pjesë e pushtetit të Maqedonisë, motot e “reja” partiake dhe deklaratat se kësaj radhe Menduh Thaçi “ju garanton shqiptarëve se do t’ju sjellë lirinë” mund t’i duken si shpalosje e një strategjie të re në interes të shqiptarëve!

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

_______________________________________

Madje, z.Thaçin e dëgjojmë shpesh të pranojë gabimet e shumta që ka bërë kur ishte në pushtet si argat i qeverive të njëpasnjëshme që kanë aplikuar politikë antishqiptare. Pranimi publik i gabimeve të shumta mund t’i duket dikujt që nuk e njeh mirë Menduh Thaçi se gjoja ai flet sinqerisht dhe se gjoja nuk ka asnjë mision tjetër pos mbrojtjes së interesave kombëtare dhe t’ju sjellë lirinë shqiptarëve të Maqedonisë.
Përpiluesit e motos «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»! kanë shpresuar se duke u përputhur me realitetin e rëndë të diskriminimit racial që përjetojnë shqiptarët nga regjimi terrorist i Maqedonisë njerëzit do të harrojnë se kush është Menduh Thaçi dhe do të harrojnë rolin e tij të argatit të devotshëm të pushteteve maqedonase në politikën e diskriminimit të shqiptarëve.
Duke dëgjuar për të qindtën herë Kryetarin e PDSH-së i cili nga “pozita e opozitës” të ngre zërin kundër pozitës së mjerueshme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni njerëzve u janë ngulitur thellë në vetëdijen e tyre premtimet e shumta bajate të këtij personi.
Po u rikujtoj atyre që shtiren se kanë harruar apo që përpiqen të lënë në harresë realitetet e hidhura të këtij personazhi negativ të skenës politike të Maqedonisë se në Konventën e PDSH-së për zgjedhjet e vitit 2006, kur PDSH-ja nuk ishte pjesë e pushtetit në Maqedoni, në mënyrë solemne z. Menduh Thaçi shpalos Platforma e Re të PDSH-së përmes të cilës ju drejtua popullit dhe rivales së saj BDI-së me këto fjalë:
« Ne ju garantojmë se:
– për 60 ditë do të zyrtarizohet gjuha shqipe në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore;
– për 60 ditë do të sillet ligji për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare në gjithë territorin e shtetit;
– për 60 ditë do të sillet ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidët e luftës;
– për 60 ditë do të bëhet kompensimi i plotë i dëmeve që shkaktoi konflikti i vitit 2001;
– do të ndërpresim plaçkitjen e pasurisë sonë dhe do të imponojmë ndarjen proporcionale të buxhetit të shtetit;
– për 60 ditë do të imponojmë rishqyrtimin e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore dhe do të lirohen shqiptarët e  pafajshëm;
– për një afat maksimal një vjeçar do të realizojmë tërësisht Marrëveshjen e Ohrit;
– ne ju garantojmë siguri dhe nuk do të lejojmë që në zonat shqiptare të ketë ekzekutime klasike mafioze…
– U bëj një Apel të përgjithshëm që të demonstrojmë pjekuri të lartë nacionale dhe civilizuese! Të gjithë ata që do të mundohet ti manipulojnë zgjedhjet këtu, duhet të kenë parasysh se do ti mallkojë historia dhe pasojat e zgjedhjeve të parregullta në Maqedoni do të jenë fatale për pavarësinë e Kosovës!
– Unë, në emër të Kryesisë së partisë, të gjithë atyre që u kemi bërë dëm JU KËRKOJ FALJE PUBLIKE! Nëse dikush përpiqet të më arsyetoj se nuk e kam ditur se çka është bërë u them se funksioni im më detyron ta di! Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!
– Ju apeloj krerëve të BDI-së, të mos i frikësojnë njerëzit, të mos i frikësojnë funksionarët e tyre sepse nuk do të ketë hakmarrje dhe revanshizëm!
– Ne kemi punë që ditën e parë të qeverisjes, me partnerin maqedonas që ti zgjidhim hallet, problemet dhe çështjen shqiptare këtu! Nuk do të kemi kohë që të merremi me ta!.
– Partnerët maqedonas duhet ta dinë se pa realizim të drejtave kolektive të shqiptarëve, NATO, Unioni Evropian, janë vetëm ëndrra të maqedonasve…
– Ata duhet të vënë gishtin në mendje dhe të bëjnë marrëveshje me ne… Në të kundërtën përgjegjësia e luftës do të bie mbi ta!»
 Kjo është fasada diskurseve e Kryetarit të PDSH-së kur ai është në “opozitë”! E kur erdhi në pushtet çka ndodhi me pozitën e popullit shqiptar që mi mungonte liria?
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u zyrtarizua gjuha shqipe; nuk u soll ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidëve të luftës; nuk u bë asnjë investim në territoret me shumicë shqiptare; nuk u realizua Marrëveshja e Ohrit;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH me mijëra shqiptarë u torturuan në forma të ndryshme;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Karadaku, Pollogu dhe Malësia e Tetovës u përballën me format më të tmerrshme të terrorit shtetëror;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Terror në Tanushë, Terror dhe vrasje në Vaksincë, Terror dhe vrasje në Haraçinë, Terror dhe vrasje në Odri, Terror dhe vrasje në Tetovë, Masakër në Brodec….
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH në vend të rishqyrtimit të proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimit të shqiptarëve që padrejtësisht mbahen në burgje, burgosje të reja dhe montime të reja të proceseve gjyqësore!
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u bë kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga konflikti i vitit 2001 por u shtuan dëme të reja nga konfliktet e nxitura nga kjo diktaturë!
Nga të gjitha premtimet paraelektorale vetëm një premtim e mbajti Menduh Thaçi:
Ekzekutimet e shqiptarëve nuk u bënë vetëm në formën klasike mafioze por edhe në formën e terrorit shtetëror!
Të implikuar në krimet antishqiptare dhe nga frika se mund të shpërthente një revoltë e përgjithshme Mendu Thaçi, si pjesë e koalicionit antishqiptar, kërkonte shpëtim në anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, që ta forcojë ushtarakisht këtë shtet për të luftuar edhe më me forcë shqiptarët që kërkojnë liri në Maqedoni.
Tani ku legjitimiteti i pushtetit diktatorial VMRO-BDI është në rënie e sipër dhe kur gjithnjë e më tepër po spekulohet për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme Kryetari i PDSH-së “zbuloi” për të qindtën herë se «Shqiptarëve në Maqedoni u mungon liria»!“ dhe “ju garanton shqiptarëve se do t’ju sjellë lirinë”!
Z. Thaçi! Ju po trumbetoni se zbuluat ujin valë! Shqiptarët e dinë së në regjimin terrorist të Maqedonisë nuk kanë qenë asnjë herë të lirë por janë përvëluar në vazhdimësi! Fatkeqësisht edhe me ndihmën e shqiptarëve të dikurshëm të “ndershëm” komunistët autokrat dhe të atyre vasalëve të ri, të veshur me kostum demokrat !
Z. Thaçi! Po ju rikujtoj vetëm një angazhim që morët publikisht në vitin 2006: Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!
Gjatë mandatit tënd të dytë qeveritarë 2006-2008 u bënë krime monstruoze kundër shqiptarëve! Është koha që të paguash faturën e hises që të takon në këto krime! Fatura më e lehtë për ty është që të LARGOHESH nga skena politike kombëtare!
Lufta për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarë në Maqedoni është luftë politike që kërkon mbështetje të fuqishme nga forcat e mirëfillta demokratike në Maqedoni, Ballkan, Evropë dhe SHBA. Ajo nuk mund t’i besohet personave që mbajnë mbi supet e veta një pjesë të dhunës antishqiptare!
– Autori është Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura